Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

A do të largohet Serbia nga Këshilli i Europës për shkak të Kosovës?

Në maj të vitit 2023, Qeveria e Kosovës i dërgoi një letër aplikimi Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Europës (KiE) për t’iu bashkuar kësaj organizate. Ky qe një hap i rëndësishëm në përpjekjen e Kosovës për konsolidimin e shtetësisë, duke hapur potencialisht rrugën për anëtarësim në BE. 

Anëtarësimi në KiE është krucial për Kosovën, pasi ajo kërkon të forcojë shtetësinë e saj në arenën ndërkombëtare. Së pari, sipas kritereve të KiE-së, “çdo shtet europian që është i gatshëm të përmbushë dispozitat e Nenit 3 mund të ftohet të bëhet anëtar i Këshillit të Europës”. Po qe se Kosova pranohet në KiE, pa mëdyshje do të konfirmojë shtetësinë e saj.

Së dyti, aspiratat për t’u anëtarësuar në BE janë të ndërlidhura me kandidaturën e saj për anëtarësim në KiE. Pavarësisht aplikimit të Kosovës në BE, në dhjetor të vitit 2022, progresi ka ngecur, kryesisht për shkak të hezitimeve brenda BE-së në lidhje me statusin e Kosovës, posaçërisht Nenin 49 të Traktatit të Bashkimit Europian, i cili nënvizon se “çdo shtet europian […] mund të aplikojë për t’u bërë anëtar i Bashkimit Europian”.

Duke u bërë anëtare e KiE-së, Kosova do t’i lehtësonte shqetësimet brenda Komisionit Europian (KiE) sa i përket shtetësisë së saj, rrjedhimisht duke krijuar një rrugë më të qartë drejt një qëndrimi pozitiv sa i përket aplikimit të saj për anëtarësim në BE. Kjo, potencialisht, do t’i eliminonte pengesat e mundshme që lindin nga kundërshtimet e shteteve që nuk e njohin shtetësinë e Kosovës.

Pasi Kosova dorëzoi aplikimin e saj më 2023, KiE krijoi një ekip që do të shqyrtonte kandidaturën e Kosovës, udhëhequr nga raportuesja Dora Bakojanis, ish-ministre e Jashtme e Greqisë. Ekipi i avokatëve u emërua për të shqyrtuar përputhshmërinë e sistemit ligjor të Kosovës me standardet e KiE-së. Raporti i tyre do të shqyrtohet nga raportuesja e Komisionit për Çështje Politike dhe Demokraci. 

Raportuesja e KiE-së për Kosovën, Dora Bakojanis, rekomandoi që Këshilli i Ministrave t’i drejtojë Kosovës një ftesë për anëtarësim. Vendimin e saj ajo e ka bazuar në faktin se Qeveria e Kosovës ka zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2016 dhe ka regjistruar pronësinë prej mbi 24 hektarësh tokë në emrin e Manastirit të Deçanit të Kishës Ortodokse Serbe. 

Bakojanis nuk e theksoi domosdoshmërinë e zbatimit të Marrëveshjes së Brukselit (2013) dhe themelimit të Bashkësisë / Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Në vend të kësaj, ajo propozoi që këto çështje të adresohen nëpërmjet monitorimit që do të rrjedhë pas anëtarësimit. Raporti e nënvizoi këtë si “një hap të rëndësishëm dhe si një mënyrë për ta rritur pjesëmarrjen dhe fuqizimin demokratik të serbëve të Kosovës, si dhe për të siguruar mbrojtjen e të drejtave të tyre.” Sidoqoftë, raporti sqaroi se “krijimi i një shoqate ndërkomunale nuk është kërkesë sipas standardeve të Këshillit të Europës.”

Gjatë tre vjetëve të fundit, Kosova është përpjekur t’u bashkohet organizatave ndërkombëtare dhe gjithashtu të fitojë njohje të reja shtetërore. Por, Kosova nuk ka shënuar përparime në këtë drejtim dhe rekomandimi i fundit për anëtarësim në Këshillin e Europës është një hap i rëndësishëm për Qeverinë e Kosovës.

