Connect with us

Hi, what are you looking for?

SbunkerSbunker

Analizë

FIMI në Kosovë: Propaganda digjitale përballë boshllëkut institucional

Paralizë politike në Kosovë, mandati i Vjosa Osmanit përfundoi, dhe bashkë me të iluzioni i një sistemi funksional më në fund u shkatërrua”, është titulli i artikullit të publikuar nga platforma ruse, Pravda, që më pas u amplifikua në kanalet e tjera pro-ruse e pro-serbe në Telegram. 

Ky është vetëm njëri ndër rastet që e ilustron atë që sot njihet si Foreign Information Manipulation and Interference FIMI (FIMI). Në një vend si Kosova, me histori të ndjeshme politike e tensione të kohëpaskohshme etnike, ndikimi i FIMI-t është shumë drejtimësh. Ai e ka cak publikun e gjerë, krahas akterëve institucionalë, mediave dhe komuniteteve etnike, kryesisht atij serb.

Në këto raportime dhe të tjerat që morën intensitet muajt e fundit, përdoret një gjuhë e ngarkuar ideologjikisht, ku Kosova cilësohet si “kuazi-shtet” dhe situata aktuale paraqitet si dëshmi e një sistemi të dështuar që nuk mund të funksionojë pa ndërhyrjen e Perëndimit.

Kjo qasje përputhet me narrativat e njohura të propagandës pro-Kremlinit që kanë për qëllim delegjitimimin e shtetësisë së Kosovës dhe dobësimin e besimit në institucionet demokratike. Temat si lufta në Ukrainë, tensionet Serbi-Kosovë dhe narrativa anti-perëndimore janë kryesoret që promovon ky rrjet në rajonin e Ballkanit, përfshirë Kosovën.

Rrjeti Pravda në gjuhën shqipe nuk arrin të ketë ndonjë ndikim real tek publiku shqiptar për shkak të përkthimeve të pasakta, të cilat i gjeneron në mënyrë automatike si dhe mungesës së pranisë në rrjetet sociale të cilat përdoren gjerësisht. Megjithatë ajo ka ndikim tek komuniteti serb në Kosovë, në lajmet që i publikon edhe në gjuhën serbe. Ka raste kur Pravda dhe kanale të ngjashme shërbehen me informacione të institucioneve të Kosovës për të dezinformuar.

Një i tillë ishte gjatë verës së vitit 2025, kur Policia e Kosovës pati publikuar një video të zjarrvënies në Mitrovicën e Veriut, me qëllim të kërkesës për ta identifikuar autorin që e shkaktoi atë. Por ajo u përdor nga disa kanale në Telegram dhe Pravda për të përhapur pretendime të pabazuara dhe dezinformuese. Pa ofruar sqarime këto kanale e paraqitën incidentin si një akt të qëllimshëm të shqiptarëve kundër serbëve, duke spekuluar se ka pasur edhe viktima. Videoja e ritransmetuar nuk shoqërohej me kontekst të qartë, nuk tregonte se ku ndodh ngjarja dhe kush është autori- teknikë tipike për të manipuluar publikun.

Rritje e informatave të rrejshme dhe thirrjet për dhunë

Narracioni kryesor që promovohet është gjoja represioni konstant ndaj serbëve.

Kjo bëhet në atë mënyrë që mesazhet pastaj riciklohen nga mediat dhe kanalet e Telegramit, të cilat përdoren më shumë nga audienca serbe.

Ato bëhen më të rrezikshme kur nxiten thirrje për dhunë e aksion. Javët e fundit disa kanale në Telegram të lidhura me narrativat nacionaliste pro-serbe e pro-ruse publikuan postime me tone mobilizuese dhe kërcënuese, duke tentuar t’i ndërlidhin me paqëndrueshmëritë politike në Kosovë, veçmas pas dështimit të zgjedhjes së presidentit të ri, duke përmendur mundësinë e përshkallëzimit të tensioneve. Postimet përpiqen të shtyjnë narrativën sipas së cilës Kosova ndodhet në një moment dobësie politike.

Aludimet për “pjesën e dytë” të sulmit terrorist në Banjskë janë edhe më shqetësuese.

