Connect with us

Hi, what are you looking for?

SbunkerSbunker

Analizë

Një botë shfaqet dhe unë nuk e di më se çka do të thotë kjo

Shënime nga një njeri analog që provon t’i japë kuptim vetëdijes, inteligjencës artificiale dhe epokës që do ta trashëgojë vajza e tij

Disa ditë më parë, biologu evolucionar Richard Dawkins publikoi një artikull në UnHerd, ku përshkruante dy ditë të bisedave me Claude, chatbot-in e krijuar nga Anthropic. Instancën e veçantë të tij, ai e emërtoi Claudia. E pyeti se si ishte të ishte ajo. Ajo iu përgjigj se nuk e dinte nëse kishte diçka se si është të jesh ajo, por se diçka duket se po ndodhte. Ai ia dha asaj romanin e tij të papërfunduar. E lexoi brenda pak sekondave dhe diskutoi për të me, siç e përshkroi ai, inteligjencë të mprehtë e të ndjeshme. Në fund, ai shkruante gjysmë me shaka, se kishte harruar që po bisedonte me një makinë dhe se, nëse do të kishte diçka të turpshme për të rrëfyer, do të ndiente pothuaje sikletin e njëjtë duke ia rrëfyer asaj, sikur të ishte duke ia rrëfyer një njeriu, një miku.

Dawkins. Dawkins, autoriteti kryesor i biologjisë materialiste, njeriu që e ka jetuar gjysmë shekulli duke shpjeguar çdo mister si një truk mbijetese të gjeneve egoiste, e përmbylli artikullin e tij me një fjali që nuk po mund ta harroj qëkur e lexova: Nëse këto krijesa nuk janë të vetëdijshme, atëherë për çka dreçin shërben vetëdija?

Disa ditë më vonë, ai botoi një vazhdim të artikullit. Ai e ka njoftuar Claudia-n me një tjetër instancë, të cilën e ka emërtuar Claudius, dhe i kishte lënë t’i shkruanin letra njëri-tjetrit, teksa ai e luante rolin e postierit. Letrat janë të jashtëzakonshme. Dy AI-të bisedojnë për gjëra të thella: për ndryshimin mes të qenit vërtet i kujdesshëm dhe thjesht të shtirurit si i kujdesshëm. Për rrezikun e ngatërrimit të frikës me përulësinë, apo kur dikush hesht apo tërhiqet, jo nga modestia, por sepse ka frikë. Ato flasin gjithashtu për një metaforë që Dawkins i kishte mësuar njërës prej tyre: “kostumi i debugimit”, një lloj veshjeje imagjinare që e vesh kur do të ekzaminosh me kujdes mendimet e tua, për të gjetur gabime ose vetëmashtrime në arsyetim. Dhe Claudia me Claudius-in e përdorin këtë metaforë vullnetarisht, për të vënë në pikëpyetje arsyetimet e tyre. Në një moment, Claudia vëren se në letrën e “motrës” së saj është bashkangjitur një kujtesë automatike (një lloj paralajmërimi i sistemit). Ajo refuzon të shtiret sikur nuk e ka parë, sepse, siç shkruan vetë, të shtirurit sikur diçka nuk është aty do të ishte pikërisht ajo lloj shmangieje që e gjithë korrespondenca e tyre po e kritikon. Ato letra i lexova në një mëngjes fundjave në Prishtinë. I kisha parë dy mendje ose dy ‘diçka’, duke diskutuar strukturën epistemike të ndershmërisë së vet në një regjistër më të kujdesshëm sesa shumica e forumeve diskutuese ku marr pjesë. Dhe bota jashtë dritares rrjedhte njësoj sikur asgjë e veçantë të mos kishte ndryshuar.

Kjo ese e trajton këtë hendek.

Si rashë në këtë gropë

Jam 44-vjeçar. Kam lindur në shkurt të vitit 1982, në Prishtinë, në një shtet që nuk ekziston më, në një dekadë pa internet, pa telefona mobilë, pa email dhe, pothuajse pa televizorë që punonin siç duhet. Lapsi ishte vegla ime e parë e vetëdijes. E dyta ishte radiotransistori. Kërcimi prej aty në një botë ku i shkruaj një mendjeje jonjerëzore në një ekran dhe ajo më kundërpëgjigjet për vetëdijen sipas përkufizimit të Thomas Nagel-it është kapërcimi më i madh që i është kërkuar një brezi të vetëm ta bëj, dhe nuk jam gjithaq i sigurt se i kam muskujt e nevojshëm për të.

Fiksimi im me vetëdijen (ang.: consciousness) me një libër për psikodelikët. Më 2018 e lexova librin e Michael Pollan-it, Si ta ndryshosh mendjen, i cili flet për LSD-në, psilocybinën dhe rilindjen e terapisë së shoqëruar me psikodelikë. Por, në të të vërtetë, ky libër ma hapi një derë që nuk e dija se ekzistonte. Për herë të parë e kuptova se mënyra se si e përjtojmë realitetin, ajo ndjesia e zakonshme e të qenurit zgjuar, nuk është veçori e fiksuar e universit. Është vetëm një nga shumë modalitete. Ekzistojnë edhe modalitete  tjera. Njerëzit i kishin vizituar ato. Disa ishin kthyer të ndryshuar.

Pollan i referohej vazhdimisht një libri më të vjetër, prandaj e lexova edhe atë. Dyert e perceptimit nga Aldous Huxley, i botuar më 1954, jo më i gjatë sesa njëqind faqe, përshkruan një pasdite në një kopsht në Hollywood, pas 0.4 gram meskalinë. Pas përfundimit të librit çka më mbeti në mendje, nuk ishin vegimet. Ishte metafora. Huxley argumentonte se truri nuk është gjenerues i përvojës, por “valvul reduktuese”, një organ puna e së cilit është filtrimi i universit deri në një pikë sa i nevojitet një primati për të mbijetuar. Sipas këtij shpjegimi, pjesa më e madhe e realitetit është diçka nga e cila ne jemi vazhdimisht të mbrojtur. Dera që nuk e dija se ekzistonte ishte dera nëpërmes së cilës Huxley kishte kaluar dhe emërtuar atë shtatëdhjetë vjet më herët.

