Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Rikthimi i Islamit

Rikthimi i Islamit  në forma fundamentaliste e të përçudnuara në shoqëritë tona sot, vjen si pasojë e ndërprerjes së lidhjes së fetarizmit islam me traditën islame të zhvilluar në hapësirën kulturore osmane dhe në mjedisin intelektual shqiptar parakomunist. Modelet e reja të Islamit mund të jenë konkurrentë të rendit ekzistues socio-kulturor sekular i cili rrezikon të bie në krizë.

Islami tradicional

Historikisht, Islami te ne ka qenë i formësuar dhe i pandarë prej tre traditave mbikombëtare e tejkontinentale: shkollës teologjike maturidi në çështjet e besimit, drejtimit juridik hanefi në çështjet e praktikës ligjore të Sheriatit (që karakterizohen me vendin më të madh që i lënë arsyes në interpretimet teologjike) dhe I traditës mistike sufiste në çështjet e dimensionit spiritual. Kjo e fundit është e vlefshme sidomos për Islamin jozyrar në trajtat e tarikateve, por i cili ka bashkëjetuar edhe me islamin sunnit që ka qenë dominant.

Ky Islam është një nga versionet teologjike dhe mistike të traditës islame të zhvilluar në qendrat akademike të Botës islame nga shekulli VIII dhe i përpunuar në shkollat teologjike osmane. Në vendet tona, ai kishte ardhur përmes sundimit osman si pjesë e përhapjes së fesë perandorake dhe përgjatë disa shekujve ishte integruar e asimiluar në kulturat lokale të rajonit tonë. Për një kohë të gjatë, në mesin e popullatave të rajonit, identiteti mysliman ishte përkufizuar dhe fetarizmi islam ishte praktikuar në kuadër të këtij modeli tradicional të Islamit.

Islamët e rinj

Lidhja e shqiptarëve myslimanë me atë traditë ishte ndërprerë si pasojë e boshllëkut në jetën fetare të shoqërisë të krijuar nga qëndrimi armiqësor ndaj fesë në Shqipërinë e Jugosllavinë komuniste dhe nga stigmatizimi i fetarisë në albanosferën paskomuniste, sidomos të fetarisë islame. Rikthimi i Islamit në forma fundamentaliste e të përçudnuara në shoqëritë tona sot, vjen pikërisht si pasojë e ndërprerjes së lidhjes së fetarizmit islam me atë traditë të zhvilluar në hapësirën kulturore osmane. Si e tek?

Edhe pse u ndaluan e u harruan shumë elemente e praktika tradicionale fetare gjatë dekadave të regjimit komunist dhe u demonizuan disa të tjera gjatë periudhës post-komuniste, natyrisht, nevoja për fe nuk u çrrënjos nga njerëzit. Njerëzit, megjithatë, e rigjetën fenë, por jo fenë e traditës, sepse transmetimi i saj ishte ndërprerë, familja e shkolla nuk e bartnin më atë. Feja u gjet në traditat e huaja, jo në traditën tonë; u gjet në modelet reaksionare të Islamit bashkëkohor në shoqëritë myslimane të Lindjes së Mesme.

Kjo ndërprerje e traditës fetare, e ka lehtësuar lidhjen me modelet e Islamit të promovuar nga lëvizjet bashkëkohore në shoqëritë e Lindjes së Mesme, të cilat, propaganduesit lokalë, duan me i instalu me zor nga kontekste të huaja në shoqëritë tona. Mirëpo, tentimi për t’i importuar këto modele të huaja pa i asimiluar ato në kulturën tonë, krijoi pështjellime ideore e përçudnime praktike nga më të ndryshmet në jetën islame të vendit. Në të vërtetë, shumë prej propaganduesve të këtyre modeleve janë tepër të pafamiljarizuar me traditën e pasur e diverse të Islamit historik në shoqëritë tona dhe, njëkohësisht, tepër të pandjeshëm për kontekstin ideor, politik e kulturor të shoqërive tona.

Sidoqoftë, veprimtaria prozelituese e tyre ishte tejet efikase dhe e suksesshme në sfidimin e Islamit tradicional. Ky sukes nuk mund t’i atribuohet ndonjë epërsie epistemologjike ose tjetërfare të islamëve të rinj në raport me Islamin tradicional, por pikërisht sepse ky i fundit nuk rronte më në gjirin e jetës fetare e kulturore të  komunitetit mysliman në shoqëritë tona. Me fjalë të tjera, Islami tradicional mungoi kur islamët e rinj u prezantuan në mesin e të rinjve, studentëve, tregtarëve, grave, të skamurve, të kamurve, intelektualëve, artistëve, dhe të gjithëve që interesoheshin për islamin si identitet, si kulturë, si besim, si ritual, a si spiritualitet.

