Connect with us

Hi, what are you looking for?

Disinfo

Konfiskimi i kompleksit “Rajska Banja” nxit reagimin e serbëve

Foto: Fshati Banjskë, Zveçan

Objekti për të cilin dyshohet se janë zhvilluar edhe aktivitete të paligjshme në veri është konfiskuar nga autoritetet e Kosovës, vendim ky që nxiti reagimin e zyrtarëve serbë.

Më 19 dhjetor 2023, Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) mori nën administrim kompleksin “Rajska Banja” në Banjskë të Zveçanit, nën arsyetimin se prona i përket një ndërmarrjeje shoqërore të Kosovës, dhe të njëjtin ia ka lëshuar me qira Ministrisë së Punëve të Brendshme. Kjo është konfirmuar nga drejtori menaxhues i kësaj agjencie, Arben Limani“Bordi i drejtorëve [të AKP-së], me kërkesë të Ministrisë së Punëve të Brendshme [të Kosovës], për nevoja dhe interes publik të Ministrisë, ka marrë vendim që këto objekte të jepen me qira për shërbime të MPB-së. Pra, për shërbimet e tyre publike për të cilat ne nuk kemi ndonjë informatë”, – tha Limani. Ai shtoi se kanë marrë informacione nga Policia e Kosovës se në atë kompleks ka pasur edhe aktivitete të paligjshme.

Në fshatin ku ndodhet kompleksi, më 24 shtator kishte hyrë një grup paraushtarak nga Serbia, ku si pasojë e shkëmbimit të zjarrit kishte mbetur i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

Sipas raportimit të mediave, pikërisht në kompleksin tani të konfiskuar ishin arrestuar dy persona të dyshuar se ishin pjesë e grupit terrorist, por më pas ishin liruar.

Nga ana tjetër, aksioni i AKP-së u interpretua nga disa media serbe si nxitje dhe tendencë për okupim të veriut, duke e ndërlidhur me aksionin e 24 shtatorit. Mediumi serb Novosti e cilësoi si okupim marrjen e kompleksit, duke shkruar: “Lista Serbe dënon ashpër shpronësimin e kompleksit të banjës Rajska në Banjskë, të drejtuar nga regjimi antiserb i Albin Kurtit, i cili para syve të bashkësisë ndërkombëtare ia zhvat popullit serb këtë kompleks banjash jashtëzakonisht të vlefshëm dhe të rëndësishëm”. Ndërsa filiali rus në Serbi, Sputnik, shkroi: ”Banjska sërish nën sulm nga forcat speciale të Kurtit: hynë në hotelin ’Rajska Banja’, punëtorët u dëbuan”. Pravda.rs ka publikuar artikullin me titull “EDHE NJË SKANDAL NGA AUTORITETET E PRISHTINËS! Kompleksi në Banjskë i është dhënë me qira Policisë së Prishtinës”.

Reagime pati edhe nga zyrtarët serbë, të cilët iu rikthyen akuzave se qëllimi i Qeverisë së Kosovës është dëbimi i serbëve. Drejtori i së ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, tha se aksioni për marrjen e kompleksit është pjesë e planit për spastrim etnik të serbëve nga Kosova. “Serbëve edhe një herë u është thënë nga Prishtina se nuk kanë të drejtë në zhvillimin e tyre lokal, as të drejtë për punë dhe as sigurim social”, tha ai. Ndërkaq Lista Serbe pretendon se Qeveria nuk ka asnjë të drejtë mbi këtë objekt, meqë, sipas tyre, investimin e ka bërë qeveria e Serbisë, përmes zyrës përkatëse në Kosovë.

“Ky kompleks është hapur në vitin 2019, institucionet e Kosovës nuk kanë investuar asnjë dinar në të dhe nuk kanë asnjë bazë ligjore që të jenë aty apo të pretendojnë se janë pronarë të këtij kompleksi”, thuhet në reagimin e Listës Serbe.

Ndërsa Koordinatori i Konventës Kombëtare të BE-së për Kapitullin 35, Dragiša Mijaçiq, ka deklaruar se bastisja e policisë në kompleksin hotelier dhe banjën “Rajska Banja” është veprim kontravers i Agjencisë Kosovare të Privatizimit, “që do të çojë në armiqësi të mëtejshme në mesin e qytetarëve në veri ndaj autoriteteve të Kosovës”.

Tekstit ia kanë bashkëngjitur një fotografi të pjesëtarëve të Njësisë Speciale, të cilit ishin vendosur te hyrja e Manastirit të Banjskës pas sulmit të 24 shtatorit.

Në Policinë e Kosovës sqaruan se ata vetëm i kanë asistuar AKP-së, procedurë kjo që ndiqet edhe në rastet e tjera kur nevojitet mbështetja e Policisë.

Ndërsa ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, në konferencën për media të mbajtur më 20 dhjetor 2023, tha se Agjencia Kosovare e Privatizimit është pronare e kompleksit Rajska Banja në Banjskë të Zveçanit. Sipas tij, investimet në këtë kompleks janë bërë në mënyrë të jashtëligjshme.

“Pse dikush ka investuar jashtëligjshëm, mendoj që është mësim për të gjithë ata të cilët dëshirojnë të investojnë jashtëligjshëm, se nuk mund ta bëjnë. Sa i përket menaxhimit të atij kompleksi, Ministria e Punëve të Brendshme është rezultat i bashkimit të dy ministrive, të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Ministrisë së Administratës Publike, e ish-Ministria e Administratës Publike e ka departamentin e menaxhimit të objekteve të këtilla, në pronësi të shtetit”, tha Sveçla.

Rindërtimin e këtij resori e kishte nisur qeveria e Serbisë në vitin 2015, ku llogaritet të jenë investuar rreth 7 milionë euro. Drejtori atëhershëm i së ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, kishte nënshkruar marrëveshje me Dioqezën e Rashkës së Prizrenit të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe kryetarin e Autoritetit të Përkohshëm Komunal, Ivan Todosijeviq, për restaurimin e banjës, e cila njihet për burime uji të nxehtë dhe sulfuror.

*Ky artikull publikohet në kuadër të Iniciativës Rajonale të Ballkanit Perëndimor kundër dezinformimit. “Qendra kundër dezinformatave në Ballkanin Perëndimor: ekspozimi i ndikimeve keqdashëse përmes gazetarisë mbikëqyrëse.”

Lexoni Gjithashtu

Analizë

Viti i parë i Qeverisë Kurti shënoi një start të vështirë në politikën e jashtme, shoqëruar me shumë gabime diplomatike dhe dështime të protokollit....

Kosovo Dispatch

In the second episode of Kosovo Dispatch, we talk to Agon Maliqi, an independent analyst and the co-founder of Sbunker, about the legal and...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Kritikë

Foto: Ninullë nga Adrian Asllani (2023) Mbi Ninullën e Adrian Asllanit Jetojmë në një botë në dukje të thjeshtë, me një rrjedhë logjike të...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.