Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Mos klith oj zonjë!

Ilustrimi: BigEye

Qëmoti është bërë dallimi mes zërit dhe fjalës. Siç na kujton Jacques Ranciere, konflikti mes zërit dhe fjalës, respektivisht fusha e grindjes mes kafshëve logjike dhe fonike, është ajo që e instituon politikën. Njeriu është e vetmja kafshë politike që flet, për dallim prej kafshëve të tjera jo politike që kanë zë. Politika fillon me zotërimin e fjalës dhe jo me zotërimin e zërit. Fjala është logos, kurse zëri është bios. Fjala shpall, kurse zëri tregon. Jacques Ranciere, i frymëzuar me mendimi Aristotelian, bën një ndarje mes artikulimit diskursiv të ankimit nga artikulimit fonik të rënkimit. Aristoteli shkruante se ‘i vetëm mes gjithë kafshëve njeriu zotëron fjalën. Pa dyshim që zëri është mjet për treguar dhimbjen dhe kënaqësinë. Zëri u është dhënë dhe kafshëve të tjera’. Giorgo Agamben, në anën tjetër, na njofton se grekët e lashtë kishin dy fjalë për jetën: zoe dhe bios. Sipas këtij venerimi, jeta nuk mund të reduktohet në biologji, ose në një seri procesesh biologjike, ku qëllimi i vet jetës është të jetuarit, por jeta, para se gjithash, ka të bëj me karakterin e mundësive tësaj, mundësi këto realizimi apo mosrealizimi i së cilave potencialisht e vë në pikëpyetje madje jetën vet. Kjo është jeta politike. E kundërta e saj është jeta e zhveshur. E pambrojtur. Pa liri. Pa mundësi. Pa dinjitet. Pa fjalë.

Vetëm atëherë kur njerëzit kanë aftësinë dhe mundësinë për të folur, mund të shndërrohen në qenie politike .Për Aristotelin, vetëm nëpërmes fjalës njeriu artikulon të mirën dhe të keqën, të drejtën dhe të padrejtën, të dobishmen dhe të dëmshmen. Përmes fjalës njeriu bëhet palë dhe, rrjedhimisht, demosi bëhet palë. Ndërton raport në skenën politike. Diskuton, shkëmben, llogaritet dhe, si pale, bashkëndërton skenën politike. Ranciere e heton një hendek mes fjalës dhe llogaritjes së saj si të tillë. Për patricët, plebenjët nuk janë palë, për shkak se nuk kanë logos, për shkak se këta të fundit nuk flasin. Por, kur një ditë prej ditësh, plebenjët morrën guximin të flisnin, shpallen emrat e tyre, dhe filluan të silleshin si njerëz, partricët mendonin se kjo ishte po aq e pamundur sa vdektarët tëktheheshin në njerëz të gjallë. E po, ndodhi. Tani patricët deshën apo s’deshën s’ju mbetej gjë tjetër vetëm se të flisnin me plebenjët. Plebenjët nga qenie zhurmuese ishin shndërruar në qenie me aftësi fjale dhe kishin instituar subjektivitetin e tyre politik. Ishin shndërruar në qenie tëllogaritshme. Në palë. Në njerëz që kuptojnë, pra; që kuptojnë jo vetëm urdhëra.

Elita politike në Kosovë ka filluar t’i trajtoj qytetarët e Kosovës si bashkësi kafshësh me zë. Që rënkojnë, bërtasin, ulërijnë, kuisin, fërshëllejnë, zukaten, apo zhurmojnë. Duke e trajtuar demosin si një kafshë të madhe jo politike, të pallogaritshme, elita politike në Kosovë nuk pret edhe për një kohë të gjatë se do të vie ndonjë ditë kur do tëpërballet me fjalën e këtyre trupave njerëzor me zë. Së këndejmi, demosi i Kosovës vazhdon të trajtohet si jo palë, si një qenie e stërmadhe e pallogaritshme, si një hiç i papemër, pa logos, sepse duke mos zotëruar fjalën,duke mos menduar, folur e vepruar, me fjalë të tjera, duke mos zotëruar vetvetën, thjeshtë ky demos nuk ekziston. Duke mos qenë palë me emër dhe logos që flet, për popullin e Kosovës flasin të gjithë, por më së shumti flasin ata që këtë e konsiderojnë si një instrument zhurmues’, pra, partitë politike dhe liderët e tyre. Ne jemi të popullit, jemi me popullin. Përfaqësojm ëpopullin. Thonë të gjithë ata që kurrë deri më tani nuk e kanë konsideruar atë si subjekt të aftë që flet. Në fund të ditës, ndonëse këto parti politike dhe liderë e kanë plot gojën popull, sa herë që ‘aterojnë’ në pushtet dhe marrin vendime që hasin në rezistencë, kanë vetëm një përgjigje kundrejt kësaj rezistence të popullit: I thotë: mos klith oj zonjë!

Për popullin flasin edhe shoqëria civile edhe partitë politike opozitare. Ngrite zërin, thotë shoqëria civile. Zgjohu, thonë partitë opozitare. Formulime të tilla has me bollëk. Ngrite zërin kundër korrupsionit; ngrite zërin kundër krimit; ngrite zërin kundër autoritarizmit; ngrite zërin për liri të fjalës, mendimit e asociimit; ngrite zërin kundër dhunës ndaj gruas; ngrite zërin për demokraci; ngrite zëri për të drejta të njeriut; ngrite zërin për transparencë dhe llogaridhënie. Zgjohu, Kosova po shitet; zgjohu, Kosova po etnizohet; zgjohu, Zajednica!; zgjohu, ti!