Përveç që kishin përsëritur shpesh togfjalëshin “Islam tradicional”, organizatat e bashkësive islame në Kosovë, Shqipëri e Maqedoni, dështuan ta zbulojnë e ta bëjnë të ditur se cili është e si është ai dhe, në vend se ta marrin të mirëqenë, mbi atë traditë të ndërtojnë një model të Islamit për njerëzit e interesuar për fenë dhe për të sotmen e shoqërisë. Vetëm duke marrë përgjegjësinë e udhëheqjes shpirtërore, morale e intelektuale të besimtarëve, ato do të justifikonin misionin dhe rolin e tyre shoqëror. Në mungesë të këtij angazhimi serioz, kundërshtimi i këtyre organizatave nuk kishte fuqinë e duhur për të ndikuar rrjedhën e jetës fetare në shoqëri.

Për pasojë, viteve të fundit, organizatat e bashkësive islame priren më shumë të lëshojnë pe ndaj propagimit të modeleve të reja të Islamit (që më parë i kundërshtonin ashpër) dhe të pranojnë propaguesit e tyre si imamë e predikues në xhamia, në poste administrative të organizatave të bashkësive islame, si dhe në institucionet kulturo-arsimore të menaxhuara prej tyre.

Dy modelet më të suksesshme

Nga një vështrim i shpejtë, rezulton se dy janë modele të Islamit që kanë pasur suksesin më të madh në shtrirje e pranim në shoqëritë tona. Njëri është një islam ultra-konservator, fundamentalist dhe puritanist, i promovuar nga një lëvizje shoqërore fetare (që njihet me dy cilësime çorientuese: “selefite” dhe “vehabite”) me qendër në shtetet e Gjirit Persik, Arabi Saudite, Katar, etj., disa nga ideologët më të hershëm të së cilës janë: Muhamed Ibën Abdulvehabi, dhe selefistët që filluan si modernistë, por mbaruan si fundamentalistë, Xhemaludin Al-Afgani, Muhammed Abduh, Rashid Rida, etj.

Tjetri është islami politik ose islamizmi, domethënë islami me qëllime politike që Fenë islame e merr si program të organizimit të jetës shoqërore e politike. Ky model ka zanafillën tek lëvizja “Vëllazëria myslimane” e Egjiptit dhe lëvizjet e tjera në Pakistan, Iran, Turqi, etj., me disa nga ideologët më të hershëm: Hasan Al-Benna, Sejjid Kutub, Abul Ala Mevdudi, Ali Sheriati, Ajatolla Khomeini, etj.

Falë popullaritetit dhe efikasitetit të tyre, këto dy modele po e sfidojnë—mbase më seriozisht se të tjerat—jo Islamin tradicional pra, por më saktë, atë që kishte mbetur nga dikur modeli dominant i Islamit tradicional dhe kështu po e tërheqin atë në aurën e tyre duke rrezikuar të shndërrohen në modele të reja dominante të Islamit në shoqëritë tona. (Analiza e shkaqeve të suksesit të këtyre lëvizjeve është me interes, por ajo tejkalon qëllimin dhe vëllimin e këtij shkrimi.)

Qëndrimet ndaj vlerave iluministe

Me gjithë dallimet, e përbashkëta e këtyre dy modeleve është se ato, sado që në shkallë e aspekte të ndryshme, barazojnë Islamin me ideologji. Më shumë se nocione të Islamit si fe që rregullon marrëdhëniet shpirtërore të njeriut me Zotin e që shprehen në besime dhe rituale fetare, ato përhapin një islamizëm që konsiston në kod etik të ngurtë, arkaik e anakronik që synon rregullimin e marrëdhënieve ndërnjerëzore dhe ofron modele legjitimuese për praktikat e organizimin shoqëror, modele këto të krijuara në kontekste politike e kulturore të ndryshme e të huaja për shoqëritë tona. Secila nga këto dy modele kanë edhe nën-variantet e tyre që në disa çështje jothelbësore dallojnë nga njëra-tjetra.

