Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Pabarazia si lëvizje mospërfillëse në histori

Pabarazia në Kosovë, përgjatë katër dekadash, mund të shihet si një trajektore thuajse e drejtë, mospërfillëse, e vendosur lart në krahasim me shoqëritë tjera. Mund të shihet si dora e fshehtë e pastrimit social.

Më shumë sesa në vizitën e tij në Kosovë në fillim të muajit, ministri i jashtëm i Britanisë së Madhe Boris Johnson i ka folur Parlamentit të Kosovës që para gjashtë vitesh kur pati përdorur shprehjen: Kosovo style social cleansing / Pastrimi social i modelit të Kosovës.  

Sepse, emigrimi i mëvonshëm masiv i kosovarëve të varfër drejt Europës më 2015, presionet ndaj tyre, migrimet dhe shtytjet tjera për të dalë prej Kosovës tash dhe gjatë dekadave të kaluara – çfarëdo të ketë qenë konteksti i deklaratës së Johnsonit – përbëjnë në thelb pastrim social. 

Sepse, llogaritur mbi të dhënat zyrtare të të hyrave të familjeve të Kosovës, prej perspektivës relative, trajektorja e pabarazisë ndërmjet periudhës 1978-2015 i ngjan një lëvizje pothuajse të drejtë. Ka qenë më e larta në Jugosllavi. Dhe që atëherë ka vazhduar të rritet gjer më 2015.  

Më 1978, Jugosllavia jetonte periudhën e fundit të lulëzimit ekonomik. Kosova jetonte pesëvjetëshin e parë të vetëqeverisjes. Buxheti vetëqeverisës kishte planifikuar rreth 3.5% të të hyrave për mbrojtjen sociale, duke i bërë prioritet lëmitë tjera. E orientuar ideologjikisht drejt një shoqërie egalitare, Kosova autonome si tërë Jugosllavia, ishte përcaktuar ta luftonte pabarazinë duke krijuar vende pune. Pabarazia mbërrinte 38.1%.

Pabarazia sipas të ardhurave familjare të disponueshme (Gini): Kalkulimet vetanake bazuar në të dhënat përkatëse burimore të Agjencisë (Entit) të Statistikave të Kosovës.

Më 2015, Kosova veç gjendej në pjesën e dytë të dekadës së parë si shtet i pavarur, me buxhetin më të madh se ndonjëherë tjetër. Por, politika sociale vazhdoi të mos bëhej prioritet, sepse Kosova synonte sërish të arrinte barazinë duke krijuar vende pune në treg. Pabarazia arriti 43.7%. Mbi 150,000 të varfër emigruan përkohësisht të mashtruar se mund të gjenin vende pune në perëndim.

Lufta e fundit e Kosovës ka qenë edhe revolucion material. Ajo ka nisur dhe është koncentruar në rajonet rurale dhe të varfëra. Dikur varfëria është matur nga shteti i mirëqenies së Kosovës zyrtarisht, bazuar kryesisht në shkallën e punësimit. Kur kriza ekonomike në Jugosllavi u thellua, varfëria në zonat rurale u rrit dhe lufta shpërtheu.

Kosova jep pak më shumë për të varfërit pas luftës. Shumë më shumë për elitën kapëse të saj.  Ndërkohë, shumica e të varfërve emigrantë të 2015-tës janë kthyer. Ata, të përjashtuarit tjerë, gratë, fëmijët dhe minoritetet, shtrëngohen nga politikat e Kosovës.

Të dhënat zyrtare të shtetit, nuk e thonë këtë, por e krijojnë një percepcion të pabarazisë së pranueshme duke u bazuar në vlerësime minimale të konsumit familjar që është raportuar afër 28.5% gjithë dekadën e shkuar. Më shumë se kaq, politika sociale, sipas ligjit, vepron bazuar në këta indikatorë.

Konsumi minimal fsheh pabarazinë e vërtetë që tregohet nga gjendja e të ardhurave. Që tregon se niveli 43.3% i pabarazisë është kritik. Që pabarazia në Kosovë mbetet historikisht e lartë në periudhat kur vendi si tërësi relativisht nuk i ka punët keq dhe vetëqeveriset. Që pabarazia është dora e fshehtë e pastrimit.

Pra, më saktë pyetja është: Si të ndalet pastrimi social?

Reforma duhet të nisë nga Parlamenti. Nëse Kosova nuk fillon të merret me pabarazinë, historia e luftës do të lexohet si histori e konfliktit për dominim të resurseve.

Miliona orë të namazit nacionalist janë falë këto dekada. Afër zhurmës së autoparlantëve nacionalistë, minaretë dhe kambanat e feve tjera të Kosovës janë vetë paqja dhe kthjellimi. Ndërkohë, pabarazia, kapaciteti për të krijuar të ardhura dhe vetë rreziku i mortalitetit në mungesë tyre, kanë mbetur gjerësisht të paprekura kudo në hapësirat ku kanë qenë shprehimisht prezente prej dekadash. Duke pritur punën dhe shtetin.

(Në bllogun e ardhshëm: Si mund të fillohen reforma sociale që kanë për qëllim ta ndalin rritjen e pabarazisë?).

 

_____________

Bllogu mbështetet nga Friedrich-Ebert-Stifftung, zyra në Kosovë.

Mendimet e shprehura në këtë bllog nuk paraqesin medoemos besimet e Friedrich-Ebert-Stifftung. 

Lexoni Gjithashtu

Disinfo

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.