Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Lajm brenda lajmit

Më 26 mars, dhjetra gazetarë, aktivistë të shoqërisë civile dhe qytetarë të angazhuar në Tiranë, protestuan përpara kryeministrisë kundër dhunës dhe intimidimit ndaj punonjësve të medias. Protesta erdhi si reagim ndaj rastit të fundit të dhunës së ushtruar prej kryeministrit Edi Rama kundër gazetares së televizionit ‘Syri’ Ambrozia Meta, një gjest i përsëritur ky ndaj Metës. Gjatë një konference për shtyp jashtë selisë së Partisë Socialiste në Tiranë, më 19 mars, kryeministri Rama u shqua teksa dhunonte gazetaren Meta duke e gjuajtur në faqe këtë të fundit, në refuzim për t’iu përgjigjur pyetjeve të saj.

Rasti tërhoqi vëmendjen dhe u kritikua ashpër brenda dhe jashtë vendit, përfshirë disa prej organizatave ndërkombëtare më të zëshme në mbrojtje të lirisë së fjalës dhe medias. Organizata Gazetarët Pa Kufij i bëri thirrje kryeministrit Rama që të “[…] përmirësojë marrëdhënien me shtypin duke marrë përgjegjësi të plotë përsa i përket garantimit të mbrojtjes dhe respektit të gazetarëve dhe të drejtës për informim”.

Ndërkohë, Federata Europiane e Gazetarëve e quajti të “papranueshëm” dhe “intimidues” gjestin e kryeministrit ndaj gazetares Meta. Gjithashtu, Qendra Europiane për Lirinë e Shtypit dhe të Medias e konsideroi të “pajustifikueshëm” incidentin dhe e vuri theksin te sfidat e shumta me të cilat gazetaret gra shpesh përballen.

Ndër të tjera, Koalicioni për Gratë në Media e kritikoi si të “papranueshme” dhunën e  kryeministrit Rama dhe i bëri thirrje këtij të fundit që të kërkojë ndjesë e t’i trajtojë gazetarët me respekt. Reagime të menjëhershme pati edhe nga organizata si “Reagim i Shpejtë për Lirinë në Media”, shoqëruar me një sërë artikujsh kritikë në media të ndryshme.

Organizata Reagim i Shpejtë për Lirinë në Media ka monitoruar rreth 23 shkelje të lirisë së medias në Shqipëri, të cilat përfshinin rreth 45 gazetarë dhe subjekte mediatike.

Megjithatë, për habinë e pakkujt, kryeministri Rama jo vetëm që refuzoi të kërkonte ndjesë por e justifikoi dhunën duke e konsideruar aktin e goditjes së gazetares Meta një gjest “miqësor”, që sipasi tij u “manipulua” mediatikisht. Ndërkohë, vetë Meta, qartazi e identifikon gjestin e kryeministrit “gjuajtje” dhe e cilëson atë “të ulët” dhe “në shkelje të çdo lloj etike”. Me dinjitetin, guximin e forcën që ua kërkon mjedisi shtypës në të cilin gazetaret gra në Shqipëri janë të detyruara ta ushtrojnë profesionin e tyre, gazetarja Meta shprehet në mënyrë rezistuese se pavarësisht sjelljes së “shëmtuar” të kryeministrit Rama, nuk ndihet e intimiduar prej këtij të fundit, përpos përpjekjeve sistematike të Edi Ramës për t’i ofenduar dhe dhunuar gazetarët, median dhe lirinë e fjalës në Shqipëri.

Meriton të sillet në vëmendje fakti se vetëm në vitin 2023, organizata Reagim i Shpejtë për Lirinë në Media ka monitoruar rreth 23 shkelje të lirisë së medias në Shqipëri, të cilat përfshinin rreth 45 gazetarë dhe subjekte mediatike. Jo më larg se në fillim të muajit mars, gazetarja Ola Xama u përball me një sulm të koordinuar, qëllimi i të cilit ishte diskretitimi dhe cenimi i kredibilitetit e profesionalizmit të Xamës, si pasojë e punës së saj investigative që ekspozoi përfshirjen e zyrtarëve të lartë në afera të rënda korruptive.

Raporti i fundit i Bashkimit Europian e vë theksin te trysnia që ushtrohet ndaj medias në Shqipëri prej ndërthurjes së interesave të ngushta ekonomike dhe politike, kombinuar me kushtet e pasigurta të punës për gazetarët, përfshirë sulmet verbale dhe fizike, fushata përbaltuese dhe padi të natyrës politike. Gjithashtu, BIRN në Shqipëri raporton mbi një kontroll të tejskajshëm të qeverisë aktuale përsa i përket informacionit dhe qarkullimit të tij.

Nga ana tjetër, marrëdhënia e dhunshme dhe mizogjine e Edi Ramës me median dhe veçanërisht gazetaret gra apo gratë në nivele të ndryshme politike dhe shoqërore nuk është risi, por daton në mënyrë të progresuar qysh në fillimet e karrierës politike të tij.

Prestigjiozja Politico Europe i dedikoi një artikull denoncues sjelljes së kryeministrit të Shqipërisë çka u përcoll nga ky i fundit me një tjetër përpjekje vetë-viktimizuese, propagandë, gaslighting dhe sulme të mëtejshme.

Marrë parasysh nivelin dhe shumëllojshmërinë e formave të dhunës me të cilat gratë në Shqipëri dhe tjetërkund në rajon përballen, përfshirë këtu rastet alarmante të femicidit dhe përdhunimeve, është me rëndësi të theksohet se në asnjë rrethanë, qoftë kjo zyrtare, profesionale apo intime, askush nuk ka të drejtë ta prekë dikë pa miratim, jo më ta dhunojë, e se dhuna, sidoqoftë përshfaqja e saj, nuk mund të kamuflohet si dashamirësi.