Për sa i përket qëndrimit të tyre ndaj ndikimit të ideve iluministe, racionalizmit dhe lirisë, që të dyjat kanë qëndrim refuzues ose joparimor si ndaj mendimit kritik dhe metodologjisë së shkencave shoqërore e humane në studimin e fesë dhe shoqërive myslimane, ashtu dhe ndaj emancipimit të kategorive të shtypura e dominuara shoqërore. Madje ka një tendencë që këto t’i përbuzë si “ndikim të orientalizmit perëndimor” si pjesë të një “konspirimi perëndimor, të krishterë, ateist, a cionist kundër myslimanëve”. Kjo pikëpamje esencialiste për Perëndimin, në të vërtetë, është tregues se sa pak dijnë për perëndimin dhe rryma filozofike a intelektuale atje.

Orientimi i programit të tyre është të riislamizojë shoqëritë myslimane, shkencën, madje edhe vetë Islamin, si nga interpretimet tradicionale të teksteve të shenjta, ashtu dhe nga ndërfutjet e modernitetit perëndimor që “e prish moralin”, “kërcënon identitetin e myslimanëve”, etj. Ky projekt do të duhej të realizohej ose përmes edukimit e riedukimit të myslimanëve me Islamin “e pastër” a “të vërtetë” ose me veprim politik me qëllim për t’i jetësuar politikat të cilat burojnë nga Islami i cili ka zgjidhjet përfundimtare për problemet e telashet e botës mbarë.

Islamët e sotëm nuk lejojnë të shtrohen çështje për shqyrtim e rimendim të cilat moderniteti i shtron, si për shembull për raportin ndërmjet fesë dhe kombit, për rolin e arsyes shkencore e filozofike, për pozitën e gruas në shoqërinë e familjen patriarkale, siç bënë Naim, Sami dhe Mehdi Frashëri, e të tjerë. Njëqind vite më parë këto kanë qenë tema të debatuara në mjedisin intelektual shqiptar në mesin e intelektualëve dhe studiuesve të fesë. Sot, duket se ka një ngurrim nga si nga intelektualët afetarë, ashtu dhe nga autoritetet fetare për t’u përfshirë në këto tema sfiduese. Mbase, të parët i ndalon një ide e gabuar se intelektuali afetar s’duhet të merret me tema fetare (për kush’di ç’arsye), ndërsa të dytët ngurrojnë t’i bëjnë ballë trysnisë së interpretimeve fundamentaliste të fesë.

Kriza e rendit dhe islamët e rinj si alternativa

Konteksti ekzistues socio-politik në shoqëritë shqiptare është tokë pjellore për shtrirjen më të gjerë të këtyre dy modeleve të Islamit. Shqetësimi është se shoqëritë tona—me prapambeturi arsimore e kulturore, me demokraci të pamjaftueshme, me nacionalizmin veç si strehë për politikanë të korruptuar dhe mbulesë për paaftësinë e papërgjegjësinë e elitave intelektuale, me integrimin të pasigurtë europian, me zbehjen e besimit tek autoritetet, me letargjinë e organizatave të bashkësisë islame, me politikanë që instrumentalizojnë fenë e figurat fetare për një grusht votash, me papunësi, me skamje, me grupe të margjinalizuara e të tëhuajësuara, me rini të paorientuar, me laicitet agresiv e diskriminues, dhe veçanërisht në Kosovë, me shtetësinë e pafinalizuar—qëndrojnë mbi themele të brishta legjitimuese.

Rendit ekzistues social e politik që përballet me këto telashe, po i lëkunden themelet legjitimuese. Njerëzit do të bëjnë pyetje dhe do të dëgjojnë ata që japin përgjigjet; do të kërkojnë zgjidhje dhe do t’i ndjekin ata që ofrojnë zgjidhje. Kush do të ofrojë përgjigje e zgjidhje dhe cilat do të jenë ato? Për shkak se islamët alternativë i kanë përgjigjet e gatshme dhe absolute për gjithçka, ata përbëjnë alternativë në pritje të legjitimimit të një rendi të ri social, sidomos modeli i dytë, domethënë islamizmi, ngaqë thekson më shumë alternativën politike islame dhe aspektin orgnizativ të komunitetit. Shkurt, duhet të merret parasysh se islamizmi mund ta konkurrojë rendin ekzistues socio-kulturor sekular, sidomos kur këtij po i rrezikohen themelet legjitimuese.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.