Connect with us

Hi, what are you looking for?

Debunking

Faqja që kërkon donacione në emër të FSK-së është e rreme

Në internet është duke qarkulluar një faqe e rreme, përmes së cilës po kërkohen donacione në emër të FSK-së. Por, ajo nuk është krijuar nga Ministria e Mbrojtjes e Kosovës. Në këtë drejtim, Ambasada e Republikës së Kosovës në ShBA e ka kualifikuar si një platformë të rreme e cila qarkullon prej vitesh, teksa i ka kërkuar diasporës të mos bjerë pre e këtij mashtrimi.

Megjithëkëtë, kjo faqe vazhdon të jetë e qasshme dhe në përmbajtjen e saj shkruan: “Na ndihmoni të krijojmë një krah që është mbrojtës për vendin dhe popullin tonë. Një ushtri ka nevojë për fonde për t’u krijuar për një forcë të fortë, donacionet tuaja do të ndihmojnë ushtrinë që të krijohet. Donacionet do të shpëtohen deri në vitin 2020 dhe pastaj gjithçka do të jepet në Ministrin e Sigurisë së Kosovës.” Por, teksti ka gabime drejtshkrimore dhe nga fjalitë e shkruara nënkuptohet se është krijuar nga dikush që nuk e njeh mirë gjuhën shqipe. Huqjet vërehen edhe në pjesën kur Ministrisë së Mbrojtjes i referohet si “Ministria e Sigurisë së Kosovës”. Fakti se ajo është riaktualizuar së fundi konfirmohet në datën që vazhdon ta ketë vitin 2022.

Në kuadër të faqes është vjegëza e veçantë ku mund të dhurohet donacioni. Në momentin që klikohet, shumat e paraqitura janë nga 5 deri në 20 euro, ose shumë tjetër varësisht si zgjedh ta vendosë donatori potencial. Brenda së njëjtës vjegëz më pas kërkohen të dhënat personale, si emri, mbiemri dhe emaili. E përfshirë është edhe mundësia që donatori të mbetet anonim. Nëse plotësohen këto dhëna, më pas kërkohen detajet e kartelës bankare.

Aty përshkruhet edhe mandati që ka FSK-ja – siç shkruan: “e ngarkuar me kryerjen e operacioneve të reagimit ndaj krizave në Kosovë dhe jashtë saj si dhe operacionet e mbrojtjes civile në Kosovë”. Por, ka pasaktësi edhe tek emri i Komandantit të FSK-së, ku thuhet se është Rrahman Rama. Po në nëntor të vitit 2021, Rama ka dhënë dorëheqje nga pozita e Komandantit të FSK-së dhe pasues i tij është Komandanti aktual, Bashkim Jashari.

Pas riaktualizimit të faqes, Ambasada e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përmes një njoftimi, ka bërë të ditur se linku nuk ka të bëjë asgjë me donacionet për Fondin e Sigurisë së FSK-së.

“Rikujtojmë se e vetmja formë për donacion për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK) është nëpërmjet llogarisë bankare në Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës, llogaria për Fondin e Sigurisë”, thuhet në njoftimin e Ambasadës.

Lidhur me këtë faqe, Sbunkeri ka kërkuar sqarime nga Ministria e Mbrojtjes nëse e njëjta është denoncuar dhe për masat që janë ndërmarrë, por nga Ministria nuk kanë ofruar përgjigje.

Fondi të cilit i është referuar Ambasada e Kosovës në SHBA është themeluar më 1 mars 2022, me vendim të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti. Mjetet e grumbulluara synohet të përdoren për ngritjen e kapaciteteve ushtarake të FSK-së, në përputhje me strategjinë e sigurisë shtetërore të Kosovës. Deri tash nuk dihet se sa është shuma e mjeteve të grumbulluara, pasi Qeveria nuk ka ofruar të dhëna, edhe pse ka pasur kërkesa nga organizata të shoqërisë civile për ta bërë një gjë të tillë. Katër prej tyre kanë kërkuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe nga Agjencia për Privatësi dhe Informacion që të bëjnë publike informacionet që lidhen me Fondin e Sigurisë. Mirëpo, në bazë të një vendimi të ish-drejtorit të Thesarit, Ahmet Ismajli, këto informacione janë konfidenciale. Sipas tij, “hapja e paautorizuar e këtyre të dhënave, veçanërisht shumës së tërësishme të mbledhur dhe numrin e kontribuuesve, do të mund t’i dëmtonte interesat e sigurisë së Republikës së Kosovës, në rrafshin rajonal dhe më gjerë”.

Ndërkaq në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve të Kosovës, e cila menaxhon mjetet e Fondit, më herët kanë deklaruar se ato “janë transparente dhe në dispozicion për autoritetet shtetërore”, pa treguar se cilat institucione e kanë këtë të drejtë.

*Ky artikull publikohet në kuadër të Iniciativës Rajonale të Ballkanit Perëndimor kundër dezinformimit. “Qendra kundër dezinformatave në Ballkanin Perëndimor: ekspozimi i ndikimeve keqdashëse përmes gazetarisë mbikëqyrëse.”

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.