Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Sfidat dhe nevojat e nënave vet-ushqyese në kohë (pas)pandemie

Kriza e pandemisë COVID-19 ka qenë e ashpër për prindërit vetushqyes, të cilët papritmas, është dashur të ngujohen me fëmijë — me çerdhet, shkollat dhe sheshlojërat e mbyllura — dhe njëkohësisht të menaxhojnë ndikimet ekonomike të pandemisë. Meqë në Kosovë janë gratë ato që zakonisht kujdesen për fëmijët kur një lidhje shkëputet, barra e krizës së COVID-19 në mënyrë disproporcionale ka rënë mbi nënat vetushqyese.

Qeveria e Kosovës nuk ka marrë për bazë integrimin e perspektivës gjinore në masat e ndërmarra kundrejt COVID-19, për çka është avokuar që në fillim nga organizatat dhe aktivstët për të drejtat e grave. Në vend të kësaj, masat ishin njëdimenzionale, që parashihnin modelin e caktuar të familjes dhe kështu përjashtonin nevojat specifike të individëve.

Një gjë e tillë ilustrohet përmes masës së kufizimit të lëvizjes brenda kohës së caktuar gjatë ditës duke u bazuar në shifrën e parafundit të numrit të letërnjoftimit. Për shumë nëna vetushqyese kjo nënkuptonte lëvizje të lirë gjatë orëve të papërshtatshme të ditës, e cila do të detyronte të lënin fëmijët e vet në shtëpi derisa të bënin furnizimin me produktet esenciale.

Mundësia e infektimit me virus është e frikshme sidomos për prindërit e vetëm të cilët mund të përfundojnë duke u kujdesur për fëmijët derisa luftojnë sëmundjen, apo edhe obligohen të gjejnë një zgjidhje emergjente, nëse duhen të shtrohen në spital. Megjithatë deri tani asnjë institucion nuk ka inicuar ndonjë diskutim publik që do të parashtronte udhëzimet e nevojshme në lidhje me këtë.

Pas mbylljes së shkollave dhe kopshteve në javën e dytë të marsit, vendimi i Qeverisë kërkoi lirimin e njërit prind nga puna për shkak të kujdesit ndaj fëmijëve. Shumë shpejt u bë e qartë që sektori privat në shumë raste nuk po e implementonte vendimin për nënat vetushquese me arsyetimin e se kjo nuk pērmendej shprehimisht në vendim. Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu kërkoi nga punëdhënësit të zbatojnë vendimin e Qeverisë edhe për nënat vetushqyese, dhe disa përvoja sugjerojnë që reagimi hasi në rezultate të menjëhershme. Megjithatë, duhet analizë më e madhe e sektorit privat dhe trajtimit ndaj punonjësve për të vlerësuar saktë në çfarë mase është bërë implementimi i vendimit.

Pandemia tashmë ka ngritur një sërë çështjesh gjinore, dhe studiuesit kanë treguar se jeta në ngujim në përgjithësi ka ndikuar më shumë te gratë sesa te burrat; një nga këto çështje që është theksuar është rritja e rasteve të dhunës në familje. Në anën tjetër COVID-19 ka nxjerrë në pah edhe më shumë se si hegjemonia patriarkale brenda mureve të shtëpisë shpërfaqet më së miri në punën e papaguar, që rëndon kryesisht në kurriz të grave. Gjithashtu, shumë gra që janë pjesë e ekonomisë joformale, duke punuar si punëtore shtëpiake, kujdestare dhe mirëmbajtëse janë goditur më së rëndi.

Odat ekonomike të grave kanë kërkuar përfshirjen e perspektivës gjinore në masat e Pakos Fiskale Emergjente, të cilat kryesisht janë gjithëpërfshirëse, pa targëtim të nevojave të veçanta, si ato të nënave vetushqyese. Kritikët thonë që shteti është dashur të ofrojë një vigjilencë më të madhe për grupet e prekura, që mund të përkthehej në pako të veçantë për nënat vetushqyese që shpesh veçse jetojnë në situatë të rëndë ekonomike, dhe si shumë qytetarë tjerë janë përballur me rrezikim të vendit të punës, por edhe shkëputje të kontratave. Po ashtu analistët thonë që vëmendje dhe lehtësime duhet të kenë edhe bizneset e drejtura nga gratë, që në Kosovë janë në përqindje të vogël, dhe atë kryesisht në fushën e gastronomisë, që është një nga sektorët më të prekur nga COVID-19.

