Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Kur gratë të bëhen njerëz dhe shteti shërbyes

“Për bes shqiptarve jav ka u bajn grat jetën ferr. Demokraci e tëpërt”, – Avni Begu

Kokëposhtë – Të sitësh jetën përmes vdekjes

Nën syzet antropologjike mbi manifestimin e vdekjes në kulturën tonë, njerëzit vihen në respekt të plotë për të përcjellë trupin e kujtimin e personit me sa më shumë dinjitet, duke nderuar një kod të heshtur vajtimi për atë që largohet nga jeta. Në fjalimet post-mortum përçohen fjalë të mira për të vdekurit, gati-gati si në një garë përkujtimore, se kush do të ndajë më shumë bëma për të ndjerin, madje edhe prej të tillëve që mund të mos e kenë takuar ndonjëherë të ndjerin. Ndodhka që ngjarja e largimit nga jeta të nxjerrë në pah më të mirën e palëve midis të gjallëve dhe të ikurve. Shumëkujt mund t’i duket i njerëzishëm ky nderim i fundit. Por a manifestohet ky rit për të gjithë njësoj?

Në shumë kultura, në trashëgiminë gojore e të shkruar, në moralin e zakonet shoqërore, besimet fetare a ligjet shtetërore, jeta e njeriut konsiderohet e shenjtë dhe e drejtë. Është po në këto kontekste prandaj dhe kaq e rëndësishme përpjekja për riprodhimin e jetës deri në pikën ku jeta, morali e zakonet përftojnë karakter gjinor. Deri atëherë kur fëmija qëllon femër, e cila në mos u heqtë nga mitra e nënës, do të katandiset dikur në një shtëpi tjetër. Do të bëhet grua! Në fakt, vajzat projektohen për atë fat, stërviten në shtëpinë ku linden, derisa “arti” i nënshtrimit për destinacionin përfundimtar t’u bëhet lëkurë e dytë.

“Edhe unë jam pro vrasjes së grus. Kur të martohem, kam me vra dhe unë. Gruja është e krijume për tre gjana, bukë, k*r dhe plumb”- Kastriot Mavriqi.

Cila është, pra, sita e njerëzillëkut? Gravrasja (femicidi) mbi të gjitha është pushtet, sa gjinor dhe strukturor. Një vdekje e parëndësishme, e panderueshme, e papërfillshme, e përçudnuar, nuk mund të ketë qenë një jetë e mirë. Një jetë e tillë, për pasojë, është edhe e panevojshme. Kështu, justifikimi për tradhti e mospërmbushje të detyrave bashkëshortore, amësore e shtëpiake, ngelen e para strehë e bëhen ngrehinat e fundit të moralit shoqëror. Andaj këto jetë të dorës së dytë, vihen në shërbim të së parës – dorës së burrit mbi këmbëz të pushkës.

www.shota.al Vellimi i I-rë, “Frymemarrje”

Gravrasja është narrativë, praktikë dhe dhunë e kultivuar, ku më pak e ku më shumë në çdo strukturë dhe organizim shoqëror e politik në hapësirat tona. Ngase individi jo vetëm riprodhon/het, por edhe farkëtohet në fabrikën sociale kolektive, duke u shndërruar në produkt të rrethanave, shkaqeve dhe mjedisit ku lindet, edukohet e shoqërizohet. Ky korpus faktorësh stimulon hierarkinë gjinore që i filtron qeniet sociale në bazë të gjinisë, që bëhet dhe stacioni kryesor i rëndësisë publike e private të individit si të tillë

Gravrasja, kësisoj është simptomë e një zinxhiri sistem(at)ik, me synim mirëmbajtjen e strukturës patriarkale, ku vajzat dhe gratë janë më pak se subjekte, pra: gjësende, plaçkë.

“Burri të bën zojë, burri të bën tojë”.

Kështu, nëse pas vdekjes (vrasjes) një jetë nuk rezulton e denjë sa për t’u vajtuar e respektuar nga masa e pushtetshme gjinore, atëherë nuk ka qenë mjaftueshëm me vlerë sa për t’iu “falur” nga supremacia e dorës mbi këmbëz. E trishtë apo jo, të mësosh jetën përmes vrasjes, arsyen përmes së paarsyeshmes, të drejtën përmes krimit është tejet revoltuese! Por, mjerisht mesa duket edhe njerëzore.. A thuase njerëzimi duhet të jetë i justifikueshëm!

Në katër ditë (i) vranë edhe dy gra të tjera!

Është vërtet revoltuese të përcjellësh femicidin në Kosovë. Që nga viti 2010 janë vrarë 57 gra nga ish-bashkëshortë, (ish)partnerë, familjarë burra. Po aq e trishtë dhe neveritëse është gjuha jokorrekte dhe e pandjeshme e përdorur në instanca shtetërore, nga liderë politikë e mediume të shkruara.

