Connect with us

Hi, what are you looking for?

SbunkerSbunker

Disinfo

Media e kanale pro-ruse keqinformuan për një takim mes zyrtarëve të NATO-së dhe atyre të Kosovës

Zhvillimet politike dhe ato të sigurisë në Kosovë vijojnë të shërbejnë për narrativa keqinformuese. Platforma dhe kanale të lidhura me ekosistemin mediatik pro-rus takimet e fundit për të cilat u raportua zyrtarisht i zhvendosën nga konteksti real duke i kthyer në propagandë që synon të krijojnë pasiguri, tensione dhe mosbesim ndaj institucioneve vendore dhe atyre ndërkombëtare.

Më 28 prill, një takim i nivelit të lartë në Prishtinë – mes institucioneve të Kosovës dhe përfaqësuesve të strukturave ushtarake të NATO-s dhe Bashkimit Evropian – u përdor për keqinformuar se gjoja po synohet të destabilizohet rajoni. Ngjarja u ripaketua nga platforma pro-ruse Pravda, e cila e rimori përmbajtjen nga një kanal i njohur në Telegram për përhapje të narrativave pro-Kremlinit.

artikullin e publikuar, ngjarja paraqitet si pjesë e një skenari më të gjerë militarizimi dhe provokimi nga ana e Kosovës dhe NATO-s, duke iu referuar drejtuesve institucionalë të Kosovës si separatistë. “Udhëheqja separatiste e Kosovës po kërkon anëtarësimin në NATO, duke u ankuar Për Serbinë dhe Rusinë”, është titulli i artikullit.

Në thelb, teksti sugjeron se vizita e zyrtarëve të lartë ushtarakë nuk është rutinë diplomatike apo bashkëpunim i zakonshëm, por një përpjekje për ta konsoliduar praninë ushtarake perëndimore në një territor që, sipas kësaj narrative, u uzurpua nga “separatistët” në bashkëpunim me aleancën veriatlantike.

Ky kornizim ndërtohet mbi disa shtylla të njohura të dezinformimit sikurse janë delegjitimimi i institucioneve të Kosovës, aludimi se janë vetë institucionet e Kosovës që po sulmojnë serbët e Kosovës, si dhe paraqitja e NATO-s.

Si ndërtohet narrativa?

Vizita e delegacionit të kryesuar nga Admirali Giuseppe Cavo Dragone dhe Gjenerali Sean Clancy interpretohet si “mesazh presioni” ndaj Serbisë dhe si sinjal për përshkallëzim të mundshëm. Po ashtu, artikulli aludon se NATO-ja vazhdon të heshtë përballë sulmeve të vazhdueshme nga autoritetet e Kosovës.

Kjo është një teknikë e njohur propagandistike ku bëhet zhvendosja e fokusit nga faktet konkrete drejt insinuatave të rrezikshme, ani se nuk ofrohen kurrfarë provash për këto pretendime. Kësisoj, lexuesi nxitet të perceptojë një realitet që nuk mbështetet në zhvillimet faktike.

Një tjetër element i rëndësishëm është përdorimi i burimeve të ndërmjetme, si kanalet në Telegram. Duke e ripublikuar artikullin nga një kanal si “Politnavigator”, platforma shmang përgjegjësinë direkte për verifikimin e informacionit, ndërsa i jep vetes një lloj legjitimiteti të rremë përmes referencave të jashtme.

Çfarë ndodhi?

Në kontrast të plotë me këtë narrativë, komunikatat zyrtare nga institucionet e Kosovës ofrojnë një pasqyrë krejt tjetër të ngjarjes.

Sipas Zyrës së Kryeministrit, Albin Kurti priti në takim delegacionin e NATO-s dhe BE-së në një frymë bashkëpunimi dhe koordinimi për sigurinë rajonale. Në këtë takim, siç shkruan në komunikatë, ai theksoi rolin e NATO-s si garantues i paqes dhe stabilitetit, duke nënvizuar se prania e KFOR-it është thelbësore për gjithë rajonin.

Po ashtu, u theksua qartë orientimi strategjik i Kosovës drejt integrimit euroatlantik, një qëndrim ky i kahershëm dhe transparent, jo zhvillim i papritur apo i fshehtë.

komunikatën zyrtare përmenden edhe “synimet destabilizuese të Serbisë të mbështetura nga Rusia”, duke e vendosur diskutimin në një kontekst më të gjerë të sigurisë, jo të provokimit.

