Connect with us

Hi, what are you looking for?

SbunkerSbunker

Kritikë

Gjurmimi i Fijeve të Ballkanit

Ilustrimi nga Ngadhnjim Halilaj.

Kur dikush më kërkon ta përshkruaj vendin tim, në mënyrë instinktive filloj të flas për Ballkanin. Gadishulli Ballkanik është rajon unik me identitet kompleks në Europë, formësuar nga gjeografia, kultura dhe historia e tij.

Fillimi i qytetërimeve të Ballkanit përfaqëson historinë e origjinës së Europës. Një nga kulturat e para sedentare (jolëvizëse) të kontinentit, kultura e Vinçës, ishte vendosur në brigjet e lumit Danub, në mes të viteve 6500 dhe 4500 para lindjes së Krishtit.

Sot, qytetërimi europian gjen rrënjët e tij në traditat greko-romake të kulturave antike helene që banuan në pjesët jugore të Ballkanit. Traditat helene krijuan bazën për letërsinë europiane, nëpërmjet poezisë, dramës, tragjedisë, filozofisë, si dhe historisë si formë letrare. Edhe alfabeti i parë i Evropës, alfabeti grek, vjen nga jugu i Ballkanit.

Përtej ndikimit helen, sundimi romak në Ballkan, i formësuar nga idetë antike greke, transformoi jetën sociale, politike dhe kulturore për shekuj të tërë. Përshtatja e stilit romak të jetesës dhe, më vonë, Krishterimit, i dha formë kontinentit dhe jo vetëm.

Skizma e madhe e Krishterimit në shekullin XI ndau Ballkanin në katolikë dhe ortodoksë. Rënia e Perandorisë Bizantine trasoi rrugën për ngritjen e Perandorisë Osmane, një tjetër qendër e madhe kulturore, e cila shpiku termin “Ballkan”, që rrjedh nga fjala turke për “malin”.

Pushtimi i pjesëve të ndryshme të Europës nga Perandoria Osmane, pasuar nga afërsisht pesë shekuj sundim në pjesë të ndryshme të kontinentit, në këtë rajon e solli Islamin. Prania e gjatë është arsyeja kryesore pse sot popullsitë e vetme autoktone myslimane në Europë gjenden në Ballkan.

Me gjithë traditat dhe historitë e ndryshme që mund të jenë në Ballkan, ato ndërthuren në shumë mënyra. Shumë njerëz në rajon gjurmojnë rrënjët e tyre në kulturat helene, ilire ose sllave, por është e rëndësishme të kihet parasysh se këto kultura asnjëherë nuk kanë ekzistuar si të izoluara. Përkundrazi, ato shumë herë janë përzier, kanë ndërvepruar dhe ndikuar njëra-tjetrën kulturalisht dhe gjeografikisht.

Kjo bashkëjetesë krijoi disa vende fascinuese, siç janë: Kosova, Vojvodina, Transilvania dhe Istra, secila nga to me identitet unik rajonal, që edhe pasqyron, edhe tejkalon dallimet mes banorëve të tij. Unë jam rritur në Beograd, por kam kaluar shumicën e verave në Vojvodinë, meqenëse familja ime vjen nga bregdeti i Malit të Zi. Për këtë arsye, kur përshkruaj kulturën time, më shumë përqendrohem te rajoni, sesa te vendi im.

Kjo mund të tingëllojë e ndërlikuar për disa njerëz, por për mua ishte krejtësisht normale derisa u largova jashtë vendit. Është shumë e zakonshme që familjet në Ballkan të jenë të shpërndara në disa shtete dhe të kenë pasaporta të ndryshme. Edhe brenda shtetit të njëjtë, identitetet rajonale shpesh janë më të fuqishme, sesa ato kombëtare.

E kam të vështirë ta shpjegoj këtë rrjedhë dhe ndërthurje kulturore për njerëzit që e shikojnë rajonin tonë nga jashtë. Por, gjithashtu, kam vërejtur se ballkanasit herë pas here ngecin në kufijtë imagjinarë identitarë që i kanë dizajnuar për veten, duke anashkaluar pasurinë e traditave brenda kulturave të tyre dhe lidhjet e pamohueshme me fqinjët.

Ndërveprimet personale në tërë gadishullin karakterizohen nga mikpritja dhe mirësjellja, gjë për të cilën krenohemi, pa ndjesinë e shokut kulturor. Megjithatë, vazhdojnë të jenë të pranishme rivalitetet rajonale dhe kombëtare, tensionet politike dhe plagët e historisë.