Aspak më mirë nuk duket gjendja në Shqipëri, ku për po të njëjtën periudhë kohore – prej vitit 2010 janë vrarë 159 gra, – duke e bërë të kryesojë listën e femicidit në Evropën Juglindore – nga shteti që udhëheq ligjërimin e veprimtarinë që qeveris publiken, edukimin, sigurinë dhe sistemin e drejtësisë.

*

Më 12 prill 2024 Valon Aliu ekzekutoi me armë zjarri ish-partneren Erona Cokli, 21-vjeç, brenda Qendrës për Punë Sociale në Ferizaj. Më 15 prill u thirr protestë në Ferizaj për të kërkuar drejtësi për vrasjen e Eronës, teksa disa orë më pas u mbajt marshim protestues edhe në Prishtinë me kërkesën e qartë që shteti të vihet në veprim dhe të shpallë gjendjen e femicidit si urgjencë kombëtare. Fatkeqësisht, të nesërmen, në qytetin e Pejës u vra Gjyljeta Ukella (43 vjeç) nga bashkëshorti i saj Edmond Lajçi.

Vetëm brenda katër ditësh, 2 gra u vranë nga kriminelë të lirë, të amnistuar për burrni, të pajisur me armë dhe me pushtetin e gjinisë. Sot jemi pa Eronën dhe Gjyljetën, jetët e të cilave u ndërprenë dhunshëm, teksa emrat e kujtimet u përdhosen ende pa u kapërdirë lotët nga dhimbja e vajtimi për mungesën e tyre.

“Bash për kurrgja nuk të vret kërkush, ja ka pru punën ngusht, dora i lumt”- Sherif Beqiri,

Ngacmimet seksuale, përdhunimet, dhuna dhe vrasjet me bazë gjinore janë krimet e vetme në katëgorinë e veprave penale ku fajësohen viktimat (Sara Ahmed, 2017).

Për më tepër, relativizimi dhe portretizimi i këtyre gravrasjeve me një fjalor të thatë, si thjesht një ngjarje tjetër në kronikën e zezë, si “konflikt mes çiftit”, “për arsye personale”, për një grua me titullin nënë, motër apo ndër të tjera edhe si një shqiptare më pak në regjistrin e krimeve të radhës, është pjesë e problemit, jo adresim i tij.

Vrasja e grave është çështje kryekëput publike. Femicidi është krim me natyrë politike, gjinore e shoqërore, me bazë ekonomike dhe historike bashkë. Nëse nuk ka një perspektivë që i ndërthur shkoqitur këto, duke i adresuar problemet e nënshtresëzuara së bashku me dhunën patriarkale, zor se mund të përfytyrohet dot një përmirësim i situatës së grave – gjysmës së popullsisë..

Si duket zija në thellësinë e errësirës? 

Në përgjigje të aksionit të mbajtur nga Kolektivi për Mendim e Veprim Feminist në forumin e organizuar nga Presidenca e Republikës së Kosovës me temë “Paqja, Siguria dhe Gratë”, u shpall 17 prilli ditë zije shtetërore.

Në pikën 3 të njoftimit zyrtar nga Presidentja Osmani thuhet se “ngarkohet Protokolli i shtetit t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e këtij vendimi” ndonëse nuk u duk se pati ndonjë koordinim shtetëror sipas parashikimeve, përveç ngritjes së flamujve në gjysmë-shtizë dhe pak çasteve muzikore funebre në disa televizione. Ndërkohë, munguan prononcimet publike, të paktën pas shpalljes së zisë, nga Kryeministria dhe MASHTI, të cilët bashkë me të gjitha shkollat në vend duket se vijuan përditshmërinë të patrazuar nga terri që ka kapluar vendin.

Asnjë shenjë nga MASHTI se cila do të jetë në të ardhmen qasja parandaluese kundrejt femicidit në edukim, si dhe cili ka qenë protokolli në trajtim të ditës së zisë, përderisa në asnjë shkollë nuk u pezullua mësimi. Pasuar me mpakjen e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Policisë së Shtetit në mosparandalimin e këtyre vrasjeve, dështimin e mbrojtjes së viktimave dhe mungesë-llogarinë se përse burrat në Kosovë shëtisin me armë në brez. Mbi të gjitha përse burrat dhe civilët duhet të jenë të pajisur me armë(?!), teksa kërcënimi për jetë bëhet anaprapthi.

Heshtja ka mbërthyer edhe Ministrinë e Ekonomisë për mbështetjen e munguar dhe buxhetimin sipas nevojave të strehimoreve e qendrave në mbrojtje të viktimave të dhunës, ku në bashkëpunim me Ministrinë e Punës (MFPT) do të duhej të parashikonin zgjidhje të qëndrueshme për punësimin dhe sigurinë financiare të grave në nevojë.

