Connect with us

Hi, what are you looking for?

SbunkerSbunker

Opinion

Problemi i kujtesës selektive në Ballkan

Ilustrimi nga Big Eye.

Gjatë fluturimit për Frankfurt të Gjermanisë, u ula pranë një të sapodiplomuari nga qyteti i Novi Sadit. Pasi shkëmbyem ca fjalë, më tregoi se po migronte në Gjermani, në kërkim të një jete më të mirë. Pas pak minutave, biseda mori ton më serioz. 

Para se të niste një monolog plot pasion rreth padrejtësive historike që edhe sot e formësojnë Ballkanin, tha me vendosmëri: “Disa gjëra nuk mund të harrohen”.

Ai foli me vendosmëri dhe moskokëçarje, i bindur se po ndante njohuri të zakonshme. Papritmas ndaloi, kur hapi ëmbëlsirën që na dhanë, duke folur për cilësinë e saj me të njëjtin seriozitet.

Nuk mund të mos e vëreja ironinë e monologut të tij. Ai foli me bindje të madhe, në një fluturim për në Gjermani, vend ky që dikur ishte përgjegjës për dhimbje të pamasë, shkatërrime dhe vrasje të miliona njerëzve. Pa përmendur se, gjatë Luftës së Dytë Botërore, Gjermania kishte pushtuar Serbinë, duke i pasur atje pesë kampe të përqendrimit dhe duke kryer akte gjenocidale.  
Sidoqoftë, këto histori nuk i kishte marrë me vete, ndërsa po fillonte një jetë të re në Gjermani. 

Kjo s’është diçka e pazakontë, ndonëse tingëllon ironike. Në regjionin e Ballkanit, njerëzit migrojnë për punë më të mira në vende me të cilat ndajnë të kaluar të paqartë. 

Llogaritet se midis 400,000 deri 800,000 serbë momentalisht jetojnë dhe punojnë në Gjermani. Afërsisht 500,000 shqiptarë janë të vendosur në Itali, shtet ky që dikur në atdheun e tyre krijoi shtetin kukull fashist. 

Ballkanasit, kur kërkojnë mundësi në Gjermani ose Itali, shfaqin një pragmatizëm të mrekullueshëm. 

Të njëjtët që, kur janë në pyetje fqinjët, deklarojnë se: “Disa gjëra nuk mund të harrohen”, e gjejnë disi një mënyrë për t’u pajtuar me ish-pushtuesit europianë, në kërkim të një të ardhmeje më të mirë. 

Kontradikta më e thellë politike e Ballkanit qëndron te përdorimi selektiv i padrejtësive historike: kur është politikisht e përshtatshme përmendet trauma, por mënjanohet përballë vështirësive ekonomike.
Teksa historia përdoret si armë përçarëse nga elitat politike, mungesa e mundësive i nxit më të mirët e më të zgjuarit e rajonit të kërkojnë të ardhme diku tjetër. 

Në Kosovë, ku serbët dhe shqiptarët kanë bashkëjetuar për shekuj me radhë, udhëheqësit politikë në mënyrë selektive e shfrytëzojnë traumën historike për të ushqyer narrativa nacionaliste. Ata këmbëngulin se pajtimi nuk mund të arrihet për shkak të krimeve të pazgjidhura të së shkuarës. E tërë kjo, teksa i përdorin këto ndarje për ta larguar vëmendjen nga korrupsioni i përhapur, qeverisja e dobët dhe mungesa e llogaridhënies.

Nuk janë të paarsyeshme shumë prej padrejtësive historike që shprehen nga ballkanasit. Ato burojnë nga ngjarje thellësisht traumatike që kanë lënë plagë që zgjasin dhe kanë ndikuar shumë në formësimin e identiteteve kolektive të rajonit. Kujtimet e luftës, zhvendosjes dhe shtypjes sistematike, janë pjesë e rëndësishme e të kuptuarit të vetes nga komunitetet dhe të raportit me të tjerët.  

Problemi i kujtesës selektive nuk është me vetëdije. Nuk është zgjedhje e jona që fqinjët t’i shohim përmes optikës mitike-historike, teksa pjesën tjetër të botës përmes një qasjeje më realiste – por duhet të jetë zgjedhje për përmirësimin e këtij gabimi logjik. 

Ndonëse konflikti i fundit në ish-Jugosllavi është deri diku jo i largët, kujtesa kolektive e Ballkanit përfshin një kohë shumë më të largët. 

Tejkalimi i padrejtësive historike do të thotë të shikuarit e shoqërisë ashtu siç është: disa nuk do ta tejkalojnë kurrë nacionalizmin, por njeriu mund të bashkëjetojë lehtësisht me shumicën. Aftësia për tejkalimin e këtyre padrejtësive në vende të tjera më bind që Ballkani mund t’i tejkalojë këto edhe në shtëpi. Në mungesë të klimës së përshtatshme politike për kultivimin e tolerancës, është më e vështirë – por, edhe shumë më e rëndësishme.  

Lexoni Gjithashtu

Opinion

Aktualisht, në Kosovë, bazuar në  Ligjin e Punës,  nënave u garantohet pushimi i lehonisë prej nëntë muajve me pagesë dhe tre muajve pa pagesë....

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Analizë

Prezantimi i buxhetit të qeverisë është një nga ngjarjet më të rëndësishme të vitit. Në ekonomitë e zhvilluara, prezantimet e këtilla nxisin diskutime të...

Opinion

Për vite me radhë, një udhëzim administrativ nga Ministria për Punë dhe Mirëqenie Sociale, detyronte pensionistët kosovarë të paraqiteshin çdo gjashtë muaj në Departamentin...

Copyright © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.