Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Dilema morale e Kosovës për Palestinën: koha për ta thyer heshtjen?

Më 7 tetor 2023, sulmi i Hamasit la të vdekur 1,200 njerëz, shumica prej të cilëve izraelitë. Si kundërpërgjigje, Izraeli nisi pushtimin e plotë të Rripit të Gazës, gjë që, deri më sot, ua ka marrë jetën 40,000 palestinezëve, gjysma prej të cilëve fëmijë. Ndonëse shumica e vendeve perëndimore nuk i kanë dënuar fuqishëm sulmet dhe goditjet e Izraelit kundër civilëve të pafajshëm, përgjigjja e tyre ndaj Hamasit ka qenë padyshim e ashpër. 

Komuniteti perëndimor e mbrojti të drejtën e Izraelit për vetëmbrojtje – madje, deri tani, në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, dënimi ndërkombëtar i sulmit që po vazhdon në Rripin e Gazës së pari është udhëhequr nga zërat nga pjesa jugore e globit, siç dëshmohet me inicimin e rastit për gjenocid nga Afrika e Jugut me mbështetjen, midis të tjerëve, edhe të Brazilit, Indonezisë, Algjerisë dhe Namibisë. Në këtë kontekst, është e pritshme që në mbrojtje të humanizmit dhe lirisë të ngrihen vendet që më parë kanë përjetuar tragjedi të ngjashme. 

Megjithatë, kur janë bërë më shumë se dhjetë muaj nga rrethimi i plotë i Gazës, Kosova – as qeveria e saj, as presidentja – nuk ka arritur ta kalojë sfidën e mbrojtjes së dinjitetit si shtet i ngritur mbi rrënojat e persekutimit dhe shtypjes. 

Njohja e vuajtjeve për dekada të tëra të palestinezëve duhet të jetë domosdoshmëri (imperativ) morale. Prapëseprapë, përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës dhe institucioneve të tjera kanë qëndruar të heshtur. 

Me imitimin e shumicës dërmuese të vendeve perëndimore, provat institucionale të solidaritetit me Izraelin kanë mbizotëruar në nivele të larta të udhëheqësisë së Kosovës – në kontrast të thellë me pranimin e vobektë publik të situatës në Gaza, ose të popullit palestinez. 

Që nga sulmi i tetorit, kryeministri Albin Kurti është kufizuar në mbështetjen e së drejtës së Izraelit për vetëmbrojtje dhe shpresën për armëpushim të përhershëm midis Izraelit dhe Hamasit, teksa po kaq diskrete në deklarimet publike ka qenë edhe presidentja Vjosa Osmani. 

Dy udhëheqësit janë të njohur për denoncimet në forume ndërkombëtare të krimeve të Serbisë kundër shqiptarëve të Kosovës më pak se tri dekada më parë, si dhe për kërkim të drejtësisë për masakra të ngjashme. Gjithashtu, ata kanë qenë të zëshëm kundër agresionit të tanishëm të Rusisë në Ukrainë.  

Është veçanërisht ironike që një udhëheqësi – e lëre më një parti politike me historinë e misionin e Lëvizjes Vetëvendosje – e cila, për një kohë të gjatë, ka bërë fushatë në një platformë nominalisht antikolonialiste dhe si parim thelbësor e ka vetëvendosjen – nuk ia del ta pranojë publikisht makinerinë shtypëse të Izraelit dhe dhunën kundër palestinezëve në sy të të gjithë botës. 

Në Kosovë, shumica e akteve të solidaritetit me Palestinën kanë ardhur nga shoqëria civile. Grupet e qytetarëve dhe aktivistëve, siç është Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, i kanë prirë protestës civile kundër veprimeve të Izraelit në Gaza, me organizimin e disa demonstratave me pjesëmarrje modeste të njerëzve, si dhe me zbulimin e një flamuri të madh të Palestinës në murin e hotelit ikonik Grand në qendër të Prishtinës – pak pas zbulimit, ky flamur u largua, me sa duket, nga autoritetet e qytetit.  

Udhëheqësia politike e Kosovës, si shumë të tjera në botën perëndimore, është ngujuar në një dikotomi të pavërtetë, të vetimponuar, ku vetëm njohja e masakrës në Gaza po paraqitet si kundërshtim i së drejtës për vetëmbrojtje dhe, edhe më shqetësuese, si antisemitizëm i plotë. 

Megjithëkëtë, në realitet, është më e thjeshtë. E drejta ndërkombëtare, e drejta humanitare ndërkombëtare si pjesë e saj, nuk lë vend për dyshim se dënimi i veprimeve të Izraelit në Palestinë është imperativ moral e ligjor ndërkombëtar. 

Faktorët e brendshëm dhe të jashtëm mund të argumentohen për ta zvogëluar kapacitetin e Prishtinës për të folur me vendosmëri kundër veprimeve të Qeverisë së Izraelit, deri në një shkallë të kufizuar – përfshirë njohjen e Kosovës nga Izraeli më 2020, si dhe më shumë sesa një dozë të njohur të fuqisë së butë dhe presionit diplomatik nga Shtetet e Bashkuara, aleati kryesor i Izraelit. Gjithashtu, në qershor, Kosova u nderua nga vizita e ministrit të Brendshëm të Izraelit, Moshe Arbel, ku u nënshkrua marrëveshja për heqjen e vizave në mes të dy shteteve. 

Në nivel strukturor, mbështetja relativisht e ulët e popullit të Kosovës për Palestinën mund t’i ketë rrënjët te refuzimi i formave ekstreme të Islamit, që shpesh lidhen me palestinezët. Shumë myslimanë kosovarë nuk identifikohen me këtë portretim, por simpatizojnë palën që perceptohet si më e avancuar, sofistikuar dhe civilizuar. 

Pavarësisht nga arsyet, mungesa e reagimit nuk mund të justifikohet me asgjë. Mbrojtja e hapur e luftës palestineze është detyrë që duhet të bëhet e qartë nga udhëheqësia e Kosovës – me shikim nga njohja e plotë në planin afatshkurtër apo afatmesëm. Njohja e shtetit palestinez është lëvizje e guximshme që sigurisht se mund të ballafaqohet me hakmarrje diplomatike, sidomos për një vend që është veçanërisht i cenueshëm nga presionet prej Shteteve të Bashkuara dhe fuqive më të mëdha perëndimore. Megjithatë, edhe Kosova është subjekt i pavarur dhe autonom, që mund dhe duhet t’i bëjë zgjedhjet e saj në politikën e jashtme. 

Si mundet qeveria e një populli, të cilit i është mohuar vetëvendosja, një populli që ka numëruar mijëra vdekje dhe që është ngritur mbi traumën e spastrimit etnik si pjesë e historisë së tij, të reagojë me vështirësi për përsëritjen e ngadaltë e të dhimbshme të tragjedisë së tij? 

Nëse dikujt, i takon Kosovës ta ketë ndjeshmërinë e njohjes së akteve të shtypjes, krimeve kundër njerëzimit dhe gjenocidit, si dhe ta gjejë guximin për të reaguar kundër këtyre. 

Refuzimi për njohjen në publik të vuajtjeve të Palestinës e bën udhëheqësinë e Kosovës, thënë më së miri, hipokrite. Sidoqoftë, nuk është asnjëherë vonë për Kosovën që t’i shërojë plagët e saj dhe të marrë një hap të guximshëm për ta zgjidhur përfundimisht dilemën e panevojshme: të shpërblyerit e shtypjes, apo të qenët në anën e drejtë të historisë?

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.