Connect with us

Hi, what are you looking for?

SbunkerSbunker

Kritikë

Si mendojnë shtetet? Reflektim mbi librin e ri të John J. Mearsheimer-it dhe Sebastian Rosato-s

Në librin How States Think: The Rationality of Foreign Policy (shqip: Si mendojnë shtetet: racionaliteti i politikës së jashtme), dy studiues të marrëdhënieve ndërkombëtare, John J. Mearsheimer dhe Sebastian Rosato, përpiqen t’i japin përgjigje një pyetjeje të vjetër, por thelbësore të politikës ndërkombëtare: A veprojnë shtetet duke u mbështetur në racionalitet, apo veprimet e tyre ndikohen nga emocionet, ideologjia dhe pasionet?

John J. Mearsheimer, për dekada me radhë, ka argumentuar se në marrëdhëniet ndërshtetërore, fuqitë e mëdha janë të detyruara të ndjekin sigurinë dhe forcën për të mbijetuar në një botë konkurruese dhe sistem ndërkombëtar anarkik. Ndërsa, Sebastian Rosato i përket brezit të ri të teoricienëve realistë që përpiqen ta përditësojnë këtë qasje me analiza historike dhe gjetje empirike.

Në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare, termi “anarki” nuk e ka kuptimin e mungesës së rendit dhe ligjit, por merr kuptimin e mungesës së hierarkisë në nivel global. Me fjalë të tjera, në botë nuk ka ndonjë autoritet global apo qeveri botërore për të qeverisur shtetet. Kjo strukturë i detyron shtetet të operojnë në një sistem anarkik (pa hierarki), ku ato duhet të mbështeten në fuqinë e tyre për të garantuar sigurinë dhe ndjekur interesat e tyre.

Autorët e librit ofrojnë një përkufizim autentik të racionalitetit në politikën ndërkombëtare, duke e përkufizuar atë si: “strategji të ndërtuar mbi një teori të besueshme dhe të formësuar përmes një procesi deliberativ”. Ata nënvizojnë se vendimmarrja racionale kërkon që individët “të vlerësojnë me kujdes situatën duke mbledhur dhe analizuar provat e disponueshme”, si dhe që shtetet t’i bashkojnë këto pikëpamje përmes “debatit të hapur dhe të pakufizuar përpara marrjes së vendimit final”.

Një shtet është racional jo sepse fiton apo merr vendimin “e duhur”, por sepse ndjek një proces vendimmarrës të arsyetuar dhe në përputhje me atë që njihet si Modeli i Aktorit Racional (ang. Rational Actor Model). Sipas këtij modeli, rëndësia nuk qëndron te rezultati përfundimtar, por te mënyra se si shteti arrin në një vendim të caktuar: duke mbledhur informacion, duke e analizuar atë sistematikisht dhe duke u mbështetur në teori me fuqi shpjeguese mjaftueshëm për të kuptuar botën.

Autorët argumentojnë se përkufizimi i “racionalitetit” është i rëndësishëm, sepse nëse supozojmë se shtetet janë irracionale, atëherë sjellja e tyre në politikën e jashtme bëhet kryesisht e paparashikueshme dhe studimi i marrëdhënieve ndërkombëtare humb fuqinë shpjeguese.

Për shembull, edhe kur një politikë e caktuar përfundon me pasoja të rënda për shtetet, si në rastin e pushtimit të Irakut nga ana e SHBA-së në vitin 2003, ajo mund të jetë racionale nëse në momentin e vendimmarrjes është mbështetur në argumente logjike. Kështu, Mearsheimer dhe Rosato e zhvendosin kuptimin e racionalitetit nga rezultati te procesi, duke e bërë këtë një nga idetë më të rëndësishme dhe më dalluese të librit.

Për të testuar këtë tezë, autorët analizojnë tre shembuj konkretë: Gjermaninë në prag të Luftës së Parë Botërore, Japoninë e viteve ‘30 dhe Rusinë e vitit 2022. Arsyeja është se këto raste janë përmendur vazhdimisht në literaturë si shembuj të politikave të gabuara. Por, Mearsheimer dhe Rosato na ftojnë t’i shohim nga një këndvështrim tjetër, duke na kujtuar se edhe vendimet më të rrezikshme mund të jenë pjesë e një arsyetimi të ftohtë logjik, të ndërtuara mbi perceptimin e frikës, pasigurisë dhe përpjekjeve për të garantuar sigurinë kombëtare të shteteve.

