Connect with us

Hi, what are you looking for?

Debunking

Qeveria e Kinës pretendon rrejshëm se Sbunkeri financohet nga NED-i për të nxitur përçarje

Qeveria kineze, përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme, ka intensifikuar fushatat dezinformuese vitet e fundit, shpesh duke sulmuar institucione dhe organizata që promovojnë vlerat demokratike. Targeti i saj i radhës është National Endowment for Democracy (NED), i cili është akuzuar pabazë nga autoritetet kineze për rrëzim të pushteteve dhe nxitje të përçarjeve në vende të ndryshme të botës, përfshirë Kosovën.

Raporti i publikuar më 9 gusht nga Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës Popullore të Kinës, me titull “National Endowment for Democracy: Kush është dhe çfarë bën”, ngre pretendime të paqena se NED-i ka financuar prej kohësh OJQ-të në Kosovë, ku specifikisht e përmend edhe Sbunkerin, për të nxitur tensione ndërmjet qeverisë serbe dhe asaj kosovare, duke iu referuar kësaj të fundit si “institucione të përkohshme vetëqeverisëse në Kosovë”.

Qeveria kineze pretendon se NED-i vepron me direktiva të qeverisë amerikane, duke akuzuar organizatën se ndërhyn në punët e brendshme të vendeve të tjera, nën maskën e promovimit të demokracisë. Kjo narrativë, jo vetëm që është e rreme, por edhe vlerësim i gabuar i punës së NED-it dhe rolit të tij në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Në dhjetor 2023, instituti Sbunker, i financuar nga NED-i, publikoi një raport, duke thënë se ‘Kosova’ është një rast relativisht i suksesshëm i mbështetjes amerikane për ndërtimin e kombit dhe promovimin e demokracisë, një përpjekje që zbardh qëllimin e vërtetë të SHBA-së për t’i pushtuar dhe për t’i ndarë vendet e tjera”, thuhet në raportin e qeverisë kineze.

Fillimisht, pretendimi se qëllimi i qeverisë amerikane është pushtimi i Kosovës, nuk është i vërtetë. Kosova është shtet demokratik, i cili njihet nga më shumë se 100 shtete. SHBA-ja dhe partnerët perëndimorë e ndihmojnë vazhdimisht konsolidimin institucional të Kosovës, sepse vendi mbetet pjesërisht i njohur dhe jashtë disa organizatave të rëndësishme ndërkombëtare.

Së dyti, Ministria e Punëve të Jashtme e Kinës i referohet Sbunkerit si institut, gjë që nuk është e vërtetë. Sbunkeri është një organizatë joqeveritare, e cila përmban produkte mediatike.

Së treti, Sbunkeri si organizatë përmban politika të qarta redaktoriale dhe ka një mision të qartë dhe NED-i nuk ndërhyn në politikat redaktoriale të saj.

NED-i ka një histori të gjatë të mbështetjes së institucioneve demokratike dhe organizatave të shoqërisë civile në Kosovë, përfshirë Sbunkerin, gjë që dëshmon përkushtimin për të fuqizuar demokracinë, të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit.

Sbunkeri luan rol thelbësor në luftimin e ndikimeve të huaja keqdashëse, përfshirë Kinën si akter jodemokratik, si dhe promovimin e vlerave demokratike përmes publikimeve analitike dhe bisedave me akterë të ndryshëm.

*Ky artikull publikohet në kuadër të Iniciativës Rajonale të Ballkanit Perëndimor kundër dezinformimit. “Qendra kundër dezinformatave në Ballkanin Perëndimor: ekspozimi i ndikimeve keqdashëse përmes gazetarisë mbikëqyrëse.”

 

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.