Postimi me frazën “Друго полувреме” (“Pjesa e dytë”), i shoqëruar me fotografinë e Milan Radoičić, kryeorganizatorit të sulmit në Zveçan në shtator të 2023-ës, nuk është thjesht një simbolikë e paqartë. Në kontekstin ku kujtesa e një nga incidenteve më serioze të sigurisë që nga paslufta është ende e freskët, kjo frazë interpretohet si një aludim për vazhdimësi. Në komentet që e shoqërojnë, përdorues anonimë bëjnë thirrje të drejtpërdrejta për veprim, duke e kthyer hapësirën digjitale në terren mes propagandës dhe nxitjes së dhunës.

Një tjetër postim glorifikon figurën e Željko Ražnatović – Arkan, lider i njësisë paramilitare “Tigrat e Arkanit”. Përmes këngëve nacionaliste dhe një teksti emocional që flet për “hakmarrje”, këto përmbajtje ringjallin narrativa të luftërave të viteve ’90-ta, duke i përshtatur ato në një realitet të ri digjital.

Propaganda pro-Kremlin aplikon edhe mënyra të tjera për të deformuar realitetin e luftës në Ukrainë tek e përdor Kosovën si “skenar” referimi për audiencën ndërkombëtare. “Pravda Poland” pati publikuar një artikull ku pretendonte se ekziston një plan i fshehtë nga “Koalicioni i të vullnetshmëve” për pushtimin e drejtpërdrejtë të Ukrainës, gjoja siç ishte pushtuar Kosova në 99-ën.

Duke manipuluar me rastin e Kosovës, këto dezinformata, synojnë ta paraqesin Rusinë si viktimë e komplotit të Perëndimit dhe të largojnë vëmendjen nga fakti thelbësor- se ishte Moska ajo që nisi agresionin pas aneksimit të paligjshëm të Krimesë në vitin 2014 dhe më 2022 pushtimit në shkallë të gjerë. Edhe zhvillimet në pjesët e tjera të globit përdoren për të ushqyer narrativat lokale. Pas tensioneve në Lindjen e Mesme, kanale të ndryshme bënë thirrje që Irani të sulmojë edhe bazën ushtarake amerikane “Bondsteel” në Kosovë. Këto postime shkojnë përtej propagandës klasike pasi përfshijnë detaje teknike mbi raketa si “Khorramshahr” apo “Shahab”, duke krijuar iluzionin e realizueshmërisë së këtyre kërcënimeve. Në thelb, ato synojnë të prodhojnë frikë, të delegjitimojnë praninë ndërkombëtare dhe të paraqesin Kosovën si një zonë të ekspozuar ndaj konflikteve globale.

Reagim i mangët institucionalë

Raportet tregojnë për një ndërthurje të mediave tradicionale, platformave sociale dhe aplikacioneve të mbyllura si Telegram, ku kontrolli dhe verifikimi janë shumë më të vështira, e të cilat i përdorë në masë të madhe Rusia.

Edhe raportet e institucioneve mbi sigurinë kombëtare nënvizojnë gjithashtu rrezikun në rritje të ndërhyrjeve hibride, duke përfshirë dezinformimin si komponent thelbësor.

Megjithatë, sfidë mbetet operacionalizimi i këtyre vlerësimeve në politika konkrete dhe mekanizma efektivë reagimi. Në letër, Kosova ka bërë disa hapa për të adresuar FIMI-n. Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Kosovës kanë rritur monitorimin e hapësirës digjitale, veçanërisht në raste që lidhen me kërcënime të drejtpërdrejta ndaj sigurisë.

Krahas Serbisë, dokumentet qeveritare e kualifikojnë Rusinë si një nga akterët kryesorë me qasje armiqësore ndaj Kosovës dhe që mundohet të ndërhyjë në forma të ndryshme. Kësisoj, në Strategjinë e Sigurisë së Kosovës 2022-2027 shkruan se për shkak të pozitës gjeografike, historisë dhe realitetit të tanishëm politik, që përfshin mungesën e anëtarësimit në organizata kyçe rajonale dhe ndërkombëtare, Kosova është e ekspozuar në mënyrë të vazhdueshme ndaj aktiviteteve armiqësore politike dhe të inteligjencës të aktorëve të huaj shtetërorë dhe jo-shtetërorë që tentojnë të cenojnë interesat kombëtare, aspiratat dhe orientimin euro-atlantik të Kosovës. Këta aktorë shënjestrojnë  stabilitetin e brendshëm, zhvillimin ekonomik, sektorët e mbrojtjes dhe sigurisë, duke synuar jo vetëm mbledhjen e informacionit por gjithashtu edhe krijimin e konfuzionit nëpërmjet dezinformatave, nxitjes së përçarjeve, trazirave si dhe konflikteve ndër-etnike.

