Reportazh nga Athina
I ngritur mbi kodrën shkëmbore që dominon kryeqytetin grek, Akropoli i Athinës nuk mund të cilësohet vetëm si një kompleks i monumenteve antike, por simbol i qytetërimit perëndimor, demokracisë, filozofisë dhe artit klasik që vazhdon të ketë ndikim edhe sot në botë.
E, pamja nga lart është mahnitëse. Nga kodra e Akropolit, Athina duket sikur shtrihet pafundësisht në horizont. Në ditët me kthjelltësi, mes reve të pranverës, syri arrin deri tek deti Egje. Drita që hynte mes reve krijonte një atmosferë pothuajse teatrale mbi qytet duke sjellë një përzierje mes historisë, natyrës dhe arkitekturës, gjë që e bën këtë vend të veçantë në botë.
Vizita në fund të prillit kishte diçka të veçantë.
Athina ishte futur tashmë në ritmin e sezonit turistik. Turma të mëdha vizitorësh nga vende të ndryshme ngjiteshin ngadalë drejt kodrës së Akropolit, duke mbajtur aparate fotografike e guida turistike dhe mbi të gjitha me ndjesinë e admirimit përballë historisë së lashtë. Madhështia e Akropolit arrinte të impononte heshtje dhe respekt.
Që në ngjitjen e parë vërehet dallimi mes Athinës moderne dhe botës antike që qëndron mbi të. Poshtë shtrihet qyteti i madh me ndërtesa të ngjeshura, rrugë të zhurmshme dhe ritëm urban mesdhetar, derisa sipër i rezistojnë kohës kolonat prej mermeri disa prej të cilave kanë mbijetuar mbi dy mijë vjet histori, luftëra, pushtime e tërmete.
Ndjesia e parë mbresëlënëse është kalimi përmes portës monumentale hyrëse, e njohur si Propileat, e përbërë prej një strukture mermeri që në antikitet shërbente si hyrja ceremoniale drejt kompleksit të shenjtë. Ishte projektuar për të krijuar pikërisht atë ndjenjë admirimi që vizitori e përjeton edhe sot. Shkallët e gjera prej guri që ngjiten drejt portës dhe kolonat e larta të japin ndjesinë sikur po hyn në një botë tjetër, të ndarë nga Athina e zakonshme poshtë kodrës. Pasi kalon nën shtyllat e larta dhe përballë të shfaqet Partenoni, krijohet një përjetim gati se teatral, ku historia çelet gradualisht para syve të vizitorit.
Monumenti me më ndikim
Partenoni është padyshim monumenti më i njohur dhe më me ndikim i Akropolit. Tempulli i ngritur në shekullin V para erës sonë, gjatë epokës së artë të Perikliut, konsiderohet kryevepra absolute e arkitekturës greke. Edhe pse sot i dëmtuar nga koha dhe luftërat, Partenoni vazhdon të ruajë madhështinë e vet.

Tempulli i Partenonit
Kolonat gjigante prej mermeri qëndrojnë me një elegancë të rrallë mbi shkëmbin e Akropolit. Afër tyre kupton nivelin e jashtëzakonshëm të mjeshtërisë së arkitektëve dhe skulptorëve të Greqisë së lashtë. Tempulli ishte ndërtuar për nder të perëndeshës Athena, mbrojtëses së qytetit, prej së cilës Athina e mori edhe emrin. Brenda tij dikur qëndronte statuja monumentale e Athenës, e punuar në ari dhe fildish nga skulptori i famshëm, Fidias.
Sot, Partenoni është njëkohësisht simbol krenarie kombëtare për grekët dhe një monument universal i trashëgimisë së njerëzimit. Punimet restauruese vazhdojnë ende, çka shihej edhe gjatë vizitës, me skele dhe struktura mbështetëse që ishin vendosur rreth pjesëve të tempullit. Megjithatë, as restaurimi nuk arrin t’ia zbehë madhështinë.
Turistët ndaleshin gjatë për ta fotografuar nga çdo kënd. Disa lexonin përshkrimet e vëna para tempullit që shpjegonin historinë e tij, të tjerë qëndronin në heshtje duke vështruar kolonat e lashta – skena këto që të krijonin ndjesinë se historia ende jeton aty.
Jo larg Partenonit ndodhet Erekteioni, një tjetër tempull i rëndësishëm i Akropolit, i njohur veçanërisht për Kariatidet, kolonat në formë grash që mbajnë çatinë mbi kokë. Edhe pse më i vogël se Partenoni, Erekteioni ka një elegancë dhe shije të veçantë arkitekturore.

