Connect with us

Hi, what are you looking for?

Kritikë

Burgu i Idealit

E ndërtuar gjatë viteve ‘50 të shekullit të kaluar, ndërtesa e Qendrës së Paraburgimit në Prishtinë, ndryshe e njohur si Burgu i Qarkut, më në fund u bë muze dhe u quajt ‘Burgu i Idealit’. Mijëra veprimtarë të organizatave ilegale politike shqiptare, që kanë funksionuar në Kosovë deri më 1999, janë mbajtur dhe torturuar në këtë godinë gjatë hetimeve. Kjo ndërtesë vazhdoi të funksiononte si burg deri më 2015, kur edhe u mbyll përfundimisht. Përfaqësues të ndryshëm të partive politike në Kosovë, kryesisht deputetë e ministra, ish të burgosur politikë a familjarë të tyre, kanë kërkuar me vite të tëra që ajo të shndërrohet në muze.

Ideja për ta bërë muze nisi në Qeverinë e parë të Kurtit, kurse u finalizua gjatë këtij mandati. Para pak muajsh, nën patronatin e MKRS-së, në këtë ndërtesë u hap edhe një ekspozitë e përkohshme, në të cilën morën pjesë shumë deputetë e ministra. Kryeministri Albin Kurti, ngaqë ndodhej jashtë vendit, bëri një postim të gjatë për të, ku thoshte se kjo ishte vetëm faza e parë e hapjes së ndërtesës së Burgut të Prishtinës, i cili do të restaurohej e do të konservohej në tërësi për ekspozitën e përhershme. Duke e pa ekspozitën e përkohshme, që është faza e parë e këtij projekti, kemi të drejtë të shqetësohemi se edhe të tjerat – restaurimi, konservimi dhe ekspozita e përhershme – do të kryhen sikurse e para: shpejt e shpejt dhe shkel e shko.

Hulumtimi për këtë ekspozitë është bërë në mënyrë jashtëzakonisht sipërfaqësore. Rrjedhimisht, prezentimi është krejt i cekët, teksti është i draftuar keq dhe, përveçse ka nevojë për recensurë e redakturë të themeltë, i duhet edhe korrekturë deri edhe e gjërave elementare. Me po aq ngut është bërë grumbullimi dhe përzgjedhja e fotografive, vizatimeve dhe letrave të të burgosurvë politikë. Të mos flasim për dizajnin që duket sikur e ka bërë ndonjë entuziast krejt fillestar.

Nëpër këtë ekspozitë janë vendosur, pa kurrfarë kriteresh, citate të përzgjedhura të personaliteteve shqiptare që kanë kaluar nëpër burgjet sërbe-jugosllave që nga Lufta e Dytë Botërore e deri në luftën e fundit në Kosovë më 1998-1999. Të paktën të merrej parasysh kriteri kronologjik dhe nëpër hapësira të ndryshme të ekspozitës të vendoseshin citate të të burgosurve politikë të periudhave të ndryshme: koha e Aleksandar Ranković-it (1946-1966); demonstratat e vitit 1968; koha e rilindjes së shqiptarëve të Kosovës (1968-1981); demonstratat e vitit 1981; suprimimi i autonomisë së Kosovës  (1988-1989); periudha e aparteidit dhe e segregacionit (1990-1998); dhe, në fund fare, citate të të burgosurve politikë nga periudha e luftës në Kosovës (1998-1999).

Krahas thënieve, janë vendosur, po ashtu pa kurrfarë kriteri, dhjetëra vizatime të të burgosurve politikë. Një pjesë e konsiderueshme e tyre janë njëmend të veçanta, të realizuara gjatë kohës së burgut, e që për motiv kanë të burgosurit politikë. E meta tjetër është se pothuajse të gjitha këto vizatime kanë për autorë vetëm dy nga të burgosurit politikë – Hydajet Hysenin dhe Sylë Mujajn. Do të kish qenë mirë të grumbulloheshin vizatimet e të gjithë të burgosurve politikë që kanë vizatuar nëpër burgje gjatë viteve 1945-1999 e të përcaktoheshin kritere të qarta për përzgjedhjen e atyre që do të vendoseshin në ekspozitë.

