Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Shërbimet dhe integriteti i të dhënave në Kosovën digjitale

Platforma e-Kosova, edhe pse e themeluar vite më parë, u funksionalizua në kohën e pandemisë COVID-19. Zyrtarë të Agjencisë të Shoqërisë Informative (ASHI) vlerësojnë që pavarësisht problemeve që qytetarët/et kanë mundur t’i hasin gjatë përdorimit të platformës në fjalë, mundësia për regjistrim online për vaksinim, shmangia e pritjes në rend për të bërë termin dhe për t’u ftuar për vaksinim më vonë, e kanë lehtësuar në masë të madhe jo vetëm punën e shërbyesve shëndetësorë, por edhe përvojën e qytetarëve me vaksinim në një periudhë të krizës së shëndetit publik.

“Me mbi 1 milion e 500 vaksina të administruara, kjo platformë ndihmoi në caktimin e terminëve dhe sigurimin e pasaportave elektronike,” – tha Burim Balaj, menaxher i platformës e-Kosova.

Platforma në fjalë ka më shumë se 6000 përdorues të regjistruar dhe brenda një periudhe 6-7-mujore ka pranuar rreth 100 milionë vizita.

E-Kosova nuk është përpjekja e vetme drejt digjitalizimit të shërbimeve dhe qeverisjes së hapur. E-prokurimi, si hap fillestar i transparencës, ndryshoi të gjithë qasjen e komunitetit rreth procedurave të prokurimit në vend. Organizata të shoqërisë civile në fushën e të dhënave të hapura e cilësojnë e-prokurimin si të arritur shumë të rëndësishme në fushën e transparencës fiskale. “Ajo që filloi me prokurimin publik, u përhap dhe u replikua edhe në fusha të tjera të transparencës së qeverisë”, tha Blerta Thaqi, drejtore ekzekutive e Open Data Kosovo (ODK).

Akterë dhe profesionistë/e të ndryshëm në fushën e qeverisjes së hapur dhe digjitalizimit të të dhënave pajtohen se janë ndërmarrë hapa të rëndësishëm gjatë viteve të fundit sa u përket digjitalizimit të të dhënave dhe pjesëmarrjes qytetare. Kjo vërehet me qasjen transparente të punës së Kuvendit të Kosovës, përpjekjeve në nivel komunal, në rritjen e kapaciteteve të ASHI, përfshi platformën e-Kosova, si platforma kryesore për identitetin digjital të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës në të cilën mund të kenë qasje të centralizuar të të gjitha shërbimeve elektronike që ofrohen nga institucionet qeveritare.

Shoqëria civile në vend, përveç rolit të saj edukues dhe avokues, ka rol pro-aktiv në fushën e qeverisjes së hapur. Sipas Fidan Kalajës, udhëheqës i procesit të anëtarësimit së Kosovës në Open Government Partnership (OGP), njëherësh edhe koordinator nacional për hartimin e Planit të ri të Veprimit në kuadër të OGP, shoqëria civile jo vetëm që është pjesë e hartimit të planit të ri të veprimit për Open Government Partnership (OGP), por po ashtu luan rol krucial, sepse është edhe shumicë.

Ky rol pro-aktiv manifestohet me kontribut konkret. Open Data Kosovo ka propozuar një zgjidhje shtesë në kategorinë e shërbimeve shëndetësore në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe me mbështetje nga Ambasada e Holandës në Kosovë.

“Shërbimi në fjalë ka të bëjë me digjitalizimin dhe verifikimin e kartelës së vaksinimit të përgjithshëm, e cila ka lindur si nevojë dhe inspirim nga suksesi i procesit të evidentimit të vaksinës të COVID-19,” tha Blerta Thaci, drejtore ekzekutive në ODK.

Sipas saj, përmes këtij moduli shtesë, secili fëmijë qysh nga lindja e deri në moshën madhore do të ketë mundësi ta evidentojë historikun e marrjes së vaksinave të përgjithshme. “I njëjti modul do të ofrojë edhe verifikim shtesë përmes QR code në e-Kosova, në mënyrë që përdoruesi ta ketë në dispozicion sa herë që është e nevojshme për dokumentacion, si dëshmi e vaksinimit, për shembull kur prindërit i regjistrojnë fëmijët në kopsht apo në shkollë. Ky modul në kuadër të e-Kosova do të lansohet së shpejti”, tha Thaçi.

Megjithatë, pavarësisht arritjeve të dukshme drejt qeverisjes së hapur dhe digjitalizimit të shërbimeve, Kosova ende përballet me probleme të theksuara. Mungesa e të dhënave në sektorë esencialë vazhdon të jetë problem qendror në përpjekjet drejt qeverisjes së hapur dhe digjitalizimit të mirëfilltë të të dhënave në vend. Për këtë është i vetëdijshëm edhe Kalaja, i cili konsideron se të dhënat e hapura, për shembull në Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Bujqësisë, do t’i ndihmonin sektorit privat për të bërë analiza për investime potenciale.