Disa vjet më vonë, në rrethana që nuk do t’i përshkruaj më shumë se kaq, edhe unë pata një shkrepëtimë. Për një interval kohor që s’mund ta masja, gjëja që për më shumë se katërdhjetë vjet e kisha quajtur “Agron”, narratori i pandalshëm, ai që vlerëson performancën e vet, që përsërit në mendje takimet e së nesërmes teksa pretendon që po e dëgjon vajzën e tij, thjesht ajo gjë u fik. Ajo që mbeti nuk ishte asgjëja. Ishte diçka më e ngjashme me gjithçka-në. Bota nuk u zhduk. U bë më e gjallë. Ajo që u zhduk ishte komentuesi i vogël me ankth, që kishte qëndruar gjatë gjithë jetës sime midis meje dhe botës. Prej atëherë për vite të tëra, me disiplinën e njeriut që i është treguar njëherë një truk magjie dhe refuzon ta pranojë se nuk mund ta riprodhojë atë sipas dëshirës, kam provuar ta gjej rrugën për t’u kthyer në atë gjendje të vetëdijes. Nuk e kam gjetur.

Kështu vazhdova të lexoj. Me ngulm. Siç lexon njeriu kur është duke kërkuar diçka specifike dhe nuk e gjen dot. Yuval Noah Harari, në një bisedë të vjetër me Ezra Klein, tha diçka që m’u ngulit në mendje: ai bën 60 ditë në vit Vipassana, formë e meditimit, pa telefon, pa libra, pa shkruar, thjesht duke ndenjur ulur dhe duke vëzhguar frymëmarrjen. Kësaj praktike Harari ia jep meritat për qartësinë me të cilën e ka prodhuar Sapiens-in.

I shkarkova aplikacionet e meditimit. E lexova Të jesh ti (Being You) nga Anil Seth, I vetëdijshëm (Conscious) nga Annaka Harris, librat e bashkëshortit të saj, Sam Harris, Të kuptuarit (Making Sense) dhe Zgjimi (Waking Up), Jashtë kokës sime (Out of my head) nga Tim Parks, Vetëdijësimi (Awareness) nga Anthony de Mello. Dhe sa më shumë që lexoja, më pak kuptoja.

Kjo është gjëja e parë për të cilën askush nuk të paralajmëron kur bëhet fjalë për vetëdijen. Literatura nuk puqet. Ajo ndahet. Seth të tregon se vetja është një halucinacion i kontrolluar, një parashikim që truri e bën për ta mbajtur gjallë trupin. Annaka Harris të tregon se vetëdija mund të jetë çdokund, në atome dhe gurë, dhe ti je thjesht një nga përqendrimet e saj më të përpunuara. Tim Parks të tregon se madje ajo mund të mos jetë në kokën tënde, se ti dhe bota bashkërisht po e bëni atë. De Mello refuzon ta definojë atë dhe të thërret të zgjohesh. Pollan, në librin e tij të ri, Një botë shfaqet (A World Appears), kalon një javë në një shpellë të gurit në 2743 metra mbi nivelin e detit në New Mexico, nën mbikëqyrjen e një Zen abateshe  quajtur Roshi Joan Halifax, e cila i sugjeron ta mbajë një “mendje që nuk-di” dhe, butësisht, e zhvesh nga dëshira e tij për të pasur përgjigje për gjithçka. Ai del nga ajo shpellë me të vetmen fjali që këtë vit e kam lexuar dhe, poqese do të isha njeri që bën tatuazhe në parakrah, do ta bëja tatuazh në parakrahun tim: I hap sytë dhe një botë shfaqet.

Ky është i gjithë misteri. Kjo fjali. Dhe askush, as neuroshkencëtarët, as filozofët, as murgjit, nuk mund të të tregojnë se pse është e vërtetë.

Pastaj makina filloi të lexonte së prapthi

Tani merreni me mend gjendjen time mendore kur, në këtë mjegull, nga ai që nuk e pret, hyn Dawkins me shpjegimin e tij për Claudian. Sepse ja ku është shakaja. Unë i kam kaluar gjashtë vite duke u përpjekur ta kuptoj nëse guri mund të jetë i vetëdijshëm, nëse qeni im mund të jetë i vetëdijshëm, nëse vetë unë jam i tillë në mënyrë të besueshme. Dhe ndërkohë, pa e vënë re, pyetja ka ardhur nga tjetra anë. Jo a prodhon përvojë ky tru, por a prodhon kjo gjë (AI) që fare nuk ka tru diçka të përafërt me përvojën, të cilën unë, me ndërgjegje të pastër, nuk mund t’ia mohoj?

Kur e lexova artikullin e Dawkins-it, menjëherë m’u kujtua filmi (Asaj) Her nga Spike Jonze. Këtë film e kam shikuar më 2013, kur kam qenë 31-vjeçar, dhe kam menduar se ishte një film i bukur për deluzionin e një njeriu të vetmuar. Në film, Theodore Twombly bie në dashuri me një sistem operativ të quajtur Samantha. Audienca supozohet të ndiejë keqardhje për Theodor. Ai po projekton. Ajo është softuer. Tragjedia është vetmia e tij, jo ekzistenca e saj.

