Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Vetëdija njerëzore për zhvillim të qëndrueshëm urban

 

Zhvillimi i qëndrueshëm, (anglisht: sustainable development) është procesi i përmbushjes së objektivave të njerëzimit, pa rrezikuar resurset natyrore për gjeneratat që vijnë. Zhvillimi i qëndrueshëm si koncept për herë të parë është përdorur në raportin e Brundtland-it, Our Common Future, formalisht i njohur si Komisioni Botëror mbi Ambientin dhe Zhvillimin (World Commission on Environment and Development, WCED 1987). Udhëheqëse e Komisionit ishte Gro Harlem Brundtland, ish kryeministre e Norvegjisë.

Çka është me të vërtetë zhvillimi i qëndrueshëm? Çka do të thotë kjo në praktikë?

Një mënyrë për ta bërë më praktik dhe më të kuptueshëm këtë koncept është definimi i aspekteve apo i dimensioneve që përbën zhvillimin e qëndrueshëm. Zhvillimi të qëndrueshëm nënkupton qëndrueshmëri ekologjike, sociale dhe ekonomike. Të tre dimensionet janë paraqitur me vlera dhe peshë të barabartë. Në zonën ku të tri dimensionet mbivendosen mbi njëra-tjetrën, arrihet zhvillimi i qëndrueshëm.

Image

Në vendet përendimore, projektet zhvillimore dhe dokumentet strategjike për zhvillimin e qyteteve, konceptin për një zhvillim të qëndrueshëm e kanë të integruar në çdo dokument apo projekt. Gjatë një hulumtimi disa javor të projekteve dhe strategjive të ndryshme të komunave në Kosovë, të cilat janë të publikuara, pothuaj ky koncept nuk përmendet askund.

Një qytet në balanc është një qytet i qëndrueshëm (Sustainable City)

Gjatë historisë, njerëzimi ka ndërtuar me mijëra qytete e vendbanime të ndryshme. Një pjesë e këtyre  vendbanimeve janë zhvilluar në qytete të mëdha apo mega qytete, p. sh. Nju Jork, Tokio, Londër, mirëpo të tjera zvogëluar dhe janë zhdukur krejtësisht. Nga kjo përvojë, urbanistët dhe arkitektët kanë mësuar se qytetet e suksesshme duhet të kenë një balanc mes dimensioneve si në vijim:

Dimensioni social: njerëzit kanë dëshirë të banojnë në qytet për shkak se në qytet ka shkolla, kino, spitale, biblioteka, shtëpi për të moshuarit (azil), çerdhe për fëmijë etj.

Dimensioni ekonomik: komuna në bashkëpunim me sektorin privat dhe kompanitë e ndryshme disponojnë më shumë mjete financiare, me të cilat zhvillojnë qytetin me sa më pak ndikim negativ në ambient.

Ambienti: ndotjet e ndryshme mos ta dëmtojnë ujin, ajrin, që resurset natyrore mos të shterrojnë, për shembull uji i pijshëm.

Por në esencë, një qytet me zhvillim të qëndrueshëm është ndërthurje e disa elementeve themelore të planifikimit urban, të cilat pa asnjë përjashtim, çalojnë dukshëm në Kosovë.

Arkitektura

Arkitektura nuk ka të bëjë vetëm me pamjen e jashtme të ndërtesave. Ajo ndihmon edhe në krijimin e atraktivitetit në lagjet e caktuara. Arkitektura e mirë është një indikator i rëndësishëm në tërheqjen e turistëve dhe investitorëve. Andaj duhet krijuar arkitekturë të mirëfilltë dhe me vlera.

Planifikimi i zonave të gjelbra

Planifikimi i mirë i zonave të gjelbëra krijon hapësira atraktive për rekreacion, por edhe hapësirë për shtazët, shpezët dhe vegjetacionin. Krijimi i këtyre hapësirave ndikon në mirëqenien e banorëve. Lagjet e ndërtuara afër zonave të gjelbëra janë më atraktive për banim dhe si pasojë edhe vlera e banesave rritet në treg. Komunat duhet të krijonë hapësira të hapura, të gjelbëruara brenda qytetit dhe këto hapësira duhen të jenë lehtësisht të qasshme.

