Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Kushtëzimi i pranimit të Kosovës në Këshillin e Europës

Ilustrimi nga: BigEye

Kosova humbi shansin për t’u anëtarësuar në Këshillin e Europës (KiE) gjatë punimeve të Komitetit të Ministrave. Shkak për këtë u bë Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe (AKS). 

Gjermania, Franca dhe Italia i vënë kusht Kosovës që merrte hapa konkretë në drejtim të themelimit të AKS-së. Si parakusht, ata e përmendën dorëzimin e një draft-statuti për AKS-në në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.

Megjithatë, ky ultimatum ndaj Qeverisë së Kosovës ndodhi disa javë para takimit të Ministrave dhe pas votimit të opinionit për ta pranuar Kosovën nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës (APKE). Problemi nuk ishte te kërkesa, por te lloji i hapave që duhet t’i ndërmarrë Kosova. 

Në fillim të majit, Qeveria e Kosovës kishte dërguar një letër te qeveritë e Gjermanisë, Francës dhe Italisë, duke propozuar se do të konsultohej me ekspertët e Këshillit të Europës për Asociacionin, si hap për të siguruar një shumicë në Komitetin e Ministrave, që do të mblidhej më 16 e 17 maj. 

Më 15 maj, Kosova mori një letër nga këto tri shtete, ku u qartësua se pa dërguar draft-statutin për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese, nuk do të kishte përkrahje të mjaftueshme për anëtarësim. 

Në një hap të fundit për të siguruar futjen e Kosovës në agjendë të Asamblesë Parlamentare, Ministria e Jashtme e Kosovës (MPJD), më 16 maj, i dërgoi një letër presidentit të Asamblesë Parlamentare të KiE-së, në të cilën premtonte se, deri në fund të majit, Kosova do ta përpilonte një draft për ta dërguar për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese.

Megjithatë, edhe kjo përpjekje dështoi dhe më pas u sqarua se vetëm dërgimi i draftit të propozuar nga i Dërguari i BE-së për dialog, Miroslav Lajçak, për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese, do të konsiderohej si hap i duhur.

Pra, fillimisht, gjuha e përdorur diplomatike ishte e paqartë dhe tek një ditë para takimit u qartësua se bëhej fjalë për dorëzimin e draft-statutit të BE-së për AKS-në në Gjykatën Kushtetuese, si parakusht për anëtarësim në KiE, në një kohë gjatë së cilës veçse pritej të merrej vendimi për anëtarësim në KiE. 

Kosova u mundua që ta evitojë këtë veprim, duke premtuar veprime të tjera që mund të konsideroheshin si “hapa konkretë”, duke përfshirë letrën e 16 majit, por këto përpjekje ishin të pasuksesshme.

Këto përpjekje janë në linjë me mosveprimet konkrete të kësaj qeverie drejt themelimit të Asociacionit, duke përfshirë mungesën e një propozim-statuti për AKS-në, para se ta propozonte një të tillë i Dërguari i BE-së.

Është e rëndësishme të ceket se obligimet rreth zbatimit të marrëveshjes për AKS-në në dokumentin e Bakoyannis-it përmenden vetëm si kusht pas anëtarësimit në KiE. Pra, kjo ishte një kërkesë shtesë që nuk ishte parakusht në Opinionin e Bakoyannis-it të votuar nga Asambleja Parlamentare e KiE-së.

Megjithatë, kërkesa kolektive e Francës, Gjermanisë dhe Italisë, si shtete anëtare të KiE-së, bëri që në fund Kosova të kushtëzohej me një draft-statut për AKS-në, si parakusht për përkrahje në anëtarësim.

Janë shtetet anëtare të KiE-së ato të cilat japin përkrahjen për anëtarësim. Prandaj, për t’u anëtarësuar në KiE, Kosova tash e ka të qartë kërkesën për të ndërmarrë hapa konkretë dhe për ta dërguar një draft për AKS-në në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtim.

Edhe pse ky kushtëzim është i padrejtë përballë qasjes jokonstruktive të Serbisë në dialog, benefitet që sjell anëtarësimi në KiE janë të mëdha në fushën e lirive dhe të drejtave të njeriut, si dhe avancimit të pozitës ndërkombëtare të vendit, dhe Kosova pritet që t’i ndërmarrë hapat e kërkuar për ta realizuar anëtarësimin.

Lexoni Gjithashtu

Debunking Articles

Pretendimi i ngritur nga Vudi Xhymshiti se Zëvendës Ndihmës Sekretari, Gabriel Escobari, ka nënvlerësuar qeverinë e Kosovës, duke e lidhur këtë me pretendimet se...

Analizë

Katër ditë para Vitit të Ri, më 27 dhjetor 2023, Qeveria e Kosovës miratoi në heshtje Projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media, i...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Analizë

Viti i parë i Qeverisë Kurti shënoi një start të vështirë në politikën e jashtme, shoqëruar me shumë gabime diplomatike dhe dështime të protokollit....

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.