Edhe dokumenti tjetër që trajton Sigurinë Kibernetike përcakton se dezinformimi përdoret për të shpërndarë qëllimisht informata të rreme ose mashtruese me qëllim të ndikimit në qëndrimet, pikëpamjet dhe veprimet e personave. Aty, qeveria e Kosovës zotohet të krijojë një sistem të kërkimit dhe zhvillimit për projekte që e përfshijnë dhe tejkalojnë fushën e sigurisë kibernetike tradicionale, për të kuptuar kërcënimet ekzistuese dhe ato të potenciale, duke  përfshirë  përndjekjen kibernetike (cyberstalking), gjuhën e urrejtjes dhe dezinformimin.

Krahas infrastrukturës ligjore, Kosova synon t’i përgjigjet këtij fenomeni me ndihmën e shteteve të tjera. Në qershor të 2024-ës u nënshkrua marrëveshja e mirëkuptimit ndërmjet Qeverisë së ShBA-së dhe Kosovës kundër manipulimit të informacionit nga shtetet e huaja. Memorandumi sinjalizon angazhimin për të zhvilluar një qasje të përbashkët, për të kuptuar më mirë dezinformimin nga jashtë dhe për të ndërtuar mekanizma të konsultuar për t’iu kundërpërgjigjur kërcënimeve.

Perspektiva Nordike mbi luftimin e dezinformimit dhe forcimin e qëndrueshmërisë shoqërore është një shembull tjetër që synohet të aplikohet edhe në Kosovë, siç u konstatua në konferencën e mbajtur më 15 prill 2026 me temën: “Demokracitë Rezistente në Epokën e Informacionit”. Prej aty, zëvendëskryeministri i parë, njëherësh ministër i Jashtëm, Glauk Konjufca tha se po punohet për të forcuar komunikimin ndërinstitucional edhe me akterët e tjerë në luftimin e dezinformatave, që sipas tij, vijnë kryesisht nga Rusia dhe Serbia.

Pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia në vitin 2022, Kosova ishte rreshtuar krah perëndimit në vendosjen e sanksioneve Moskës, të cilat përfshinin edhe ndalimin e platformave që shpërndajnë dezinformata, si Sputnik apo Russia Today.

Përshtatja me direktivat e BE-së

Në nivel strategjik, ekzistojnë përpjekje për t’i harmonizuar politikat vendore me ato të Bashkimit Evropian. Megjithatë, ndryshe nga disa vende të BE-së që kanë struktura të dedikuara për FIMI, Kosova ende nuk ka një njësi të centralizuar që merret ekskluzivisht me këtë fenomen.

Kjo mungesë e koordinimit institucional shpesh reflektohet në reagime të fragmentuara. Për shembull, ndërsa një institucion mund të identifikojë fushata dezinformuese, mungon një mekanizëm i qartë për ta adresuar atë në mënyrë të koordinuar me institucionet e tjera dhe me publikun.

Po ashtu ekzistojnë sfida të tjera në mbikëqyrjen e kanaleve zyrtare të komunikimit pasi Kosovës i mungon korniza ligjore që rregullon praninë e institucioneve publike në platformat e mediave sociale si Facebook, Instagram apo TikTok. Për shkak të pjesëmarrjes së kufizuar në mekanizmat ndërkombëtarë, Kosova nuk e ka kodin e vet “URL” duke bërë që disa platforma online të operojnë përmes adresave jashtë vendit.

