Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Pse gabojnë të majtët e sotshëm kur thonë se “komunizmi i vërtetë nuk është provuar kurrë”

Ky vit përkon njëherëzi me 30 vjetorin e rënies së murit të Berlinit dhe 75 vjetorin e çlirimit nga fashistët dhe vendosjes së pushtetit komunist në Shqipëri. Ndërkohë që është shtuar pesimizmi e zhgënjimi me sistemin që erdhi në fuqi pas rënies së komunizmit po shohim një ringjallje të popullaritetit dhe nostalgjisë ndaj regjimit komunist qoftë në Shqipëri e qoftë në Kosovë. Mbrojtja më e zakonshme e së majtës evropiane sot dhe që po lulëzon më së shumti edhe në rininë shqiptarë është se “komunizmi i vërtetë nuk u provua kurrë”.  Ky argument i stërvjetër i pandershëm i të majtëve neomarksistë  është një zhvillim me të vërtetë shqetësues e i papranueshëm. Ky argument duhet hedhur poshtë  përçmim si mungesë ndershmërie ndaj të vërtetës e mungesë dhembshurie për viktimat e komunizmit.

Ky argument relativizon krimet e komunizmit, retushon të vërtetat historike dhe rikthen iluzione të rreme që janë dëshmuar tashmë katërcipërisht që janë të paqena. Sipas këtij argumenti Shqipëria dhe shtetet e shumta komuniste që kanë dështuar nuk janë qeverisur nga komunizmi i vërtetë dhe as nga udhëheqës të pastër komunistë. Radikalët e majtë evropianë sot pretendojnë se versioni i përsosur i socializmit do të duhej funksiononte mirë sepse është thjesht ky marksizmi i shtrembëruari që nuk funksionon. Ata ose e përdorin këtë pretendim të një versioni ideal teorikisht të përsosur të marksizmit  si sistem superior ndaj liberalizmit ose thonë që komunizmi ka qenë mirë por kanë qenë udhëheqësit komunistë të këqij e të pasinqertë me idealet marksiste.

Në fakt, komunizmi është provuar  dhe ka dështuar rëndë , në aq shumë forma, qasje, rryma të larmishme dhe liderë nga më të ndryshmit në 85 vende në pesë kontinente sa duhet të shtrohet pyetja se sa kokë na paska pasur kjo kuçedër.  Në të gjitha rastet e kaq shumë vendeve ka pasur ndonjë autokrat komunist si Enveri që pretendonte se ai dhe vetëm ai ishte përfaqësues i komunizmit të vërtetë dhe të tjerët ishin devijime nga porositë e Marksit. Emëruesi i përbashkët i pakundërshtueshëm të gjitha këtyre regjimeve është është se u ndërtuan duke pretenduar se do të sillnin liri dhe mirëqënie dhe shkaktuan vetëm skllavëri e mjerim.

Shqipëria e shkretë ende i ka plagët e hapura të regjimit totalitar komunist gjysëm-shekullor. Instituti i Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, ka raportuar se gjatë regjimit komunist në Shqipëri ka pasur 34,135 shqiptarë të burgosur dhe 59,009 qytetarë të internuar për arsye politike. Po ashtu sipas të dhënave të këtij instituti, 984 shqiptarë kanë vdekur në burgjet e regjimit, ndërkohë që 6.027 persona janë vrarë gjatë diktaturës, Mirëpo kjo është vetëm një pjesë e panormës së viktimave të pafajshme të komunizmit sepse ngelet ende shumë punë  për të zbuluar numrin e saktë të qytetarëve të pushkatuar pa gjyq sepse me mijëra janë janë vrarë nga viti 1944-1955, por për ta nuk ekzistojnë ende informacione të sakta në arkiva.

Sot që kanë kaluar 102 vjet nga Revolucioni i Tetorit,  dhe tashmë ka pafund prova, dokumente, gjurmë e dëshmi të dështimit katastrofik me mbi 100 milionë viktima të shkaktuara prej regjimeve marksistë të udhëhequra nga diktatorë  që krenoheshin se ishin komunistë të devotshëm që zbatonin në praktikë me besnikëri mësimet e Marksizmit. Marksizmi i vënë në praktikë nga Bashkimi Sovjetik nën Stalinin e Leninin shkaktoi 50 deri në 70 milion vdekje të civilëve të pafajshëm dhe po aq mendohet se kanë vdekur në Kinën sunduar prej Mao Ce Dunit sidomos gjatë periudhës së Revolucionit Kulturor dhe Hopit të Madh Përpara. Gjatë viteve 70-të, në Kamboxhian e sunduar prej Pol Potit (i cili ka qenë edhe mysafir në Tiranë), u vranë së paku 2 milionë qytetarë apo çereku i popullsisë ndërsa në Korenë e Veriut gjatë kohës së sundimit të Kim il Sung përllogariten diku tek 1.5 milion vdekje.  Sa miliona viktima të tjera civile të pafajshme duan të majtët neomarksistë sot për ta kuptuar edhe ata vetë se marksizmi nuk funksionon por sjell vetëm robëri, vuajtje, dhunë e varfëri?!