Kolonat në formë grashë
Ky tempull lidhet me mitologjinë greke dhe me rivalitetin për mbrojtjen e qytetit ndërmjet Athenës dhe Poseidonit. Sipas përshkrimit, aty ndodhej vendi ku Poseidoni goditi shkëmbin me heshtën e tij për të krijuar burimin e ujit, ndërsa Athena e mbolli ullirin e parë. Banorët e zgjodhën dhuratën e Athenës prandaj qyteti e mori emrin e saj.
Prania e Kariatideve krijon një ndjesi të jashtëzakonshme artistike, skulptura që përfaqësojnë harmoninë mes arkitekturës dhe artit njerëzor.
Amfiteatri, monument prej guri
Një tjetër pjesë mbresëlënëse e Akropolit është Teatri i Dionisit dhe Odeoni i Herod Atticusit. Aty ende qëndron amfiteatri monumental prej guri, me ulëset në formë harkore të cilat zbresin drejt skenës qendrore. Ky teatër është një nga simbolet më të fuqishme të kulturës greke pasi aty kanë lindur dhe janë interpretuar për herë të parë tragjeditë dhe komeditë klasike.

Teatri i Dionisit
Në këtë hapësirë dikur kanë jehuar veprat e Eskilit, Sofokliut dhe Euripidit, autorë këta që formësuan teatrin botëror. Edhe sot, struktura ruan një akustikë të jashtëzakonshme. Duke qëndruar afër shkallëve prej mermeri dhe duke parë skenën poshtë, mund ta imagjinosh atmosferën e festivaleve antike kushtuar perëndisë së verës dhe artit.
Evolucioni historik i Athinës
Akropoli është dëshmi e evolucionit historik të Athinës. Tempujt kanë shërbyer ndër shekuj si faltore pagane, kisha bizantine, xhami osmane dhe madje depo municionesh gjatë pushtimeve të ndryshme.
Partenoni u dëmtua rëndë në vitin 1687 gjatë bombardimeve veneciane kundër osmanëve, kur një shpërthim shkatërroi pjesë të mëdha të strukturës.
Megjithatë, edhe në gjendjen aktuale, Akropoli vazhdon ta ketë fuqinë e jashtëzakonshme simbolike. Ai përfaqëson historinë greke, themelet e mendimit politik, filozofik dhe artistik evropian. Nën hijen e këtyre monumenteve kanë lindur demokracia athinase, filozofia e Sokratit dhe Platonit, dramaturgjia klasike dhe idealet estetike të antikitetit.
Aspekt tjetër që e bën vizitën të paharrueshme është kontrasti mes gurëve të lashtë dhe jetës moderne që vazhdon poshtë tyre. Në horizont shtrihet Athina moderne me miliona banorë. Numri i madh i vizitorëve tregonte qartë se Akropoli mbetet një nga destinacionet më të kërkuara turistike në botë. Radhët e gjata, grupet turistike në gjuhë të ndryshme dhe hapësirat e mbushura me vizitorë, qëndron si dëshmi për tërheqjen që ky vend ushtron mbi njerëzit nga të gjitha kontinentet.

Pamja e Athinës nga Akropoli
Duke e soditur Athinën që shtrihet poshtë, e kupton pse ky vend konsiderohet zemra e Greqisë dhe ku historia nuk duket si diçka e largët, por si një udhërrëfyes që ende ka ndikim në botë.
Vizita në Akropol është një përballje direkte me qytetërimin që formësoi shumë nga idetë mbi të cilat është ndërtuar Evropa moderne. Dhe kjo është arsyeja që kur largohesh nga ai shkëmb i lashtë mbi Athinë, të shoqëron ndjesia se nuk ke vizituar vetëm një monument historik, por një nga vendet prej ku nisi gjithçka.




























