Gjermania para vitit 1914

Para fillimit të Luftës së Parë Botërore, elitat politike dhe ushtarake në Gjermani ndiheshin të rrethuara nga armiq në të dyja anët e kufirit: Franca në Perëndim dhe Rusia në Lindje. Nga frika se Rusia do të rritej dhe do të bëhej shumë e fortë në vitet në vijim, Berlini vendosi të godasë i pari, me shpresën se një fitore e shpejtë dhe e plotë do të eliminonte kërcënimin potencial rus dhe do të garantonte sigurinë për Gjermaninë në dekadat vijuese.

Megjithëse ky vendim dështoi në mënyrë katastrofale, autorët theksojnë se ai u mbështet mbi një arsyetim racional që atëbotë Gjermania e konsideronte si të domosdoshëm, bazuar në rreziqet e sigurisë nacionale. Andaj, Gjermania nuk veproi nga mosdija apo mendjelehtësia, por nga frika dhe instinkti mbijetesës nacionale.

Mearsheimer dhe Rosato theksojnë se vendimmarrësit gjermanë supozonin që një luftë parandaluese do t’i ruante ata nga një humbje e pashmangshme më vonë. Pra, në sytë e tyre, kjo ishte një luftë e domosdoshme. Kjo gjë nuk e justifikon luftën që ndodhi, por na ndihmon të kuptojmë se ajo nuk ishte thjesht pasojë e arrogancës apo e ambicies së verbër të gjermanëve, por ishte produkt i një llogaritjeje strategjike që doli të jetë e gabuar.

Japonia në dekadën e 1930-s

Në vitet ’30, Japonia nuk po përballej vetëm me probleme të rënda ekonomike dhe kufizime energjetike, por edhe me një përkeqësim të dukshëm të pozicionit të saj strategjik në Azi. Japonia varej nga importet e naftës dhe lëndëve të para, dhe kjo situatë krijoi shqetësim te lidershipi japonez.

Kjo paqartësi lidhej me frikën se vendi po humbiste fuqinë dhe ndikimin e tij në rajon. Sipas Mearsheimer-it dhe Rosato-s, rritja e shpejtë e Bashkimit Sovjetik, forcimi i Kinës nacionaliste dhe presioni ekonomik nga Shtetet e Bashkuara, perceptoheshin si një zhvendosje e pafavorshme e ekuilibrit të fuqisë, duke e bërë udhëheqjen japoneze të besonte se statusi i saj si fuqi rajonale po cenohej.

Pushtimi i Mançurisë në vitin 1931 u konsiderua nga vendimmarrësit japonezë si hap i domosdoshëm dhe racional, sepse në sytë e tyre ai adresonte një realitet të ri strategjik. Sipas Mearsheimer-it dhe Rosato-s, Japonia e shihte Mançurinë si burimin e vetëm të sigurt për lëndë të para dhe si themelin e aftësisë së saj për të mbijetuar.

Në këtë klimë, pushtimi i Mançurisë për udhëheqësit japonezë dhe më pas zgjerimi në Azi nuk ishin thjesht akt agresioni, por një përpjekje për të siguruar furnizime të qëndrueshme energjetike dhe për të ruajtur ekuilibrin e fuqisë në rajon. Pra, vendimi nuk buronte nga impulsiviteti, por nga një llogaritje e ftohtë e nevojës për të forcuar pozitën strategjike të Japonisë përballë një mjedisi gjithnjë e më armiqësor.

Rusia në 2022-tën

Rasti më i freskët që përmendet në libër është ai i luftës në Ukrainë, që filloi me vendimin e Rusisë për të pushtuar Ukrainën më 2022. Autorët kundërshtojnë interpretimin e zakonshëm se presidenti Vladimir Putin veproi nga ambicia personale apo egoja. Ata sugjerojnë se, nga këndvështrimi rus, zgjerimi i NATO-s drejt Lindjes dhe afrimi i Ukrainës me Perëndimin shiheshin si kërcënim serioz për sigurinë kombëtare të Rusisë.