Komunizmi është sistemi më i lehtë për t’u shitur njerëzve që janë të varfër sepse në pamje të parë të cekët retorika e thjeshtë marksiste tingëllon kaq e arsyeshme, e drejtë dhe e realizueshme. Mirëpo duhet vënë në dukje se komunizmi është një sistem i krijuar me iluzionin për të eliminuar pabarazinë në pasuri përmes zhdukjes së pronësisë private dhe planifikimit central të ekonomisë duke shkuar ndesh me natyrën njerëzore ose më saktë me nevojën e qytetarit për motivim.  Në mungesë të pronës e iniciativës private mungonin stimujt materialë për të marrë risk, për të inovuar apo për të dhënë maksimumin në punë duke çuar drejt dështimit ekonomik. Prandaj dështimi ekonomik i sistemit marksist është i pashmangshëm dhe nuk ka të bëj as me sundimin e udhëheqësve të mirë apo të këqij e as me ndonjë aksident apo devijim në zbatimin e saktë të marksizmit.

Komunistët e rinj apo nostalgjikët e vjetër të komunizmit,  pretendojnë se ndryshe nga liderët komunistë të tipit Enver, Kim Il-sung apo Pol Pot, këta janë të mirë, të ndershëm, të pastër, të sinqertë dhe për rrjedhojë kur ta bëjnë revolucionin anti-kapitalist fal aftësive të tyre të pamata, ata nuk kanë për të ndërmarrë veprimet kriminale të këtyre liderëve. Po ashtu këta të rinj marksistë të sotshëm pretendojnë me arrogancë të madhe se e njohin kuptojnë doktrinën e marksizëm-leninizmit shumë më mirë sesa nomenklaturat dhe diktatorët komunistë të shekullit të kaluar në mbi 85 shtete ku është vënë në praktikë. Kinse po të kishin qenë këta neomarksistët e rinj delirantë në vend të Pol Potit apo Mao Ce Dunit, do kishin dëshmuar moral të kulluar dhe aftësi të jashtëzakonshme dhe do ta kishin vënë në jetë utopinë socialiste të barazisë së plotë të qytetarëve. Përveçse është tërësisht arrogant ky argument është tërësisht i paqënë sepse vetë sistemi në mënyrë të pashmangshme çon drejt privimit të lirive themeltare të njeriut dhe përpos kësaj është vetë sistemi ai që në mënyrë të pashmëngshëm nxjerr në pah pikërisht njerëzit më të këqinj.

Këtë gjë e demonstron më së miri Friedrich Hayek në kryeveprën e tij Rruga Drejt Bujkrobërisë që është botuar në vitin 1944, një vit përpara përfundimit të luftës së Dytë Botërore. Pra bëhet fjalë për një kohë kur Ushtria e Kuqe e boshevikëve ishte në kulmin e popullaritetit global në luftën kundër fashizmit dhe perandoria komuniste ende nuk ishte shtrirë në Evropë. Mesazhi i tij ishte i qartë : politikat socialiste si planifikimi qendror i ekonomisë, shtetëzimi i pronës private,  do të çonin ngadalë por në mënyrë të pashmangshme në totalitarizëm. Paralajmërimet e tij për lidhjen shkak-pasojë mes lirive ekonomike dhe atyre politike, ishin profetike dhe u dëshmuan të tilla plotësisht gjysëm shekulli më pas kur komunizmi u shemb në gjithë Evropën.

Me pak fjalë në librin e tij ai paralajmëron se politikat sociale planifikuese që po përdoreshin gjatë luftës përbënin një rrezik nëse do të përdoreshin në botën e pasluftës. Asokohe kishte shumë ekonomistë e politikanë që argumentonin se qeveria duhet të planifikonte të gjithë veprimtarinë ekonomike ndërkohë që Hajeku shpjegonte se intervencionizmi shtetëror rrezikonte që të shkatëronte pikërisht lirinë për të cilën bota demokratike perëndimore po luftonte. Ai shpjegonte se heqja dorë nga ekonomia e lirë e tregut dhe shtimi i ndërhyrjes e kontrollit të shtetit në ekonomi shkaktonte kufizimin e lirive themelore të individëve dhe çonte pashmangërisht në një shoqëri shtypëse ose madje në tirani.