Edhe në ditë zije, kur nevojitet mobilizim e shpresë për popullatën, mekanizmat shtetërorë nuk arritën të koordinoheshin në manifestim të një plani, që do të duhet të ishte prioritar për bilance të tilla alarmuese për jetën e qytetareve gra. Ky pozicionim apatik lë të kuptohet se si kosto për mbijetesë është normalizimi i shpërfaqjes së dhunës dhe vrasjeve me bazë gjinore deri në tëhuajësim të besimeve, punës, aktivizmit, qenies, trupave e jetëve tona.

Pra, në mungesë të një platforme kombëtare në trajtim të gravrasjeve, cila paskësh qenë domethënia e zisë, nëse e gjithë jeta aktive ditore nuk u qendërzua te viktimat, parandalimi i të tjerave dhe siguria e përmbarshme e tyre? A është ky tregues i apatisë tentativë e shtetit për të “shpëlarë” duart? A është ky heshtim i zisë e ardhmja e vdekur për gratë?

Nëse ky lihet si nëntekst i gjithëpranuar, atëherë ngelet të presim viktimat e radhës, ose gjakderdhjen azilkërkuese dhe strehës larg femicidit në ndonjë shtet tjetër. E megjithatë, asnjë rast nuk duket skenar patriotik. Po njerëzore ama ç’do të ishte?

Fundja, si e mira dhe e drejta lipsen ta ketë vatrën burimore në shtet, si garantues e shërbyes i mandatuar për sigurimin e lirisë, mbrojtjen e jetës, të drejtave, diversitetit dhe mbi të gjitha stimulimin e qëndrueshmërisë dhe mirëqenies në shpalosjen e potencialit vetjak e qytetar. Edhe e njerëzishmja paskëtaj do të përforcohej në palcë të bashkekzistencës sociale me shtetin, ashtu siç arsyetohet në Kushtetutë.

Përkujdesja kolektive dhe vizioni feminist

Vetëm kur të nisim ta konsiderojmë e dënojmë martesën e patriarkatit me pushtetin e dhunës si krim: gravrasje (femicid) me paramendim, të mëkuar dhe organizuar sistem(at)ikisht, atëherë mund të kemi filluar procesin e përtëritjes së shpresës kolektive.

Atëherë mbase edhe mund të bëhemi njerëz a shoqëri më e mirë; pa frikë nga e vërteta, duke edukuar djemtë dhe vajzat me parime barazimtare, duke parandaluar mbjelljen e farës së krimit dhe duke dënuar ashpër kryesit. Vetëm atëherë do të mund të flasim për njerëzillëk, drejtësi e shoqëri feministe.

Kur grave t’u jetë afirmuar subjektiviteti i plotë, kur t’u respektohet qenia, integriteti dhe dinjiteti, atëherë do t’ua mësojmë emrat e shprehitë, do të na dhimbsen jetët, portretet, e mishi i tyre i përçudnuar. Atëherë do të na mungojnë vërtetësisht.

Kur ato të jenë njerëz, ne do të mësojmë t’i nderojmë, vajtojmë, varrosim, e të mbajmë zi për to. Atëherë, bashkë me to, do të bëhemi e mësojmë të jemi pak më shumë njerëzorë.

E kur ne të bëhemi njerëz, ndoshta dhe shteti do të vihet njëmend në shërbimin tonë për besimin, kontributin dhe punën e papaguar, se nuk do të luftojmë më për mbijetesë. Nuk do të frikësohemi a vetëmbrohemi nga tjetri, por së bashku do të imagjinojmë mirëqenien kolektive si premisën më përfaqësuese të kafshës me arsye; njeriut.

Ky ngelet ende hapi “i madh” radikal: njeriu-grua.

“Feminism is the radical notion that women are people.” (Marie Shear 1986)

*

Deri aty shkofshim me solidaritet, përkujdesje, forcë e zemëratë përkrah aktivisteve nga Kosova në përpjekjen dhe përjetimet e vazhdueshme që bashkëndajmë. Qëndresë për të gjitha gratë dhe vajzat, njerëzit më luftarake dhe frymëzuese të të gjitha kohëve e Republikave!

Author

  • Liri Kuçi

    Liri Kuçi është hulumtuese politike. Ka kryer studimet Master në Londër për Politika Feministe Transnacionale, në Universitetin SOAS. Ajo është bashkëthemeluese dhe kryeredaktore e revistës "Shota". Përgjatë studimeve dhe përvojës në punë është thelluar në ligjërimin dhe metodologjinë feministe interseksionale.

Lexoni Gjithashtu

Analizë

Katër ditë para Vitit të Ri, më 27 dhjetor 2023, Qeveria e Kosovës miratoi në heshtje Projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media, i...

Analizë

Viti i parë i Qeverisë Kurti shënoi një start të vështirë në politikën e jashtme, shoqëruar me shumë gabime diplomatike dhe dështime të protokollit....

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Analizë

Në epokën me hovin më të madh teknologjik, shtetet u kushtojnë rëndësi të veçantë prezencës së tyre digjitale në rrjetet sociale, si dhe kualitetit...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.