Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

“Vjeshta e ankthit” zgjedhor (I)

Që prej përfundimit të zgjedhjeve nacionale më 14 shkurt të këtij viti, shpeshherë është shtruar dilema se zgjedhjet lokale të 17 tetorit do të ishin testi më i madh për partitë në skenën politike të vendit. Ky test lidhej si me Lëvizjen Vetëvendosje, ku do të verifikohej aftësia e saj për ta ruajtur mbështetjen masive popullore që e arriti në zgjedhjet e përgjithshme, ashtu edhe për partitë që kushtimisht mund t’i quajmë tradicionale; se a do mund ta rimerrnin veten pas humbjes tronditëse që përjetuan në zgjedhjet nacionale.

Siç dihet, trupi i tyre elektoral u tkurr tej mase. Ato i humbën mbi gjysmën e mbështetësve të tyre. Kurse koalicioni zyrtar i drejtuar nga Albin Kurti dhe Vjosa Osmani shënoi një ngritje të paprecedent në historinë tonë politike parlamentare. Në saje të kësaj fuqie numerike ata arritën që ta marrin drejtimin e tri institucioneve kryesore përfaqësuese në nivel qendror, Kryetarin e Parlamentit, Kryeministrin dhe Presidencën. Një koncentrim ky i pushtetit në një entitet politik po ashtu i pashembullt në Kosovën e pasluftës.

Me këtë konfiguracion të ri politik, në njëfarë mënyre ishte “çrregulluar” ekuilibri politiko-social që kishte dominuar që nga periudha e pasluftës. Dhe natyrshëm shtrohej pyetja se a do të mundnin partitë humbëse ta ndalnin erozionin e tyre politik dhe elektoral?

Këto dilema kishin bërë që zgjedhjet lokale të 17 tetorit të ishin pritur me një ankth të vërtetë. Kjo ditë filloi të perceptohej si dita e gjykimit final.  Pra nëse mbështetja qytetare për Lëvizjen Vetëvendosje do të konfirmohej me të njëjtin rezultat, atëherë do të jetësohej dominimi i saj i plotë politik, institucional dhe social në të gjitha nivelet e pushtetit në Kosovë. Partitë e tjera do të mund të shërbenin për një periudhë të gjatë kohore vetëm si dekor formal i demokracisë sonë, por pa ndonjë peshë reale në proceset vendimmarrëse.

Mirëpo, befasisht, këto zgjedhje konfirmuan një realitet tjetër. Ndonëse duhet pritur përfundimin e balotazhit për të pasur një pasqyrë më të saktë për peizazhin e ri politik që e nxori ky proces demokratik, megjithatë disa indikatorë janë të qartë sa u përket trendëve politikë që janë fermentuar brenda këtij harku kohor.

Sa u përket votave nacionale nëpër asamble komunale u dëshmua se partia e parë në vend kishte pësuar rënie rapide. Po ashtu, ajo nuk ia doli që ta fitojë asnjë komunë në raundin e parë të votimit.  Dhe ky rezultat është tejet domethënës për peformancën e saj, sepse pikërisht në këtë nivel të organizimit shoqëror gjenerohet vullneti politik i një shoqërie.

Ndërkohë, po ashtu u dëshmua kapaciteti i partive opozitare për ta stopuar spiralen e tyre negative. Secila prej tyre shënoi stabilizim dhe rritje të votës, herë më shumë e herë më pak, rezultat ky që ka ndikuar që tani të kemi tri parti përafërsisht me dallime jo shumë të theksuara elektorale. (Vetëvendosjen, LDK-në dhe PDK-në).

Në këtë kontekst janë të paqëndrueshme reagimet e zyrtarëve kryesorë të Vetëvendosjes për ta relativizuar me çdo kusht këtë prapakthim të saj elektoral në  raport me ngritjen spektakolare që e shënoi në shkurt të këtij viti. Po ashtu problematik mbetet synimi për ta zhvendosur kriterin matës me zgjedhjet lokale të vitit 2017, diçka që e mohonin vetë pak para zgjedhjeve. Madje protagonistët kryesorë të kësaj partie në vazhdimësi i kanë mëshuar refrenit se referendumi i shkurtit mund të kuptimësohet vetëm me fitoren përfundimtare të këtij subjekti edhe në nivel lokal.

