Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Si e kuptoj moton “Drejtësi për Astritin!?

Si e kuptoj moton “Drejtësi për Astritin!?

Mshele gojën Dehar n’varr
Se liria këtë çmim ka
Me t’gërvish n’fyt e n’duar
E me thanë u vetëvra  

Mshele gojën Dehar n’varr
Shliro frymën niher mirë
Me jetu me qatë frymë
Liria njeh veç këtë mënyrë

Mshele gojën Dehar n’varr
Vdekja e jote s’na pengon
Shteti ka prioritete tjera
Nji burg t’madh po ndërton  

Mshele gojën Dehar n’varr
Se ky pushtet edhe jetë vjedh
Përgjigjen tane s’e meriton
Pusho i qetë për neve t’mjerë

(Vargje të shkruara nga një mik imi, e të pabotuara më parë)

Vdekja e qytetarit dhe aktivistit politik Astrit Deharit, i ndaluar nga shteti në pritje të gjykimit për vepra të rënda kundër shtetit, tregon për një gjendje ku pushteti nuk lejon aktivizmin politik të qytetarëve që sfidon status quonë, dhe, për më tepër, s’mbron as jetën, pra as statusin e njeriut biologjik të atyre që i arreston. Jeta e tij si aktivist politik ndëshkohet, por as jeta e tij biologjike si gjallesë nuk ka vlerë, por lihet në mëshirën e gjykimit të publikut dhe vrasjes nga vetvetja, nëse e pranojmë shpjegimin zyrtar të vdekjes së tij. Gjendje që ta shtin frikën nga ky sistem shtypës dhe vdekjeprurës! Andaj, nuk duhet rreshtur së kërkuari drejtësi për Astritin. Përndryshe, heret a vonë, astrita jena krejt na. Por, çka domethënë të kërkojmë drejtësi për Astritin..?

Prolog

Data 7 nëntor, 2016. Ora 7.30 e mbrëmjes. Radio Televizioni i Kosovës. Lajmet qendrore. Një ditë para zgjedhjeve presidenciale në SHBA: mbi 15 minuta “lajme” për emrat personalë, rrugët, sheshet, butiqet e Prishtinës e Kosovës me emrat e Klintonëve; “anketë” me qytetarët se kush ka me i fitu zgjedhjet për president atje si dhe një i ftuar në studio që përsëri flet për sheshet, rrugët e butiqet me emra të Klintonëve! Krejt kjo, ironikisht, mu në ditën kur ishin publikuar rezultatet e para të autopsisë së qytetarit dhe aktivistit politik Astrit Deharit, i gjetur i vdekur në rrethana misterioze dy ditë më parë në një qeli burgu në Prizren ku po mbahej si i dyshuar për vepra terroriste kundër shtetit. Rezultatit të autopsisë së trupit të tij i vjen radha tek si lajm i tretë nga gjysma e dytë e edicionit qendror të lajmeve të të ashtuquajturit shërbimit medial publik, RTK.

Homo sacer

“Homo sacer”, një kategori në të Drejtën e Romës së lashtë, i sjellë në vëmendje nga filozofi Giorgio Agamben, emërtonte njeriun të cilin shteti e përjashtonte nga komuniteti duke i hequr të gjitha të drejtat qytetare, privuar nga mbrojtja ligjore dhe ndaluar çdo lloj marrëdhënie me të, si pasojë e përfshirjes së tij në disa shkelje të caktuara të ligjit. I tilli nuk ekzekutohej, pra ndalohej vrasja e ligjshme e tij, por as ndëshkohej vrasja e tij nga kushdo që e vriste, sepse kjo nuk konsiderohej krim, e as që filjohej në rituale fetare, pra nuk bëhej kurban për zotërat.

Janë bërë më tepër se një vit prej largimit të Astrit Deharit nga kjo jetë dhe ca më shumë qysh se ai u trajtua si “homo sacer” nga shteti e shoqëria. Astriti u përjashtua nga një mënyrë e të qenit qytetar, duke u privuar nga statusi i qytetarit aktiv politik, dhe duke u zhveshur prej një mënyre të caktuar të jetës, domethënë jetës politike—të cilën Aristoteli e vlerësonte si jetë të mirë të qytetarit pjesëmarrës aktiv në politikë—duke e reduktuar jetën e tij në një ekzistencë të thjeshtë kafsheje. Shteti, i udhëhequr nga oligarkë e i mbikëqyrur ndërkombëtarisht, rezistencën dhe veprimin politik e ngushton deri në pamundësi duke e kufizuar atë brenda kornizës së demokracisë zgjedhore si garë për votë popullore për përfaqësim në organet politike shtetërore. Ky pushtet, veprimin politik jo vetëm që e kufizon brenda një hapësire procedurale të përfaqësimit politik, por edhe ndëshkon me ngujim në burg qytetarët të cilët lypin mënyra të tjera të aktivizmit politik.