Përpos kësaj ajo që vlen për tu përmendur është se në kapitullin e 10-të të këtij libri jepet përgjigja më e qartë dhe e sofistikuar për këta naivë që mendojnë se sistemi komunist mund të funksionojë nëse në krye do të kishte njerëz të mirë e të ndershëm sikurse ata e konsiderojnë vetëveten. Ajo që nuk e kuptojnë është thënia e famshme e Lordit Acton, që thoshte se “pushteti korrupton dhe pushteti absolut korrupton në mënyrë absolute’.  Përqëndrimi i pushtetit sikurse e argumentonin edhe iluministët, çon natyrshëm në tirani e despotizëm prandaj kufizimi i absolutizmit monarkik me konstitucionalizëm, ndarje pushteti e sovranitet popullor ishin propozimet kryesore të tyre.   E vërteta është se në një sistem politik të ndërtuar nga frymëzimi marksist, udhëheqës mund të bëhen vetëm njerëz të paskrupuj e kriminal. Kjo gjë do të thotë se satrapët janë rezultat i paevitueshëm i vetë sistemit dhe jo ata që deformuan një sistem “fisnik” sikurse pretendon e majta sot.

Për ta sqaruar më mirë duhet të kuptohet se për të realizuar qëllimet e planifikimit socialist, një lider komunist ose duhet të heqi dorë nga planet për hir të moralit ose duhe te heqi dorë nga ndershmëria dhe dhembshuria humaniste për hir të idealit komunist. Kjo pasi për të realizuar utopinë komuniste këtyre udhëheqësve iu duhet padyshim që t’iu mbyllin gojën disidentëve, të shkelin penguesit, të shkatërojë rezistencën e politikave kolektiviste. Mirëpo duhet theksuar se nëse refuzojnë që të ndërmarrin këto hapa mizore, ata rrezikoheshin që të hiqeshin qafe bashkë me familjen nga vartësit apo rivalët e vetë brenda partisë komuniste sepse nuk konsideroheshin mjaftueshëm besnik të marksizmit ose akuzoheshin si kundër-revolucionarë, reaksionarë apo revizionistë. Jo më kot regjimet komuniste ishin të mbushura me spastrime të shumta brenda udhëheqjes së partisë sikurse ndodhi  në Shqipëri me eliminimin e Mehmet Shehut me shokë, në Bashkimin Sovjetik me eleminimin e Trockit apo në Kinë me Peng Zhen e shumë të tjerë gjatë Revolucionit Kulturor. Pra udhëheqësit komunistë kanë qenë në një garë se kush tregohej më mizor, më perfid e më brutal se po të tregonin luhajte, pavendosmëri apo dhembshuri bëheshin vetë viktima të sistemit përbindësh që vetë kishin ndërtuar.

Shfajësimi i marksizmit për pasojat kriminale që ka shkaktuar kur është vënë në praktike me pretendimin se “nuk ka qenë marksizëm i vërtetë” është një klishe e vjetër historike që çuditërisht nuk po e humb ende efektin pas shumë dekadash. Evropa Perëndimore ka qenë e mbushur me intelektualë të cilët kanë mbështetur pa rezerva gjithë entuziazëm eksperimentimin e ideve komuniste në vende të ndryshme. Mirëpo edhe kur dolën e nuk mund të fshiheshin më informacionet e të dhënat për krimet çnjerëzore që kishin bërë regjimet komuniste shumica e tyre hoqën dorë nga përkrahja e këtyre eksperimenteve por jo nga ideologjia në vetëvete. Prandaj kur përballemi me të gjithë këta nostalgjikët e pakorrigjueshëm të komunizmit dhe ata naivë që ushqejnë iluzione për idetë neomarksiste duhet injoruar argumenti i dalë boje se kinse komunizmi në vetëvete është i mirë por është zbatuar keq apo është shtrembëruar nga liderë të këqij. është ideja e keqe që ka të meta që në fillim dhe do dështojë në mënyrë të pashmangshme. Për ta kuptuar këtë gjë nuk ka nevojë as të shqyrtojmë historinë shqiptare por të lexojmë mbi aktualitetin sot në Venezuelë. Gjendja aktuale e dëshpëruar në këtë vend është arritur falë politikave socialiste të udhëheqësve karizmatikë populistë komunistë si Chavez e Maduro që aq shumë kanë qenë popullorë e të adhuruar nga radikalët e majtë të Evropës. Vlen të theksohet se bëhet fjalë për vendin që ka rezervat më të mëdha të naftës në botë dhe që më 1950 zinte vendin e 4-të në botë në të ardhura për frymë.

 

 

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.