“Për momentin kemi mungesë të të dhënave të hapura që t’u shërbejnë bizneseve që të bëjnë analiza për investime të ndryshme. Prandaj, është kruciale që të kemi qasje pro-aktive në hapje të të dhënave, të dhëna që do të jenë lehtë të qasshme për qytetarët dhe operatorët ekonomikë”, tha ai.

Instituti për Politika Zhvillimore INDEP, institut kërkimor që promovon qytetari aktive dhe pjesëmarrje në qeverisje, cilëson energjinë si një ndër fushat kryesore ku të dhënat e hapura janë të domosdoshme për zhvillim dhe prosperitetit të vendit.

“Në fushën e energjisë ka mungesë të të dhënave rreth performancës energjetike të ndërtesave. Të dhënat mbi këtë aspekt do të mundësonin kalkulimet e efiçiencës së energjisë dhe përllogaritjet mbi nivelin e kursimit të energjisë, si dhe investimeve që duhen bërë në të ardhmen në përgjithësi. Për më tepër, nuk ka të dhëna dhe studime mbi kapacitetet e burimeve të ripërtëritshme, krahas të dhënave të qasshme mbi infrastrukturën e bartjes së energjisë në kohë reale”, tha Dora Musa nga ky institut.

Një tjetër çështje me rëndësi është mungesa e të dhënave të mbledhura në mënyrë rutinore. Për shembull, të dhënat e sportit janë publikuar njëherë në vitin 2013 dhe prej asaj kohe asnjë e dhënë nuk është publikuar. Kjo ndikon që njerëzit në përgjithësi, dhe profesionistët e sportit në veçanti, të mos jenë të mirëinformuar se çka bëhet në fushën e sportit në Kosovë. Për më shumë, mungesa e të dhënave të përditësuara e vështirëson edhe hartimin e mirëfilltë të politikave për sportin.

Përveç sfidave me të dhënat e mjaftueshme dhe të mbledhjes rutinore, cilësia e të dhënave është tejet diskutabile. Dita Dobranja, ekonomiste, njohëse dhe entuziaste e të dhënave të hapura, vë në pah diskrepancën në të dhëna që ofrohen prej institucioneve të vendit.

“Për shembull, nëse më nevojiten të dhënat në fushën e edukimit, unë i kërkoj ato nga Ministria e Arsimit dhe nga drejtoritë e arsimit në komuna përkatëse. Pastaj, Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) e publikon njëfarë baze me të dhëna, që është ndryshe e strukturuar nga ato që i prezanton për shembull Ministria e Arsimit në ditarin statistikor. Në këtë mënyrë ndryshon ndonjë përqindje dhe nuk e di se cilën të dhënë duhet përdorur apo raportuar. Këtu ndërpritet liria e hulumtuesit/es”, tha Dobranja.

Për më shumë, Dobranja thekson që mungesa e përgjithshme e të dhënave na bën që të kemi një tendencë që atyre pak të dhënave në dispozicion që publikohen, t’u besojmë plotësisht dhe t’i marrim për të mirëqena. Ajo thekson që është tejet me rëndësi që në mesin e grave dhe burrave, qofshin qytetarë, studiues, hulumtues, etj., të rritet mendimi kritik për të dhënat që i konsumojnë. Rrjedhimisht, Dobranja inkurajon përdoruesit/et e të dhënave që të mos kërkojnë dhe flasin vetëm për më shumë të dhëna, por edhe për integritetin e tyre.

*Ky artikull është publikuar nga Open Data Kosovo, në kuadër të projektit “Iniciativa për Qeverisje të Hapur dhe të Mirë”, financuar nga programi MATRA 2020 në Ambasadën e Holandës në Kosovë. Ky artikull është përgjegjësi e Open Data Kosovo dhe nuk reflekton pikëpamjet e Ambasadës së Holandës.

Lexoni Gjithashtu

Debunking Articles

Pretendimi i ngritur nga Vudi Xhymshiti se Zëvendës Ndihmës Sekretari, Gabriel Escobari, ka nënvlerësuar qeverinë e Kosovës, duke e lidhur këtë me pretendimet se...

Analizë

Katër ditë para Vitit të Ri, më 27 dhjetor 2023, Qeveria e Kosovës miratoi në heshtje Projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media, i...

Analizë

Viti i parë i Qeverisë Kurti shënoi një start të vështirë në politikën e jashtme, shoqëruar me shumë gabime diplomatike dhe dështime të protokollit....

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.