Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Pagesat e rritura të ndihmës sociale nuk e zbusin varfërinë…

…ngaqë, një muaj më parë një familje mesatare e varfër do të merrte të ardhura 14 herë më të ulëta se sa paga mujore e Kryeministrit; e tani ato janë 28 herë më të ulëta. Në fakt, asgjë në zjarrin dhe tërbimin (fire and fury) e qeverisë së re nuk punon kundër varfërisë. Fatkeqësisht, nuk janë as cicërima në twitter, por janë nënshkrime që nuk i sfidon askush – tash për tash.

Paramendoje një gjendje kur Ti, i dashur lexues, duke drejtuar një familje mesatare kosovare (pesanëtarëshe), gjendesh në varfëri dhe merr ndihmë sociale 87.5 € në muaj, ndërsa personi tjetër që nuk është në varfëri merr pagë 1443 €.

Të ardhurat tua sapo janë rritur në 105 €; të tjetrit në 2950 €. Por varfëria jote nuk është zbutur; ti në fakt je varfëruar në raport me personin e dytë.

Tani, mos paramendo më, por llogarit që personi tjetër është Kryeministri i vendit. Po të mos e kishte rritur rrogën e vet në muajin dhjetor, të ardhurat tua do të ishin 14 herë më të ulëta sesa paga mujore e Kryeministrit; tani ato do të jenë 28 herë më të ulëta.

Ti nuk mund të kesh të ardhura tjera në familje, përndryshe nuk do të mund ta kishe fituar ndihmën sociale. Ndërsa familja e Kryeministrit (nëse merret parasyshë gjendja e tij e deklaruar më 2017), ka 11957  € të ardhura të disponueshme mujore; d.m.th. afërsisht 114 herë më shumë.  

Ti mund të kesh menduar që të ardhurat tua janë rritur, ashtu si parashihet me ligj – në raport me lëvizjen e varfërisë ekstreme në shpenzime të konsumit. Lajmi i keq është që kjo nuk është e vërtetë. Të ardhurat për ndihmën sociale janë rritur vetëm tri herë prej ngritjes së kësaj skeme më 2002 përkundër ndryshimeve në treg. Rritja e fundit erdhi më 12 janar për shkak se duhej të zbutej në publik rritja zinxhirore e të ardhurave të administratës.

Përderisa buxheti mblidhet prej gjithë popullatës (ku të varfërit japin relativisht më shumë), rrogat e mira dhe pasuria (domethënë disbalanci shoqëror) gjithnjë e më shumë po ndërlidhen me rrogat dhe investimet publike.  

Mbi 75% e varfërisë në Kosovë nuk mbulohet nga skema që duhet t’i arrijë të varfërit – ndihma sociale. Kjo është cilësi e dobët qeverisjeje. Qeveria e di këtë; prandaj ajo, në të njëjtën ditë, autorizoi Qendrat për Punë Sociale në nivel komunash që të bëjnë teste të pjesëtarëve të skemave tjera për t’i parë se a janë në varfëri dhe për t’i liruar nga obligimi për të paguar premiume në sigurimin shëndetësor.

Së shpejti do të shohim sa nga veteranët do të dalin edhe të varfër. Ne paguajmë shtrenjtë për burokratët dhe të ndërlidhurit me skemat e luftës, ndërsa Kosova është duke u varfëruar dhe pabarazia duke u rritur. Pas këtyre veprimeve ato do të thellohen.

Vendet më të suksesshme në luftimin e varfërisë nuk e bëjnë këtë duke iu qasur asaj direkt, por duke e përmirësuar gjithë kontekstin në të cilën ajo shfaqet. Në blogjet e kaluara Destrata, është argumentuar se kjo kërkon shpërndarjen më të mirë të vendeve të punës dhe mbrojtjen e tyre, lidhjen e transfereve me të ardhurat mesatare dhe ngritjen e solidaritetit në to, rritjen e progresivitetit në taksa, vendosjen e sigurimit kombëtar shëndetësor që është i ndryshëm prej sigurimit që Kosova ka planifikuar, etj.

Varfëria më e madhe ka qenë dhe mbetet historikisht në zonat rurale, andej nga Kryeministri dhe partitë e dala nga UÇK-ja marrin votat për t’i keq-qeverisur.

Gjersa disa liderë botërorë tërbohen në twitter dhe deklarojnë me krenari që nuk lexojnë; këtu, e dimë që kemi liderë që nuk mund të lexojnë, por që gjithashtu as nuk dëgjojnë e as nuk shohin përtej ngjyrës së gjelbër.

Shtrohet pyetja çfarë do ta përmbajë zjarrin dhe furinë e gjithë të tjerëve kur moti i ftohtë të mos mundet më ta bëjë këtë? Sepse ajo do të jetë e sigurt me pabarazinë që po demarkohet me nxitim rreth 50-qindëshit. Ah, ndoshta vizat janë ideja e zgjidhjes: hapja e kufijve për të varfërit që të shërbejnë diku në Europë, po të kenë fat, ashtu që të ardhurat e tyre të mbërrijnë një të tretën e zyrtarëve të lartë (natyrisht, llogaritur vetëm pjesën formale)… 

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.