Connect with us

Hi, what are you looking for?

SbunkerSbunker

Debunking

Peja si ‘SRB’: Kur politika lokale tenton të krijojë tensione ndërshtetërore

Një tabelë që e paraqiste qytetin e Kosovës, Pejën si pjesë të Serbisë, për disa orë ishte vendosur në një kryqëzim në Rozhajë të Malit të Zi, veprim ky që nxiti reagime të shumta në Kosovë dhe Mal të Zi

Ky akt ndodhi pavarësisht faktit se Mali i Zi e ka njohur Kosovën si shtet sovran që nga viti 2008 dhe ka vendosur marrëdhënie të plota diplomatike me të.

Pljevlja qeveriset nga parti pro-serbe, shpesh të mbështetura nga Beogradi të cilat historikisht i kanë rezistuar politikave pro-perëndimore të Malit të Zi, përfshirë njohjen e Kosovës. 

Pas reagimeve të shumta, shenja “provokuese” u largua. 

Mes tyre artistja që jeton në Plavë, Kaltrina Hoti, kishte reaguar më 5 prill duke thënë se vendosja e shenjës ishte bërë me leje të kryetarit të Komunës së Plavës, Nihad Canoviq. Ajo tha se një veprim i tillë jo vetëm që është fyese për shqiptarët në Mal të Zi, por krijon rrezik për ndarje etnike dhe tensione të reja. Sipas saj, lejimi i kësaj shenje nënkupton një aprovim të heshtur institucional për pretendimet serbe ndaj Kosovës.

Lejimi nga kryetari i Komunës së Plavës, Nihad Canoviq, për të vendosur një tabelë që tregon se Peja (Kosovë) është pjesë e Serbisë, ka krijuar një klimë të rrezikshme tensioni etnik në rajon. Shenja, e cila sugjeron se Mali i Zi miraton pretendimet e Serbisë mbi Kosovën, nuk është vetëm fyese për popullatën minoritare shqiptare në Mal të Zi, por rrezikon gjithashtu të rrisë ndarjet etnike dhe potencialisht të çojë në trazira”, kishte shkruar Hoti të shtunën. 

Ndërkaq të dielën ajo postoi një foto ku shihet se shenja është larguar. Në një video tjetër që e ka postuar, Canoviq shihej duke biseduar me punëtorët të cilët i tregonin se shenja ishte vendosur me kërkesë të kryetarit të komunës.

Kush kishte të drejtë? Dua të falënderoj çdo person që më kritikonte duke u përpjekur të më thoshte se isha gabim (e sidomos disa shqipfolës). Tani shenja është zhdukur. Tani Nihad Canoviq duhet të përfundojë detyrimin e tij ligjor për minoritetin shqiptar duke vendosur të gjitha shenjat e komunikacionit në dy gjuhë”, ka shkruar Hoti. 

Në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës thanë se kanë ndjekur me shqetësim rastin e vendosjes së tabelës sinjalizuese në Murinë, me mbishkrimin “Peć Srb”, “me përmbajtje të papranueshme dhe në kundërshtim me frymën e fqinjësisë së mirë dhe respektit ndërshtetëror”.

Sipas tyre, menjëherë pas pranimit të informacioneve për këtë rast, MPJD, përmes Ambasadës së Kosovës në Podgoricë, ka ndërmarrë veprimet e nevojshme për adresimin e kësaj çështje me institucionet kompetente të Malit të Zi.

MPJD njofton opinionin publik se pas këtij angazhimi institucional, tabela në fjalë është hequr. Ministria mirëpret këtë veprim nga autoritetet malazeze dhe e konsideron atë si një hap të rëndësishëm drejt ruajtjes së marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe respektimit të plotë të sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës”, thuhet në reagimin e MPJD-së. 

Qeveria e Malit të Zi nuk ka komentuar zyrtarisht edhe pse shenja rrezikonte të tendosë lidhjet diplomatike me Kosovën. Ndikimi i Serbisë në Mal të Zi ka qenë një pikë konflikti, veçanërisht që nga pavarësia e Malit të Zi në 2006-ën, me Beogradin që shpesh përdor politikën lokale për të sfiduar shtetësinë e Kosovës.

Incidente si ky pasqyrojnë një model më të gjerë të provokimeve simbolike në Ballkan, ku shenjat, flamujt dhe simbolet e tjera shpesh përdoren për të pohuar pretendime territoriale ose për të nxitur ndjenja nacionaliste.

Ky veprim vjen në një klimë rajonale të tensionuar ku Serbia e mbështetur nga Rusia vazhdon të sfidojë shtetësinë e Kosovës në çdo forum ndërkombëtar. Përmes ndikimit në komunitetet serbe në Kosovë, Mal të Zi dhe Bosnjë e Hercgovinë, Beogradi tenton të ushtrojë një politikë të jashtme hibride që kombinon retorikën nacionaliste me aksione simbolike, siç ishte edhe kjo tabelë. 

Ato janë pjesë e një strategjie më të gjerë të destabilizimit dhe minimit të integrimit euroatlantik të vendeve të rajonit. 

*Ky artikull publikohet në kuadër të Iniciativës Rajonale të Ballkanit Perëndimor kundër dezinformimit. “Qendra kundër dezinformatave në Ballkanin Perëndimor: ekspozimi i ndikimeve keqdashëse përmes gazetarisë mbikëqyrëse.”

Lexoni Gjithashtu

Opinion

Aktualisht, në Kosovë, bazuar në  Ligjin e Punës,  nënave u garantohet pushimi i lehonisë prej nëntë muajve me pagesë dhe tre muajve pa pagesë....

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Analizë

Prezantimi i buxhetit të qeverisë është një nga ngjarjet më të rëndësishme të vitit. Në ekonomitë e zhvilluara, prezantimet e këtilla nxisin diskutime të...

Opinion

Për vite me radhë, një udhëzim administrativ nga Ministria për Punë dhe Mirëqenie Sociale, detyronte pensionistët kosovarë të paraqiteshin çdo gjashtë muaj në Departamentin...

Copyright © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.