Connect with us

Hi, what are you looking for?

Debunking Articles

Linçime dhe kërcënime kundër policëve të rinj serbë në veri

*Përgatiti: Ridona Berisha

Grupe të caktuara serbe kanë nisur një fushatë linçimi ndaj policëve të rinj serbë në rrjetin social rus, “Telegram”. Grupe që kanë mijëra anëtarë i kanë cilësuar si tradhëtarë rekrutët serb që pranuan t’i bashkohen Policisë së Kosovës (PK). Fillimisht, Grupi “Bunker”, ua publikoi fotografitë dhe të dhënat personale dhjetë policëve nga Leposaviqi, Zveçani dhe Mitrovica e Veriut. Veç publikimit të të dhënave, aty janë kritikuar edhe organizatat ndërkombëtare dhe diplomatët e huaj në Kosovë, pasi kërkuan ndaljen e fushatës linçuese ndaj serbëve.

“Meqenëse të gjithë ambasadorët perëndimorë, përfshirë edhe kreun e EULEX-it, kanë reaguar sot për publikimin e 5 emrave të serbëve që kanë filluar të punojnë në të ashtuquajturën Policia e Kosovës, duke e quajtur ‘kërcënim’ që është absurd total dhe asnjëri prej tyre nuk reagon kur populli serb sulmohet, arrestohet, kidnapohet në Kosovë, po publikojmë edhe 5 emra të tjerë”, shkruan në përshkrimin e këtij grupi, krahas fotografive të vendosura të policëve.

Ndërsa në grupin tjetër – “Voice of Kosovo and M”, linçimi publik ka nxitur ofendime dhe sharje nga komentuesit serbë në këtë rrjet.

“Ata (policët serb) janë të gatshëm të mbajnë një flamur të rremë në krahun e tyre ashtu si paraardhësit e tyre”, ka shkruar ky grup.  Tutje, ata kanë shkruar se nëntë muaj pasi serbët e Kosovës që shërbenin në policinë e Kosovës i hoqën publikisht uniformat dhe dhanë dorëheqje për të qenë me popullin e tyre, “serbë të rinj, pak më ndryshe janë shfaqur dhe i kanë veshur këto uniforma”.

Kujtojmë se më herët kryeministri i Kosovës së vetëshpallur, Albin Kurti, tha se Policia e Kosovës është vazhdimësi e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (organizatë terroriste që merret me masakrat e serbëve)”, shkruan në grupin “Voice of Kosovo and M”.

Fushatat e tilla linçuese shkaktojnë panikë dhe shqetësim në mesin e komunitetit serb që ka vendosur të integrohet në institucionet e Kosovës.

Fushata ka nxitur reagimin e përfaqësuesve vendorë dhe ndërkombëtare në Kosovë. Shefi i EULEX-it, Giovanni Pietro Barbano, është shprehur i shqetësuar për mesazhet kërcënuese kundër policëve të rinj të Kosovës nga komunitetet joshumicë.

Shqetësime ka shprehur edhe Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier.

“Kërcënimet dhe frikësimet ndaj individëve që shërbejnë për të mirën e të gjithë qytetarëve të Kosovës janë krejtësisht të papranueshme. Siç e kam thënë edhe më parë, Policia e Kosovës ekziston për t’i shërbyer të gjitha komuniteteve në Kosovë dhe përbërja e saj duhet të pasqyrojë diversitetin e Kosovës”, ka thënë ai.

Ndërsa Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka theksuar se përpjekjet e dhunshme të Serbisë për të penguar integrimin e serbëve etnikë në institucionet e Kosovës duhet të ndalen. “Të gjithë qytetarët e Republikës sonë kanë të drejtë t’i shërbejnë vendit të tyre pa hakmarrje”, – është shprehur ai.

Në fund të korrikut e nisën punën 72 policë të rinj nga komunitetet joshumicë. 45 prej tyre janë serbë, 16 boshnjakë, 8 romë, ashkali dhe egjiptianë si dhe 3 turq.

Iniciimi i një procesi të ri rekrutimi për policë u imponua pas dorëheqjeve kolektive të serbëve nga veriu i Kosovës, krahas gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Largimi nga institucionet e Kosovës erdhi pas suspendimit të drejtorit të Policisë së Kosovës, Nenad Gjuriq, në rajonin e veriut. Gjuriq kishte refuzuar që ta zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa të lëshuara nga Serbia në RKS.

Gjatë tensioneve në maj dhe qershor të këtij viti, serbët shfaqën mosdurueshmëri ndaj Policisë së Kosovës, të cilën e akuazuan edhe për dhunë ndaj tyre gjatë përleshjeve afër objekteve komunale.

*Ky artikull publikohet në kuadër të Iniciativës Rajonale të Ballkanit Perëndimor kundër dezinformimit. “Qendra kundër dezinformatave në Ballkanin Perëndimor: ekspozimi i ndikimeve keqdashëse përmes gazetarisë mbikëqyrëse.”

Lexoni Gjithashtu

Analizë

Katër ditë para Vitit të Ri, më 27 dhjetor 2023, Qeveria e Kosovës miratoi në heshtje Projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media, i...

Analizë

Viti i parë i Qeverisë Kurti shënoi një start të vështirë në politikën e jashtme, shoqëruar me shumë gabime diplomatike dhe dështime të protokollit....

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Analizë

Në epokën me hovin më të madh teknologjik, shtetet u kushtojnë rëndësi të veçantë prezencës së tyre digjitale në rrjetet sociale, si dhe kualitetit...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.