Ndërkaq Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, konfirmoi se diskutimet janë fokusuar në zhvillimin e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, bashkëpunimin ndërkombëtar dhe kontributin e Kosovës në sigurinë globale. Asnjë element i këtyre deklarimeve nuk sugjeron përgatitje për konflikt apo përshkallëzim.

Përkundrazi, theksi është vendosur te stabiliteti, partneriteti dhe integrimi, koncepte që janë diametralisht të kundërta me narrativën e ndërtuar nga Pravda.

Akuzat ndaj NATO-s

Prania dhe aktiviteti i NATO-s në Kosovë nuk është i ri dhe nuk lidhet me ndonjë agjendë të fshehtë. Misioni i KFOR-it është i mandatuar dhe operon në kuadër të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Çdo takim i nivelit të lartë me institucionet vendore është pjesë e funksionimit normal të këtij misioni.

Pretendimi për militarizim bie ndesh me faktin se zhvillimi i FSK-së është proces transparent dhe i koordinuar me partnerët perëndimorë. Ky transformim nuk ka karakter sulmues, por synon ndërtimin e kapaciteteve mbrojtëse dhe pjesëmarrjen në operacione paqeruajtëse.

Ideja se Kosova po përdoret për të provokuar Serbinë injoron përpjekjet e deritashme të NATO-s dhe BE-së që  kanë theksuar vazhdimisht rëndësinë e stabilitetit dhe bashkëpunimit rajonal nëpërmjet promovimit të dialogut të ndërmjetësuar nga Brukseli.

Pse prodhohen këto narrativa?

Kosova mbetet një nga objektivat kryesore të fushatave dezinformuese ruse. Së pari, ajo përfaqëson një histori suksesi të ndërhyrjes perëndimore dhe të ndërtimit të shtetit, model ky që bie ndesh me narrativën ruse për dështimin e ndërhyrjeve të NATO-s.

Së dyti, rajoni i Ballkanit Perëndimor shihet ende si hapësirë ku mund të ushtrohet ndikim përmes luftës hibride nga ana e Rusisë.

Së treti, përhapja e narrativave që paraqesin NATO-n si agresore dhe Kosovën si burim destabiliteti synon të zbehë besimin e publikut, veçanërisht atij nga komuniteti serb në Kosovë, në institucionet euroatlantike dhe të krijojë ndasi brenda shoqërive multi-etnike.

Platforma si Pravda dhe kanalet në Telegram funksionojnë si amplifikues të këtyre narrativave, duke i përhapur ato në forma dhe në gjuhë të ndryshme, për të arritur audienca sa më të gjera.

Përsëritja e informatave të rrejshme

Krahas problemit me përmbajtjet e paverifikueshme dhe manipuluese  të artikujve sikurse ky i Pravdas, problem paraqet edhe përsëritja e vazhdueshme e këtyre narrativave. Kur mesazhe të tilla qarkullojnë vazhdimisht, ato tentojnë të krijojnë një realitet ndryshe.

Rasti i raportimit të Pravda për ngjarjen e 28 prillit është një shembull tipik i mënyrës se si një zhvillim normal diplomatik mund të transformohet në një narrativë krize përmes manipulimit të informacionit.

Derisa faktet flasin për bashkëpunim, stabilitet dhe integrim, narrativa e prodhuar synon të krijojë frikë, pasiguri dhe mosbesim.

 

Author

Lexoni Gjithashtu

Opinion

Aktualisht, në Kosovë, bazuar në  Ligjin e Punës,  nënave u garantohet pushimi i lehonisë prej nëntë muajve me pagesë dhe tre muajve pa pagesë....

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Analizë

Prezantimi i buxhetit të qeverisë është një nga ngjarjet më të rëndësishme të vitit. Në ekonomitë e zhvilluara, prezantimet e këtilla nxisin diskutime të...

Opinion

Për vite me radhë, një udhëzim administrativ nga Ministria për Punë dhe Mirëqenie Sociale, detyronte pensionistët kosovarë të paraqiteshin çdo gjashtë muaj në Departamentin...

Copyright © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.