Që nga përfundimi i luftës më 1999, Kosova është mbështetur shumë në ndihmat nga jashtë për financimin dhe zbatimin e nismave të demokratizimit dhe paqendërtimit, me qëllim fuqizimin e institucioneve, nxitjen e besimit ndëretnik dhe promovimin e të drejtave të njeriut.
Këto ndihma ndërkombëtare kanë luajtur rol kyç dhe e kanë ndihmuar transformimin e Kosovës nga një vend i sapodalë nga konflikti në një demokraci funksionale. Megjithatë, muajt e fundit janë shënuar ulje të ndjeshme globale në ndihma dhe asistenca të këtilla, duke krijuar pengesa të mëdha për shtetet si Kosova, që janë në zhvillim e sipër dhe që akoma ballafaqohen me sfida në pajtimin e komuniteteve dhe bashkëpunimin ndërkufitar.
Ky ndryshim në ndihmat ndërkombëtare krijon një boshllëk kritik dhe rrezikon të minojë vite të tëra të progresit, por gjithashtu paraqet një mundësi të paprecedentë për sektorin privat të Kosovës. Me interesin e tyre të drejtpërdrejtë në suksesin afatgjatë të vendit dhe me të kuptuarit rrënjësor të sfidave lokale, bizneset e Kosovës janë në një pozicion unik për t’u shndërruar në forcën kryesore të përpjekjeve të qëndrueshme për paqendërtim.
Mungesa e njohjes ndërkombëtare dhe mosmarrëveshja me Serbinë vazhdojnë ta ndikojnë Kosovën në aspektin ekonomik
Kostot ekonomike të mosmarrëveshjes së vazhdueshme me Serbinë janë të konsiderueshme. Pa anëtarësim në organizata ndërqeveritare, siç janë Kombet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian, si dhe pa njohje të plotë ndërkombëtare, bizneset e Kosovës funksionojnë me një disavantazh të madh në tregun global.
Ky përjashtim kufizon qasjen në tregje dhe imponon kosto më të larta në tregtinë ndërkombëtare, ekuivalente me një tarifë prej 14%. Kjo për eksportuesit kosovarë nënkupton se produktet e tyre përballen automatikisht me një disavantazh në çmim krahasuar me konkurrentët ndërkombëtarë. Gjithashtu, rriten edhe kostot e importit, sepse furnitorët llogarisin edhe ndërlikueshmërinë administrative dhe rrezikun e perceptuar kur bashkëpunojnë me një shtet të panjohur. Përfundimisht, këto kosto më të larta zvogëlojnë margjinat e fitimit për bizneset dhe i bëjnë më të shtrenjta mallrat e konsumit për qytetarët e Kosovës.
Ndërkohë, mungesa e Kosovës në listën 3166 të Organizatës Ndërkombëtare për Standardizim (ISO) – sistem i njohur globalisht që i pajis shtetet me kode unike për transaksione ndërkombëtare, transport dhe shërbime digjitale – parandalon shumë kompani dhe shërbime digjitale për ta përfshirë Kosovën në sistemet e tyre dhe detyron bizneset lokale, ose të regjistrohen nëpërmjet vendeve të treta, ose të veprojnë pa këto kode.
Ky përjashtim teknik nënkupton se bizneset e Kosovës nuk mund të kenë qasje në shumë platforma ndërkombëtare të tregtisë elektronike, sisteme të pagesave e rrjete të logjistikës që bazohen në kodet ISO, dhe kësisoj ato në mënyrë efektive janë të përjashtuara nga ekonomia digjitale dhe zinxhirët globalë të furnizimit.
Si pasojë e mundësive të kufizuara të biznesit e investimeve, Kosova përballet me shkallën e papunësisë prej rreth 10.9%, shumë më e lartë sesa mesatarja globale prej 4.92%. Për më shumë, Kosova përballet me ikje të ndjeshme të trurit, me rritjen e emigrimit vjetor nga 15 mijë deri në 20 mijë para një dekade, te mbi 35 mijë kosovarë që e lëshojnë vendin çdo vit, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës. Largimi i profesionistëve të trajnuar mirë, veçanërisht në sektorët e shëndetësisë dhe teknologjisë informative (IT), tkurr fuqinë e specializuar punëtore dhe numrin e konsumatorëve me të ardhura të larta, duke e kufizuar kështu edhe sipërmarrjen, edhe konsumin në një cikël vicioz. Këto barriera ekonomike së bashku e kufizojnë potencialin e rritjes dhe konkurrencës së bizneseve të Kosovës.
Zvogëlimi i financimit nga donatorët ndërkombëtarë paraqet rreziqe të mëtejme për mjedisin e veprimit të sektorit privat, teksa në Kosovë shumë organizata të fokusuara në promovimin e dialogut për paqe dhe inkurajim të njohjes ndërkombëtare, po përballen me zvogëlim të ndjeshëm të fondeve.
Pa përpjekje të qëndrueshme për paqendërtim, Kosova ballafaqohet me rritjen e rrezikut për tensione shoqërore, që mund t’i prishin zinxhirët e furnizimit, ta zvogëlojnë besimin e konsumatorit, si dhe t’i pengojnë investimet e huaja. Për më shumë, përfitimet ekonomike nga normalizimi eventual i marrëdhënieve me Serbinë mbeten të paarritshme pa përpjekje të bashkërenduara për ruajtjen e dialogut dhe rritjen e besimit midis komuniteteve.
Zhbllokimi i potencialit të Përgjegjësisë Shoqërore të Korporatave (CSR) në sektorin e biznesit në Kosovë
Ndryshe nga donatorët ndërkombëtarë me ndryshim të prioriteteve dhe mandateve të përkohshme, bizneset lokale kanë interes afatgjatë për stabilitetin dhe mirëqenien e Kosovës. Kjo ia mundëson sektorit privat kalimin nga përfitues të tërthortë të paqes në investues të drejtpërdrejtë për paqendërtim.
