Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Rëndësia gjeografike e shteteve të vogla të NATO-s, përtej shpenzimeve ushtarake

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë kontribuuesi kryesor i NATO-s. Në vitin 2023, ato zotuan rreth 860 miliardë dollarë, ose rreth 68% të totalit të përgjithshëm të të gjithë aleatëve të NATO-s.

Kjo diskrepancë financiare në raport me shtetet e tjera anëtare bëri që ShBA-ja, gjatë presidencës së Donald Trump, të bëhej një ndër kritikuesit më të mëdhenj të Aleancës. ShBA-ja kërkoi vazhdimisht që vendet e tjera të rrisnin shpenzimet e tyre të mbrojtjes, me qëllim të arritjes së minimumit të caktuar prej 2% dhe shpërndarjes të barrës së shpenzimeve.

Në një moment, kritikat e ish-presidentit Trump kaluan në kërcënime të hapura ndaj aleatëve, duke i lëkundur themelet e Aleancës. Një ndër kërcënimet më serioze ishte edhe braktisja e aleatëve, në rast të agresionit nga një shtet i tretë. Kjo qasje bie ndesh me Nenin pesë të NATO-s, i cili i obligon shtetet anëtare t’i vihen në mbrojtje shtetit apo shteteve anëtare që përjetojnë sulm.

Shumica e vendeve anëtare të NATO-s janë shtete të vogla me burime financiare të kufizuara. Prandaj, edhe sikur buxheti i tyre mbrojtjes të rritej përtej pragut minimal prej 2%, ndikimi që do të kishin në buxhetin e përgjithshëm të Aleancës do të ishte minimal.

Le ta marrim rastin e Estonisë si shembull. Ky shtet, në vitin 2023, ishte i katërti në përmbushjen e obligimeve financiare të NATO-s me 2.73% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB). Planifikimet e tyre për vitin 2024 janë që ky buxhet të arrijë vlerën prej 3.2%, duke u bërë kështu një nga vendet që shpenzon më së shumti në mbrojtje.

Për më tepër, nëse analizohet kjo rritje në raport me popullsinë, Estonia mban vendin e parë nga vendet europiane që ofron ndihmë për Ukrainën. Mirëpo, duke qenë se Estonia ka vetëm 1.4 milion banorë, përkundër dëshirës, interesit dhe gatishmërisë për të ndihmuar Ukrainën, ndihmat ushtarake estoneze për Ukrainën janë minimale. Sa për ilustrim, vlerësohet se mjetet që dhurohen nga Estonia mjaftojnë të financojnë Ukrainën me artileri vetëm sa për dy ditë bombardime.

Mirëpo, me gjithë kapacitetet e kufizuara për të përmbushur kriterin minimal prej 2%, apo ndikimin jodomethënës të këtij kontributi, roli i këtyre vendeve është relevant në disa aspekte të tjera që janë më me interes për ShBA-në, sesa kontributi i tyre financiar.

Si pjesë e një aleance asimetrike, raportet e shteteve anëtare të NATO-s janë të pabarabarta sa u përket kapaciteteve të fuqisë.

Andaj, një grup i shteteve anëtare të NATO-s është i gatshëm të vërë në dispozicion territorin e tyre në favor të sigurisë së përgjithshme. Kësisoj, vendet si Estonia luajnë rol të rëndësishëm në sigurinë e përgjithshme të Aleancës.

Këto vende më shumë shërbejnë si rrjet logjistik, sidomos për ShBA-në, si një nga shtetet më të rëndësishme të Aleancës, për të projektuar fuqi në rajone të ndryshme të botës dhe për të arritur objektivat e politikës së tyre të jashtme.

Sipas të dhënave të mbledhura nga profesori amerikan David Vine, aktualisht ekzistojnë rreth 750 baza ushtarake amerikane në të paktën 80 vende të botës. Me 120 baza aktive, Japonia ka numrin më të madh të bazave amerikane në botë, e ndjekur nga Gjermania me 119 dhe Koreja e Jugut me 73.

Përveç kësaj, ekziston edhe një arsye tjetër se përse ShBA-ja nuk është plotësisht e interesuar që të gjitha shtetet anëtare të Aleancës të rrisin shpenzimet e tyre të mbrojtjes në 2% apo përtej. Kjo vlen sidomos për shtete me peshë të kontinentit europian si Gjermania, Franca apo Italia.

Për shembull, nëse Gjermania do të arrinte pragun prej 2% të PBB-së për mbrojtje, kjo do ta shndërronte këtë shtet në shpenzuesin më të madh ushtarak në Europë, i cili do të renditej menjëherë pas ShBA-së dhe do ta kalonte edhe Britaninë e Madhe. Në këtë mënyrë, Gjermania do të bëhej superfuqia më e madhe ushtarake në Europë, duke sfiduar kështu direkt ndikimin e ShBA-së.

Është e vërtetë që ShBA-ja në vazhdimësi ka trumbetuar se partnerët e saj europianë duhet të jenë ushtarakisht më të fuqishëm dhe politikisht më të bashkuar. Mirëpo, shikuar historikisht dhe duke u mbështetur mbi parimin e baraspeshës së fuqisë, interesi i ShBA-së çdoherë ka qenë që vendet e Europës të mos jenë shumë të fuqishme sa të mos kenë nevojë për mbështetjen amerikane, apo shumë të bashkuara sa të krijojnë një bllok koheziv europian të sigurisë.

Andaj, duke qenë pjesë e një aleance asimetrike, shtetet e vogla të NATO-s janë më shumë pjesë e strukturës logjistike të ShBA-së për të projektuar fuqi, apo edhe mjete për të legjitimuar veprimet e diplomacisë së tyre. Në vitin 2024, kur Europa po ballafaqohet me pasojat e agresionit rus, kjo është shumë më e rëndësishme sesa arritja apo tejkalimi i pragut prej 2% për shpenzime.

Author

  • Alfred Marleku

    Alfred Marleku ka përfunduar studimet bachelor, master dhe ato të doktoratës në shkenca politike. Aktualisht është ligjërues në Kolegjin “UBT”, Fakultetin e Shkencave Politike. Për shumë vjet ka punuar si menaxher i projekteve të ndryshme të financuara nga Komisioni Evropian, USAID-i, Ambasada Amerikane etj., të cilat fokusohen, kryesisht, në reformat e arsimit të lartë në Kosovë, veçanërisht në kërkim dhe zhvillim (R&D); kthimin e trurit; zhvillimin e plan-programeve në harmoni me nevojat e tregut etj. Përveç kësaj, për një kohë ka qenë i angazhuar edhe në sektorin publik si këshilltar politik në fushën e bashkëpunimit juridik ndërkombëtar.

Lexoni Gjithashtu

Analizë

Katër ditë para Vitit të Ri, më 27 dhjetor 2023, Qeveria e Kosovës miratoi në heshtje Projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media, i...

Analizë

Viti i parë i Qeverisë Kurti shënoi një start të vështirë në politikën e jashtme, shoqëruar me shumë gabime diplomatike dhe dështime të protokollit....

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Analizë

Në epokën me hovin më të madh teknologjik, shtetet u kushtojnë rëndësi të veçantë prezencës së tyre digjitale në rrjetet sociale, si dhe kualitetit...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.