E fillova podcast-in Balkan Threads (Fijet e Ballkanit) në Sbunker, nga dëshira për të eksploruar ndërlikueshmërinë e traditave dhe trashëgimisë në Ballkan, me dashuri dhe besim se këto tradita janë të përbashkëta për të gjithë ne. Besoj se të kuptuarit e thellë të shekujve të praktikave të përbashkëta kulturore mund të ndihmojë në kundërshtimin e dekadave të politikës ndarëse.

Të ftuarit e mi janë njerëz që na ndihmojnë t’i tejkalojmë kufijtë politikë dhe stereotipat kombëtarë. Ata vijnë nga rajone të Ballkanit të njohura për multikulturalizëm dhe bashkëjetesë, dhe zërat e tyre të fuqishëm rajonalë pasqyrojnë mënyrat e shumta që kultura e pasur e rajonit dhe shtresëzimet historike e kanë formësuar vendin që e quajmë shtëpi.

Për shembull, në episodin e parëpodcast-it, me të ftuarën time, Vernesën, biseduam për marrëdhëniet ndërfetare dhe identitetin në Sanxhak.

Aftësia për t’i kuptuar edhe kulturat autoktone të Ballkanit, por edhe ato të sjella nga jashtë shekuj më parë, më ka ndihmuar të ndihem i mirëpritur në çdo vend. Kureshtja ime për nuancat gjuhësore, etnike dhe historike të të dy vendeve që i quaj shtëpi, më ka lejuar të navigoj me lehtësi në kufij të ndryshëm të rajonit, duke i parë ata jo si ndarje, por si sfida të përbashkëta me të cilat përballemi të gjithë ne.

Përtej kësaj, të qenët i vetëdijshëm për kulturat që janë përzier me timen, më ka ndihmuar ta kem një ndjesi të shtëpisë kudo që udhëtoj. Duke ecur në rrugët e Amsterdamit, vura re fjalë gjermanike në dialektet veriore të serbo-kroatishtes dhe mendova për biskotat tradicionale me spec që gatuhen në Zagreb.

U ndjeva si në shtëpi, edhe kur po rrija ulur në një çajtore në Dar er Salaam në Tanzani, pasi kisha shkuar në një pazar, sepse e dëgjova përshëndetjen e njëjtë që e përdorin njerëzit në Sanxhak dhe Bosnjë, si dhe piva çaj me enët e njëjta të bakrit që, disa vite më parë, ma kishin shërbyer çajin në Prizren.

Për kënaqësinë time, mësova se tashmë i dija disa fjalë të gjuhës Suahili, meqë kjo gjuhë kishte shumë fjalë turke dhe arabe. Jam në lidhje me një meksikan dhe gjallëria e traditave meksikane pasqyron ato që nëna ime m’i tregonte gjithmonë për vendlindjen e saj në Adriatik. Traditat latine të karnevaleve, siesta-s (pushimit të pasdrekës), por edhe muzikës melankolike dhe festive, na lidhin mes vete përtej kontinenteve.

Të ftuarit që kam zgjedhur ndajnë histori po kaq intime. Për ta, ato që na i tregojnë mund të jenë të qarta. Megjithatë, ne mund të mësojmë diçka të re për njerëzit që na rrethojnë, madje edhe më mirë, ata mund të na frymëzojnë t’i shohim shtresat e identitetit tonë që i kemi injoruar. Mesazhi që shpresoj të përcillet nga secili episod është se trashëgimia e ndryshme dhe e përbashkët në Ballkan është bekim dhe pikë lidhëse, e asnjëherë pikë ndarëse.

Lexoni Gjithashtu

Opinion

Aktualisht, në Kosovë, bazuar në  Ligjin e Punës,  nënave u garantohet pushimi i lehonisë prej nëntë muajve me pagesë dhe tre muajve pa pagesë....

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Analizë

Prezantimi i buxhetit të qeverisë është një nga ngjarjet më të rëndësishme të vitit. Në ekonomitë e zhvilluara, prezantimet e këtilla nxisin diskutime të...

Opinion

Për vite me radhë, një udhëzim administrativ nga Ministria për Punë dhe Mirëqenie Sociale, detyronte pensionistët kosovarë të paraqiteshin çdo gjashtë muaj në Departamentin...

Copyright © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.