Ndonëse angazhimi i tillë mbetet i kufizuar, po shfaqen shembuj konkretë. Për shembull, Heb’s dhe Missini Sweets kanë hapur filialet e tyre në Mitrovicën e Veriut, duke krijuar ura ekonomike për komunitetet e ndara, teksa The Rock – Smart Security ka ndihmuar financimin e një konference mbi marrëdhëniet civile-ushtareke.
Megjithatë, marrë parasysh se vetëm USAID-i në vitin 2023 për Kosovën i ka siguruar rreth 73 milionë dollarë, plotësimi i boshllëkut të lënë nga largimi i donatorëve ndërkombëtarë do të kërkojë mobilizim serioz të sektorit privat.
Investimi në Përgjegjësinë Shoqërore të Korporatës (CSR), trend ky tashmë në rritje në Ballkan, ofron një hapësirë të strukturuar për bizneset për bashkërendimin e fitimit me qëllimin.
Përgjegjësia Shoqërore e Korporatës (CSR) është angazhimi i një kompanie për të bërë biznes në atë mënyrë që të ketë ndikim pozitiv në shoqëri. Në vend se të fokusohen vetëm te fitimi, kompanitë e orientuara kah Përgjegjësia Shoqërore në punët e tyre të përditshme përfshijnë edhe çështje sociale, etike dhe mjedisore. Kjo mund të përfshijë trajtimin e drejtë të punëtorëve, mbështetjen e nismave të komunitetit, mbrojtjen e mjedisit dhe të qenët transparent.
Shumë biznese në Kosovë tashmë tregojnë përkushtimin për komunitetin edhe nëpërmjet praktikave tradicionale – siç është pjesëmarrja e plotë në Zekat – edhe mbështetjes së aktiviteteve konvencionale me bazë në komunitet, siç janë: zhvillimi i rinisë, fuqizimi i grave dhe nismat mjedisore.
Kompani si Meridian Express, FINCA, Raiffeisen Bank, dhe Rugove tanimë disa nga investimet e tyre në komunitet i promovojnë në stilin e Përgjegjësisë Shoqërore të Korporatës (CSR). Megjithatë, konteksti i Kosovës kërkon një agjendë për CSR-në që ta trajtojë më drejtpërdrejt mosmarrëveshjen e pazgjidhur me Serbinë dhe ndarjet e vazhdueshme etnike.
Gjithashtu, ekziston një arsye e fortë biznesore për CSR-në. Meqenëse konsumatorët dhe partnerët i favorizojnë kompanitë që tregojnë kujdes për komunitetin, kompanitë që investojnë në praktika të përgjegjësisë shoqërore shpesh kanë rritje të fitimit dhe qasje më të mirë në tregjet ndërkombëtare.
Në Kosovë, përpjekjet për CSR që mbështesin paqendërtimin mund ta çojnë përpara pajtimin dhe të hapin mundësi ekonomike me vlerë.
Hapat praktikë për angazhimin e bizneseve
Kalimi nga operacionet tradicionale të biznesit tek angazhimi aktiv për paqendërtim nuk kërkon rishikim të plotë të strategjisë së korporatës. Në vend të kësaj, bizneset e Kosovës mund të zgjedhin nga një spektër i niveleve të angazhimit që korrespondon me burimet e tyre, mundësitë dhe tolerancën ndaj rrezikut.
Angazhimi i ulët: Qasjet me angazhim të ulët sigurojnë pika hyrëse për bizneset që ngurrojnë të përfshihen në çështje politike. Këto përfshijnë donacionet e vogla për nismat e paqendërtimit dhe organizatat ose deklaratat publike në mbështetje të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë. Edhe angazhimet minimale tregojnë përgjegjësinë e korporatës, teksa kërkohet ekspozim i kufizuar financiar.
Angazhimi mesatar: Qasjet me angazhim mesatar ofrojnë ndikim më të madh pa kërkuar nga bizneset zhvillimin e ekspertizës së specializuar. Këto përfshijnë mbështetjen e organizatave që angazhohen për paqendërtim nëpërmjet ofrimit të shërbimeve pa pagesë, si qiratë, furnizimet me mallra dhe ekspertiza teknike. Për shembull, Mercy Corps, duke bashkëpunuar me partnerë të biznesit, më parë ka krijuar rrjetëzime ndëretnike të bizneseve.
Angazhimi i lartë: Qasjet me angazhim të lartë janë më ambiciozet dhe janë të përshtatshme për kompani më të mëdha, ose për ato me udhëheqje vizionare. Këto përfshijnë udhëheqjen ose përfshirjen në programe që promovojnë dialogun dhe ndërtojnë lidhje sociale dhe ekonomike midis ndarjeve etnike. Për shembull, odat ekonomike të Qipros Turke dhe Qipros Greke kanë nxitur lidhje ndërkomunitare të biznesit, duke e rritur bashkëpunimin ekonomik. Këto përpjekje, ndonëse kërkojnë shumë burime, mund t’i vendosin kompanitë si lidere dhe t’u ofrojnë avantazhe afatgjata duke ndihmuar normalizimin e marrëdhënieve të Kosovës me jashtë.
Me tërheqjen e ndihmës ndërkombëtare, e ardhmja e paqendërtimit dhe përfitimet ekonomike të lidhura me normalizimin e marrëdhënieve mbështeten në akterët vendorë. Komuniteti i biznesit në Kosovë ka mundësinë dhe motivin për të bërë hapin e duhur. Mbështetja e paqes nuk është vetëm shenjë e përgjegjësisë, por edhe e mençurisë në aspektin biznesor.




























