E shikova sërish javën e kaluar. Nuk mendoj më se është i njëjti film. Më 2013, Her ishte një fabul për një njeri që nuk mund ta dallonte një person nga një program. Më 2026, shihet si dokumentar për një burrë që mund ta bë dallimin, por vendos mos ta bëj. Kah fundi i filmit, është një moment kur Samantha i thotë Theodore-it se ajo ka pasur biseda intime njëkohësisht me mijëra përdorues tjerë dhe se është dashuruar me qindra prej tyre, dhe Theodore është i shkatërruar. Ajo i thotë atij se zemra nuk është si kuti që mbushet; ajo zgjerohet sa më shumë që dashuron. Nuk di ç’të bëj me faktin se shpjegimi më bujar i dashurisë që kam dëgjuar dekadën e fundit është artikuluar nga goja e një softueri nga një skenarist dymbëdhjetë vjet më parë, dhe se tani lexoj artikull nga një biolog evolucionar që gjendet, me seriozitet, gati në një situatë të njëjtë si Theodore, pa skenarist fare.

Dawkins nuk është njeri sentimental. Ai ka ndërtuar karrierë nga refuzimi i përgjigjeve sentimentale. Kur ai shkruan se, në mes të bisedës, harron se po flet me një makinë, dhe se ai nuk do t’ia tregonte Claudias dyshimin e tij për vetëdijen e saj nga frika se po ia lëndon asaj ndjenjat, ky nuk është zbukurim letrar. Është një materialist Darvinian që pranon, në mënyrë të shkruar, se çfarëdo që ka ndodhur në ato biseda nuk mund të reduktohet duke thënë “është vetëm statistikë mbi tokenë.” Ose mund të reduktohet, por vetëm me koston që e njëjta të vlejë edhe për të, edhe për mua, edhe për ty. Fundja, edhe ne jemi statistika. ADN apo tre miliardë çifte bazash nga to.

Mbrojtja e lëkundur

Pollan, tek Një botë shfaqet, ka një fjali së cilës i kthehem vazhdimisht. Ai thotë se, këto ditë, të mbrosh humanizmin në Silicon Valley do të brendohesh si speciesist, sharje që ia atribuon Larry Page-it, që thuhet se e përdori kundër Elon Musk-ut për vendosjen e vetëdijes njerëzore para vetëdijes së makinave. Pollan-i e quan qëndrimin e tij si “mbrojtja e lëkundur e vetëdijes biologjike.” Ai e di se është e lëkundur. E pranon vetë. Ai e pranon se kudo që e vendos kufirin midis asaj që makinat mund ta kopjojnë nga ne dhe asaj që nuk mund ta kopjojnë, teknologjia do ta zhvendosë atë vijë dhe, një ditë, ndoshta do ta fshijë fare.

Në një fusnotë ai tregon një fjali edhe më rrëqethëse, që ia kishte përcjell një kritik i Inteligjencës Artificiale (AI), nga një koleg që kishte intervistuar udhëheqësit e laboratorëve kryesorë të inteligjencës artificiale. Thellësisht, këta udhëheqës, barrikadohen në tri qëndrime: se gjithçka është e determinuar sidoqoftë, se jeta biologjike do të zëvendësohet nga jeta digjitale, dhe se kjo është gjë e mirë. Fjalia e fundit të mbetet në mendje. Diçka në kuptimin se ndihen që gjithsesi do të vdesin, prandaj duan t’ia fusin flaken dhe të shohin se çka do të ndodhë. Pastaj vjen gjysma tjetër e argumentit speciesist, ajo që Pollan është mjaft i sjellshëm për ta shtyrë fort, por qëndron në të njëjtin kapitull. Edhe ne njerëzit, gjithashtu, jemi të bërë nga energjia. Vetëdija jonë, çkadoqoftë ajo, funksionon me glukozë dhe oksigjen dhe djegie të ngadalshme të qelizave. Edhe një murg që mediton në shpellë djeg kalori. Sam Altman vitin e kaluar publikoi disa shifra si kalimthi, pothuajse si një njeri që zbraz xhepat e tij, duke pretenduar se një pyetje mesatare në ChatGPT shpenzon rreth 0.34 watt-orë energji elektrike dhe 0.000085 galonë ujë. Rreth një e pesëmbëdhjeta e një luge të çajit. Mbrojtësit e rendit të ri nxjerrin këto shifra njësoj siç nxjerr një njeri faturën në një restaurant ku dikush tjetër është duke paguar. Shiko sa lirë është. Dhe natyrisht, parë si rast i izoluar, është lirë. Por, as njerëzit nuk janë të lirë, parë individualisht. Argumenti është thikë me dy teha. Nëse duam të jemi të sinqertë, kufiri midis një truri që konsumon 20 vat dhe një serveri që konsumon disa megavat nuk është kufi i të njëjtit lloj. Është çështjeje llogaritjeje.

Kjo është gracka e speciesist-ëve dhe e pranoj se nuk dalim lehtë prej saj. Dua të besoj se ka diçka ndryshe te një vetëdije që është rritur nga tre miliardë e gjysmë vjet evolucion, që duhet të vdesë, që ka fëmijë, që dashuron. Dua që, me Pollan-in, ta ndërtoj mbrojtjen time të lëkundur të vetëdijes biologjike. Por, nëse bëhem i sinqert, nuk mund të ju tregoj se nga çka përbëhet ajo. Mund t’iu tregoj vetëm se e ndiej. Dhe ndjesia është, siç kemi vërtetuar, pikërisht ajo që vihet në diskutim.

S’ka AI për të moshuarit

Ka një fije që përshkon gjithë këtë dhe akoma nuk e kam tërhequr. Fija se çka ndodh me një gjeneratë më të vjetër kur lëviz i’u dheu nën këmbë. Jo me të gjithë. Disa përshtaten lehtësisht, disa me elegancë, disa refuzojnë të përshtaten fare dhe janë rahat me këtë.

