Connect with us

Hi, what are you looking for?

Kritikë

Poezia dhe Politika

Poezia dhe politika. A duhet të rrinë larg njëra-tjetrës? Apo ato duhet të bashkohen? Përgjigja ime është se poezia, përkryerja më e lartë e letërsisë, dhe politika as nuk duhen ndarë e as nuk duhen afruar. Më poshtë do sqarohem.

Nuk është e rrallë të shikosh aktivistë politikë, që e njohin letërsinë përciptazi, të ndërhyjnë vazhdimisht në rrjedhën e letërsisë. Ata fajësojnë një vepër për mungesën e rrafshit politik, ose kërkojnë më shumë angazhim politik nga shkrimtari. Në skajin tjetër kemi të braktisurit, të tëhuajëzuarit, mërgimtarët vendas që kërkojnë që letërsia të jetë sa më pak e përlyer me politikën. Ata që mendojnë se politika e ndyn çdo gjë të hijshme. Që të dy këto skaje janë të gabuara, pasi ato kanë një parakuptim tepër të ngushtë të politikës.

I rikthehem shpesh këtij keqkuptimi të gjithëpranishëm që njerëzit kanë për kuptimin e politikës. Politika nuk janë zgjedhjet e mërzitshme çdo katër vite, bashkëbisedimet shterpë në parlament, protestat që përherë s’arrijnë asgjë ngaqë janë të vonuara. Politika nuk është as sundimi i më të fortit ose më të parapëlqyerit. Politika nuk është sundimi i ligjit. Politika nuk është të votosh çdo katër vite. Politika nuk është të protestosh për një vendim të padrejtë. Politika nuk është as sundimi i pronarit. E as lufta e klasave apo çfarëdo lloj lufte tjetër. Të gjitha këto që thashë janë pjesë e politikës, janë veç veprimtari politike, por nuk janë vetë politika. Politika është një koncept shumë më i gjerë se çdo veprimtari politike. Përkufizimi më i saktë i politikës do të ishte ky: mënyra sesi një bashkësi njerëzore vendos të ndërlidhë marrëdhëniet me vetveten dhe të tjerët. Vetëm ky përkufizim e lejon përfshirjen e tërë veprimtarive dhe rendeve të mëparshme politike, pa kufizuar rende të reja të politikës në të ardhmen.

Arsyeja pse e përmend këtë kuptim të gjerë të politikës është sepse që të dyja anët, ana që mendon se poezia duhet t’i rrijë larg politikës dhe ana se poezia duhet të jetë më e angazhuar politikisht, rrjedhin nga një konceptim tepër i ngushtë i politikës. Të dyja anët janë të vërteta dhe të rreme në të njëjtën kohë. Si?

Nga njëra anë, ata që mendojnë se poezia duhet të jetë më e angazhuar politikisht kanë të drejtë, pasi çdo poezi parakupton politikën në kuptimin e saj të gjerë si një marrëdhënie e një bashkësie shoqërore me vetveten dhe të tjerët. Për shembull, Parajsa e Humbur ka një parakuptim politik, pasi ajo shfaq një marrëdhënie të njeriut me tjetrën. Por ana që mendon se poezia duhet të jetë më e angazhuar politikisht gabohet kur kërkon nga një poezi që të shndërrohet në një veprimtari të caktuar politike. Si për shembull, përdhosja e një politikani. Gabimi këtu qendron se nëse poezia shndërrohet në një veprimtari politike, atëherë ajo vepër kthehet në propagandë, në një artikull të mërzitshëm gazetash, në një vepër skematike. Tërë veprat poetike kanë një parakuptim politik. Por kur qëllimi i vetëm i veprës është shndërrimi i asaj në një veprimtari politike, atëherë ajo kthehet në propagandë dhe s’ka të bëjë fare me poezinë.

Në të njëjtën mënyrë, ana që mbron mendimin se poezia duhet të rrijë sa më larg politikës është po ashtu e vërtetë dhe e rreme. E vërtetë në kuptimin që poezia, siç e përmenda edhe më sipër, nuk mund të shndërrohet asnjëherë në një veprimtari vetëm politike. Përndryshe ajo shndërrohet në propagandë. Nga ana tjetër, ana që mbron mendimin se poezia duhet të rrijë sa më larg politikës është e gabuar kur pranon se poezia dhe politika nuk kanë asnjë lidhje me njëra-tjetrën. Poezia e mirëfilltë shpreh përherë një gjithësi, një botëkuptim në tërësi. Kjo gjithësi botëkuptimore përfshin brenda vetes një marrëdhënie që njerëzit kanë me vetveten dhe të tjerët: si e tillë, poezia është përherë politike në kuptimin e gjerë të fjalës.

