Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Viti i luftës: Kievi pas pushtimit rus

Secili ukrainas sot mund të kujtojë saktë se çfarë bëri në natën e 24 shkurtit 2022. Kjo ditë e ndau jetën në “para” dhe “pas”. Derisa kurrkush nuk besonte se Rusia do të vendoste përfundimisht të sulmonte Kievin, kur më në fund kjo gjë ndodhi, të gjithë u tronditën.

Pikërisht një vit më parë, më 24 shkurt 2022, Rusia nisi një pushtim në shkallë të plotë. Presidenti rus, Vladimir Putin, mbajti një leksion pseudo-historik, pas të cilit urdhëroi trupat e tij të pushtonin Ukrainën në Veri, Lindje dhe Jug. Pushtimin e quajti një “masë të detyrueshme”, pasi “NATO po i afrohej kufirit rus dhe “nazistët ukrainas kishin marrë pushtetin në Kiev”.

Asnjë nga deklaratat e bëra nga Putini nuk është e vërtetë. NATO ka qenë në kufijtë e Rusisë që nga 29 marsi i vitit 2004, kur Latvia, Lituania dhe Estonia ishin bërë pjesë e Aleancës. Natyrisht që nuk e kërcënoi Rusinë dhe “nazistët ukrainas” janë padyshim një trillim dhe pjesë e përpjekjes së liderit rus për të arsyetuar agresionin e pajustifikueshëm ndaj Ukrainës.

Në fund të fundit, për çfarë lloj nazizmi mund të flasim duke pasur parasysh faktin se presidenti i zgjedhur ligjërisht i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, është hebre. Veç kësaj, vlen të përmendet se Kievi është një qytet rusisht-folës.

Kur Rusia sulmoi Ukrainën më 24 shkurt 2022, ishin banorët e Kievit ata që u tronditën më së shumti. Ukrainasit janë mësuar me idenë se Lindja e Ukrainës do të jetë gjithmonë nën armët e rusëve dhe se atyre u duhet Jugu si korridor tokësor për në Krime.

Me mbi 4 milionë banorë para luftës, Kievi është një nga qytetet më të mëdha në Europë. Me ushtrinë e vet prej 200 mijë trupash, Rusia nënvlerësoi rëndë rezistencën e Ukrainës, derisa Putini ishte i bindur se Zelensky do të dorëzohej dhe se ushtria ruse do të marshonte në rrugën qendrore të Khreshchatyk-ut në ditën e tretë të luftës.

Më dhjetë ditët e para të luftës në Kiev, rrugët ishin krejt të zbrazëta, pasi raketat dhe predhat u fluturonin njerëzve mbi kokë dhe shpërthenin qosheve të qytetit. Njerëzit kishin vërshuar dyqanet, duke blerë ç’të mundnin. Jeta ishte shndërruar në një kaos të vërtetë. Madje, qarkullonin lajme se tanket ruse ishin parë në veri të kryeqytetit.

Duke u dridhur nga ankthi, paketova gjërat e mia më 4 mars. Vendosa macen në një kuti dhe u nisa drejt trenit të evakuimit. Udhëtova për në Lviv, duke ndenjur për 12 orë në një vagon të mbipopulluar nga njerëzit. Macja shtrihej brenda kutisë, nën një grumbull palltosh e xhaketash. Nuk arrija ta merrja në duar dhe mendova se ishte asfiksuar brenda kutisë.

Kur e pashë të gjallë Tomin në stacionin hekurudhor në Lviv, mora frymë e çliruar dhe shpërtheva në lot. Treni ishte aq i mbushur me refugjatë që iknin nga lufta saqë edhe vetë e kisha zor të merrja frymë gjatë gjithë kohës. Tomi dhe unë ikëm nga Ukraina më 5 mars.

Muajt në vijim i kalova në Telegram dhe YouTube, me krejt vëmendjen e përqendruar te lajmet që vinin nga Ukraina. Dhe vetëm pas 11 muajsh më në fund u ktheva në Kiev.

 

Kthimi në Kiev

Gjëja e parë që më ra në sy ishte ndërtesa “101 Tower”, e cila në tetor u sulmua nga dronët iranianë. Ky rrokaqiell i madh prej xhami ishte gjysmë i thyer dhe tashti funksiononte si simbol mirëseardhjeje i kryeqytetit ukrainas, pasi ndodhet pikërisht pranë stacionit hekurudhor. 

Hipa në taksi dhe shkova në shtëpi. Nuk e pashë qytetin që vuante nga shkatërrimi i luftës. Gjatë gjithë kësaj kohe, jeta në Kiev vazhdoi pothuajse si në çdo metropol të zakonshëm.

