Më 16 shkurt 2001, në Livadicë afër Podujevës, një autobus i kompanisë Nish Ekspres, i shoqëruar nga trupa suedeze të KFOR-it, u godit nga një mjet shpërthyes i vendosur anës rrugës. 12 civilë serbë humbën jetën dhe dhjetëra të tjerë u plagosën, ndërsa po udhëtonin nga Merdarja drejt Graçanicës për të shënuar festën fetare e njohur si “Dita e të Gjithë Shpirtrave”. Ishte një nga sulmet më të rënda pas përfundimit të luftës në Kosovë.
25 vite më vonë, tragjedia mbetet e pazbardhur. Boshllëku i drejtësisë po mbushet rregullisht me narrativë mobilizuese, gjuhë ndezëse dhe krahasime të paqëndrueshme që e zhvendosin ngjarjen nga konteksti penal në atë propagandistik.
Përvjetori si instrument emocional
Në përvjetorin e 25-të, kanale në gjuhën serbe në Telegram e rikthyen ngjarjen me një gjuhë që synon ndezjen e emocioneve, duke i fajësuar siç shkruan “terroristët shqiptarë” ani se nuk ka një vendim të plotfuqishëm gjykate që e mbështet atë.
“25 vjet nga sulmi ndaj autobusit të Niš Express: Rasti i mbyllur, kriminelët në liri, askush nuk mbahet përgjegjës. Në këtë ditë, 25 vjet më parë, terroristët shqiptarë hapën zjarr ndaj autobusit të Niš Express në Livadicë pranë Podujevës. 12 persona u vranë dhe 43 u plagosën kur serbët e zhvendosur, të shoqëruar nga KFOR-i, po shkonin në Graçanicë”, shkruan në postim.
Përdorimi i termave si “terroristët shqiptarë” dhe theksimi i frazës “kriminelët në liri” ndërtojnë një rrëfim që rastit mundohet t’i jepet ngjyrim etnik dhe fajësim kolektiv.

Postim përmes të cilit tentohet që krimit t’i jepet ngjyrim etnik dhe fajësim kolektiv
Kjo mënyrë e artikulimit nuk ndalet vetëm te kujtesa e viktimave. Përmes saj tentohet të krijohet një vijë të drejtë nga viti 2001 tek aktualiteti, duke sugjeruar se realiteti i sotëm në Kosovë është vazhdim i të njëjtit “terrorizëm”. Kësisoj tragjedia historike shndërrohet në provë të një narrative aktuale politike.
Komentet e ndjekësve shkojnë në atë frymë. Zhgënjimi për mungesën e drejtësisë përzihet me sulme ndaj BE-së e NATO-s, me akuza për tradhti kombëtare dhe thirrje mobilizuese si “Vëllezër dhe motra, zgjohuni!”. Ngjarja e vitit 2001 shndërrohet kështu në katalizator për pakënaqësi të sotme politike duke e zhvendosur fokusin nga hetimi i krimit tek instrumentalizimi i tij.
Reagimi i Beogradit dhe analogjitë e paqëndrueshme
Edhe e ashtuquajtura Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë reagoi me një deklaratë ku theksohet se edhe pas 25 vitesh askush nuk është mbajtur përgjegjës.
Por deklarata shkon më tej duke pretenduar se “serbët në Kosovë janë ende shpesh viktima të dhunës” dhe përmend “terrorizëm të zhveshur” e “ekstremizëm të Shqipërisë së Madhe”- formulime këto që krijojnë një analogji të paqëndrueshme mes sulmit të vitit 2001 dhe situatës aktuale.
“Në këtë moment, jemi të bindur se, klima sociale dhe politike për një gjë të tillë (drejtësi) nuk ekziston, sepse serbët në Kosovë dhe M janë ende shpesh viktima të dhunës, kryesisht dhunës politike të institucionalizuar, por edhe terrorit të zhveshur”, shkruan në deklaratë.
Ngjarje të rënda si ajo e Livadicës nuk kanë ndodhur më pas në Kosovë, ndonëse incidente të izoluara apo tensione politike kanë ekzistuar. Shndërrimi i një sulmi të para 25 viteve në provë të një terrori të vazhdueshëm është zgjerim narrativ që nuk mbështetet në fakte dhe prova të krahasueshme.
Këtu qëndron thelbi i manipulimit kur e vërteta e pjesshme, mungesa e drejtësisë bashkohet me një interpretim maksimalist për të prodhuar ndjenjë rreziku të përhershëm.
Çfarë ndodhi me hetimet?
Në vitin 2001, autoritetet ndërkombëtare në Kosovë nën administrimin e UNMIK, arrestuan Florim Ejupin si të dyshuar për organizimin e sulmit. Ai ishte arratisur nga burgu i Bondsteel-afër Ferizajt në rrethana që mbeten të paqarta. U arrestua sërish më vonë dhe u gjykua.
Në vitin 2008, ai u dënua me 40 vjet burgim nga një trup gjykues ndërkombëtar. Në vitin 2009, Gjykata Supreme e Kosovës e rrëzoi dënimin për shkak të shkeljeve procedurale dhe mungesës së provave të mjaftueshme, duke urdhëruar rigjykim. Më pas, rasti përfundoi pa një dënim të formës së prerë.
Kjo histori krijoi perceptimin e një drejtësie të brishtë dhe të paqëndrueshme duke lënë hapësira për narrativa politike dhe tentativa që ajo tragjedi të lidhet më zhvillimet në vitet që pasuan.
Në këtë model komunikimi, tragjedia shndërrohet në argument politik kolektiv. Ajo nuk trajtohet si çështje penale që kërkon hetim profesional dhe bashkëpunim institucional, por si provë e një konflikti të pazgjidhur dhe një kërcënimi të përhershëm të një komuniteti në Kosovë.
Kjo qasje e bën edhe më të vështirë ballafaqimin real me të kaluarën sepse kur ngjarjet përdoren për mobilizim emocional, ngushtohet hapësira për hetim të paanshëm dhe për drejtësi konkrete.
Mes drejtësisë dhe propagandës
Sulmi i Livadicës mbetet një nga ngjarjet më të errëta dhe mungesa e një vendimi përfundimtar gjyqësor është problem real dhe i dokumentuar. Vënia e drejtësisë për të gjithë viktimat dhe të mbijetuarit e krimeve të është thelbësore për procesin e pajtimit në rajon.
Mënyra se si kjo tragjedi rikthehet çdo vit tregon një betejë tjetër, atë për kontrollin e narrativës.
Kur mediat dhe zyrtarët politikë e paraqesin ngjarjen si provë të një terrori të vazhdueshëm shqiptar, kur komentet e ndjekësve e lidhin atë me politika të sotme rajonale dhe kur deklaratat zyrtare ndërtojnë analogji që tejkalojnë faktet, atëherë kemi të bëjmë me një proces ku historia përdoret si mjet presioni politik dhe për mobilizim të masave përmes emocioneve.




























