Prandaj, pashmangshëm, shtrohen një varg pyetjesh se çka e solli këtë ndryshim të beftë elektoral. A ishte rezultati i ditës së të dashuruarve një reagim irracional i masave, siç pandehin disa oponentë të këtij subjekti? Joshje e çastit me sirenën e retorikës populiste dhe romantike? A ndryshoi ndërkohë kjo Lëvizje, pasi u akomodua në “pallatet e kristalta” qeveritare, e që solli një zhgënjim të shoqërisë me aftësinë saj për t’i mbajtur premtimet e bëra?  Ndonëse vështirë të thuhet se ky faktor ishte kryesori që rezultoi me këtë zhvendosje të lojalitetit politik qytetar ndaj këtij entiteti.

Në fund të fundit, deri më sot as partitë e tjera s’janë dalluar aq shumë për mbajtje korrekte të premtimeve të bëra para publikut. Mirëpo, forca e tyre elektorale nuk është përgjysmuar brenda një kohe kaq të shkurtër.  Apo mos komoditeti dhe iluzioni se pas 14 shkurtit pushteti është diçka e mirëqenë për Vetëvendosjen dhe jo produkt i rrethanave shumë specifike sociale dhe dinamikave kontingjente politike? Çfarë edhe solli në fund neglizhimin e tyre?

“Racionaliteti” i populizmit

Nuk mund të mohohet fakti se Lëvizja Vetëvendosje në vazhdimësi ka operuar me slogane populiste. Ndarja e njohur dikotomike ‘populli versus elita’ është pjesë e inherente e një vokabulari të tillë. Kjo e fundit është akuzuar se ka tradhtuar interesat e të parit, duke u shitur te konjunkturat globale, si dhe duke e kërkuar mbijetesën për vete në kurriz të popullit. Prandaj, “përfaqësues legjitimë moralë dhe politikë të popullit jemi NE”, kumtojnë populistët anekënd botës. Është e njohur thënia e Presidentit të Republikës Turke, Rexhep. T. Erdogan, për këtë sindrom politik modern drejtuar kundërshtareve të tij: “Ne jemi populli, po ju kush jeni?”

Mirëpo, siç ka treguar praktika, në shumë vende ku formacione të tilla ia dalin që ta marrin pushtetin, pesha e tyre vetëm sa vjen duke u shtuar dhe jo duke u pakësuar për një kohë shumë të shkurtër. Rastet e Hungarisë, Turqisë, Polonisë etj., janë vetëm disa shembuj që e ilustrojnë këtë pandehmë. Apo, siç kanë deklaruar shumë studiues, populzimi nuk është vetëm zjarrmi stinore që do të davaritet shumë shpejt. Por ai do jetë fati ynë i pashmangshëm politik për një periudhë bukur të gjatë, për shkak të krizave strukturore që na kanë kapluar. Me këtë rast shtrohet pyetja pse vetëm kurba elektorale e Vetëvendosjes mori këtë kthesë të çuditshme? A do të thotë kjo se ajo nuk ishte sa duhet populiste për të pasur sukses në çimentimin e plotë të pushtetit në të gjitha kapilarët e sistemit?

Sidoqoftë, vlerësimi se të gjitha lëvizjet populiste janë produkt i shpërthimeve momentale irracionale nuk guxon të merret si i mirëqenë.

Zhvillimet politike dhe historike kanë dëshmuar se shpeshherë ato mbartin një bërthamë racionale të reagimit dhe veprimit, e që s’mund të interpretohen vetëm në terma të dalldisë momentale të masave, patologjive sociale dhe shkarjeve fondamentale nga parimet e demokracisë liberale.

Margaret Canovan në librin e saj “Populism”  ka treguar se klishe të tilla jo korrekte nuk e zbërthejnë si duhet suksesin e këtij fenomeni politik. Madje ajo mbron tezën se veçanërisht në rrethana të frustrimit dhe pakënaqësisë kolektive publike, përqafimi i lëvizjeve të tilla mund të jetë një strategji racionale kundrejt rrethanave rënkuese.  Sipas kësaj teoricieneje të spikatur të mendimit politik bashkëkohor, sidomos në situata kur interesat e shumicës së zakonshme të popullsisë bien në kundërshtim të hapur me ato të elitave politike, ekonomike dhe financiare në një vend, atëherë opsioni i populizimit shndërrohet në një mjet të vetëm për të riadresuar politikisht dhe moralisht këto ankesa.