Me këtë trajtim të Astritit, pushteti na kërcënohet secilit prej nesh se çdo aktivizëm a rezistencë politike jashta kuadrit të procedurës demokratike të garës për votë dhe zënies së posteve politike shtetërore, do të ndëshkohet me burgim, izolim apo ndarje prej bashkësisë, përjashtim nga mbrojtja e duhur ligjore dhe me lënie në mëshirën e kujtdo që të ketë vullnet të kryejë gjyqin publik, damkosë, shpifë, e ndoshta edhe të vrasë. Kështu pushteti i sovranit na e çon një porosi: prano demokracinë e votës dhe hiq dorë nga rezistenca politike, protesto paqësisht në vend se të rezistosh a luftosh privatizimin e shtetit, krimin e mbrapshtitë qeveritare; me një fjalë, braktis jetën politike dhe qytetarinë aktive dhe bindju sovranit duke u shndërruar në kafshë biologjike që çon jetën duke u preokupuar si të gjejë ushqim e strehë sa për të mbijetuar ditët. Këtë e don pushteti politik: të dalësh jashtë sferës politike të qytetarit të vetëdijshëm e aktiv dhe të jetosh si një gja e gjallë.

Gjakhupës

Për më tepër, Astriti si terrorist i dyshuar ishte përjashtuar edhe nga mbrojtja e duhur shtetërore në kuptimin se damka e terroristit ngarkoi mbi të peshën e gjykimit të publikut para se gjykata të jepte verdiktin. I tilli vritet politikisht dhe për vetëvrasjen e tij nuk merret në përgjegjësi askush. Shkon “gjakhupës”, nëse mund të përdorim një kategori të Kanunit që, siç ka vërejtë Enis Sulstarova, në disa aspekte mund të krahasohet me “homo sacerin” romak. “Gjakhupësi” ose personi gjaku i të cilit hupë—domethënë se për të askush nuk merr hak—në Kanun ishte ai që kryente shkelje të caktuara të rendit dhe normave fisnore që kishin për qëllim ruajtjen e shenjtnisë e nderit të familjes dhe mbrojtjen e pasurisë dhe personit të klerit. Në Kosovën ahtisariane që gjithnjë e më tepër po merr trajtën e një sulltanati ndërkombëtar të sunduar nga hegjemonia ndërkombëtare dhe vasalët e tyre vendorë: oligarkë e grupe klanore të ashtuquajtura “parti politike”, shpallet “gjakhupës” një qytetar që nuk do të pajtohet me status quonë (e ngjashme me “ruajtjen e shenjtnisë dhe nderit të familjes” në Kanun) dhe rendin e padrejtë e jodemokratik të instaluar nga pushteti vendor dhe i jashtëm (e ngjashme me “mbrojtjen e pasurisë dhe personit të klerit”). Shteti nuk e vret, por as thërret në llogari përgjegjësit për vetëvrasjen e tij, e as  ata që ia bëjnë gjyqin a priori. Pra, shteti nuk merr hak për një qytetar politik.

Drejtësi

Mirëpo, “merr hak” është e vlefshme për një shoqëri fisnore që vlerën kulminante e ka nderin ose prestigjin dhe që hakun e nxjerr duke e larë gjakun me gjak (sepse në Kanun “Gjaku s’hupë kurr”) dhe kështu e normon gjakmarrjen si një mekanizëm të drejtësisë, në mungesë të mekanizmave shtetërorë, ku fisit të çnderuar (nga vrasja e një anëtari të tij) i njihet “tagri” për ta çuar drejtësinë në vend. Mirëpo, nëse duam ta ndërtojmë një shoqëri moderne, e ta kuptojmë drejtësinë jo si hakmarrje (“retribucion”), por si rikthim në rend e ligj (“restitucion”), Astritin nuk duhet trajtuar si një anëtar të “fisit” të tij politik ose farefisit, por si një pjesëtar të shoqërisë civile dhe aktivist politik. Drejtësi për Astritin nuk duhet të kërkojë ekskluzivisht familja dhe subjekti i tij politik, por shoqëria. Hakmarrja “retributive” vetëm do ta kishte sforcuar kulturën fisnore të komunitetit pa shtet dhe nuk do të ishte hap drejt ndërtimit të shoqërisë së civilizuar me shtet.

Me fjalë të tjera, gjaku i Astritit është i vlefshëm, por jo vetëm për familjen e tij biologjike dhe partiake, por për tërë shoqërinë. Shpirti politik i Astritit do të gjejë rehatinë vetëm pasi të shpaguhet “gjaku” i tij politik. Astriti nuk duhet të shkojë gjakhupës, domethënë “gjaku” i tij nuk duhet lejuar të shkojë poshtë. Prandaj, “Drejtësi për Astritin” është thirje për të shpaguar “gjakun” e tij politik, pra sakrificën e tij politike. Përndryshe, Astritin nuk e ka vra vetvetja ose dikush tjetër (varësisht se cilit version i beson), por e kena “gri katundisht”, pra e ka vra gjithë komuniteti, tërë shoqëria. “Drejtësi për Astritin!” është moto për të mos e “e gri katundisht” atë, pra të mos e harrojmë tragjedinë e një aktivisti politik dhe ai të mos shkojë gjakhupës.  Harresa e Astrit kishte me qenë vrasje e dytë dhe përfundimtare e tij. Kësaj radhe nga bashkësia. Prandaj kërkimi i drejtësisë për Astritin është imperativ për një shoqëri që dëshiron të çojë jetë të angazhuar dhe aktive politike.

