Connect with us

Hi, what are you looking for?

Kritikë

Konteksti i Popper-it mbi historinë dhe politikën

Në librin “Mendime për Historinë dhe Politikën”, filozofi Karl R.Popper jep një këndvështrim kritik mbi shumë probleme që lidhen me natyrën shkencore, politike e historike. Brenda këtij libri, autori shkoqit dilemat mbi sensin e historisë, si një pikë kthese e mendimit logjik e atij racional. Botëkuptimi i tij teorik e shkencor zhvillohet mbi pikëpamjen  e shumë filozofëve, duke filluar nga Platoni, Sokrati, Hobsi, Kanti, Marksi, etj.

Tematika e parë që trajtohet në këtë libër ka të bëjë me pikënisjen e mendimit iluminist e racionalist të Kantit, duke u bazuar në parullën “Ke guxim të përdorësh arsyen”. Esenca e kësaj pikënisjeje ka të bëjë me një vështrim konkret, praktik e shkencor, pasi, sipas tij, arsyeja është mjeti i domosdoshëm që e nxjerr individin nga situatat e pafavorshme. Popper-i, në këndvështrimin e tij analitik për t’u tejkaluar “gjumi dogmatik”, e sheh të domosdoshme që individi por edhe e tërë shoqëria të bazohen në racio, por çdoherë duke u nisur nga fondamenti i ilumnizmit dhe përfundimisht autori thotë se nuk ekziston një sens i fshehur i historisë dhe ata që besonin që kanë gjetur një gjë të tillë janë futur në lajthitje dhe janë vetëmashtruar.

Fillimisht kritikon shumë filozofë klasikë e tradicionalë, por prapë bie nën lajthitjen e Kantit, gjë të cilën e pranon edhe vetë. Mendimi iluminist, sipas Popper-it, është një mundësi e mirë për t’i gjykuar gjërat drejt e mirë, por njëkohësisht për t’i dhënë kahe të duhur historisë së mendimit njerëzor.

Në këndvështrimin kritik e vlerëson edhe mendimin e Platonit mbi format e qeverisjes, nga ato të mirat deri të ato të këqijat, si p.sh. monarkinë si formë qeverisëse të mirë, pastaj edhe aristokracinë, kurse si forma të këqija të qeverisjes e rendit demokracinë, tiraninë dhe oligarkinë. Por, një kritikë radikale që e drejton ndaj mendimit politik të Platonit ka të bëjë me pyetjen e këtij të fundit: Kush duhet të sundojë?; e, sipas Popper-it, është gabim trashanik të drejtohet pyetja në këtë formë, pasi nuk ka rëndësi pyetja kush, por si duhet të qeveriset. Por në fund Popper-i pranon se  qeverisje e mirë mund të konsiderohet ajo qeverisje e cila mund të hiqet qafe pa gjakderdhje. Sipas Popper-it, pushtetet duhet të jenë të kufizuara por kjo garantohet falë lirisë, që është një mjet për ta kontrolluar dhe kufizuar pushtetin në fushëveprimin e tij, por njëkohësisht na duhet edhe shteti për ta ruajtur e implementuar lirinë si kategori kushtetuese ligjore.

Nëse e kontekstualizojmë këtë çështje në realitetin praktik, na asocion me vendet me demokraci të konsoliduar, pasi çdo qeverisje duhet të korrespondojë me kërkesat e qytetarëve të atij vendi, e jo qeverisja t’i shërbej një pakice. Dhe në këto rast kur humbet vullneti i popullit dhe devijohet ai, qytetarët mund ta largojnë një qeverisje me mjete legjitime e demokratike.

Popper-i në aspektin e filozofisë politike në mënyrë të qartë shkoqit anët negative apo mangësitë e sistemit proporcional zgjedhor pasi, sipas tij, në këtë sistem zgjedhor partitë politike e shfrytëzojnë këtë vakum për t’i ikur përgjegjësisë institucionale dhe politike. Mund t’i paraqesim disa nga mangësitë të cilat Popper-i i paraqet në librin e tij:

1. Sistemi proporcional u jep mundësi partive të vogla për të konkurruar në zgjedhje, por njëkohësisht edhe për të qenë pjesë e pushtetit. Sipas tij, një gjë të tillë e garanton pluralizmi politik e partiak; sipas tij, është një gjë e keqe pasi partitë e vogla, edhe pse mund të jenë pjesë e pushtetit, çdoherë i ikin përgjegjësisë në kuptimin e llogaridhënies dhe transparencës ndaj qytetarëve. Sipas tij, më e rrugës do të ishte të kemi sistem dypartiak si në SHBA, gjë që do të garantonte një transparencë më të madhe, por edhe një lidhje më të fortë në raport me qytetarët, pasi çdo humbje në zgjedhjet e njërës parti do të ishte një reflektim për një reformë të thellë radikale, e cila në rend të parë do t’u shërbente qytetarëve për një qeverisje më të mirë në të ardhmen.

Mbi të gjitha, Popper-i në aspektin shkencor është një kritik konstruktiv pasi njëkohësisht jep edhe alternativa mbi teza dhe problematika që ngrihen.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.