Sjellja e kryeministrit Rama është manifestimi par excellence i shtypjes dhe dhunës mizogjine që regjimi patriarkal e kriminal nën kapitalizmin klientelist, që ai përfaqëson dhe ushqen, ushtron kundër grave, punëtore/ëve, gazetare/ëve, medias dhe çdo qytetareje e qytetari që përpiqet t’i rezistojë këtyre strukturave.

Grave iu thuhet rëndom se dhuna e ushtruar ndaj tyre është e “provokuar” prej tyre kur në fakt vetë ekzistenca e gruas, në kontekste të ngjashme me atë në Shqipëri, shihet si kërcënim për status quo-në. Sjellja e Edi Ramës nuk është e re, por te sjellja e tij duhet kërkuar burimi i dhunës sistemore në Shqipëri, për hir të ngarkesës simbolike dhe asaj që Edi Rama përfaqëson. Një burrë që gëzon pushtet absolut nën petkun e kryeministrit, i kërcënuar nga ajo që mund të zbardhë ose sjellë në vëmendje pyetja e një gazetareje si Ambrozia Meta, që nuk i frikësohet këtij pushteti, zgjedh që ta dhunojë këtë të fundit dhe ta legjitimojë më tej këtë dhunë duke krijuar kësisoj një precedent të rrezikshëm.

Kryeministri Rama u përpoq rishtaz që të “bëjë shembull” një gazetare, si paralajmërim për këdo tjetër që rreket t’i kërkojë llogari për aferat e dyshimta, si projekti i Jared Kushner-it, dhëndrit të ish-presidentit amerikan Donald Trump, që synon të tjetërsojë zonat e mbrojtura të bregdetit2, me bekimin e Tiranës institucionale, për përfitime të ngushta të një rrethi oligarkësh e biznesmenësh vendas e të huaj. Dinamika e dhunës së përshfaqur mes Ramës dhe Metës është sa politike e klasore, po aq edhe gjinore. Edi Rama kërkon t’i përcjellë një shoqërie të tërë mesazhin se kush e zotëron pushtetin në Shqipëri: burra “të fortë” (lexo: të dhunshëm), në politikë ose biznes (këto të dyja në lidhje simbiotike me njëra-tjetrën), që pretendojnë të zotërojnë gjithçka rreth tyre: të vërtetën, të drejtën, natyrën, republikën, median, gratë e qytetarët në përgjithësi.

Sulmi i kryeministrit Edi Rama kundër gazetares Ambrozia Meta përbën një lajm brenda një lajmi. Ky sulm reflekton sa dhunën ndaj medias e gazetarëve dhe mizogjininë e thellë të Edi Ramës po aq edhe përpjekjen e qeverisë në Shqipëri për të mbajtur nën kontroll një skandal të radhës: privatizimin e mëtejshëm të zonave të mbrojtura, të cilat janë në rrezik të drejtpërdrejtë, veçanërisht pas ndryshimit vetëm së fundmi të ligjit për zonat e mbrojtura.

Aktivisti ekologjik Joni Vorpsi, i afiluar me organizatën mjedisore PPNEA shprehet gjatë një interviste për këtë artikull se “projekti Kushner”, të cilit kryeministri dhe mediat pranë qeverisë i janë referuar si një investim i majmë, që do ta pasurojë Shqipërinë, pasi lajmi u bë publik jashtë kontrollit të qeverisë Rama, përmes The New York Times, ka në fakt synim tjetërsimin e plotë jo vetëm të ishullit të Sazanit por edhe të lagunës së Nartës dhe lumit Vjosa.

“Bëhet fjalë për një katastrofë ekologjike dhe sociale, që do të ketë impakt negativ afatgjatë jo vetëm për ekosistemin ku projekti synon të realizohet por edhe për banorët e atyre zonave, që do të privohen nga disa të drejta dhe mundësi. Nga menaxherë të burimeve natyrore, banorët lokalë do të shndërrohen në shërbëtorë të oligarkëve zaptues ose do të mbeten të papunë. Ata nuk do të kenë qasje në bregdet apo në pyllin e natyrën përreth për shkak se bregdeti dhe e gjithë zona që parashikohet në projektin e Kushner-it do të privatizohet. Gjithashtu, turizmi me bazë natyrën nuk do të jetë i shfrytëzueshëm sepse natyra ekzistuese thjesht nuk do të ekzistojë më”, shprehet Vorpsi.

Është pikërisht ky lajmi që Kryeministri Rama po përpiqet të kontrollojë dhe për të cilin refuzon të vihet përpara përgjegjësisë. Është kjo çështja që mbetet ende e patrajtuar në mënyrë kritike publikisht në Shqipëri: shkatërrimi dhe vjedhja e tokës publike, natyrës, shtëpisë sonë të përbashkët.

Lexoni Gjithashtu

Analizë

Katër ditë para Vitit të Ri, më 27 dhjetor 2023, Qeveria e Kosovës miratoi në heshtje Projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media, i...

Analizë

Viti i parë i Qeverisë Kurti shënoi një start të vështirë në politikën e jashtme, shoqëruar me shumë gabime diplomatike dhe dështime të protokollit....

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Analizë

Në epokën me hovin më të madh teknologjik, shtetet u kushtojnë rëndësi të veçantë prezencës së tyre digjitale në rrjetet sociale, si dhe kualitetit...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.