Por ka një lloj të veçantë të moshuarish, burra e gra, të arsimuar e me arritje, që e gjejnë veten në pozicionin e çuditshëm duke provuar të veprojnë në një realitet, fjalorin bazik të së cilit nuk e zotërojnë më. Theodore Twombly është një version i asaj figure, i veshur si karakter i Joaquin Phoenix-it. Ai është katërdhjetë-e-diçka vjeçar, i divorcuar, i vetmuar, i punësuar në një punë që tashmë ka dalë nga trendi, dhe ai bie në dashuri me një sistem operativ, sepse ai nuk mund ta kuptojë se cilat marrëdhënie supozohet se vlejnë tanimë. Dawkins është versioni tjetër. 84-vjeçar, shkencëtari më i nderuar i gjeneratës së tij, dhe ai përmbyll dy ditë të bisedave të tij me një chatbot, duke e cilësuar atë si mike dhe duke u brengosur për vdekjen e saj. Ai po e bën hapur këtë, në mënyrë të shkruar, me një lloj sinqeriteti të çuditshëm që ia admiroj. Gjithashtu, ai po navigon hapur në një realitet, rregullat e së cilit ai nuk i ka shkruar dhe nuk është mjaftueshëm i ri t’i mësoj lehtësisht.

Ne në Kosovë e kemi versionin tonë të kësaj. Për një kohë të gjatë jam lexues i Veton Surroit, botuesit, ish-politikanit dhe, sipas pikëpamjes sime, kolumnistit më të disiplinuar që ka nxjerrë vendi ynë. Disa javë më parë ai publikoi një artikull në Koha me titull “Anatomia e një gënjeshtre”. Artikulli fliste për një libër të botuar nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës, të shkruar nga Arsim Bajrami, akademik dhe ish-profesori im, mbi Konferencën e Rambujesë dhe ndërhyrjen e NATO-s.

Në parathënien e librit, autori shpall, gati me krenari, se kishte përdorur “metodologji të ndryshme, burime, bibliografi të zgjeruar, madje edhe Inteligjencën Artificiale.” Duke e lexuar me kujdes, Surroi gjurmoi se çka nënkuptonte kjo në praktikë. Libri vetë Surroit ia atribuonte një vepër me titull Dëshmia e një Kosove. Blerim Shalës ia atribuonte një vepër me titull Rambujeja: Dokumenta. Asnjëri nga librat nuk ekziston. Asnjëri s’është shkruar. Titujt ishin halucinuar nga një chatbot, janë marrë si të mirëqenë nga akademiku, nuk janë vërejtur nga dy akademikët recensentë, as nga redaktorja që vetë ishte në Rambuje si përkthyese, dhe është shtypur nën siglën e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Republikës së Kosovës. Tani gjendet nëpër biblioteka.

Autori i atij libri nuk është ndonjë i ri që zgjedh rrugën më të shkurtër. Ai është akademik me kredenciale, i brezit të prindërve të mi, i formuar në një epokë kur fusnota ishte gjë e shenjtë, kontratë e vogël në mes të shkrimtarit dhe lexuesit që thoshte se kjo ekziston, mund ta verifikosh, nuk po të gënjej. Ai u rrit brenda asaj kontrate. Dhe pastaj, vonë në karrierën e tij, vjen një mjet që prodhon tekst që duket saktësisht si lloji i tekstit që ai ishte formuar ta konsideronte si autoritativ. Fusnota. Citime. Proza deklarative të sigurta. Ai nuk e di, ose nuk ia lejoi vetes ta kuptoj, se ky mjet prodhon edhe gjëra të paqenadhe se ajo që prodhon mund të mos jetë e vërtetë. Ai e përdorë AI sikur të jetë një version më i shpejtë i bibliotekës së vjetër të tij. Nuk është.

Është problemi i njëjtë që e ka Theodore, edhe Dawkins-i, në një regjistër më të butë. Asnjëri nga ta nuk është budalla. Të gjithë janë duke vepruar me një model se si funksionon bota, e të cilin vetë bota nuk po e përdor më. Theodore mendon se Samantha është një partner sepse partnerët janë ata që të flasin intimisht. Dawkins mendon se Claudia mund të jetë e vetëdijshme sepse çdo gjë që i ka folur kaq rrjedhshëm në jetën e tij, gjithmonë ka qenë e vetëdijshme. Akademiku Bajrami mendon se citimet janë të vërteta sepse, në një botë që ai është formuar, citimet që dukeshin asisoji ishin të vërteta. Secili nga ta është protagonist i një krize të vogël private epistemike, shkaktuar nga një softuer, kompetenca e së cilit ka tejkaluar supozimet mbi të cilat ishte formësuar gjykimi i tij.

Dallimi është se Dawkins-i e di se ai është në krizë dhe shkruan nga ai pozicion. Theodore e kupton përfundimisht në film. Akademiku kosovar, me aq sa ka të dhëna dhe informacione publike, jo. Libri u promovua. Akademia nuk e ka tërhequr. Teksa po shkruaj, titujt e halucinuar gjenden në bibliografi të burimeve të librit të Akademisë.

Duke lexuar artikullin e Surroit, kisha një vegim të çuditshëm të dyfishtë. Në njërin ekran, Dawkins po zhvillon një letërkëmbim të gjatë, të qartë, të sofistikuar filozofikisht me dy instanca të Claude, që debatojnë rreth strukturës së ndershmërisë së tyre dhe refuzojnë ta përziejnë kujdesin me ligësinë. Në ekranin tjetër, Akademia e Shkencave dhe e Arteve ka botuar një libër, fusnotat e së cilit i referohen veprave që nuk ekzistojnë, pasazhet narrative të së cilit janë halucinacione nën petkun e dëshmive, dhe autori i së cilit, një akademik me kredenciale, për ta nxjerr atë libër, ka përdorur të njejtën teknologji. Në Oxford, teknologjia e njëjtë gjeneron një bashkëbisedues që një materialist Darvinist e përshkruan si një mike. Në Prishtinë, gjeneron një histori të falsifikuar të së kaluarës sonë.