Astriti, si një personifikim i aktivistit politik, nuk duhet të shkojë “gjakhupës”. Për vdekjen e tij politike duhet të marrim hak. Nuk duhet të shkojë “gjakhupës”, domethënë se veprimtaria e tij politike nuk duhet të shkojë huq. “Hakmarrja” nënkupton të mos pajtohemi me vrasjen e aktivizmit politik dhe të mos heqim dorë nga e drejta për rezistencë e aktivizëm politik. Me fjalë të tjera, të mos pajtohemi të shndërrohemi në “homines sacri” të zhveshur nga jeta politike e të çojmë vetëm jetë biologjike, si gjatë e gjalla. Jetët e aktivistëve politikë pas Astritit nuk duhen të jenë të pambrojtura, të rrezikuara dhe të kërcënuara nga kushdo.

Me një fjalë “Drejtësi për Astritin!” duhet të kuptohet si thirrje të mos shkojë huq “gjaku” politik i tij dhe të thirren në përgjegjësi autoritetet shtetërore që e përndoqën dhe në duar të të cilëve vdiq, që nuk e trajtuan hetimin për vdekjen e tij me seriozitet sipas standardeve të kërkuara me ligj, si edhe organizatën politike ku ai vepronte, për aq sa ajo mund të qortohet se nuk udhëhiqej sipas një teorie e praktike të menduar organizative, siç e pranoi lideri i saj, por, ndoshta, sipas taktikave të ngutshme dhe tekave individuale a grupore brenda organizatës!

“Drejtësi për Astritin!” parakupton këmbëngulje që të rimendojmë marrëdhënien e shtetit me aktivizmin politik të qytetarëve dhe të pushtetit me opozitën qytetare e partiake, por edhe kauzat e organizatave politike dhe mjetet për të çuar përpara ato.

“Drejtësi për Astritin!” domethënë që të mos pajtohemi me statusin tonë si “homines sacri”, si shpirtëra në mes jetës biologjike dhe vdekjes së shpirtit politik. Ky mospajtim nisë nga Astriti. Nuk mund të pajtohemi me Astritin si “homo sacer”, gjakhupës dhe i padenjtë për t’u flijuar në ritualet tona politike për idealet ose zotnat sekularë: lirinë, demokracinë dhe vetëvendosjen!

Poshtëshënim

E kam nisur këtë shkrim me qëllim për ta botuar me rastin e njëvjetorit të vdekjes së Astrit Deharit, fundi tragjik i të cilit më ka përcjellë gjatë tanë kohës. Por, nuk e përfundova dot në ditën që e planifikova. Si duket hala nuk e kisha marrë veten nga tronditja e ngjarjes; isha tepër i trusollur për të menduar për të ose tepër i ndrojtur për të artikuluar një mendim rreth saj.

Por, kjo nuk është veç një çështje e imja personale, ma merr mendja. Është një nyje e cila na e rëndon shpirtin kolektiv; një duq në gjoks që na e zë frymën dhe nuk po e kapërdijmë dot; një tragjedi të cilën nuk po mund ta përfytyrojmë, sepse nuk kemi përvojë të ngjashme me të cilën mund ta krahasojmë. Po, ne kemi pasë të vrarë e vetëvrasë në burgje jugsllave e serbe ma parë, edhe aktivistë të vrarë nga policia e Unmikut, por u kemi dhënë kuptim atyre: viktimat i kemi shpallur heronj, patriotë e qytetarë që kanë rezistuar e sakrifikuar për kauza të qarta. Por, me Astritin sikur nuk po e dijmë çfarë të bëjmë. Si shoqëri, tragjedisë së Astritit ende nuk ia kemi lënë një emër. Për çfarë kauze shkoi? A e justifikoi kauza metodën? A është ai hero? A është ai terrorist? Apo vetëm një qytetar i zakonshëm?

Prandaj, në vend se të lexohet si mbështetje e një kauze politike apo justifikim i përdorimit të dhunës për qëllime politike, në qoftë e mundur, ky shkrim le të kuptohet si një përpjekje e vogël e imja për t’ia ngjitur emrin ngjarjes tragjike të Astritit, drejt kuptimësimit dhe krijimit të një ideje ose narrativi për të, përmes analizës së marrëdhënies së pushtetit me aktivizmin politik qytetar. Nëse si shoqëri duam përparimin dhe pjekjen politike, na duhet t’i japim kuptim ngjarjeve që ndodhin në mesin tonë. Përndryshe, nuk kena për të mësuar asgjë prej historisë. Kështu, mbase mund të nisim një histori të re të vetëdijes tone politike në rrethanat e reja.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.