Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

COP26: A do ta shpëtojnë planetin ata që e sollën buzë shkatërrimit?

Ilustrimi: Big Eye

Pak ditë para fillimit të Konferencës së Kombeve të Bashkuara për ndryshimet klimatike ‘COP26’ që u mbajt nga 31 tetor – 12 nëntor në Glasgow të Skocisë, ikona e dokumentarëve televizivë për natyrën, Sir David Attenborough, në një intervistë për BBC-në, bëri thirrje për veprime urgjente. Ai thotë se sipas vlerësimeve të fundit shkencore, në mënyrë që të shmangen ndikimet e këqija si pasojë e rritjes së temperaturës globale, emetimet globale të karbonit duhet të përgjysmohen jo më vonë se deri në vitin 2030. Nëse nuk veprojmë tani, do të jetë tepër vonë, thotë ai. Në frymë të njëjtë, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, duke u mbështetur në gjetjet e raportit të fundit të përpiluar nga UNEP (Programi i OKB-së për Mjedisin) Raporti i Hendekut të Emetimeve 2021, thekson se ky raport është një alarm kumbues që thërret për veprime të menjëhershme.

Në këtë raport theksohet se me ritmin aktual të ndotjes, temperatura globale do të rritet rreth 2.7 gradë Celsius deri në fund të këtij shekulli duke sjellë pasoja shkatërruese. Për të mbajtur gjallë ambicien që të kufizohet ngrohja globale në 1.5 gradë Celsius mbi nivelet para-industriale, shkencëtarët theksojnë se zotimet e shteteve për reduktimin e emetimeve të gazrave do të duhej të rriten akoma më shumë, pra duke arritur në shkurtime deri në 55% deri në vitin 2030. Kjo do të thotë se planet aktuale do të duhet të kenë shtatëfishin e nivelit të ambicies për të qëndruar nën atë kufi, thuhet në raport.

Më shumë se asnjëherë më parë, kërcënimi lidhur me ngrohjen globale po cilësohet si ‘katastrofë klimatike’ dhe është futur në agjendë si njëri ndër shqetësimet më të mëdha më të cilat do të përballet njerëzimi në rast se nuk merren masa të vendosura frenuese. Rritja e temperaturës kërcënon të sjellë fatkeqësi natyrore, shkatërrim të biodiversitetit, përmbytje, degradim të tokave bujqësore, dëme këto me pasoja të paimagjinueshme ekonomike, sociale, politike dhe të sigurisë.

Janë dy arsye përse ‘klima’ e bashkëpunimit duket paksa më e mirë kësaj here. Njëra është se ka një momentum që sinjalizon rikthimin e frymës së multilateralizmit në këtë çështje prioritare, ndryshe nga koha kur Donald Trump ishte në krye të ShBA-së dhe, e dyta vjen si fryt i një debati më të gjatë politik dhe akademik rreth tematikës së ndotjes (kush janë përgjegjësit, kush janë viktimat dhe kush duhet të paguaj), i zhvilluar ndër vite. Sadoqë ende ka mjaft divergjenca, dialogu dhe diskutimet kanë kontribuar në ofrimin e një perspektive të re që mund t’i jap energji angazhimit kolektiv në çështjen e mjedisit.

Njëra nga pikat më të rëndësishme të diskutimeve ndërmjet vendeve të zhvilluara dhe atyre në zhvillim ka qenë qartësimi i çështjeve që ndërlidhen me përgjegjësinë historike që kanë vendet e zhvilluara që nga koha e revolucionit industrial e deri tani në emetimin e gazrave serrë në atmosferë. Ky grumbullim historik i emetimeve të dëmshme është faktori kryesor që e ka sjellë botën në krizën me të cilën po përballet tani. “Ne e shkaktuam këtë – përmes industrializimit tonë,” thotë Sir David Attenborough, duke shtuar se për këtë arsye, kemi përgjegjësi morale për të mbështetur vendet e varfra.

Përveç kontributit historik në ndotje, vendet e pasura vazhdojnë të jenë edhe sot ndotësit më të mëdhenj. Rreth 80 përqind e ndotjes aktuale në nivel global realizohet nga vendet që janë pjesë e G20. Vendet e zhvilluara luajnë rol të dyfishtë në çështjen e ndotjes. Në radhë të parë, për shkak të aktivitetit të lartë industrial dhe, në radhë të dytë, për shkak të fuqisë blerëse, pra konsumit të lartë i cili e stimulon ndotjen. Në vende të varfra në Afrikë e gjetiu, ju nuk mund të kontribuoni në ndotje të lartë sepse, nga njëra anë, nuk keni industri të zhvilluar dhe, në anën tjetër, nuk keni fuqi blerëse për të konsumuar shumë produkte, prodhimi i të cilave shkakton ndotje.

Shtetet e varfra dhe ato në zhvillim, për kohë të gjatë kanë argumentuar se aktiviteti industrial i shteteve të zhvilluara i cili ka kontribuar në ndotjen e mjedisit për dekada të tëra, ka kontribuar në zhvillimin e tyre ekonomik. Tashmë duke qenë të pasura, sado që mund ta ‘pranojnë mëkatin e tyre klimatik’, siç e cilëson Gazeta Politico, këto shtete janë në një avantazh historik sepse posedojnë fuqinë financiare për të qenë më rezistente ndaj katastrofave natyrore si dhe për të financuar tranzicionin e energjisë drejt asaj të ripërtërishme.

Nga ana tjetër, vendet e varfra përveçse janë dëmtuar drejtpërdrejt nga ndotja mjedisore e shkaktuar nga vendet e pasura, kërkohet të heqin dorë edhe nga burimet energjetike ndotëse me të cilat punojnë industritë e tyre të vonshme në kohë duke u ndier të disavantazhuara në kuptimin historik. Për të vënë konturat e një lloj ‘drejtësie klimatike’ globale, studiues të shumtë thërrasin për obligime morale të shteteve të pasura ndaj atyre të varfëra. Ka edhe të tillë që mbështesin normimin e së ashtuquajturës ‘drejtësi reparative’ përmes së cilës ‘përgjegjësitë historike’ të shteteve që kanë shkaktuar ndotjen globale të shndërrohen në ‘obligime ligjore’ për të paguar reparacion te vendet e dëmtuara.

Në këtë samit, çështja e ‘përgjegjësisë historike’ dhe ‘obligimit moral’ për të mbështetur vendet e varfra lidhur me ndotjen duket se është afirmuar paksa më qartë sesa më parë. Këtë e pohoi edhe kryeministri britanik, Boris Johnson, i cili, në përgjigje të thirrjeve nga vendet më të rrezikuara nga ndryshimet klimatike për ‘më shumë ndërgjegje’ nga të pasurit dhe për më shumë mbështetje financiare për adresimin e sfidave klimatike, deklaroi se nuk është e drejtë që vendet e varfra të vuajnë nga pasojat e emetimeve që “[…] ne në vendin tonë filluam t’i prodhojmë 250 vjet më parë.”

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.