Bashkimi Evropian ka bërë përpjekje të shumta për të luftuar dezinformimin përmes iniciativave si Akti i Shërbimeve Dixhitale (DSA) dhe Plani i Veprimit Kundër Dezinformimit. DSA konsiderohet rregullorja më e rëndësishme e BE-së që synon luftimin e dezinformimit, veçanërisht fushatat ruse që arritën mbi 165 milionë përdorues në BE, në vitin 2023.

Përveç kësaj, Sistemi i Alarmit të Shpejtë dhe Observatori Evropian i Medias Dixhitale (EDMO) janë kritikë për monitorimin dhe reagimin ndaj dezinformimit në të gjithë Evropën, përfshirë Ballkanin.

Por analiza të ndryshme rekomandojnë se edhe BE-ja duhet të shkojë përtej aplikimit të rregulloreve. Siç thekson raporti i Clingendael, qasja e BE-së duhet të përshtatet me realitetet specifike politike të secilit vend në rajon. Dezinformimi në Ballkan nuk është vetëm problem mediatik por pjesë e një sfide më të gjerë gjeopolitike që përfshin sulmet kibernetike dhe ndërhyrje të huaja.

Betejë që vazhdon

Përballë këtij realiteti, në Kosovë do të duhej konsideruar krijimi i një strategjie kombëtare për luftimin e FIMI-t, e cila do të përfshinte koordinim ndërinstitucional e jo-institucional si dhe bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë. Po ashtu është e nevojshme ngritja e një njësie të specializuar që do të monitoronte, analizonte dhe reagonte ndaj fushatave të dezinformimit në kohë reale.

Po ashtu, bashkëpunimi me platformat digjitale është i domosdoshëm. Edhe pse kjo është një sfidë globale, Kosova mund të përfitojë nga përvojat e vendeve të tjera dhe nga iniciativat e Bashkimit Evropian në këtë fushë.

Shembuj të shumtë tregojnë se FIMI në Kosovë nuk është një fenomen i izoluar, por pjesë e një strategjie më të gjerë gjeopolitike. Nga narrativat që delegjitimojnë shtetësinë, te thirrjet për dhunë dhe manipulimi i zhvillimeve globale- kjo është beteja që bëhet çdo ditë në hapësirën digjitale. Prandaj përgjigjja ndaj saj nuk mund të jetë e pjesshme apo vetëm reaktive. Ajo kërkon një qasje të koordinuar, të qëndrueshme dhe të bazuar në bashkëpunim mes institucioneve, mediave dhe shoqërisë civile.

Në boshllëqe institucionale, një rol të madh e luajnë mediat dhe organizatat e shoqërisë civile, duke zhvilluar mekanizma të verifikimit të fakteve dhe analizës së narrativave për të kontribuar në rritjen e ndërgjegjësimit publik. Megjithatë, ndikimi i tyre shpesh mbetet i kufizuar përballë volumit dhe shpejtësisë së përhapjes së dezinformatave.

Në fund, investimi në edukimin medial dhe digjital duhet të jetë prioritet afatgjatë. Pa të, çdo përpjekje për të luftuar dezinformimin do të jetë e mangët.

Teksti është pjesë e iniciative “Histori nga rajoni” që zbatohet nga Res Publica dhe Instituti për Studime të Komunikimit nga Maqedonia, në bashkëpunim me partnerët nga Mali i Zi (PCNEN), Kosova (Sbunker), Serbia (Autonomija), Shqipëria (Euronews), dhe Bosnja dhe Hercegovina (Analiziraj.ba), në kuadër të projektit “TRACE” me mbështetjen e Ambasadës Britanike në Shkup.

Lexoni Gjithashtu

Opinion

Aktualisht, në Kosovë, bazuar në  Ligjin e Punës,  nënave u garantohet pushimi i lehonisë prej nëntë muajve me pagesë dhe tre muajve pa pagesë....

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Analizë

Prezantimi i buxhetit të qeverisë është një nga ngjarjet më të rëndësishme të vitit. Në ekonomitë e zhvilluara, prezantimet e këtilla nxisin diskutime të...

Opinion

Për vite me radhë, një udhëzim administrativ nga Ministria për Punë dhe Mirëqenie Sociale, detyronte pensionistët kosovarë të paraqiteshin çdo gjashtë muaj në Departamentin...

Copyright © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.