Mearsheimer dhe Rosato argumentojnë se Moska prej kohësh e ka konsideruar Ukrainën pjesë të zonës së saj të ndikimit dhe si thelbësore për ekuilibrin strategjik në Europën Lindore. Kështu, ndërsa Ukraina afrohej gjithnjë e më shumë me institucionet euro-atlantike, Rusia e perceptonte këtë zhvillim si rrezik që forcat perëndimore të vendoseshin shumë pranë kufirit të tyre.

Sipas kësaj logjike, Kremlini besonte se po humbiste ndikimin në hapësirën që e konsideron thelbësore për sigurinë e shtetit dhe se, nëse nuk do të vepronte, do të gjendej përballë një situate edhe më të pafavorshme në të ardhmen. Andaj, ndërhyrja ushtarake, sado me pasoja dhe e gabuar, ishte përpjekje për të ruajtur një ekuilibër që Moska e sheh si jetik për interesat kombëtarë të saj.

Autorët argumentojnë se veprimi i Rusisë mund të kuptohet në dritën e teorisë realiste, e cila thekson se shtetet e fuqishme, kur perceptojnë rrezik pranë kufijve të tyre, priren të përdorin forcën për të ruajtur ekuilibrin e fuqisë. Nga ky këndvështrim, zgjerimi i NATO-s drejt Lindjes dhe afrimi i Ukrainës me Perëndimin, në Moskë u interpretuan si kërcënime strukturore për sigurinë e saj.

Sipas tyre, edhe pse rezultati i ndërhyrjes ishte katastrofik, procesi që çoi në vendimmarrje ishte i ndërtuar mbi një logjikë strategjike, të cilën elitat ruse e konsideronin të domosdoshme në kushtet e tyre të perceptuara të rrezikut.

Rekomandimet e librit

Në të gjitha këto raste konkrete, autorët e librit na ftojnë të mos e shohim politikën e jashtme si një seri gabimesh apo tekesh të udhëheqësve, por si përpjekje të shteteve për të gjetur rrugën më të arsyeshme në kushte të pasigurisë dhe anarkisë ndërkombëtare.

Sipas tyre, edhe kur shtetet gabojnë rëndë, ato nuk janë irracionale. Është krejtësisht e kundërta: ato marrin vendime racionale, por llogaritjet apo metodat mund të jenë të gabuara. Kjo mënyrë e të kuptuarit, që vjen nga një analizë e thellë historike dhe teorike, është ndoshta kontributi më i vlefshëm i librit në debatin mbi mënyrën se si mendojnë shtetet dhe si formohen vendimet në politikën e tyre të jashtme.

Rekomandimet që dalin nga ky libër janë të qarta dhe me vlerë për grupe të ndryshme lexuesish. Për studiuesit, ai është një ftesë për të analizuar më thellë proceset e vendimmarrjes dhe për të kuptuar se si shtetet mendojnë lidhur me sigurinë dhe mbijetesën e tyre në sistemin ndërkombëtar.

Për politikëbërësit, libri shërben si një paralajmërim i vyer se asnjë shtetet nuk vepron pa arsye, sado të pakuptimta të duken veprimet e tij. Të kuptuarit e kësaj logjike është thelbësor për të shmangur keqkuptimet dhe për të parashikuar më saktë sjelljen e tyre në politikën globale.

Ndërsa, për shtetet e vogla si në rastin e Kosovës, ai është një kujtesë për të lexuar më me kujdes lëvizjet e fuqive të mëdha, sepse pas çdo vendimi të tyre qëndron një logjikë strategjike që duhet kuptuar përpara se të jetë vonë.

Lexoni Gjithashtu

Opinion

Aktualisht, në Kosovë, bazuar në  Ligjin e Punës,  nënave u garantohet pushimi i lehonisë prej nëntë muajve me pagesë dhe tre muajve pa pagesë....

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Analizë

Prezantimi i buxhetit të qeverisë është një nga ngjarjet më të rëndësishme të vitit. Në ekonomitë e zhvilluara, prezantimet e këtilla nxisin diskutime të...

Opinion

Për vite me radhë, një udhëzim administrativ nga Ministria për Punë dhe Mirëqenie Sociale, detyronte pensionistët kosovarë të paraqiteshin çdo gjashtë muaj në Departamentin...

Copyright © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.