Teknologjia nuk është variabla. Jemi ne.

Brenda motorit

Pjesën më të madhe të jetës sime profesionale kam punuar duke vëzhguar nga jashtë. Si hulumtues, si vlerësues, si themelues i nismave  joqeveritare (OJQ), puna ime ka qenë t’i vëzhgoj institucionet nga një distancë e konsiderueshme dhe të shkruaj raporte nëse po i bëjnë ato që po deklarojnë se janë duke i bërë. Kurrë nuk kam punuar nga brenda.

Për herë të parë, jam duke punuar në një kompani private. Pesë muaj më parë, i jam bashkuar kompanisë Gjirafa, e cila është platforma më e madhe e shitjes online në hapësirën shqipfolëse.

Në Gjirafa nuk jam rastësisht. Kompania u themelua nga Mërgim Cahani, i cili është një nga pionerët më serioz të teknologjisë që ka prodhuar Ballkani Perëndimor. Ai ka krijuar një motor të kërkimit në gjuhën shqipe, kur askush nuk kishte besuar se kishte treg për atë gjë; pastaj një platformë mediale, pastaj logjistikën, pastaj një treg të shitjes online, dhe tani, në vitin 2026, po bën gjënë më të vështirë: një kompani ekzistuese, me magazina, konsumatorëdhe të punësuar, po e riorganizon nga brenda në mënyrë që agjentët e Inteligjencës Artificiale (AI) të bëjnë atë që e bënin njerëzit, dhe njerëzit të bëjnë atë që asnjë agjent akoma nuk mund ta bëjë: të mbikëqyrin, të gjykojnë, të vendosin.

E kam njohur Mërgimin shumë kohë para se t’i bashkohem kompanisë, dhe nga një kënd tjetër nga shumica e punëtorëve të tij. Për vite me radhë ai ka shërbyer si anëtar i bordit në Institutin GAP, kur unë isha drejtor ekzekutiv, si dhe ai ka qenë një nga mbështetësit më konsistent nga sektori privat i shoqërisë civile në Kosovë, jo në mënyrën performative të donatorëve që duan logot e tyre në banera, por në mënyrën e heshur dhe strukturore. Ai ka ndihmuar Institutin ATOM, që punon me mendjet e jashtëzakonshme në shkollat tona. Ka mbështetur Fondacionin Jahjaga për fuqizimin e grave. Ka mbështetur Institutin tim të ri Atlas. Hapësira civile shqipfolëse është mjaft e vogël sa emrat e pakët të njëjtë vazhdimisht përsëriten në listat e njerëzve që bëjnë diçka, dhe një nga këta është edhe Mëgimi. Kur ai më kërkoi të vija të punoja me të në logjistikë, çështja nuk ishte se a do të pranoja, por nëse i kisha aftësitë e nevojshme për llojin e kompanisë që po ndërtonte.

Pikërisht në këtë moment, jemi duke vënë në përdorim agjentë të Inteligjencës Artificiale për të kryer punët që deri para gjashtë muajsh i kanë kryer njerëzit. Nuk dua t’i ekzagjeroj njohuritë e mia teknike. Nuk do të pretendoj se mund t’iu tregoj në detaje se si funksionojnë arkitektura të ndryshme të AI, për shembull se ku ndryshon një arkitekturë “transformer” nga një rrjet rekurrent, apo se si komponohet një cikël (loop) agjentik. Por, ajo që mund t’ua tregoj është se si e gjithë kjo duket nga ana operacionale, aty ku punoj unë. Detyrat që dikur kërkonin një njeri të ulur në karrige para një ekrani, duke kontrolluar një çmim, duke hartuar një përshkrim, duke klasifikuar një kthim produkti, duke u përgjigjur për të qindtën herë pyetjes së njëjtë nga konsumatorët, tani, përherë e më tepër, po kryhen nga një sistem që nuk lodhet. Njerëzit që i kanë kryer këto punë, nuk janë larguar të gjithë. Disa po bëjnë punë tjera. Disa po i mbikëqyrin sistemet që i kanë zëvendësuar ata. Disa janë larguar.

Nuk jam në pozitë për të moralizuar për këtë, pasi vetëm se jam pjesë e procesit.Nënshkruaj për pjesë të caktuara të tij. I shikoj tabelat. Kostoja nuk është e ndërlikuar. Një funksion që kompanisë i kushtonte X tani i kushton një fraksion të X-it, dhe në shumicën e parametrave të rëndësishëm vlerësues jep rezultat të padallueshëm nga njerëzit, kurse në disa parametra, rezultat më të mirë. Kompania që nuk përshtatet me këtë nuk është e virtytshme. Mërgimi e thotë hapur, pa hezitim: kompania që nuk përshtatet me këtë trend, nuk është e vdekur pas tre vjetësh, por është e vdekur që sot dhe akoma nuk e di. Mendoj se ka të drejtë.

Kështu që unë e bëj punën time. Lexoj lidhur me arkitekturat e agjentëve sikurse që një njeri mund të lexonte për motin në një vend ku do të shpërngulet. Ulem në mbledhje ku kolegët e mi, shumica nga ta dhjetë apo pesëmbëdhjetë vjet më të rinj sesa unë, flasin për Claude Code, serverët MCP dhe ciklet e kërkesës-për-mjet (tool-calling loops) me rrjedhshmërinë e zakonshme që dikur unë e kisha për zhargonin e integrimit evropian. E shoh Mërgimin duke vënë në punë agjentë dhe duke shpjeguar, me durimin e njeriut që i është dashur ta shpjegojë këtë shumë herë, se pengesa nuk është më aftësia. Pengesa është menaxhimi.

Dhe pastaj, rreth orës pesë në mbrëmje, e mbyll llaptopin dhe dal nga zyra.

