Connect with us

Hi, what are you looking for?

Disinfo

Lajm i rremë lidhur me gjoja plagosjen e një polici dhe dy serbëve në veri

Dezinformatat dhe lajmet e rreme lidhur me gjoja të plagosurit dhe dëmet e shkaktuara si pasojë e bllokimit të rrugëve që shpiejnë drejt pikave kufitare në Jarinje e Bërnjak, kanë qarkulluar këtë javë në mediat kosovare.

Më 31 korrik rreth orës 20:00, “Gazeta Nacionale” duke u bazuar, siç kanë thënë, në burime pranë vendit të ngjarjes, ka publikuar lajmin me titull: “Një polic e dy serbë të plagosur nga gjuajtjet me armë zjarri mes policisë dhe barrikaduesve”.

Image

Sipas këtij raportimi, në pjesën veriore e cila të dielën u bllokua nga serbët janë plagosur një polic dhe dy qytetarë nga gjuajtjet me armë zjarri mes policisë dhe barrikaduesve. Lajmi i “Gazetës Nacionale” është ripublikuar edhe nga disa media tjera, por të cilët më pas e kanë tërhequr, si: Gazeta NewbornInsajderiJepizeSinjaliVeriu.info.

Pa kaluar një orë, ky lajm është demantuar nga Policia e Kosovës (PK) përmes një komunikate për media. Aty thuhet se PK-ja ka siguruar informacione zyrtare se në disa lokacione janë dëgjuar të shtëna me armë zjarri në drejtim të njësiteve policore, por se nuk ka pasur të plagosur.

Me këtë rast, PK-ja u ka bërë thirrje të gjitha mediave dhe qytetarëve që të mos bien pre e lajmeve të rrejshme, të cilat kanë tendencë destabilizimin e situatës dhe shkaktimin e panikut.

Edhe vetë Facebook, lajmin e publikuar për plagosjen e policit dhe qytetarëve e ka cilësuar si të rrejshëm.

Image

Për pasojë “Gazeta Nacionale” është detyruar ta fshijë lajmin, kurse pronari i saj Berat Buzhala, kërkoi falje duke thënë se shkrimin e kanë bazuar në ‘një burim nga policia’ prej të cilit në të kaluarën kanë marrë informacione të sakta.

Një ditë pas zhvillimeve në veri, kryeministri Kurti dhe ministri i MPB-së Sveçla mbajtën një konferencë për media. Derisa Kurti tha se “fatmirësisht, nuk ka të plagosur me armë zjarri, siç u lajmërua rrejshëm nga ndonjë portal”, Sveçla konfirmoi se 11 qytetarë janë lënduar në forma tjera.

Edhe PK-ja ka njoftuar se ka pasur raste të ‘ndalimit dhe maltretimit’ të qytetarëve shqiptarë, duke iu shkaktuar lëndime dhe dëme materiale në automjetet e tyre nga persona të dyshuar si organizatorë të bllokimit të rrugëve.

Zyrtarët qeveritarë kanë përmendur brengën e faktorëve evropianë dhe amerikanë për efektin negativ të fushatës së dezinformimit të Serbisë mbi dy vendimet e 29 qershorit, teksa kanë arsyetuar shtyrjen e zbatimit të tyre për një muaj. Pas shtyrjes së afatit për zbatimin e vendimit barrikaduesit i larguan pengesat dhe pikat kufitare në Jarinjë e Bërnjak u rihapënpër qarkullim të lirë të njerëzve dhe mallrave.

Megjithëse u kërkua shtyrja e zbatimit, vendimin e qeverisë e mbështeti SHBA-ja. Ambasadori amerikan Jeffrey Hovenier ia kujtoi edhe kryetarit të Listës Serbe Goran Rakiqit, njëherësh ministër për Komunitete dhe Kthim, se këto masa bazohen në marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë. Vendimet e qeverisë i cilësoi si legjitime edhe Ambasadori i Gjermanisë, Jorn Rohde, në takim me presidenten Vjosa Osmani.

Ndërkohë Brukseli u është rikthyer përpjekjeve për gjetjen e një zgjidhjeje finale e cila do t’i shmangte bllokadat në veri, pas skadimit të afatit për zbatimin e reciprocitetit. Kësisoj, kryeministri Kurti dhe presidenti serb, Vuçiq i janë përgjigjur pozitivisht ftesës së Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Joseph Borrell, për t’u takuar në Bruksel më 18 gusht.

* Ky artikull publikohet në kuadër të Iniciativës Rajonale të Ballkanit Perëndimor kundër dezinformimit. “Qendra kundër dezinformatave në Ballkanin Perëndimor: ekspozimi i ndikimeve keqdashëse përmes gazetarisë mbikëqyrëse.”

Lexoni Gjithashtu

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Analizë

Viti i parë i Qeverisë Kurti shënoi një start të vështirë në politikën e jashtme, shoqëruar me shumë gabime diplomatike dhe dështime të protokollit....

Analizë

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Kosovo Dispatch

In the second episode of Kosovo Dispatch, we talk to Agon Maliqi, an independent analyst and the co-founder of Sbunker, about the legal and...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.