Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Lamtumirë, me respekt, Presidente

Lamtumirë, me respekt, Presidente

Nj? histori protagonizmi veshur me konspiracion dhe nj? rr?fim p?r Presidenten q?, n?n presionin e ?burrave? ballkanik?, del zonj? e faqebardh?.

Ajo erdhi si femër. Erdhi si police. Erdhi e padëshiruar, e fyer, e përçmuar nga te gjitha anët. Dhe, shkoi nga posti i Presidentes së Kosovës si biografia më e pastër qe ka njohur historia politike në Ballkan. Por, jo vetëm e Ballkanit.

Historia e saj si Presidente ka një moment tjetër, që i parapriu ardhjes se saj. Rrëmujshëm u krijua një histori konspiracioni dhe protagonizmi.

Kur Behgjet Pacolli kishte vendosur që të mos rikthehej në Parlament, për t’i “përmirësuar” gabimet e qëllimshme të Kryeparlamentarit Jakup Krasniqi, me rastin e zgjedhjes së tij President i Kosovës, dolën shumë të papritura në rrjedhat politike post-zgjedhore.

Një konspiracion që ishte ndërtuar dhe frymëzuar nga dyshja e PDK-së, Jakup Krasniqi dhe Fatmir Limaj, si dhe një pjesë e Gjykatës Kushtetuese ishte pjesëmarrëse në rrënimin e një figure politike. Dy ambicie kishin lindur pas kësaj. Dy kandidatura priteshin te emëroheshin për President të Kosovës, me shkarkimin e një Presidenti.

Ambasadori Amerikan, Christopher Dell, ishte i bindur se kishte ndodhur një konspiracion kundër Presidentit Pacolli. Ai ishte krejtësisht i hapur në qëndrimin e tij se SHBA nuk do të bashkëpunojë me emrat që pretendonin për President. Pra, Presidenti nuk mund të dilte nga grupi që kishte ndërtuar konspiracionin.

Kur kjo mori fund dhe Behgjet Pacolli u dorëzua, situata mori rrugë krejt tjetër.

Ishte krijuar një rrethanë dhe një përpjekje e bashkuar për të përmbysur gjithçka që ishte krijuar me procesin zgjedhor.

Për habi, të gjithë ishin kundër Behgjet Pacollit. Isa Mustafa me LDK-në. Një pjesë e madhe e PDK-së, në krye me Jakup Krasniqin dhe Fatmir Limajn. AAK, Vetëvendosja e sapohyrë në Parlament dhe Kryetari i Gjykatës Kushtetuese – dora vetë.

Ku fshihej konspiracioni? Dhe, pse quhej konspiracion?

Një betejë e brendshme e PDK-së, me një skenar të qëllimtë, që Jakup Krasniqi me çdo kusht të zgjidhej President, ia kishte mundësuar Gjykatës Kushtetuese – qoftë me protagonizëm duke  dekontekstualizuar te gjitha rrethanat e krijuara – të marrë në dorë vendosjen e rregullave për shtetin, duke treguar egoizëm personal dhe institucional.

Realisht, Gjykata Kushtetuese vendosi mbi kushtetutshmërinë, duke ndërhyrë brutalisht në rregullat procedurale të Kuvendit, vetëm për të eliminuar ad hominem Behgjet Pacollin.

As më pak, e as më shumë, ai u eliminua brutalisht nga posti i Presidentit.

Ka plot detaje të tjera që brenda zhvillimeve kanë vrazhdësinë e kohës, por në një moment tjetër, kur gjërat të vijnë në vend, do të zbardhen çastet konspirative të kësaj situate.

Behgjet Pacolli, thjesht, u eliminua.

Këtu vjen moment i tij.

Ai nuk dëshiron që të kthehet në Parlament për ta vazhduar procedurën e rizgjedhjes President. Në vend të kësaj, në shtëpinë e tij, në praninë e Hashim Thaçit dhe Isa Mustafës, por edhe Ambasadorit Dell, kërkoi vetëm një gjë: Zgjedhjen e Presidentit drejtpërdrejt nga vota e qytetarit. Asgjë më shumë. Mori fjalën e Thaçit e Mustafës dhe me kaq u mjaftua.

Këtu lindi emri i ri i Presidentit.

Ky përshkrim është vetëm fillimi.

Atifete Jahjaga bëri histori edhe në shumë drejtime të tjera.