Gjëja më befasuese ishte se ka mbetur ende kryesisht rusisht-folës. Sipas ligjit, të gjithë punonjësit e shërbimit duhet t’u drejtohen vizitorëve vetëm në gjuhën ukrainase. Dhe ky rregull respektohet. Nëse para luftës pak njerëz i kishin kushtuar vëmendje gjuhës, tashti restorantet, sallonet e bukurisë, spitalet e dyqanet kryejnë shërbimet në gjuhën ukrainase. Por, lehtë i kthehen rusishtes nëse dikush u adresohet në rusisht. Në komunikimin personal, njerëzit në pjesën më të madhe të kohës vazhdojnë të flasin rusisht, si për qejfin e Putinit. Ai na quajti ukro-nazist, por ukrainasit vazhdojnë të flasin rusisht.

Nuk e njihja më Kievin kur jashtë e mbulonte errësira. Prore i ndriçuar dhe plot drita, qyteti tashti përpihet nga errësira posa perëndon dielli. Sulmet masive me raketa dhe sulmet me dronë kamikazë iranianë në Ukrainë, kanë dëmtuar goxha shumë objektet e infrastrukturës energjetike. Kjo është arsyeja pse rrugët e Kievit janë shumë të errëta gjatë natës. Njerëzit ecin me llamba elektrike të dorës, çanta fosforeshente si dhe rroba që janë të dukshme për automjetet në errësirë.

Paniku në qytet përfundoi diku nga mesi i marsit të vitit 2022. Tashti, banorët e Kievit po reagojnë me shumë qetësi ndaj raketave fluturuese dhe sirenave të sulmit ajror.

“Nëse alarmi bie për shkak të avionëve që ngrihen në Bjellorusi, atëherë kurrkush nuk lëviz”, më tha një mik, që nuk u largua nga qyteti përgjatë luftës.

Midis ukrainasve qarkullon një shaka: “Pas fitores, secili ukrainas duhet ta ketë mundësinë të shkojë në aeroportin ushtarak bjellorus në Machulishchi dhe të godasë një herë avionin MIG-31K me një çekan.”

MIG-31K është një bartës raketash hipersonike Kinzhal, kështu që sa herë ngrihet lart, një sirenë e sulmit ajror ndizet. Sirenat e sulmit ajror mund të dëgjohen shumë shpesh në Kiev – në total prej 675 herëve në vit. Kur sirena bie, transporti i qytetit dhe metroja nëntokësore bëjnë një ndalesë dhe, paskëtaj, stacionet e metrosë nëntokësore shërbejnë si strehim për t’u shpëtuar bombave.

Pabesueshmërisht, njerëzit janë mësuar aq shumë me këtë realitet të ri, saqë kur një raketë lundrimi fluturon mbi ne me një intensitet të lartë zhurme, askush nuk mërzitet as të çojë kokën lart e të shikojë.

Banorët e Kievit u gëzuan nga njoftimi i autoriteteve në fillim të shkurtit se nuk do të kishte më ndërprerje të energjisë elektrike në kryeqytet.  Të nesërmen, trolejbusët dhe tramvajet u rishfaqën në rrugë. Popullsia e paraluftës tashmë është kthyer në Kiev. Sipas kryebashkiakut Vitalii Klitschko, sot në qytet ka më shumë se 4 milionë banorë. Rezilientë dhe të vendosur për të luftuar kundër synimit gjenocidal të Putinit për të shkatërruar Ukrainën, ukrainasit po jetojnë një jetë dinamike, të mbushur me optimizëm për të ardhmen.

Qyteti është i mbushur me pankarta për heroizmin e Mariupolit dhe të të gjithë ushtarëve që tani janë nën robëri. Billbordet gjithashtu sjellin ndërmend se Luhansk, Donetsk, Simferopol, Melitopol dhe Mariupol, janë qytetet ukrainase që do të çlirohen së shpejti.

Në stacionin hekurudhor, një poster me itinerar treni për në qytetet e pushtuara, pasqyron ëndrrën e të gjithë ukrainasve. Deri më tani, treni ukrainas ka shkuar vetëm deri në Kherson. Megjithatë, ukrainasit kanë besim se hekurudha do të rifillojë rrugën e vet drejt qyteteve të tjera që aktualisht gjenden nën okupim.

Këtë e këndojnë në këngët që dëgjohen gjithandej nëpër Kiev. Në fund të fundit, cilësia më e dallueshme e ukrainasve është humori. Ndihmon të mos kesh më frikë nga agresori, pavarësisht paralajmërimeve të vazhdueshme për sulme masive në përvjetorin e luftës dhe për një ofensivë të re e të afërt ruse.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.