Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Gabimet e Kosovës në traktat-bërje dhe mësimet për të ardhmen

Procesi i konkludimit të marrëveshjeve ndërkombëtare është kompetencë e shteteve (dhe organizatave ndërkombëtare). Kosova, si shtet i ri, në përvojën e saj të shkurtë me marrëveshje, ka shfaqur mosnjohje të këtij procesi duke: (a) nënshkruar marrëveshje për të cilat një pjesë e konsiderushme e partive politike pretendojnë se përmbajnë gabime faktike (demarkacioni me Malin e Zi) dhe kushtetuese (Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe), (b) nënshkruar por mos-ratifikuar marrëveshje (demarkacioni me Malin e Zi), dhe (c) sfiduar  marrëveshje të arritura nga institucionet paraprake (rivlerësimi i Dhomave të Specializuara). Ky shkrim argumenton se institucionet e vendit duhet të ndërmarrin tre hapa të domosdoshëm, të elaboruar në vijim, për të evituar në të ardhmen gabimet që ndërlidhen me marrëveshje ndërkombëtare.

1. Të rritet koordinimi ndërmjet Qeverisë dhe Kuvendit para nënshkrimit të marrëveshjeve ndërkombëtare.

Dihet mirëfilli se në bazë të së drejtës vendore, Qeveria nënshkruan, ndërsa Kuvendi ratifikon marrëveshjet ndërkombëtare. Megjithatë, në nivel të marrëdhënieve ndërkombëtare, kur Qeveria nënshkruan marrëveshje, ajo jep zotime shtetërore në nivel ndërkombëtar se mund t’i zbatojë marrëveshjet e arritura. Në këtë nivel, refuzimi eventual nga Kuvendi i marrëveshjes ndërkombëtare nuk shihet në kontekst të pavarësisë institucionale, por tregon mungesën e koordinimit ndër-institucional dhe paaftësinë shtetërore për të zbatuar zotimet e pranuara.

Nga kjo që u theksua, Qeveria nuk duhet të hyjë në marrëveshje ndërkombëtare dhe të kërkojë nga Kuvendi ratifikimin e tyre, nëse ky i fundit nuk ka konsensus politik në kohën e duhur. Qeveria nuk mund ta vendosë Kuvendin para aktit të kryer me marrëveshjet e arritura. Kuvendi nuk është “vulë gome” që me automatizëm aprovon marrëveshjet ndërkombëtare të negociuara nga ekzekutivi. Për këtë arsye, ekzekutivi duhet të parafojë apo nënshkruajë marrëveshje ndërkombëtare vetëm pasi të sigurojë se ka përkrahjen e domosdoshme në parlament. Një gjë e tillë do t’i zvogëlonte befasitë në traktat-bërje dhe do të rriste kredibilitetin shtetëror. Për t’u mundësuar kjo, Qeveria duhet të kërkojë nga Kuvendi pëlqimin për marrëveshje të negociuara para se ato t’i nënshkruajë apo parafojë. Kjo mund të realizohet duke amendamentuar Ligjin për Marrëveshje Ndërkombëtare. Kosova mund të huazojë praktikën e SHBA-së (Qarkorja 175) dhe Holandës (Ligji për Aprovim dhe Publikim të Traktateve) për rregullimin e kësaj çështje (Kuvendi ka në dispozicion mendimin tim ligjor të detajuar, të përgatitur për KDI, për realizimin e reformës në fjalë).

2. Të përfshihen ekspertë në negociim të marrëveshjeve dhe instrumenteve tjera të karakterit ndërkombëtar

Përvojat paraprake tregojnë për mos-përfshirje të mjaftueshme të ekspertëve të fushave përkatëse gjatë negociimit të marrëveshjeve. Shembulli i parafimit të dokumentit që parasheh themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe tregon se si Kosova ka parafuar një dokument qartësisht kundër-kushtetues. Është vështirë të gjenden ekspert nga e drejta kushtetuese që do ta konsideronin këtë dokument në harmoni me Kushtetutën e Kosovës. Shembulli tregon se ekipi politik për negociim të marrëveshjes duhet të ketë mbështetje nga ekspertë profesionalë. Kjo nuk nënkupton se ekspertët duhet të marrin rolin e politik-bërësve, por të parët duhet të gjejnë zgjidhje ligjore në kuadër të sistemit kushtetues për realizimin e objektivave politike.