Në letërsinë shqiptare mund të dallojmë katër periudha të mëdha të marrëdhënies midis politikës dhe letërsisë. E para do të fillonte me vetë zanafillën e të shkruarit shqip: shkrimtarët katolikë të shekullit të 16-të dhe 17-të si Gjon Buzuku, Pjetër Budi apo Pjetër Bogdani. Pavarësisht se këta klasifikohen shpesh si pjesë e letërsisë fetare, mendimi im është se kjo letërsi fetare ka një rëndësi të madhe politike. Si fillim, vetë dëshira për të ruajtur besimin dhe gjuhën ka një rëndësi politike. Për më tepër, besimet fetare kanë një ndikim të qartë në mënyrën sesi njerëzit bashkëjetojnë. Vetë Bibla përmban një parakuptim të madh politik: ajo shpreh mënyrën sesi duhet të jetojnë njerëzit që të jenë sa më afër Zotit.

Periudha e dytë do të ishte periudha e letërsisë së Rilindjes Kombëtare. Edhe këtu letërsia ka një marrëdhënie të ngushtë me politikën: qëllimi i rilindasve për të krijuar një pavarësi gjuhësore, kombëtare dhe shtetërore është një synim politik. Nxitja e atdhedashurisë dhe e dëshirës për të luftuar për liri patën ndikime të thella politike: rigjallërimin e gjuhës shqipe dhe pavarësinë shtetërore.

Periudha e tretë është periudha e letërsisë komuniste. Këtu marrëdhënia midis politikës dhe letërsisë merr trajtën e përhapjes së pikëpamjeve politike të partisë komuniste te populli. Shkrimtari këtu shërbente si ura lidhëse midis partisë dhe popullit. Me këtë dua të them se shkrimtari udhëhiqej nga ideali dhe u shfaqej njerëzve si zëri i popullit, por gati përherë u shërbente nevojave të partisë.

Periudha e katërt është periudha bashkëkohore që po jetojmë sot në kapitalizëm. Periudha bashkëkohore nuk mund të kuptohet asnjëherë plotësisht kur je ende në të. Kuptimi i përket së shkuarës. Gjithsesi, ne mund të bëjmë parashikime për frymën e së tashmes dhe të ardhmes duke u bazuar në dije të pjesshme. Parashikimi im është se marrëdhënia e domosdoshme midis letërsisë dhe politikës gjatë periudhës që po jetojmë do të ketë trajtën e një kryengritjeje të përgjithshme politike.

Poezinë e Ervin Hatibit e shikoj si pjesë të kësaj traditë letraro-politike bashkëkohore. Kontributi i Hatibit në poezinë e gjuhës shqipe nuk është futja e imazheve të reja nga përditshmëria qytetare e as marrëdhënia e drejtëpërdrejtë që vepra e tij ka me lexuesin. Kontributin e tij e shikoj në fillimin e një tradite të re të poezisë politike.

Vepra poetike e deritanishme e Hatibit mund të ndahet në tri periudha: poezitë e tij djaloshare te vepra »Përditë shoh qiellin«, poezitë kaotike te vepra »Gjashtë Maç« dhe poezitë politiko-ironike te libri »Pasqyra e Lëndës«. Poezia e tij fillon të marrë më shumë trajtë si një poezi thelbësisht politike te librat »Gjashtë Maç« dhe »Pasqyra e Lëndës«. Te libri »Gjashtë Maç« hasim thirrje për kryengritje politike, si për shembull te vargjet e shkëlqyera te poezia “Vullnetari”:

“E do ikim të pijmë në klubin e veteranëve

Duke menduar për një kryengritje të errët

Për të përmbysur Perandorinë.”

Ndërkohë te libri »Pasqyra e Lëndës«, poezia politike e Hatibit merr më shumë trajtën e një talljeje tërë qesëndi e realitetit politik ku jetojmë: këtë gjë shohim te poezitë »Kinema “Ali Demi”« apo »Edhe një herë mbi çmimin e bananeve«.

Fatkeqësisht veprën e deritanishme të Hatibit e fus mes atyre poetëve shqiptarë, që mes shumë gjërave që kanë krijuar, u ngelin vetëm një grusht shumë i vogël poezish të mahnitshme. Në një shkrim të mëparshëm kam thënë se letërsia shqiptare vuan nga një mallkim: shkrimtarët e saj janë gati përherë një premtim i papërmbushur. Një premtim i papërmbushur është edhe vepra poetike e Hatibit e deritanishme.

