Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Vullneti për ndryshim jo veç për ‘rehatim’- çfarë po i shtyn të rinjtë të anëtarësohen në parti politike?

Ilustrimi nga: BigEye

Nuk ka ndonjë fushëveprim njerëzor i cili është më i përfolur, përbuzur e urryer dhe në të njejtën kohë më i rëndësishëm dhe vetmohues sesa politika. Mund të thuhet se edhe atëherë kur nuk merremi me politikë ose pohojmë se nuk na intereson, vet ky qëndrim, në thelb është politik. Prandaj, i duhet dhënë të drejtë filozofit të shquar grek Aristotelit, i cili thoshte se njeriu për nga natyra është qenie politike pra ‘zoon politikon’. Sepse shoqëria, shteti, jeta jonë dhe çdo gjë tjetër që na rrethon, organizohet dhe rregullohet nga dhe përmes politikës.

Kështu që secili prej nesh është politik, si për nga botëkuptimet mbi rendin shoqëror ashtu edhe me angazhimet tona të përditshme në shoqëri. Sepse, siç thekson me të drejt Hannah Arendt, aryeja e ekzistencës së politikës është liria dhe veprimi është ku ajo merr trajtën e saj të plotë. Politika kështu ka dy kuptime themelore, si veprimtari në njërën anë dhe si bindje ose sjellje në anën tjetër. Në kuptimin përmbajtjësor, si një çështje praktike rreth qeverisjes, politika realizohet përmes përfaqësimit politik. Me fjalë tjera, janë partitë politike ato që përmes procesit demokratik dhe në zgjedhje të lira marrin mandatin e legjitimitetin në përfaqësimin e qytetarëve që iu japin votëbesimin për të qeverisur, pra udhëhequr.

Se si funksion shteti, çfarë sigurie, shëndetësie, arsimi e kushte e jetesës ka, varet në masë të madhe nga ajo se nga kush qeveriset. Së këndejmi konsolidimi dhe funksionimi i shtetit lidhet ngushtë me nivelin e përfaqësimit politik, dhe rrjedhimisht me demokracinë dhe cilësinë e vet partive politike. Marrë parasysh krizat e shpeshta qeveritare e institucionale, gjendjen e rëndë ekonomike e sociale, shkallën e lartë të korrupsionit dhe nepotizmit, përfundimi i arsyeshëm do të ishte se partitë politike janë përgjegjëset kryesore për të gjitha këto. Prandaj pa ndryshimin e partive ekzistuese ose krijimin e forcave të reja politike, si përfaqësues legjitim e demokratik, nuk mund të ndryshohet e as përmirësohet gjendja e gjithëmbarshme në vend. Meqë çdo gjë e pandryshuar ndryshket dhe kalbet, edhe politika kërkon dinamizëm të vazhdueshëm.

Masa kritike dhe angazhimi qytetar, sado të nevojshme dhe të domosdoshme për një demokraci të shëndoshë e mirëfilltë, shpesh nuk janë të mjaftueshme për tejkalimin e status quos dhe reformimin e sistemeve politike. Ajo çka është më se e nevojshme për zhvillimin e demokracisë është që të rinjtë të aktivizohen politikisht dhe të jenë forca shtyese në ndryshimet e duhura. Këto ndryshime mund të i arrijnë duke u anëtarësuar dhe angazhuar nepër parti politike. Sigurisht në ato parti me të cilat i ndajnë bindjet e ngjashme politike dhe në të cilat mund të veprojnë. Pjesëmarrja dhe angazhimi në jetën politike, në kuadër të partive politike nuk mund të reduktohet vetëm te dalja në zgjedhje dhe mobilizimi i elektoratit. Por, dhe kjo është esenciale për angazhimin e duhur partiak, si pjesmarrës i/e barabartë në zhvillimet e politikave programore si dhe në arritjen e vendimeve brenda partisë.

Për fat të keq, në shumicën e partive politike në Kosovë deri më tani shumë pak hapësirë dhe mundësi iu është ofruar të rinjve. Partitë pak ose aspak nuk i kanë kushtuar vëmendje inkuadrimit të të rinjve në strukturat e tyre vendimmarrëse siç janë: kryesia, këshilli i përgjithshëm dhe organet tjera të rëndësishme. Kështu që shtrohet pyetja: pse duhet të anëtaresohen të rinjtë në parti politike ose çfarë duhet të i shtyen të rinjtë të anëtarësohen? Përgjigja sipërfaqësore do të ishte, që ata anëtarësohen për të siguruar një vend pune, të ‘rehatojnë’ ndonjë familjar ose përfitojnë personalisht nga lidhjet partiake me pushtetin, qoftë me pushtetin lokal apo atë qendror.

Pavarësisht se motive të tilla edhe mund të ekzistojnë dhe mund të jenë faktor shtytës dhe i zakonshëm i anëtarësimit të të rinjve në parti. Dua të besoj se ka mjaft të rinj që angazhimin e tyre politik e bëjnë për qëllime shumë më të larta dhe për motive shumë më fisnike. Sepse besoj se ashtu siç po korrin suksese në sport, art, shkencë, biznes e shumë fusha tjera edhe në politikë Kosovës i duhet një brez i ri që të sjell permirësime në gjendje e të zhvilloj vendin. Ky brez nuk do të duhej të ishte i ri vetëm për nga mosha apo angazhimi politik, por mbi të gjitha për nga botëkuptimi dhe motivimi për të u kyçur në politikë. Rini të tillë ka mjaftueshëm Kosova dhe dashuria e tyre për atdhe do të ishte frymëzimi më i mirë për ndryshimet e shumëpritura. Dhe rruga më e shpejtë dhe e përshtatshme e ndryshimeve në demokraci është anëtarësimi dhe angazhimi në parti politike. Mirëpo, anëtarësim i përcjellur me angazhim të sinqertë e të mirëfilltë dhe jo nënshtrim symbyllur ndaj liderëve të pushtetshëm ose përshtatje me strukturat partiake të cilat bllokojnë çdo zhvillim demokratik e vullnet të votuesve. Kjo jo vetëm që do të mund t’i reformonte partitë, me udhëheqësi goxha të konsumuara, por do të e demokratizonte skenën politike gjithnjë e më shumë dhe do të rriste dukshëm nivelin e përfaqësimit politik në vend.

Ky editorial është realizuar në kuadër të projektit “Pjesëmarrja politike: Drejt angazhimit efektiv të të rinjve”, që po implementohet nga Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D) me përkrahje nga National Endowment for Democracy (NED).

Lexoni Gjithashtu

Debunking Articles

Pretendimi i ngritur nga Vudi Xhymshiti se Zëvendës Ndihmës Sekretari, Gabriel Escobari, ka nënvlerësuar qeverinë e Kosovës, duke e lidhur këtë me pretendimet se...

Analizë

Katër ditë para Vitit të Ri, më 27 dhjetor 2023, Qeveria e Kosovës miratoi në heshtje Projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media, i...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Analizë

Viti i parë i Qeverisë Kurti shënoi një start të vështirë në politikën e jashtme, shoqëruar me shumë gabime diplomatike dhe dështime të protokollit....

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.