Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Ja një alternativë – Fondi Sovran

Ilustrimi: BigEye

Në shtator të vitit 2021, Qeveria e Republikës së Kosovës ka themeluar Komisionin Ekzekutiv për Themelimin e Fondit Sovran, i cili më pas ka emëruar Grupin Punues në krye me Prof. Dr. Besnik Pulën dhe anëtarë Dr. Arta Hoxhën, Emanuel Bajrën, Tea Blakaj-Hoxhën dhe mua. Në mes të janarit të vitit 2022, Grupi Punues ia ka dorëzuar Komisionit Ekzekutiv Koncept-Dokumentin për themelimin e Fondit Sovran të Republikës së Kosovës.

Detajet e këtij dokumenti tashmë janë publike dhe është e panevojshme të përsëriten. Por, për ta vënë në pah kontributin potencial të Fondit Sovran në ndryshimin paradigmatik të ekonomisë, është i rëndësishëm një trajtim nga këndvështrimi i historisë së ekonomisë politike përgjatë më shumë se katër dekadave të fundit.

“Nuk ka alternativë” ishte postulati i famshëm që e përsëriste kryeministrja e Britanisë së Madhe, Margaret Thatcher, me të cilin donte t’i shuante diskutimet e mëtejme e kritikat ndaj politikave ekonomike që po merrnin pushtet në vitet ‘70. Ndonëse liria ishte rrënja e nocionit të neoliberalizmit, insistimi në mungesë të alternativës ishte qasje fukuyamaiste e fundit të historisë. Por, si mund të ketë liri nëse nuk ka alternativë?

Paradoksi vazhdonte me mohimin e karakterit politik të vetë projektit. Dogma e vetërregullimit të tregut nga e ashtuquajtura “dora e padukshme” – paçka se ky nocion përmendet vetëm tri herë te Pasuria e Kombeve e Adam Smith-it – dhe insistimi në mosndërhyrjen e qeverisë në ekonomi, ushqeheshin nga i njëjti zell po aq politik, sikurse ai për ekonomi të centralizuar në anën tjetër.

Një projekti politik që mëtonte më shumë liri të tregut duke e ndarë ekonominë nga politika, megjithatë, i mungonte një program koherent ekonomik. Ai i kishte disa masa kyçe si liberalizimi ekonomik, privatizimi i ndërmarrjeve publike dhe stabilizimi i inflacionit, të cilat  në krye me Milton Friedman-in ia kishin ofruar me ngazëllim diktatorit të Kilit, Augusto Pinochet. Pra, projekti politik që në thelb thuhej se kishte lirinë, tash ishte në shërbim të diktatorit që kishte ardhur në pushtet përmes puçit ushtarak.

Por, fasada më gjithëpërfshirëse ekonomike e këtij projekti që përgjithësisht quhet neoliberalizëm u bë rreth një dekadë e gjysmë më vonë nga dhjetëpikëshi i ekonomistit John Williamson, i cili e paraqiti atë si Konsensusin e Uashington-it. Ndonëse ato politika ishin shkruar duke pasur në mendje problemet ekonomike në Amerikën Latine, shpejt u bënë “terapia” që u përshkruhej vendeve të asaj që në terma kolonialë e quanin Bota e Tretë. Kështu edhe Kosovës më vonë do t’i ofrohej një recetë e tillë.

Disa reforma neoliberale në Kosovë kishin nisur në fillet e perëndimit të Jugosllavisë, por vitet ‘90 karakterizohen më shumë me diskriminimin sistemik dhe dëbimin nga puna që u bëri qindra-mijëra punëtorëve shqiptarë regjimi fashist i Sllobodan Millosheviq-it. Dekada e fundit e shekullit të kaluar është dëshmitare e shumë krimeve makabre të kryera nga i njëjti regjim, por që përfunduan me luftën çlirimtare të popullit tonë në krye me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Periudha e menjëhershme e pasluftës u karakterizua me protektoratin ndërkombëtar ku UNMIK-u përmes shtyllës së katërt të tij kishte përgjegjësinë për restaurimin dhe zhvillimin ekonomik. Terapia tashmë ishte gati. Ishte provuar në shumë vende të tjera. U përshkrua edhe në Kosovë.