Kurse njëri nga studiuesit më të spikatur të këtij fenomeni, Cas Mudde, në librin e tij “SYRIZA: The Failure of the Populist Promise”, ka treguar se suksesin e lëvizjeve të tilla që “shtrojnë shpeshherë pyetje të drejta, por ofrojnë përgjigje të gabuara” nuk guxojmë ta zhveshim edhe nga një dimension specifik. Duke u bazuar në tezat e hulumtuesit të shkencave politike Russel Dalton mbi  “revolucionin kognitiv” që ka ndodhur si pasojë avancimeve teknologjike, Mudde pohon se pikërisht ky zhvillim i ushqen në një farë mase sentimentet anti-establishment. Sipas tij, njerëzit sot janë më të edukuar dhe më vetëkonfidentë edhe në çështjet politike. Prandaj sot shumica e qytetarëve s’janë të gatshëm thjesht të ndjekin liderët e tyre, sepse ata janë edhe më të arsimuar se të dytët. Dhe nëse në të kaluarën njerëzit kur frustroheshin me elitat e tyre kërkonin t’i zëvendësonin ato me elita të tjera, ata thjesht sot kërkojnë politikanë që arrijnë të shfaqen si “zëri i popullit”.

Në këtë drejtim, partitë që e kishin udhëhequr Kosovën deri me 14 shkurt të këtij viti nuk është se s’ishin veçuar për abuzime të tilla. Prandaj zemërimi i akumuluar publik i shumicës së qytetarëve bëri që ata të identifikohen masivisht me Lëvizjen Vetëvendosje. Dhe ta shohin atë si të vetmen mundësi për shtegdalje nga qerthulli vicioz i abuzimit dhe mediokritetit që ishte instaluar nga partitë “tradicionale”.

Mirëpo, pardoksalisht, në ndërkohë sikur u zhvendosen rolet. Pas goditjes që partitë “tradicionale” morën me 14 shkurt u bënë më të vetëdijshme për arsyet e atij tërmeti.  E kuptuan se nuk mund të shkojnë në vazhdimësi duke u tallur me opinionin publik. Prandaj bënë përpjekje për aq sa patën mundësi, herë më shumë e herë më pak, për të emëruar kandidatura më kredibile në këtë garë elektorale. Çuditërisht humbësit u ndërgjegjësuan pse kishin humbur, kurse fitimtarët s’e dinin pse kishin fituar. Ose dëshiruan t’i injoronin arsyet e triumfit të tyre.

Me këtë rast, kjo Lëvizje u veçua në promovimin e kundërt të atyre vlerave që i kishte proklamuar ndër vite.  Dhe këtu vlen të veçohet sidomos kauza e saj për çlirimin e politikës nga injoranca. Kuptohet, kishte edhe përjashtime. Madje në këto raste rezultatet nuk munguan.  Por në disa komuna mjerisht menyja e saj elektorale ofronte kandidatë që ishin nën nivelin mesatar të shoqërisë kosovare. Metaforikisht, kjo Lëvizje e braktisi pikërisht atë kauzë të “popullzimit” që do të duhej ta mbronte më së shumti. Promovimi i akademikëve në fushata elektorale, apo premtimi politik për organizim të eventeve të bukurisë për gjyshet tona, u bënë shprehje banale e imazhit të saj publik sa u përket premtimeve për qeverisjen e ardhshme lokale. (Vijon)

Lexoni Gjithashtu

Debunking Articles

Pretendimi i ngritur nga Vudi Xhymshiti se Zëvendës Ndihmës Sekretari, Gabriel Escobari, ka nënvlerësuar qeverinë e Kosovës, duke e lidhur këtë me pretendimet se...

Analizë

Katër ditë para Vitit të Ri, më 27 dhjetor 2023, Qeveria e Kosovës miratoi në heshtje Projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media, i...

Analizë

Viti i parë i Qeverisë Kurti shënoi një start të vështirë në politikën e jashtme, shoqëruar me shumë gabime diplomatike dhe dështime të protokollit....

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.