Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Ndërhyrja e Qeverisë Kurti ndaj institucioneve të pavarura, rrezik për demokracinë

Me 51% të votave të përgjithshme në Kuvend, Qeveria Kurti ka krijuar stabilitet për të udhëhequr me ekzekutivin. Njëkohësisht, tendencat për të ndërhyrë edhe në institucione të pavarura janë rritur, në veçanti në sistemin e drejtësisë.

Ndërhyrja e pushtetit ekzekutiv në institucione të drejtësisë thyen parimin e ndarjes së pushteteve, andaj veprimet e Qeverisë Kurti në këtë drejtim janë rrezik serioz për demokracinë në Kosovë.

Qeveria Kurti ka shkelur Kushtetutën e vendit më shumë se çdo qeveri tjetër. Ketë e ka konfirmuar vetë Gjykata Kushtetuese, duke rrëzuar vendime dhe ligje të sponsorizuara nga Qeveria.

Komentimi, vlerësimi dhe kritikat e vazhdueshme ndaj vendimeve të gjykatave dhe pushtetit gjyqësor dhe atij prokurorial nga kjo qeveri janë shqetësuese.

Qeveria Kurti, përmes një vendimi, vendosi në nëntor të vitit 2022 që të ulen pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Ndërsa, Gjykata Themelore në Prishtinë vendosi që ta suspendojë këtë vendim.

Shumë shpejt erdhi reagimi nga kryeministri Kurti. “Më duhet të konstatoj me keqardhje se kur vjen puna për vetvete, po dalin të jenë shumë efikasë për dallim nga lëndët e pluhurosura në sirtarët e pallatit të drejtësisë, e të cilat lëngojnë aty e nuk trajtohen as me kohë, as siç duhet”, tha Kurti.

Gjithashtu edhe për ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, është bërë i zakonshëm komentimi dhe sulmi ndaj vendimeve të gjykatave vendore.

Në cilësinë e ministres së Drejtësisë, ajo sulmoi disa herë ish-kryeprokurorin e shtetit, Aleksandër Lumezi, dhe e cilësoi paradoksal dhe kundërthënës vendimin e Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial.

Rasti më i fundit për të cilin ministrja Albulena Haxhiu i reagoi gjyqësorit është vendimi i Gjykatës Supreme lidhur me lirimin e Naser Pajazitaj, i cili dyshohej për vrasjen e Donjeta Pajazitaj.

Ministrja Haxhiu e quajti vendimin paradoksal dhe të papranueshëm, pasi gjykata e shkallës së parë e dënoi me burgim të përjetshëm, shkalla e dytë me 35 vjet, ndërsa Gjykata Supreme e liroi nga dënimi.

Komentimet ndaj vendimeve të gjykatave vendore nga ministrja Haxhiu përbëjnë cenim apo tendencë për të ndikuar në pavarësinë e gjyqësorit.

Ndërsa, kryeministri Kurti së fundmi ka kaluar në nivel më të thellë të ndërhyrjeve. Sulmi i tij ndaj Prokurorisë dhe kandidatit për kryeprokuror të shtetit, Blerim Isufaj, në seancën e 20 prillit, ishte skandaloz dhe ndërhyrje direkte në pavarësinë e gjyqësorit.

Duke mbrojtur bashkëpartiakun e tij të arrestuar, Nagip Krasniqi, kryeshefin e KEK-ut, i cili ndodhet në paraburgim për veprat “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Ushtrimi i ndikimit” dhe “Konflikti i interesit”, ai zgjodhi t’i vërsulet Prokurorisë Speciale për këtë hetim gjatë një fjalimi në kuvend.

“Bëhet fjalë për një prokuror, i cili është mirënjohur në skenën tonë publike, që rastin e vrasjes se ish-shefit të AKP-së, Dino Hasanajt, e kategorizoi në vetëvrasje, ndërkaq rastin e vetëvrasjes së ish-drejtorit të Informimit në Kryeministri, Hamdi Sopa, e shndërroi në vrasje. Njëkohësisht bëhet fjala për një prokuror i cili asnjë rast nuk e ka të fituar në gjykatë dhe pikërisht ky prokuror dëshiron të bëhet kryeprokuror”, tha Kurti.

Kurti vazhdoi tutje: “Prokurorët që vrasjen ta bëjnë vetëvrasje e vetëvrasjen ta bëjnë vrasje, përkundër vullnetit dhe qëndrimit të presidentes, kryeministrit dhe kryeparlamentarit, duan me çdo kusht, në çfarëdo rrethane, me patjetër, të bëhen kryeprokurorë. Por, nuk do të munden. Nuk do të munden. Jo pse jam unë. Jo pse jeni ju. Por, sepse në këtë shtet ka edhe republikë, edhe popull”.

Kryeministri Kurti, përmes këtij fjalimi, tregoi hapur që pa vullnetin e tij, presidentes dhe kreparlamentarit, askush nuk mund të bëhet kryeprokuror. Për herë të parë në historinë e Kosovës, një kryeministër tregon hapur ambiciet e tij për kapje të sistemit prokurorial, përkatësisht kreun e Prokurorisë, që është kryeprokurori i shtetit.

Tendencat e tilla mund të krahasohen vetëm me ato të politikanëve autokratë, të cilët janë të interesuar që institucionet e drejtësisë (gjyqësorin dhe prokurorinë) t’i mbajnë nën kontrollin e tyre.

Është e domosdoshme që të ruhet parimi i ndarjes së pushteteve në Kosovë. Një nga postulatet kryesore në një demokraci është që politika duhet të qëndrojë larg institucioneve të drejtësisë.

Kapja e Prokurorisë ka benefite për politikanë me tendenca autokratike, pasi duke ndërhyrë në pavarësinë e tyre, amnistojnë veten dhe bashkëpunëtorët nga ndjekja që mund t’u bëhet në rast të keqpërdorimeve.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.