Mungesa e të dhënave për nënat vetushqyese, që do të mund të përkthehej në politika adekuate, ka vazhduar edhe gjatë periudhës së izolimit. Identifikimi i tyre do të mundësonte të kuptuarit e nevojave të ndryshme dhe krijimin e mekanizmave të duhur për lehtësimin e ngarkesave të papritura.

Në fakt, pandemia ka theksuar edhe neglizhencën e madhe institucionale dhe shoqërore ndaj sfidave dhe vështirësive të nënave vetushqyese, që tanimë janë shumëfishuar, varësisht nga statusi ekonomik dhe social: Një nënë vetushqyese në një zonë rurale ka shumë më shumë gjasa të jetë e papunësuar në krahasim me një nënë vetushqyese që jeton në qytet. Pastaj çerdhet publike vazhdojnë të pranojnë numër të kufizuar të fëmijëve, ndërsa çerdhet private shpesh janë të papërballueshme edhe për nënat vetushqyese me një pagë mesatare. Vetëm 12 përqind e grave janë pjesëmarrëse në tregun e punës dhe sipas një raporti të vitit 2016 nga BIRN, vetëm 16 përqind e pronës në Kosovë është e regjistruar në emër të grave.

Përveç të gjithë sfidave ekonomike si kryefamiljare në shtëpi, orvatjet e nënave vetushqyese bëhen edhe më të theksuara kur ato jetojnë në shoqëri patriarkale të cilat priren të nxisin pafuqinë te gratë, ndërsa fuqimisht nxjerrin në pah rëndësinë e martesës heteroseksuale, amësisë dhe familjes së gjerë. Hulumtimet dokumentojnë se si nënat vetushqyese vazhdimisht stigmatizohen. Në qyteza më të vogla e më tradicionale si dhe në mjedise rurale, ato kanë më shumë gjasa të përjashtohen nga shoqëria dërsa presioni për t’iu përshtatur normave të përbashkëta është shumë më i madh.

Madje shpesh mospranimi dhe paragjykimet thellohen varësisht a është një grua nënë vetushqyese e ve, e ndarë apo ka vendosur të ketë fëmijë pa partner.

Shumica e grave hasin në diskriminim brenda vet sistemit të drejtësisë: praktikat gjyqësore, që zgjasin me vite të tëra, vazhdojnë të mbrojnë interesin e burrave. Gjyqtarët kanë tendencë të ndajnë pronën vetëm në favor të burrave, derisa ekspertët financiar dështojnë të bëjnë kalkulimin e drejtë të kontributit të grave, që në shumicë dërrmuese është në formën e punës së papaguar. Mbi të gjitha, burrat me vite i shmangen pagesës së alimentacionit, pa llogaridhënie, dhe pa u trazuar nga organet e drejtësisë.

Ekspertët gjnorë vazhdimisht pohojnë që duhen intervenime rrënjësore në sistem, ku prioritet duhet të jenë gratë dhe fuqizimi i tyre, sidomos ai ekonomik. Mbarëvajtja e proceseve gjyqësore, njohja e kontributit dhe ndarja e mirëfilltë së pasurisë së përbashkët, dhe pagesa e rregullt e alimentacionit do të siguronte shumë lehtësime në jetesën e nënave vetushqyese. Po ashtu komunat duhet të krijojnë politika që ofrojnë qasje më të lehtë në kopshtet për nënat vetushqyese, si dhe në banim social, kur gratë hasin në mospranim nga familjarët tyre.

Deri më tani nuk ka asnjë qartësi se çfarë hapësire do të zë perspektiva gjnore gjatë fazës së rimëkëmbjes ekonomike. Kriza politike në vend po e largon edhe më shumë fokusin nga ballafaqimi me pasojat e pandemisë. Ndikimi afatgjatë i krizës së COVID-19 sigurisht që do të matet në muajt dhe vitet pas adresimit të saj; në ndërkohë, pavarësia dhe mirëqenia e grave, përfshirë e nënave vetushqyese, do jenë në pikëpyetje për një kohë të gjatë.

—–

Sallonet e së martës janë një nismë javore e Institutit Demokraci për Zhvillim (D4D). Diskutimi mbledh rreth vetes ekspertë e analistë, politikanë e publicistë për të reflektuar dhe kërkuar konsensus mbi temat e përzgjedhura.

Për shkak të situatës së ballafaqimit me pandeminë COVID-19 në të cilën gjendemi, ky sallon është zhvilluar përmes platformës online, Google Meet.

Ky sallon është transmetuar direkt në Facebook.

 

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.