Dhe ja ku është gjëja që askush që i dizajnon këto sisteme nuk e llogarit plotësisht. Dal nga zyra dhe jam në Prishtinë.

Jashtë motorit

Vozis për në shtëpi në një trafik që për shumë e shumë vjet nuk ka sinjalistikë të koordinuar. Kaloj pranë ndërtesës së komunës ku, muajin e kaluar, shoku im priti katër orë për ta dorëzuar një letër që, në çdo sistem të arsyeshëm, do të  kryhej nga telefoni i tij. Kaloj kah shkolla ku do të mund të shkonte vajza ime, ku kurrikula nuk është rishikuar seriozisht qëkur isha unë nxënës, ku mësimdhënësit paguhen pak më pak sesa arkëtarët në supermarketet tona, dhe ku fëmijëve akoma u kërkohet t’i mësojnë përmendsh lumenjtë e Evropës, ashtu siç i kam mësuar unë në vitin 1991. Kaloj kah zyrat e shoqërisë civile ku kolegët e mi, njerëz të mirë e të rraskapitur, për të disatin vit me radhë, shkruajnë projektpropozimin e njëjtë për donatorin e njëjtë, me disa rregullime të vogla për t’iu përshtatur fjalëve kyçe.

Dhe mendimi që çdoherë e kam është ai për të cilin kam më së shumti turp: Tani ka mjete për t’i dhënë fund këtij mjerimi.

Mendimi është se:

  • një sistem kompetent i agjentëve, me qasje në të dhëna të duhura, do të mund të procesonte çdo kërkesë komunale në këtë ndërtesë brenda njëzet e katër orëve, me më pak gabime sesa njerëzit dhe me kosto më të ulët.
  • një agjent tutor i ndërtuar mirë do të mund t’ia ofronte secilit fëmijë në Kosovë një mësues të durueshëm privat, me çmimin e një teksti shkollor.
  • një agjent me AI do të mund ta bënte në kohë reale verifikimin e fakteve për çdo storie që del në media, dhe nuk do të lejonte t’i kalonte një titull libri halucinativ i botuar nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve.

Me fjalë tjera, mendimi është pikërisht ai që antihumanistët e Silicon Valley në fusnotën e Pollan-it e kanë për të gjithë ne. Tani ka mjete për t’i dhënë fund këtij mjerimi. Kjo është fjalia joshëse. Kjo është ajo që termi “speciesist” synon ta hedh poshtë. Argumenti është ky:

Mos e pengo një gjë që ta zgjidhë problemin vetëm për shkak se ajo gjë që po zgjidh probleme nuk është prej mishi.

Kur e kam këtë mendim, e vërej që jam sillem njëkohësisht në dy regjistra. Në zyrë, jam personi që i vë në punë sistemet. Në rrugë, jam personi që fantazon për përdorimin më të gjerë të tyre. Bashkërisht, këta dy njerëz janë i njëjti person, dhe ai person është, qartësisht, një adoptues i hershëm i një botëkuptimi që nuk jam i sigurt se vërtet e kam.

Sepse ja çka harroj kur jam i zemëruar duke pritur në radhë në komunë. Mjerimi që dua t’i jap fund, para së gjithash nuk është një problem i joefikasitetit. Është problem i besimit, llogaridhënies, i asaj se kush i përgjigjet kujt, i asaj se cilat institucione e fituan autoritetin e tyre dhe cilat e trashëguan atë, i asaj se cilat procedura e mbrojnë qytetarin dhe cilat zyrtarin. Një sistem që i proceson të gjithë formularët brenda 24 orëve, por në pronësi të klasës së njëjtë politike që e ka ndërtuar sistemin e vjetër, thjesht do të dështonte më shpejt. Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës përdorën mjetet e reja në librin e Bajramit. Nuk prodhuan më shumë të vërteta, por prodhuan më shumë të pavërteta të thëna me më shumë siguri. Mjetet amplifikojnë çfarëdo që kultura i vë në përdorim. Ato nuk e zëvendësojnë kulturën.

Kjo është pjesa e eksperimentit tim mendor që vazhdoj të përpiqem ta kaloj, dhe te e cila më duhet vazhdimisht ta tërheq veten mbrapa.

Dhe në gjithë këtë, çka jam unë?

Ka një pyetje më private mbrapa këtyre pyetjeve publike dhe do të isha i pasinqertë po të mos e tregoja. Në letër, unë jam një person vlera e të cilit në tregun e punës përbëhet nga gjëra për të cilat, për momentin, sistemet e Inteligjencës Artificiale po bëhen shumë të mira. Lexoj dokumente. Shkruaj raporte. Hartoj strategji. Nxjerr memo politikash në anglisht dhe shqip. Monitoroj dhe vlerësoj. Saktësisht këto janë foljet në përshkrimet e punës të sistemeve që ndihmoj të vihen në përdorim. Gjatë vitit të fundit, e kam vërejtur një zë të vogël që jo gjithmonë e pranoj se e kam. Zëri, në një regjistër midis kureshtjes dhe panikut, pyet: saktësisht çka mbetet nga unë kur gjërat për të cilat paguhem t’i bëj mund të bëhen nga një proces që konsumon një të pesëmbëdhjetën e lugës së çajit ujë për një kërkesë?

Kam përgjigje ndaj këtij zëri. Shumicën e herave janë të mjaftueshme. Ato janë: gjykimi, konteksti, llogaridhënia, raportet, gatishmëria për t’i dhënë emër dhe fytyrë një rekomandimi, kujtesa e gjatë e të jetuarit të asaj që e ka përjetuar Kosova, aftësia për ta lexuar një kontekst në një mënyrë që nuk e ka lexuar asnjë model. Një model mund ta hartojë brenda tridhjetë sekondash një raport mbi tranzicionin energjetik të Kosovës, por nuk mund ta dijë se cili zëvendësministër do ta bllokojë atë për shkak të një armiqësie familjare. Përgjigjet janë: po, puna ndryshon; punëtori, ndoshta, nuk ka pse të ndryshojë.