3. Qeveritë e reja të respektojnë marrëveshjet e arritura nga qeveritë paraprake.

Cikli i ndërrimit të qeverive është i natyrshëm. Pikërisht duke pretenduar ndryshimet, partitë opozitare vijnë në pushtet. Megjithatë, politika shtetërore që ndërlidhet me kushtet që dalin nga marrëveshjet paraprake duhet zbatuar pa marrë parasysh ndërrimeve në Qeveri apo Kuvend. Për të ilustruar obligimet e derivuara, do t’i referohem shembullit të Greqisë për qasjen që qeveria e re atje kishte marrë ndaj obligimeve që ndërlidheshin me borxhin ndërkombëtar gjatë krizës financiare dhe reagimin e shteteve tjera të Eurozonës.

Kur ministri grek Varufakis kërkonte ri-negocimin e kushteve të marrëveshjes me ministrat e Eurozonës për shkak të ndryshimit të qeverisë greke, homologu i tij gjerman, Schäuble, ju përgjigj:

“Unë nuk do t’i diskutoj me ju kushtet e marrëveshjes për të cilat është pajtuar qeveria juaj e mëparshme, pasi që nuk lejojmë që zgjedhjet në Greqi të ndryshojnë marrëveshjen. Ne jemi 19 vende anëtare të Eurozonës dhe në rast se sa herë të ketë zgjedhje në vendet tona e ndryshojmë qëndrimin për kushtet e marrëveshjes, atëherë marrëveshjet ndërmjet nesh nuk do të kishin kurrfarë kuptimi”.

Në fund Greqia u detyrua t’i përmbushë obligimet që derivonin nga qeveritë parapake. Megjithatë, zvarritja e mospërmbushjes i kushtoi shumë Greqisë. Nëse Kosova, në varësi të kompozicionit politik vazhdon të sfidojë marrëveshjet ndërkombëtare të arritura nga institucionet legjitime të vendit, dhe vazhdon të neglizhojë obligimet e marra, duhet të përgatitet edhe për pasojat e saj.

Për fund

Stagnimi politik në vend tani e disa vite ka një emërues të përbashkët: mosnjohjen e rregullave të traktat-bërjes. ‘Krizat politike’ të tre viteve të fundit ndërlidhen drejtpërdrejtë me marrëveshjet e arritura me Serbinë, Malin e Zi dhe BE-në. Këto ‘kriza’ në fakt nuk ndërlidhen me qëllimin e arritjes së marrëveshjeve në fjalë, por me hapat dhe mënyrën e konkludimit dhe më pas mos-zbatimit të tyre nga ana e institucioneve vendore. Kjo tregon se problemet janë të natyrës sa politike aq edhe teknike-profesionale.

Përvoja jo e mirë e deritanishme në traktat-bërje kërkon reflektim të brendshëm dhe jo gjah për gjetjen e fajtorve të jashtëm. Kosova si shtet i ri, vetëm sa ka filluar rrugëtimin e tij në traktat-bërje. Nëse klasa politike ka interesim që vendi të fuqizojë subjektivitetin ndërkombëtar dhe të krijojë aleanca ndër-shtetërore, duhet të ndërmarrë veprime konkrete për krijimin e praktikave të mira në traktat-bërje. Kjo nënkupton, ndër të tjera, 1. nisjen e ndryshimit të Ligjit për Marrëveshje Ndërkombëtare në mënyrë që të përfshihet roli i Kuvendit në procesin para nënshkrimit të marrëveshjes ndërkombëtare, 2. përfshirjen e ekspertëve në negociim të marrëveshjeve të reja ndërkombëtare, dhe 3. mos-cenim të marrëveshjeve detyruese të arritura më herët.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.