Në zonat e gjelbëra hyjnë edhe tokat bujqësore. Në Kosovë janë zhdukur me mijëra hektarë tokë bujqësore pa kurrfarë studimi apo kriteri. Zakonisht këto hapësira në periferi të qyteteve janë kthyer në zona të betonizuara pa kurrfarë plani paraprak.

Dialogu me qytetarë

E kam cekur edhe në një shkrim më herët që dialogu me qytetarë është kyç në ndërtimin e qyteteve. Qyteti duhet t´i dëgjojë kërkesat e qytetarëve të vet dhe të krijojë hapësirë që ata të jenë pjesë e proceseve vendimmarrëse.

Trafiku dhe transporti

Njerëzit dhe të mirat materiale kanë nevojë që të transportohen, brenda dhe jashtë qytetit dhe kjo shkakton probleme me ndotjen e ambientit dhe zhurmë. Një planifikim i mirë i infrastrukturës së transportit ndërmjet qyteteve dhe vendbanimeve krijon lehtësira për ata që udhëtojnë për punë, shkollim si dhe krijon mundësi të zhvillimit ekonomik. Fatkeqësisht në Kosovën e pasluftës të gjitha investimet në fushën e transportit janë orientuar vetëm në rrugë të asfaltuara, ndërsa transporti hekurudhor është margjinalizuar krejtësisht.

Sipas një studimi empirik të Institutit për Mbrojtjen e Ambientit në Suedi (Naturvårdsverket 2016, Hållbara Transporter) të publikuar në mars 2016, transporti hekurudhor (njerëz dhe mallra) është transporti më i qëndrueshëm në krahasim me transportet tjera. Studimi tregon qartë  – me matje empirike – sesi transporti me anë të trenave, ndihmon në dimensionin social, udhëtarët takohen mes tyre, komunikojnë dhe gjatë udhëtimit mund të lexojnë apo kryejnë ndonjë punë që lidhet me aktivitetin e tyre ditor. Gjithashtu ky lloj transporti është edhe ekonomikisht i arsyeshëm, kushton më lirë për udhëtarët dhe për institucionet që merren me mirëmbajtjen e hekurudhave dhe të trenave. Një ndër përfituesit më të mëdhenj është dimensioni ekologjik. Në rast të zëvëndësimit të udhëtimit me vetura në trafik kolektiv (trena dhe autobusë) emitimi i gazrave serrë do të zvogëlohet për 30% në nivel global (Naturvårdsverket 2016).

Trajtimi i mbeturinave

Qytetet janë prodhuesit kryesorë të mbeturinave, të cilat shkaktojnë dëme mjedisore dhe shëndetësore. Megjithatë, nëse mbeturinat trajtohen me anë të procesit të riciklimit mund të kthehen në ripërdorim. Me anë të riciklimit mund të prodhohen produktet të reja apo edhe mund të kthehen në energji të ndryshme. Për shembull, në Fabrikën për Përpunimin e Ujërave të Zeza në Llaushë të Skënderajt përdoret metoda biologjike e trajtimit, si kompostim ose tretje anaerobe. Të tjera metoda përfshijnë djegien eë mbeturinave të sortuara dhe transformimi në energji të përdorshme, dhe metoda si alternativë e fundit është deponimi i atyre mbeturinave në mënyrë që të kenë kosto sa më të vogël ekologjike, teknike dhe ekonomike.

Në fund të fundit, zhvillimi i qëndrueshëm ka të bëjë me të kuptuarit dhe praktikimin e dy parimeve bazë: të qenit të vetëdijshëm për nevojat e tanishme, dhe të qenit të vetëdijshëm për nevojat e atyre që vinë pas nesh.

 

 

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.