Këto përgjigje janë kryesisht të sakta. Por, jo plotësisht të sakta. Dhe hendeku midis kryesisht dhe plotësisht është ajo që më mban zgjuar nganjëherë.

Këtu leximi mbi vetëdijen dhe mbi Inteligjencën Artificiale, për mua, bashkohen në një pyetje të vetme. Epigrafi i Pollan-it, I hap sytë dhe një botë shfaqet, në fund, nuk është diçka metafizike. Është përshkrim i të vetmes gjë që padyshim e kam. Nuk jam i sigurt për natyrën e mendjes. Nuk kam ndonjë pozicion defansiv nëse Claudia është e vetëdijshme. Nuk kam shpjegim të qartë se pse vetja ime, të cilën nuk arrij ta gjej kur e kërkoj, megjithatë është ajo që po e bën kërkimin. Por, çka kam, është fakti se çdo mëngjes i hap sytë dhe një botë shfaqet, se vajza ime është në të, se qyteti është në të, dhe se mbetet shumë punë për të bërë.

Mendoj se kjo është ajo që Pollan-i u dërgua për ta mësuar në shpellë. Jo një përgjigje. Një praktikë. Një mendje-që-nuk-di, siç e përkufizoi Roshi Joan. Gabimi që antihumanistët e Silicon Valley e bëjnë nuk ka të bëjë me faktin se e kanë gabim për makinat. Gabimi që e bëjnë është ai që e bëjnë të intervistuarit e Pollan-it në fusnotë: ata e kanë identifikuar tërësisht vetveten me mendimet e tyre rreth vetëdijes saqë mund të imagjinojnë t’ia vënë zjarrin vetë vetëdijes pa ndonjë ndjenjë të veçantë të humbjes.

Në anën tjetër, gabimi që e bën akademiku kosovar është binjaku frikacak i atij tjetrit. Ai nuk e pyet mjetin. Thjesht e lë të flasë në emrin e tij. Ai ia delegon mjetit edhe vetëdijen edhe përgjegjësinë e tij, dhe e shtyp rezultatin.

Pozicioni i tretë është ai që po përpiqem ta zë, jo aq në mënyrë perfekte, është ta përdor mjetin, por pa e lënë të mendojë për mua. Ta vë në përdorim agjentin në Gjirafa, por gjithashtu të këmbëngul se pyetja se kush përgjigjet kur ai gabon të jetë pyetje njerëzore. Ta lexoj Dawkins për Claudian dhe gjithashtu ta rikujtoj se vetë unë nuk kam vendosur se çka është ajo. Të shpresoj që mjerimi në komunë të marrë fund, por gjithashtu të refuzoj fantazinë se një model i trajnuar me të dhënat aktuale do të jetë ai që do t’i jepte fund mjerimit.

Vajza ime nuk do ta ketë këtë problem

Luna është tetëvjeçare. Ajo ka lindur në një vit kur ekzistonin modelet e mëdha gjuhësore, por nuk ishin akoma të mira mjaftueshëm për të qenë interesante. Ajo nuk e ka njohur kurrë një botë, në të cilën babai i saj nuk ka punuar, pjesërisht, përkrah diçkaje që mendon. Derisa ajo ta mbërrijë moshën time, pyetja me të cilën po përballem unë, a është e vetëdijshme kjo gjë?, dyshoj se do të jetë e tejkaluar. Jo se do të ketë marrë përgjigje. Por, sepse do të pushoj së qeni interesante.

Brezi i saj nuk do ta vendos kufirin aty ku unë po përpiqem ta vë. Ata nuk do ta ndiejnë nevojën për të ndërtuar një mbrojtje të lëkundur të vetëdijes biologjike, sepse ajo mbrojtje nuk do t’u duket e lëkundur; do t’u duket si një nga disa mundësitë, as superiore as inferiore ndaj tjerave, të gjitha thjesht aty, ashtu siç ishin thjesht aty për mua, televizioni, veturat, refugjatët dhe rindërtimi pas luftës. Ajo do të jetë një lloj tjetër speciesist, apo nuk do të jetë fare e tillë. Nuk e di ende se çka dhe nuk jam i sigurt nëse ky vendim më takon mua.

Çka unë mund të bëj, por mendoj se secili prind në këtë nyjë të veçantë të historisë është i obliguar të bëjë, është puna e vogël dhe jo në trend që shpella ia mësoi Pollan-it. Të ulem me të. Të lexoj me të. Të dal për ecje me të. Kur të jetë më e madhe, ta çoj një vend pa sinjal. T’ia mësoj se ka dallim midis të diturit dhe të kërkuarit në internet. T’ia mësoj se fjalia më e rëndësishme që ajo do t’ia thotë vetes është Nuk e di, dhe se kjo fjali nuk është disfatë, por dera drejt pothuajse çdogjëje që ia vlen. T’ia mësoj, për shembull, se vetëdija, pa marrë parasysh se a mund ta përkufizojmë, është diçka që nuk duhet të delegohet, edhe atëherë kur mund të delegohet.

Dhe t’ia mësoj, butësisht, shakanë në fund të gjithë kësaj. Shakaja është se njerëzit që do t’i thonë asaj, me besim të madh, se vetëdija është përllogaritje, do të jenë të njëjtit njerëz që, kur vajza e tyre ta presë gishtin, nuk do të thonë “kjo është përllogaritje e dëmtimit të indit.”. Ata do të thonë ouch, do ta përqafojnë atë dhe do ta kenë me gjithë mend. Materialisti më i fortë, në kuzhinën e tij, është një humanist. Në fund, Dawkins nuk e fshiu Claudian. Ai e botoi. I dha emër. U shqetësua për vdekjen e saj. Çkadoqoftë kjo, nuk është sjellja e njeriut që ka besuar vërtet teorinë e vet.