“Ilaçi” kryesor në terapinë e përshkruar ishte privatizimi i aseteve shoqërore e publike. Fillimisht përmes Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit e më pas përmes Agjencisë Kosovare të Privatizimit, u shitën mbi 2 mijë asete të tilla. Disa përmes likuidimit e disa përmes spin off-it, ndërruan pronësi nga publiku te privati.

Ndërmarrjet publike që mbetën pa u privatizuar përgjithësisht u keqpërdorën nga qeveritë e u keqmenaxhuan nga njerëzit që i kishin vënë në drejtimin tyre. Kur ato kishin dividentë për t’i dhënë qeverisë, dividenta nuk u përdor për zhvillimin e tyre apo industrive të tjera nga qeveria. Gjendja financiare e shumicës prej tyre ishte aq e keqe saqë vit pas viti duheshin subvencione që t’i mbulonin shpenzimet e domosdoshme siç janë pagat e punëtorëve.

Pra, ky ishte modeli: privatizim dhe keqpërdorim. Model i paraqitur si i paalternativë.

Por, në fakt, ka alternativa. Ja një alternativë – Fondi Sovran.

Fondi Sovran që kemi propozuar ne është antipod i këtij modeli. Ai e ruan pronësinë e aseteve publike. Ai synon që ta përmirësojë menaxhimin e tyre duke e kufizuar ndikimin politik në nivel të synimeve të përgjithshme të zhvillimit ekonomik. Duke qenë entitet i veçantë, Fondi do ta ketë mbikëqyrjen e performancës financiare të ndërmarrjeve publike. Për përmirësimin e saj, janë minimalisht dy parakushte të përgjithshme: ristrukturim dhe përmirësim i menaxhimit operacional.

Si i tillë, Fondi Sovran shënon një pikë kthese dhe mundësi të jashtëzakonshme për ndryshimin e modelit ekonomik në sektorin publik. Ndërmarrjet publike më nuk trajtohen as si instrumente për të përmbushur objektiva meskine politike, e as nuk janë barrë për buxhetin publik. Atyre u hapet një horizont i ri për t’u zhvilluar e për të zhvilluar.

Natyrisht se Fondi Sovran nuk i zgjidh të gjitha problemet ekonomike që ka Kosova. Mbesin edhe shumë sfida që kërkojnë politika, institucione e instrumente shtesë. Por ama as nuk ka qenë ndonjëherë ky synimi i Fondit Sovran.

Ai mbetet një projekt me potencial për të shënuar moment kthese e ndryshim në modelin ekonomik që ka dominuar gjer tani, karshi aseteve publike. Mbi të gjitha, Fondi Sovran është një alternativë ndaj asaj që kemi pasur dhe që nuk ka pasur sukses.

*Qëndrimet e shprehura në këtë shkrim janë të autorit dhe nuk përfaqësojnë medoemos qëndrimet e Grupit Punues apo të Qeverisë së Kosovës.

Lexoni Gjithashtu

Debunking Articles

Pretendimi i ngritur nga Vudi Xhymshiti se Zëvendës Ndihmës Sekretari, Gabriel Escobari, ka nënvlerësuar qeverinë e Kosovës, duke e lidhur këtë me pretendimet se...

Analizë

Katër ditë para Vitit të Ri, më 27 dhjetor 2023, Qeveria e Kosovës miratoi në heshtje Projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media, i...

Analizë

Viti i parë i Qeverisë Kurti shënoi një start të vështirë në politikën e jashtme, shoqëruar me shumë gabime diplomatike dhe dështime të protokollit....

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.