Connect with us

Hi, what are you looking for?

Kritikë

Britma të mbytura

Kinematografë nga Kosova viteve të fundit kanë shprehur nivel të larta artistike dhe kanë filluar të eksperimentojnë më guximshëm nëpër zhanre tjera krijuese. “Luaneshat e Kodrës është filmi debutues i regjisores shqiptaro-franceze Luana Bajrami. Ky bashkëprodhim Kosovë-Francë, sjell historinë e tri vajzave që rebelohen ndaj moralitetit konservator në fshatin e tyre.  Çdo ëndërr e madhe për të ardhmen tjetërsohet dalëngadalë nga fryma patriarkale e familjeve përkatëse. Një dramë e mbështjellë me petkun e krimit- errësira ku janë zhytur tri protagonistet e rrëfimit si alternativë e vetme për të shpëtuar nga mizoria e botës ku frymojnë.

Koha mezi ecën dhe janë të pakta aktivitetet ditore që e thyjnë monotoninë në fshat. Kodra është vendi i vetëm që u shton dëshirën për të jetuar dhe kur ngjiten në kodër ndjehen krejtësisht të lira dhe të fuqishme- si luanesha. Përkundër përpjekjeve për t’u pranuar në universitet, ato nuk i arrijnë rezultate e kërkuara. Zhgënjimi dhe trysnia e krijuar nga ky dështim, telashet familjare dhe shoqërore, bëhen strumbullarë i të gjitha të kqijave që pasojnë.

Në pamundësi për të gjetur rrugëdalje nga këto probleme, ato zhyten në një botë të errët të mbushur me kriminalitet. Vajzat fillojnë të vjedhin dyqane natën edhe me ndihmën e Zemit (Andi Bajgora). Mirëpo aktiviteti i Li-së (Era Balaj), Qe-së (Flaka Latifi) dhe Jetës (Uratë Shabani) nuk mbetet pa u vënë re. Ato kthehen në shënjestrën kryesore të një bande djemsh, që merren me shpërndarje droge dhe përplasja fizike me ta, u rrezikon jetën vajzave.

Titulli i filmit na qartëson idenë e regjisores për përmbajtjen dhe konfigurimin e plotë të ngjarjes që synon ta shpërfaqë te publiku. Kodra në aspektin gjeografik apo pozicional, simbolizon lartësi dhe distancë. Rrjedhimisht, edhe personazhet ndodhen më larg zonave urbane, ndërtojnë marrëdhënie të cunguara dhe më të ashpra me njëri tjetrin. Në këtë mjedis të mbyllur, detyrimisht lindin pakënaqësi e revolta, aq më shumë kur nuk ka asnjë lloj perspektive.

Rrëfimi shpalosë një copëz të realitetit tonë. Shoqëria shqiptare tash e sa vite po kalon në tranzicion dhe vërehen dallimet në stilin e jetesës dhe gjykimin e dukurive që dikur janë parë me një sy krejtësisht tjetër. Megjithatë, ka ende zona apo familje, si në fshat edhe në qytet, ku mbizotëron një frymë arkaike në aspektin e vlerësimit të jetës. Mbase shkalla e vrazhdësisë në film rritet kur e marrim parasysh se janë tri vajza protagoniste në të njejtën kohë dhe sfidat jetësore më të cilat ato përballen vazhdimisht, zhvillohen paralelisht me njëra tjetrën.

Drama herë shkon duke u rritur rrufeshëm, e herë venitet nga momentet intime dhe prehja emocionale që personazhet e gjejnë te njëri tjetri. Li dhe Zem krijojnë një lidhje dashurie, që nuk pritet aq mirë nga dy shoqet, por më vonë ato ndjehen të gëzuara për dashurinë e tyre. Përveç këtij çifti, lind edhe një çift tjetër, ndoshta edhe si mllef dhe kundërvënie ndaj botës patriarkale, – Qe dhe Jeta përplasen te njëra tjetra dhe përmbushin boshllëkun emocional.

Episodet e mësipërme janë të shkurta, por paraqesin mungesat dhe hendekun shpirtëror që nuk kanë pasur se si ta mbushin me dashuri. Në thelb, protagonistet janë karaktere të ndjeshme, të pafajshme, por tejet të ndrydhura nga faktorët ekonomikë dhe shoqërorë, kurse agresiviteti i shfaqur është thjesht fasadë që mbulon pasiguritë dhe njëkohësisht një mjet mbrojtës kundrejt rrethit paragjykues. Edhe e panjohura i frikëson, ndonëse janë në kërkim të një shkëndije që do ndryshonte ekzistencën e tyre. Janë dy skena që shpërfaqin çlirimin nga petku frenues. Skena e parë paraqet vajzat dhe Zemin teksa vrapojnë me nxitim për t’u larë në liqen. Ata janë tërësisht të ngazëllyer dhe të shpenguar nga çdo brengë, ndërsa në skenën pasuese, janë të gëzuar dhe dëfrejnë në një klub nate. Këto raste të izoluara pasojnë me zhvillime dramatike, që i lënë në hije edhe ato fragmente të bukura.