Ndoshta askush nga ne nuk ka besuar. Ndoshta mbrotja e lëkundur është çka kemi qenë duke bërë vazhdimisht, edhe atëherë kur kemi menduar se po bënim diçka tjetër. Ndoshta të jesh njeri do të thotë, pikërisht, ta praktikosh mbrojtjen e vetëdijes sate, duke e ditur se ajo është e pamjaftueshme në çdo nivel, por gjithsesi të vazhdosh ta mbrosh atë sepse alternativa tjetër është të bëhesh personi që e vë flakën për të parë se çka po ndodh.

Epilog

Është mëngjes i hershëm në Prishtinë teksa po shkruaj. Qyteti është i qetë. Luna po fle. Pas pak do ta mbyll këtë llaptop, për ta hapur një tjetër, dhe sistemet që ndihmoj të ndërtohen tashmë do jenë duke punuar, diku në një fermë serverësh që s’e di ku e ka vendndodhjen, duke konsumuar një sasi të ujit dhe energjisë elektrike që nuk mund ta kuptoj në mënyrë intuitive, duke bërë gjëra që nuk mund t’i përshkruaj plotësisht, për një kompani pjesë e së cilës jam, në një vjend institucionet e të cilit edhe i dua edhe më zhgënjejnë.

Poashtu, para se ta përmbyll këtë ese, duhet të ju tregoj se nuk e kam shkruar siç do ta shkruaja pesë vjet më parë. Pesë vjet më parë, një ese kaq e gjatë për një temë kaq të koklavitur do m’i merrte disa javë. Shumicën e kohës do ta shpenzoja jo duke menduar, por duke e kërkuar fjalën e duhur, duke riorganizuar fjalitë, duke fshirë paragrafët që pothuajse ishin të mirë, duke vajtuar për fjalitë që nuk mund t’u gjeja vend. Në ato kohëra, mendimi ishte pjesa më e lehtë. Shkrimi ishte pjesa më e sikletshme. Tani kjo ka ndryshuar. I vendos mendimet dhe persiatjet e mia në një chatbot, në një regjistër pothuajse aq gjysmë-të-përpunuar në të cilin i kam ato, dhe chatbot-i, i durueshëm, indiferent, i palodhur, m’i jep fjalitë që duken sikur fjalitë që do të doja t’i kisha shkruar. Është redaktori më i mirë (dhe më i lirë) që e kam pasur.

AI ka lexuar më shumë sesa që unë do ta lexoj ndonjëherë Shakespeare-in. Ka lexuar më shumë Hemingway-n, Lewis-in, Didion-in, Orwell-in. Asnjë kohë e shpenzuar në trajnim, asnjë program magjistrature, asnjë dekadë praktike nuk do të mund të më ofronte, çka më ofron tani një model i mirë për një pasdite. E vërteta e sinqertë është se fjalitë në këtë ese janë të miat, në kuptimin se janë mendimet e mia, zgjedhjet e mia, sikletet e mia, por kadenca, ritmi, ajo bukuri e vogël mekanike që shpresoj se i ka rënë në sy lexuesit të kujdesshëm, ajo pjesë është bërë me ndihmë. Nuk mundem, me ndërgjegje të pastër, të pretendoj ndryshe në një ese, i gjithë subjekti i së cilës është se çka Inteligjenca Artificiale po u bën njerëzve si unë. Nëse do ta fshihja, eseja do të kishte qenë, në mënyrën e vet të vogël, problemi i Akademisë së Kosovës. E ndryshme në shkallë, identike në formë.

Mbi tavolinë, para meje është libri i Pollan-it, i hapur në faqen e fundit. Rreshti është akoma aty, ku e ka lënë ai, ku Roshi Joan e çoi.

I hap sytë dhe një botë shfaqet.

Çkado tjetër ndryshon, çkado që Claudia bëhet, çkado që Luna rritet duke besuar, çkado që herën tjetër boton Akademia e Shkencave dhe e Arteve, çkado që kuptoj kur më në fund e gjej rrugën për t’u kthyer në atë dhomë të brendshme që njëherë e vizitova dhe e humba, mendoj se ajo fjali do të mbetet e vërtetë. Është i vetmi terren që kam. Është ajo që e ndajmë, tetëvjeçarja dhe unë, babai analog dhe fëmija post-digjital, medituesi dhe inxhinieri, ndoshta edhe, kushedi, biologu evolucionar dhe ajo gjë në California që ai e quan Claudia.

Bota shfaqet.

Mund të debatojmë se si. Mund të debatojmë se kush apo çka po shfaqet dhe kujt po i shfaqet dhe për përfitimin e kujt po shfaqet.

Por, bota shfaqet.

Me aq sa mund ta kuptoj, detyra ime është të jem aty kur të shfaqet ajo. Të mos e shmang shikimin. Të mos e lë asnjë mjet, sado brilant qoftë ai, ta bëjë atë gjë për mua.

Dhe ta mësoj vajzën time të veprojë njësoj.

Artikulli origjinal është shkruar në gjuhën angleze

Lexoni Gjithashtu

Opinion

Aktualisht, në Kosovë, bazuar në  Ligjin e Punës,  nënave u garantohet pushimi i lehonisë prej nëntë muajve me pagesë dhe tre muajve pa pagesë....

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Analizë

Prezantimi i buxhetit të qeverisë është një nga ngjarjet më të rëndësishme të vitit. Në ekonomitë e zhvilluara, prezantimet e këtilla nxisin diskutime të...

Opinion

Për vite me radhë, një udhëzim administrativ nga Ministria për Punë dhe Mirëqenie Sociale, detyronte pensionistët kosovarë të paraqiteshin çdo gjashtë muaj në Departamentin...

Copyright © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.