Ekipi i Sbunker-it mori pjesë me sukses në Digital Democracy Initiative Hackathon 2025 në Bangkok, Tajlandë, një ngjarje ndërkombëtare që bashkon profesionistë dhe organizata për të zhvilluar zgjidhje inovative që fuqizojnë shoqërinë civile dhe forcojnë demokracinë digjitale.
Në kuadër të kësaj nisme, Sbunker-i prezantoi projektin inovativ “Paketa e Komunikimit për Sulmet ndaj Dezinformatave”, i krijuar për të nxitur shpërndarjen e informacionit të saktë dhe për të përmirësuar koordinimin në përgjigjen ndaj fushatave të dezinformimit apo sulmeve digjitale.
Hackathoni ofroi një mundësi të vlefshme për të shkëmbyer përvoja me ekipe ndërkombëtare, për të mësuar nga praktikat më të avancuara dhe për të kontribuar në ndërtimin e një mjedisi informativ më të sigurt dhe më transparent.
Ngjarja u mbështet nga CIVICUS, në partneritet me Metamorphosis Foundation dhe Civic Literacy Initiative.




























