Ardhja e saj si Presidente e Republikës së Kosovës, në momentin e njohur, megjithatë ka relevancë të madhe historike, për shkak se nëpërmjet saj u bë thyerja radikale e traditës së shëmtuar e të përhershme të “burrave” me mentalitet arkaikë që ta sundojnë politikën, me këtë dhe me çdo post tjetër, deri në shkallën e këmbimeve primitive të dhënie-marrjeve.

Mosnjohësit e situatave reale na lodhën me “zarfin”.

“Zarfi” më shumë është vulë e mediokritetit të atyre që e përdorin sesa simbol i ndonjë varësie totale të Kosovës nga forcat aleate.

Njerëzit e rëndomtë dhe ata publikë nuk njohin luftën e tmerrshme, dramatike, komike, e idiote, që bënin shumë burra fraksionesh të ndryshme partish, si LDK me Kullashin dhe Ramajlin, që refuzuan t’i “imponojnë” të vetët për President, ose nuk i dinë intrigat e të atillëve që nuk lanë sekretarë ambasadash, ambasadorë, diplomatë e lidhje tjera të vjetruara, pa i terrorizuar deri në paturpësi që t’i bëjnë me çdo kusht President.

Pas qëndrimit të Behgjet Pacollit për të mos marrë pjesë në këtë lojë të ndyrë konspirative, duke u ri-kandiduar, dhe pikërisht për t’i ikur kësaj situate burrash çmendurisht të etshëm për poste e pushtete, gjendje që rrezikonte të eskalonte edhe më keq, erdhi ideja amerikane: Atifete Jahjaga.

Po, Jahjaga është ideja amerikane që synonte dhe besonte në tri dimensione:

E para: Ta imponojë një femër në postin e Presidentit të një vendi ballkanik. Me këtë, për herë të parë në historinë e zonës kulturo-politike, ku me shekuj sundon mendësia arkaike e “burrit” sundimtar, erdhi Presidentja e parë. Para asaj kroate, ose ndonjë tjetre. Pikërisht në Kosovë.

E dyta:  Amerikanët do të kenë qenë të bindur se me Atifete Jahjagën do ta sjellin dëshminë e saktë të një koncepti ku beteja është e vogël me një femër.

E treta: Femra është më e përshtatshme se “burrat” për të bërë shtet, ngase di të mos korruptohet dhe me mendësinë e vjetër të “burrërisë” s’ka perspektivë. Këta “burra” si deri sot, ballkanikë, s’janë për politikë.

Dhe ia dolën. Na e dëshmuan.

As sot, kur ajo tashmë ka lënë selinë e Presidencës, nuk ndalen dot hakmarrësit, duke prodhuar sulme të ndryshme e të neveritshme kundër Jahjagës.

Secilit i kujtohen intrigat, shpifjet, nënçmimet që nisnin që nga “fjalori jo-aq kreativ” i Presidentes, e deri te përfolja e privatësisë së saj si femër.

Përkundër gjithë këtij presioni, Atifete Jahjaga jo që nuk u demoralizua, por ajo mjeshtëroi veten si përfaqësuese, balancuese dhe ruajtëse e institucioneve edhe në momentet më kritike të tyre.

Po të mos ishte veprimi i saj i mençur dhe këmbëngulës, Kosova do të hynte në zgjedhje pas zgjedhjeve qysh 6 muajt e parë të legjislacionit të ri.

Kudo që shkoi në Perëndim, triumfoi me aktivitetet, fjalimet, seriozitetin, paanësinë dhe virtytet e saj si Presidente për respekt. Ajo ia shpëtoi imazhin vendit të bërë zi nga “burrat” e tij.

Të gjitha këto pozitivitete në favor të vendit të saj, Jahjaga i ka bërë në kohën kur Serbia ngjitet furishëm diplomacisë europiane dhe kur Kosova udhëhiqet nga lufta e brendshme e burrave për pushtet.

Më e rëndësishmja, Atifete Jahjagën nuk arriti ta korruptojë askush. As materialisht, as strukturalisht.

E përfundoi detyrën e saj me aq dinjitet saqë vetëm mund t’i përulemi dhe ta falënderojmë për këtë shërbim të madh ndaj vendit dhe rajonit. Në Ballkan, si femër, Presidente, nën presionin e “burrave”, dhe të dalësh kaq zonjë dhe faqebardhë, është më shumë se histori e një Presidenteje.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.