Një e mirë është që kuratorët e ekspozitës të paktën shumicën e teksteve i kanë prezentuar, përveçse në gjuhën shqipe, edhe në gjuhën angleze e sërbe. Megjithatë, kur përmbajtja e teksteve në shqip nuk është si duhet, nuk ka si të jenë si duhet as përkthimet në anglisht e sërbisht. Por, duhen vlerësuar përpjekjet për të respektuar ligjin dhe kushtetutën sa u takon gjuhëve zyrtare në Kosovë, por edhe për t’ia treguar botës vuajtjet e shqiptarëve gjatë përpjekjeve për liri.

Teksti në fotografinë e mëposhtme ilustron më së miri gabimet gjuhësore, fjalitë e pakuptimta, e mbi të gjitha patetizmin që e karakterizon këtë ekspozitë, i cili kulmin e mbërrin në fjalinë e fundit «Lavdi jetës dhe veprës së mijëra veprimtarëve ndër breza». Kuptohet që këso përmbajtje patetike nuk mund të gjenden në asnjë nga muzetë e vendeve të Europës Perëndimore e as në muzetë e vendet të Europës Lindore, të cilat kanë dalë nga komunizmi para tri dekadave, e madje as në muzetë e bërë në Shqipërinë post-komuniste. Përmbajtje të këtilla mund të gjendeshin vetëm në muzetë e kohës së komunizmit në Shqipërinë e Enver Hoxhës dhe, për fat të keq, në muzetë dhe ekspozitat e bëra në Kosovë.

Image

Pjesa më interesante në krejt ekspozitën është prezentimi në një mur i njëzet fotografive, të nxjerra nga Arkivi i Kosovës prej ish të burgosurit politik, Martin Çuni, i cili gjatë viteve të 1980-ta, bashkë me të burgosurin tjetër politik, Muamer Shabani, tentuan të arratiseshin nga burgu. Mirëpo, edhe këto fotografi janë të prezentuara shkel e shko, meqë u mungon një tekst me të dhënat elementare se çka ka ndodhë, kur, si, e kështu me radhë. Mbi të gjitha do të duhej të paraqitej e dhëna se Muamer Shabani ia doli të arratisej, kurse Martin Çuni u kap.

Është e vërtetë se ndërtesa e Qendrës së Paraburgimit në Prishtinë, e shndërruar tashmë në ‘Burgun të Idealit’, është aset i mbrojtur i trashëgimisë kulturore dhe ngërthen brenda vetes histori të shumta të përndjekjes, keqtrajtimit dhe shtypjes së idesë për liri. Por, ekspozita nuk paraqet, siç thuhej nëpër disa postime afirmative kryesisht nga eksponentë të pushtetit aktual, shtypjen e aktivizmit dhe të rezistencës për liri e të drejta themelore të njeriut, dhe aspak nuk hedh dritë mbi trajtimin çnjerëzor të të burgosurve politikë.

Shkurt, druaj se mënyra se si është përgatitur kjo ekspozitë nuk i nderon mijëra të burgosur politikë shqiptarë që kanë përjetuar vuajtje të tmerrshme nëpër burgjet e Sërbisë e të Jugosllavisë që nga viti 1945 e deri më 1999 për shkak të angazhimit për liri. Ajo përbën fyerje madje edhe për vizitorët e rëndomtë. Prandaj, është e këshillueshme që MKRS-ja ta heqë këtë ekspozitë dhe, siç ka premtuar Ministri Hajrullah Çeku, që një ekspozitë permanente të hapet ndoshta edhe pëmes një konkursi ndërkombëtar.

Është krejt e pakuptimtë ngarendja për ta hapë ekspozitën kështu në këtë formë, e sidomos ngarendja e Kryeministrit dhe ministrave të tij për ta promovuar. Sidomos tragjikomike ishte gara mes eksponentëve të LVV-së dhe atyre të LDK-së për t’i pëvetësuar meritat për këtë ekspozitë. Ky është indikator se Qeveria e Kosovës mund të veprojë ngjashëm edhe me ekspozitën permanente, duke e hapur shpejt e shpejt dhe shkel e shko në prag të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.

Lexoni Gjithashtu

Disinfo

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.