Në rastin e Hatibit e gjej edhe më të thjeshtë, pasi mendoj se ai ka një poezi të vetme që qëndron mbi gjithë të tjerat. E kam fjalën për poezinë “Përmbi Revolucionin” te libri »Gjashtë Maç«. Kam besim të thellë se kjo është poezia më e mirë e tërë krijimtarisë së tij.

Përmbi Revolucionin

Më mbaruan cigaret në stacion të autobusit
Duke pritur revolucionin tjetër
Këtu kam mbetur
Gozhdë e përzhitur, e shtrembëruar
Nëpër shkrumbin e kishës së djegur.
Si nëpër pistoleta me mulli
Të gjithë janë futur kokë më kokë
Nëpër shtëpi
Gjithe revolucionet të parafundit janë
E gjithnjë jeta ime e fundme, e fundit
Lirë mi bleve lotët, mi bletë
Krejt trupi më dhimbte nga dashuria
Për popullin e barrikadën.
Dua të vdes e ta harroj
Ta vjell. Dua të vdes kot
Ose hic të mos vdes nëse duhet
Të vdes me qëllim
Do marr një lypës të mitur mulat
Ta ngroh e ta rris ndyrë
Ju ftoj të gjithëve në strofkën time
Të më pështyni në fytyrë
Veç të mos më provokojë njeri me plaget e veta.
Por rroftë, rroftë flamuri i ri
Edhe çdo dashuri e vjetër
Në ardhtë prapë dita, në rrugë prap do jem
Me gurë do godas patjetër
Ata që jane grumbull
Dhe ata qe do rrinë vetëm.
1991

Arsyeja pse e gjykoj poezinë e Hatibit si një premtim i papërmbushur vjen si rrjedhojë e dy problemeve të mëdha që has në poezinë e tij. Problemi i parë është në lidhje me ndërtimin e imazhit. Si në vetë kaosin e viteve ’90, edhe në vargjet e Hatibit has më shumë rrëmujë se ç’duhet. E kam fjalën për rrëmujën që shoh në ndërtimin e vargjeve dhe imazheve te poezia e Hatibit. Për t’u treguar sa më objektiv, do të jap vetëm disa shembuj se për çfarë rrëmuje nëpër vargje dhe imazhe jam duke folur. Ja, shiko këto vargje te poezia »Krijimi«:

“Ngrinin stërkala vullkanike masive përcëlluese kohësh

E gjithë kjo ndodhte përditë atë javë

Pa dëshmitar, pa avokatë”

Mua këto vargje më duken një rrëmujë e madhe. Stërkala vullkanike që përcëllojnë kohën pa avokatë? Rrëmujë në ndërtimin e imazhit, të them më të paktën. Ja ca vargje të tjera nga poezia “Do të shpiket një lëng ose makinë”:

“…

Erozioni erotik i dhjamit do të botohet në faqe të

Para

Testimet, reaksionet kundër

E saktë fare, pa trauma makineria e dobësimit

Do t’i eksorciojënë klinikë ai burri gjithë teprimet e

darkave

Barkun plot me kursime për një abonim, apo kurs joge…

Gjithë bythët e shalët e gushët proteinike…”

 

Ç‘të them? Një lëmsh imazhesh futur bashkë pa shije e pa asnjë rrjedhë dhe me përshkrime të dobëta. Erozioni erotik i dhjamit do të botohet? Gushët proteinike?

Problemi i dytë në poezinë e Hatibit ka të bëjë me zërin ironik në poezitë e tij. Këtë zë e hasim përgjithësisht te libri »Pasqyra e Lëndës«. Jam i mendimit se poezia asnjëherë nuk duhet të rrëfehet në zërin ironik. Kësaj gjëje i mëshoj fort. Përqeshja dhe tallja e zërit ironik asnjëherë nuk mund të arrijë përkryerjen e poezisë: poezinë si një shprehje e së hyjnishmes. Ironia në poezi nuk përdhos askënd më shumë sesa vetveten. Ironia mund t’i shkojë shumë për shtat prozës, por asnjëherë poezisë.

Pavarësisht kritikave, vlerën më të madhe të veprës poetike të Hatibit e shikoj në nisjen e një marrëdhënie të re midis poezisë dhe politikës: poezisë si një kryengritje thelbësore kundër rendit politik në tërësi.

 

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.