Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Leja e lehonisë n’qafë të shtetit

Gratë, pothuajse kurrë nuk ia kanë pa’ hajrin aftësisë së tyre riprodhuese.
Historia tregon që kjo aftësi biologjike shpesh i ka kufizuar gratë në sfera të ndryshme të jetës, e po ashtu edhe në kategorinë e cila mundet me kontribu vetëm në shtimin dhe ruajtjen e numrit të popullsise së shteteve, duke i përjashtuar ato totalisht si forcë punëtore dhe duke ua mohuar të drejtën e tyre për pavarësi financiare.

Jemi në vitin 2020, dhe në Kosovë ka gra që perveç sfidave të tjera që duhet të kalojnë për të siguruar një vend pune, duhet të përballen edhe me pyetje seksiste qysh në intervista pune. “Në shumë intervista pune, më kanë pyetur nëse kisha apo planifikoja të kisha fëmijë”, pohon një grua 33 vjeçen ga Prishtina, në një hulumtim të Rrjetit të Grave të Kosovës, i realizuar vitin e kaluar, mbi diskriminimin në baza gjinore në tregun e punës.

Modeli i tanishëm i lejes së lehonisë i vë barrën financiare punëdhënësit duke e mundësuar kështu diskriminimin gjinor ndaj grave në tregun e punës. Kështu, punëdhënësit marrin të drejtën që në intervista për punë të bëjne pyetje seksiste e personale, madje në disa raste shkojnë aq larg sa edhe t’u kërkojnë grave të paraqesin raporte mjekësore që nuk janë shtatzëna, duke e llogaritur kështu që ata nuk do të kenë nevojë që pas 9 muajsh të paguajnë lejen e lehonisë për to.

Shteti i Kosovës vazhdimisht dështon në krijimin e politikave me ndjeshmëri gjinore. 13.9 përqind i grave, si pjesë e fuqisë punëtore, shpesh arsyetohet patriarkalisht me kinse mungesën e vullnetit të grave për punë, duke mos i trajtuar thelbësisht faktorët që çojnë deri tek kjo statistikë shqetësuese. Ndër to, edhe ndarjen e pabarabartë të lejes prindërore dhe mosgatishmërinë e shtetit për të marrë përsipër barrën financiare të kësaj leje. Në këtë mënyrë, duke injoruar këta faktorë, institucionalisht injorohet edhe fakti se mund të krijohen incentiva shtetërore për ta rritur këtë numër.

Sidoqoftë, ka raste kur me qasje populiste tentohen të bëhen ndryshime në politikat ekzistuese, kinse me një ndjeshmëri të shtuar gjinore. E njëjta po ndodh edhe tani me Projektligjin e Punës i cili pritet të sillet në Kuvend dita-ditës.
Duke promovuar idenë se shteti do të sigurojë një pagesë simbolike mujore për gratë, të cilat lindin fëmijë dhe nuk janë pjesë e fuqisë punëtore me kontrata pune, qeveria ka ndarë nga Ligji i Punës lejen e lehonisë dhe atë prindërore në një ligj të veçantë. Domethënë, brenda një ligji të veçantë, do të trajtohen gratë që punojnë dhe gratë të cilat nuk punojnë jashtë shtëpisë – me cilën logjikë? Me logjikën e stimulimit edhe rritjes së Natalitetit?!

Neni 19 i Projektligjit të Pushimit* të Lehonisë dhe Pushimit Prindëror, parasheh se: “Një grua e papunë, në rast se ajo lind një fëmijë, ka të drejtën për ndihmë në para të gatshme të paguar nga shteti deri në fund të gjashtë (6) muajve nga dita e lindjes.” Një dispozitë e tillë është utopike dhe do të krijonte implikime të jashtëzakonshme buxhetore, pasiqë vetëm 13 % e grave në Kosovë janë pjesë e fuqisë punëtore.

Si e tillë, kjo dispozitë tingëllon shumë e dëshirueshme por praktikisht është shumë më vështirë e realizueshme seç do të ishte përpjekja e shtetit për të marrë përsipër barrën financiare mbi lejen prindërore. Fokusi i punës së shtetit, në këtë të dytën, do të siguronte rritjen e pjesëmarrjes së grave në fuqinë punëtore, ndërsa mostrajtimi i grave punëtore me ligjin e punës vetëm i mirëmban rolet e ndërtuara mbi stereotipe gjinore, duke i mbajtur gratë brenda shtëpive për të lënë në nivel natalitetin e për të punuar gjithë jetën punë shtëpie pa pagesë!

Tani kur institucionet shtetërore janë fokusuar në përballjen e pasojave ekonomike të pandemisë, është e vështirë të proklamohet ideja se barra financiare e lejes së lehonisë duhet të vihet mbi shtetin. Në vendet e rajonit si Maqedonia e Veriut dhe Serbia, punëtorët kompensohen nga shteti me pagën e tyre të plotë aktuale, duke minimizuar kështu shansat për diskriminim gjinor ndaj grave gjatë pranimit në punë. Nëse do të ishte vendosur më herët, një sistem i tillë do ta përmirësonte gjendjen e grave edhe gjatë kësaj pandemie duke iu siguruar atyre pagesën e kësaj leje edhe në rastet kur bizneset kanë falimentuar për shkak të pandemisë.

Duke ditur vështirësitë e procesit të ndryshimit dhe të plotësimit të ligjeve, që e dëshmon edhe zvarritja e vetë Ligjit të Punës për sa e sa vite, është koha që shteti të marrë përsipër barrën financiare të lejes prindërore. Kjo nismë do të shtonte vullnetin e shtetit për të krijuar edhe Fondin për Sigurime Shëndetësore, i cili pastaj do të ishte burim i mjeteve të nevojshme financiare për këtë leje.

Një sistemi të egër kapitalist e patriarkal si ky yni, i konvenon mbyllja e grave nëpër shtëpia për ta siguruar shtimin e popullsisë së shtetit e zvogëlimin e pavarësisë ekonomike për gratë.

Kështu, shumë natyrshëm e gati pa zhurmë, me Projektligjin aktual të Punës, gratë punëtore mbesin totalisht të përjashtuara! Ndarja e dispozitës së pushimit të lehonisë nga tërësia e neneve të Ligjit të Punës, është drejtpërsëdrejti diskriminim që u bëhet grave në baza gjinore. E gratë duhet të punojnë fuqishëm edhe në nivel shtetëror për të gëzuar të drejtat e tyre si punëtore konform Ligjit të Punës. Në këtë kauzë pastaj, njëmend mjeti e arsyeton qëllimin!

——-

Ky editorial është pjesë e projektit “Përgjigje e shpejtë ndaj pandemisë COVID-19 – mbështetja e grupeve më të cenueshme të grave” i iniciuar dhe i financuar nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur, që implementohet nga Forumi Ekonomik i Grave.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.