Connect with us

Hi, what are you looking for?

Kritikë

Çka po na duhet parlamenti?

Çka po na duhet parlamenti? Pyetje kjo e cila ka filluar të mundoj shumicën e qytetarëve të Republikës sonë. Sidomos tani pasi Parlamenti i Republikës sonë është shëndrruar në poligon për trajnimin e të shtënave dhe gjuajtjeve ndaj opozitës, insitucioneve të pavarura, mediave e akterëve të tjerë që nuk mendojnë si mazhoranca e tij.

Në vend se të diskutojë dhe miratojë ligje, Parlamenti na është shëndrruar në një tempull unison partie, në një kooperativë rozë apo shënjtore poltronësh të cilët betohen për besnikëri ndaj liderit të tyre dhe jo ndaj qytetarëve. Prandaj, ç`ne kjo turmë parlamentare e cila në fakt më shumë ngjanë në një bord tjetër të partisë në pushtet?

Epo, që ta dini të njejtën pyetje patën bëre edhe Lenini e Hitleri. Sipas të parit, parlamentet duhej të zëvëndësoheshin me pushtetin e një partie si pasqyrimi më i mirë i interesave të një klase shoqërore. Ndërkaq sipas të dytit, fuqia e një njeriu apo lideri është pasqyrimi më i mirë i shpirtit të një populli.

Sot ne e dijmë se mendimet e tilla nuk dolen mirë, megjithatë akoma po vlen pyetja – çka na duhet parlementi?

Në kërkim të përgjigjjes për këtë pyetje, duket më se e përshtatshme që të fillojmë nga historia e herëshme, nga epoka e zbulimeve të mëdha gjeografike. Përkatësishtë, nga pushtimi dhe kolonizimi i Amerikës së Jugut dhe Veriut, si një nga eksperimentet më të mëdha natyrore në historinë njerëzore.

Dhe tani, si në një kuzhinë sociologjike, le të marrim së pari dy kultura perëndimore – atë britanike dhe atë spanjolle. Pastaj le të ndërlidhim ato dhe institucionet e tyre në Botën e Re dhe le t`iu imponojmë ato njerëzve të tjerë. Britanikët në veri dhe Spanjollët në jug. Dhe së treti, le të kthehemi disa shekuj më vonë, dhe të kontrollojmë se cilat shoqëri janë bërë më të pasura, më të sukseshme dhe më të lumtura.

Rezultati?

Shtetet e Bashkuara dhe Kanadaja dolën në mënyrë të pakrahasueshme më mirë, krahasuar me p.sh. Meksikën, Bolivinë ose Kolumbinë. Deri vonë, Amerika Latine ishte shumë prapa asaj Anglo-Saksone. Dhe kjo nuk ka të bëj fare me klimën apo tokën, sepse fusha pjellore ka edhe në veri edhe jug të Amerikës. Burime natyrore si naftë dhe ari gjithashtu. E mbi të gjitha, civilizimet madhështore të Aztekëve, Incasve dhe Majave ishin në zonën e Amerikës së sotme Latine, dhe jo në atë të Kanadasë së sotme.

Perandoria Spanjolle nuk ishte asgjë prapa asaj Britaneze as në shekullin XVI, edhe ajo kishte të zhvilluar tregtinë globale, universitetet dhe shkencën. Madje edhe kolonizimin e Amerikës e filluan më herët se Britanikët. Pastaj edhe skllavëria ishte po aq e fortë dhe brutale në të dyja pjesët. Falë Weberit për sa i përketë ndryshimeve teologjike midis katolicizmit dhe protestantizmit mund të jemi skolastikë deri në pafundësi.

Por në realitet, aventurierët spanjollë, tregtarët, të pasurit dhe grabitësit ishin po aq sipërmarrës dhe të motivuar nga fitimi sa edhe homologët e tyre britanikë.

E cili qenka dallimi atëherë?

Dallimi kryesor qëndron në një – ide të guximshme, e cila në Botën e Re u soll nga kolonialistët Britanik ( pra jo ata të Gadishullit Iberik). Në pytje ishte ideja që njerëzit të menaxhonin vetvetën e tyre. Në popull kjo njihet si demokraci. Por që thelbi i saj modern muk qëndron fare në sundimin banal të shumicës së dal nga disa zgjedhje. Thelbi tashmë qëndron në institucionin e Dhomës së Përfaqësuesve ose Parlamentit.

Këtë më së miri e ilustroi Xhon Loku në “Dy debate për qeverinë” ( 1689), kur zbuloi se një pushtet i veçantë legjislativ ose parlamenti, ishte baza më e mirë për bashkimin e njerëzve në një komunitet politik. Ai po ashtu ilustroi edhe shërbimin e këtij organi për mbrojtjen e qytetarëve nga arbitrariteti i pushtetarëve dhe despotëve luftarak, do të thotë nga ekzekutivi. Kjo pra është edhe arsyeja se pse thelbi i demokracisë qëndron në sundimin përfaqësues dhe jo atë elektoral. Kështu pra, në shtetin e së drejtës, parlamenti kontrollon qeverinë.

Kjo filozofi dhe teori politike e Lokut fatmirësishtë nuk mbeti e varrosur në libra por arriti të realizohet në histori dhe praktika shoqërore. Kështu për shembull, në Revolucionin e Lavdishëm Anglez të vitit 1688, i cili ndodhi si shkak i shkarkimit të parlamentit nga ana e Mbretit Xhejms II, anglezët e përmbysën atë dhe pasi sollën mbretin e ri, me shumë largpamësi, ata i dorëzuan pushtetin parlamentit.