Anëtarësimi në KiE është konsideruar gjithmonë si një moment historik shumë i rëndësishëm për shtetndërtimin. Me përjashtimin e Rusisë nga KiE në vitin 2022, pas pushtimit të plotë të Ukrainës, balanca e fuqisë në këtë organizatë ka ndryshuar. Andaj, Kosova po e shfrytëzon këtë mundësi gjeopolitike për të arritur një objektiv të rëndësishëm në drejtim të forcimit të shtetësisë së saj. 

Qëndrimi zyrtar i Serbisë mbetet i njëjti: ajo shprehet fuqishëm kundër anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Ndërsa lidershipi serb tradicionalisht ka nënvizuar kundërshtimin ndaj anëtarësimit të Kosovës në OKB, anëtarësimi në KiE është shfaqur si një pikë qendrore e mosmarrëveshjes kohëve të fundit.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi se nëse Kosova anëtarësohet në KiE, Serbia do të ndryshojë qasjen e saj karshi dialogut dhe madje mund të largohet nga Këshilli i Europës.

Këtë qëndrim e kanë ripërsëritur edhe kryetarja e porsazgjedhur e Kuvendit dhe ish-kryeministrja Ana Brnabiq. Ajo deklaroi se ky kërcënim nuk ishte një blof dhe se në qoftë se “pranimi i anëtarësimit të Kosovës në KiE shkel Statutin dhe vlerat e saj, Serbia do të largohet nga kjo organizatë.”

Pas reagimeve të tilla të ashpra, duket sheshit se Serbia ka synuar të përcjellë një mesazh të fortë pakënaqësie. Pyetja që lind në këtë mes është se a është i besueshëm ky mesazh? A do ta marrin seriozisht BE-ja dhe vendet e saj anëtare, apo do ta hedhin poshtë duke e konsideruar si blof? 

Disa zyrtarë të BE-së veç e kanë quajtur blof, por reagimi zyrtar i BE-së dhe KiE-së mungon ende. Blof apo jo, mirëpritja e Kosovës në KiE pa progres në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë është joproduktive dhe perceptohet si e padrejtë nga Beogradi. Zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit nuk duhet të mjaftojë për anëtarësimin në KiE, posaçërisht jo në këtë atmosferë tensionesh të vazhdueshme në dy vjetët e fundit. 

Kjo gjë po i kontribuon ndjesisë së përgjithshme të serbëve në Kosovë dhe Serbi se qeveria Kurti është shpërblyer për mungesë konstruktiviteti dhe masa të njëanshme. Çdo përparim në afirmimin ndërkombëtar të Kosovës duhet të rrjedhë nga progresi në dialog. 

Serbia tashmë ka filluar të lobojë tek anëtarët e KiE-së për të votuar kundër aplikimit të Kosovës për anëtarësim dhe kjo tregon se në vend që të zgjedhë hapin më radikal, sikundër është heqja dorë nga anëtarësimi në KiE, Serbia po ndjek një betejë diplomatike të bllokimit të anëtarësimit të Kosovës.

Pavarësisht rezultatit të anëtarësimit të Kosovës, Serbia vështirë se mund t’ia lejojë vetes të tërhiqet nga një organizatë kaq e rëndësishme ndërkombëtare.

Qëndrimi i Serbisë duket jokonsistent duke pasur parasysh pranimin paraprak të Serbisë të Marrëveshjes së Ohrit në vitin 2023, e cila në mënyrë eksplicite thotë se Serbia nuk do të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare.

Anëtarësimi në KiE është thelbësor për anëtarësimin në BE dhe për të siguruar mekanizma të fuqishëm për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, të cilat mund të mos përputhen me prioritetet e qeverisë aktuale serbe. 

Andaj, lind pyetja kruciale: A është Serbia e gatshme të rrezikojë aspiratat e saj për anëtarësim në BE duke u përballur me vetë BE-në?

Këtë do ta tregojë vetëm koha.

Lexoni Gjithashtu

Analizë

Katër ditë para Vitit të Ri, më 27 dhjetor 2023, Qeveria e Kosovës miratoi në heshtje Projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media, i...

Analizë

Viti i parë i Qeverisë Kurti shënoi një start të vështirë në politikën e jashtme, shoqëruar me shumë gabime diplomatike dhe dështime të protokollit....

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Analizë

Në epokën me hovin më të madh teknologjik, shtetet u kushtojnë rëndësi të veçantë prezencës së tyre digjitale në rrjetet sociale, si dhe kualitetit...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.