Çështja nuk është saktësisht as tek ngritja dhe as tek ulja e zërit. Kjo nuk është çështje volumi. Edhe kafshët në situata dhimbje e kënaqësie e ngrisin zërin e rënkojnë, bërtasin, ulërijnë, kuisin, fërshëllejnë, zukaten, apo zhurmojnë. Çështja është tek zhvendosja nga ky regjistër fonik tek ai diskursiv i artikulimit politik. Tek fjala e artikuluar politike si kërkesë, si dëshmi, si përgjegjësi e një kohe. E kësaj kohe. E kohës sonë. Në anën tjetër, problemi nuk është as tek zgjimi. Diskursi i zgjimit në të shumtën e herave rrëmbehet nga nacionalistët. Më shumë se për çdo gjë tjetër, ky diskurs gjenë mbështetje popullore, por ky diskurs nuk i zgjidh problemet tona të përditshme. Kjo është arsyeja pse, në të dyja rastet, elita politike, ty nuk tëbën hesap. Nuk të llogarit. Nuk të llogarit sepse, ndonëse ti flet, mesazhi në anën tjetër transmetohet si zhurmë. Nuk të llogarit, sepse ti nuk guxon. I tutesh përgjegjësisë. I tutesh aftësisë për të qenë i barabartë. I tutesh lirisë.

Por, dikush-dikur, domosdo, duhet me fillu. Siç thuhet në një libër të shenjtë, ‘Në fillim ishte Fjala dhe Fjala ishte me Perëndinë dhe Fjala ishte Perëndi’. Pra, çdo fillim fillon me fjalën. Vetëm përmes saj ne bëhemi zot i fatit tonë individual e kolektiv. Akti i parë është guximi me fol. Akti i dytë është aftësia për ta thënë të vërtetën. Akti i tretë është ballafaqimi me rrezikun. Kur qytetarët e Kosovës marrin guximin të bëjnë kryengritje politike nëpërmes fjalës, kur flasin politikisht përmes kërkesave të qarta e demokratike për sigurime shëndetësore, arsim cilësor, ekonomi të qëndrueshme, siguri njerëzore dhe kur frika e tyre është mëe vogël se guximi me fol, atëherë këta qytetarë e themelojnë veten e tyre nëmënyrë autentike si palë në sferën publike.

Micheal Foucault, lirisë së fjalës i referohet si parrhesia. Parrhesia ka të bëjë po aq sa me lirinë e fjalës edhe me obligimin moral me fol në ato situata kur njeriu nuk është me tamam i lirë. Kur kërcënohet e rrezikohet madje vet qenia e tij. Por, njeriu flet, flet haptas të vërtetën, edhe me çmimin e këtij rreziku. E vërteta e jonë është mjerimi i gjithëmbarshëm politik, ekonomik, shoqëror e kulturor. Në traditën kanunore shqiptare ekziston shprehja ‘tu ngat jeta’. Por, një jetë pa dinjitet, sado e gjatë që do të mund të ishte ajo, është vegjetim. Një jetë ku askush s’të bën hesap, nuk llogarit në ty, është jetë e paregjistruar. E paregjistruar mbetet madje edhe vdekja jote. Vrasja apo vetëvrasja. Deri atëherë kur bëhesh zot i fjalës. Shpall veten qytetar.

Author

  • Adem Beha

    Adem Beha është ligjërues në Shkenca Politike në Universitetin e Prishtinës. Ai përfundoi studimet në Shkencë Politike dhe Administratë Publike në Universitetin e Prishtinës dhe ka diplomuar në master në programin Shoqëria Civile dhe Zhvillim Lokal nga Universiteti i Prishtinës, Universiteti i Grazit dhe Universiteti Kombëtar i Irlandës në Galway. Momentalisht, Beha është në përfundim të studimeve të doktoratës në shkencën politike në SEEU. Beha është angazhuar si trajner, konsulent, dhe hulumtues në organizata të ndryshme të shoqërisë civile vendore dhe ndërkombëtare, duke përfshirë UBO Consulting, KOPF, REF, KIP, CPC dhe Fondacionin Peace Berghof. Interesimet e tij kërkimore përfshijnë: transformimi i konflikteve, siguria njerëzore, shtet-ndërtimi dhe ndërtimi i paqes, të drejtat e pakicave dhe zhvillimi i qëndrueshëm.

Lexoni Gjithashtu

Debunking Articles

Pretendimi i ngritur nga Vudi Xhymshiti se Zëvendës Ndihmës Sekretari, Gabriel Escobari, ka nënvlerësuar qeverinë e Kosovës, duke e lidhur këtë me pretendimet se...

Analizë

Katër ditë para Vitit të Ri, më 27 dhjetor 2023, Qeveria e Kosovës miratoi në heshtje Projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media, i...

Analizë

Viti i parë i Qeverisë Kurti shënoi një start të vështirë në politikën e jashtme, shoqëruar me shumë gabime diplomatike dhe dështime të protokollit....

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.