Pra, një shekull të tërë para Revolucionit Francez, themelet e demokracisë parlamentare u vunë në Ishujt Britanikë, kur edhe u miratua Karta e të Drejtave (1689) dhe më asnjë monark britanik kurrë më nuk pati pushtet absolut. Dhe sa i përketë kësaj fushe, pasqyra më e mirë për modelin, vlerat dhe institucionin e parlamentarizmit ishin kolonitë britanike në Amerikë.

Në fillim, u duk sikur pushtuesit spanjollë dhe jo puritanët anglezë, ishin të ardhurit të cilët kapën preminë e kolonizimit. Me mikrobe, pushkë dhe çelik pushtuan civilizime të pasura dhe plaçkitën sasi të pakonceptueshme ari dhe argjendi.

Në vitin 1692, Meksiko City numëronte 100 mijë banorë përderisa Bostoni mezi kishte 6 mijë. Spanjollët gjithashtu themeluan 25 universitete në Botën e Re. Universiteti i Santa Domingo-s është 100 vjet më i vjetër se ai i Harvardit. Ndërtuan katedrale luksoze dhe shkolla jezuite, lulëzoi studimi i hartografisë dhe metalurgjisë dhe u miratua një dietë me inovacione kalorike si speca, misër dhe patate. Ishte një El Dorado i vërtetë në gjithçka përveç në institucionet politike.

Pra, Spanjollët as nuk dinin as nuk interesoheshin për institucionin e parlamentit apo demokracinë përfaqësuese. Kolonitë e tyre drejtoheshin me grushtë të hekurtë të një elite të vogël e shumë të pasur të pronarëve të mëdhenjë të tokave. Ishte pushtet i njerëzve feudal.

Nga ana tjetër, kolonitë britanike në Amerikën e Veriut lulëzuan me parlamente, asamble lokale dhe këshilla qytetarësh, si dhe me kongregacione dhe bashkësi lokale. Guvernatorët e kolonive emëroheshin nga Kurora Britanike, por u lihej kolonistëve të organizonin vetëqeverisjet e tyre përfaqësuese me sistemin nga lartë poshtë.

Kolonistët e parë britanikë arritën në Amerikë më 1607 ndërkaq që asambleja e parë e kolonisë së Virxhinias u mblodh në vitin 1619. Deri në vitin 1640, ishin formuar edhe tetë parlamente të tilla, në Massachusetts, Maryland, Connecticut, Plymouth, New Haven, etj. Ndërkaq që asgjë e tillë nuk ekzistonte në të gjithë Amerikën Latine. Në fund të fundit, pavarësia amerikane në 1776 u votua nga përfaqësuesit e qytetarëve, dhe jo nga të ligjshmit revolucionarë. Ishte një kongres i përbërë nga 343 delegatë nga 13 koloni britanike.

Kjo pra edhe është arsyeja se pse Kongresi Amerikan është sot një parlament që kontrollon fuqinë ekzekutive Amerikane (presidentin) në mënyrë të vendosur dhe të pavarur, si ndoshta asnjë parlament tjetër në planetin Tokë. Ndërsa vendet e Amerikës Latine kryesisht janë duke u mbytur nën kërcënimin e njerëzve të fuqishëm lokalë dhe të ashtuquajturin sistem të klientelizmit.

Pra, vërtetë evropianët sollën vetëm mikrobe, gjenocid dhe alkool tek amerikanët vendas por, ama për veten e tyre, anglezët dhe spanjollët sollën sisteme krejtësisht të ndryshme të qeverisjes ose institucioneve politike. Dhe janë pikërishtë këta, ata që përcaktuan drejtimin e zhvillimit të këtyre shoqërive, edhe shekuj pasi fituan pavarësinë nga kurora britanike dhe spanjolle.

Prandaj në momentin kur ne po pyesim se çka na duhet parlamenti, është mirë ta kujtojmë këtë eksperiment të jashtëzakonshëm shoqëror. Pa çka se eksperimentet dhe akrobacitë e tilla mendore nuk janë të përsosura. Dhe se shoqëritë e sapoformuara janë shumë më të larmishme, më komplekse dhe se ato nuk përcaktohen vetëm nga institucionet e tyre politike. Por le të mos harrojmë sa vijon: Doktrinat e Xhon Lokut mbi ndarjen dhe kontrollin e pushtetit, nuk janë ndonjë filozofi abstrakte. Janë realitet jashtëzakonisht praktik, histori reale por edhe e ardhme.

Pra, dallimi kryesor në rezultatet shoqërore midis atij të Amerikës Britanike dhe asaj Iberike nuk qëndron në burimet natyrore, klimën dhe gjeografinë, në fe dhe kulturë, por në politikë dhe institucione politike.

Prandaj, nëse pushtetarët e sotëm vërtet dëshirojnë një vend në histori, duhet të ndërtojnë një parlament i cili me të vërtetë do të kontrollojë dhe qeverinë dhe institucionet tjera dhe jo ta mbushin atë me një mazhornacë gjysmakësh duartrokitës.

Përmbushja e egove personale deri diku edhe arsyetohet, por ama ndërtimi i demokracisë përfaqësuese është më i rëndësishëm për të ardhmen dhe mirëqenien e një shoqërie.

Dhe po, ne mund të mos bëhemi kurrë Amerikë (Veriore), por ama mund dhe duhet ta provojmë!

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.