“Luaneshat” është simbolikë e forcës së individualitetit, por në anën tjetër edhe e funksionimit në grup. Ato janë luanesha, ngase shquhen për forcën e karakterit nëse i shohim të veçuara nga njëra tjetra, por fare mirë arrijnë t’i përbashkojnë botëkuptimet e tyre në harmoni të plotë edhe atëherë kur janë në grup.

Shpesh pamjet sugjerojnë se vajzat janë në mes të askundit. Teksa ato enden nëpër rrugët e zbrazura, me mendimet e trazura që përshkojnë mendjen e tyre, arrijnë në pikën kritike ku duhet të ndërmarrin veprime konkrete për të thyer monotoninë dërrmuese. Bota e krimit është vegza për t’iu siguruar atyre të mirat materiale, sado që janë të vetëdijshme se e gjitha është veçse një iluzion apo shkëlqim i rrejshëm dhe dritëshkurtër. Kjo udhë pa krye është një domosdoshmëri për ato, është treni i fundit për të dalë në dritë. Ky shteg vdekjeprurës, ironikisht paraqitet si triumf i vajzave dhe mekanizmi themelor për të nxjerrë në pah fëmininë e shtypur. ‘

“Luaneshat e Kodrës” është një sintezë e përbërë nga thjeshtësia dhe pesha emocionale. Personazhet me dukje të thjeshtë, pa ndonjë stil të veçantë në veshje, pa tendenca për t’u dukur si dikush tjetër, naiviteti në sjellje dhe në qëndrim, i bëjnë edhe më të dashura dhe po t’ua shtojmë pengesat që e shoqërojnë rrugëtimin e tyre, për një moment i harrojmë të gjitha të bëmat dhe aktet delikuente që i kryejnë.

Lista e këngëve të përzgjedhura i shkon përshtat protagonisteve. Muzika origjinale e kompozitorit, Aldo Shllaku, kujton tingujt e muzikës qytetare të epokës së paraluftës, me një shoqëri që krijonte art përkundër trysnisë dhe represionit. Ndonëse rrethanat ndryshojnë, sepse vajzat nuk gjenden përballë një sistemi represiv dhe të dhunshëm që e pamundëson rrugëtimin e tyre, por e gjejnë veten si pjesë të një shoqërie, që me ose pa dashje bëhet bashkefajtore e veprimeve të tyre.

Për nga pikëpamja teknike, kemi një kuadrim të karakterizuar nga stili dinamik i xhirimit. Shpeshherë kamera lëvizë së bashku me personazhin duke i dhënë kështu gjallëri rrëfimit, që njëkohësisht e rrëmben shikuesin. Përkundër atmosferës dramatike, mjeshtëria e xhirimit luan rolin ndihmës të ngjyrosjes së panoramës gri, gjithashtu e thyen njëtrajtshmërinë ashtu si muzika, zërat e ambientit, madje edhe kostumet me ngjyra të ndezura.

Fundi i filmit shënon një përmbyllje origjinale, ku vajzat dhe Zemi ndeshen edhe njëherë me dy banditët. Ata i fajësojnë ato për policinë, që është duke i ndjekur djemtë tash e sa kohë. Sipas tyre, shënjestra kryesore e policëve duhet të ishin vajzat dhe gabimisht mbi ta rëndojnë akuzat që në të vërtetë i kanë kryer: Li, Qe, Jeta dhe Zem. Situata përshkallëzohet sërish në përleshje fizike mes dy grupeve.

Nëse e shikojmë në një objektiv më të gjerë, “Luaneshat e Kodrës” është një histori universale që prek edhe vendet më të zhvilluara, nëse jo tani, patjetër që dikur kur ishin ende në fazat e para të zhvillimit.

Filmi ka qenë pjesë e garës në shumë festivale vendore dhe ndërkombëtare, si: Prishtina Film Festival, që u zgjodh fitues në çmimet për “Regjisoren më të mirë” dhe “Aktoren më të mirë protagoniste”. Në arenën ndërkombëtare është kurorëzuar me çmimin “Aktorja më e mirë”, si pjesë e festivalit të Sarajevës. Ky trofe u nda për të trija aktoret: Flaka Latifin Era Balajn dhe Uratë Shabanin. Gjithashtu filmi ishte pjesë e garës në programin Director’s Fortnight, në Festivalin e Kanës dhe në Toronto International Film Festival.

Lexoni Gjithashtu

Analizë

Katër ditë para Vitit të Ri, më 27 dhjetor 2023, Qeveria e Kosovës miratoi në heshtje Projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media, i...

Analizë

Viti i parë i Qeverisë Kurti shënoi një start të vështirë në politikën e jashtme, shoqëruar me shumë gabime diplomatike dhe dështime të protokollit....

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Analizë

Në epokën me hovin më të madh teknologjik, shtetet u kushtojnë rëndësi të veçantë prezencës së tyre digjitale në rrjetet sociale, si dhe kualitetit...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.