Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Diplomacia kosovare: disa rrëfime suksesi mes zymtësisë së përgjithshme

Përgjatë tre vjetëve të fundit, diplomacia kosovare ka përjetuar skandale të njëpasnjëshme nën drejtimin e Donika Gërvalla-Schwarz. Qysh nga fillimi i mandatit të saj, ajo ka treguar një mungesë të frikshme kuptimi të politikës së jashtme, mirëpo, në ndërkohë, ka dëshmuar se nuk ka as vullnet të mësojë.

Gërvalla-Schwarz ka defunksionalizuar Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), përmes një gjuetie shtrigash, duke shkarkuar shumë diplomatë, disa nga të cilat ishin edhe shkarkime të paligjshme.

Në të njëjtën kohë, MPJD ka përjetuar një numër të konsiderueshëm të dorëheqjeve të zyrtarëve të saj si rezultat i drejtimit joprofesional të Gërvalla-Schwarz.

Me gjithë këtë katrahurë, e cila e ka vështirësuar punën e misioneve diplomatike të Kosovës, ka disa misione të cilat në një formë kanë arritur të ruajnë profesionalizmin e tyre.

Në veçanti, ambasadat e Kosovës në Portugali, Itali dhe SHBA, cilat janë disa nga misionet diplomatike të Kosovës që vazhdojnë të bëjnë një punë të mirë në përfaqësimin e vendit.

Ambasada e Kosovës në Portugali

Ky mision është themeluar në fillim të vitit 2019 dhe që nga atëherë është udhëhequr nga Ylber Kryeziu, diplomat karriere, i cili paraprakisht kishte shërbyer në Konsullatën e Përgjithshme të Kosovës në Nju Jork.

Ambasadori Kryeziu është njëri nga diplomatët më aktivë në rrjetet sociale të Kosovës, i cili shfaq një qëndrim profesional dhe përdor gjuhë të sofistikuar diplomatike. Ndërkaq, postimet në rrjetet sociale, edhe të ambasadorit, edhe të Ambasadës së Kosovës në Lisbonë, janë gjithnjë profesionale, duke i ikur politizimit, e duke iu shmangur patetizmave të zakonshëm.

Ngjarjet e organizuara nga Ambasada e Kosovës në Lisbonë janë gjithnjë ngjarje shumë elegante, siç është rasti me kremten e Përvjetorit të Pavarësisë, e të cilat e sjellin një imazh ndryshe të Kosovës – gjë që do të duhej të ishte normë në të gjitha misionet diplomatike të vendit.

Pavarësisht ndryshimit të qeverive në Kosovë, ambasadori Kryeziu ka ditur që në vazhdimësi të ruajë raportet e mira me të gjithë dhe, mbi të gjitha, të evitojë çfarëdo lloj skandalesh në Portugali.

Ambasada e Kosovës në Itali

Një tjetër mision që ka dëshmuar një diplomaci të denjë digjitale e profesionale është Ambasada e Kosovës në Romë. Kjo ambasadë udhëhiqet nga një tjetër diplomate karriere, Lendita Haxhitasim, e cila ka marrë drejtimin e këtij misioni në vitin 2019.

Ngjashëm sikur ambasadori Kryeziu, Haxhitasim kishte shërbyer paraprakisht në Konsullatën e Përgjithshme të Kosovës në Nju Jork, e para asaj edhe në Ambasadën e Kosovës në Bruksel. Kjo përvojë pa dyshim se ka shërbyer në ndërtimin profesional të saj dhe i ka hapur rrugë përfaqësimit dinjitoz të Kosovës.

Kjo përbën një kontrast nga rasti i misioneve diplomatike në Poloni, Kroaci dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, ku në krye janë emëruar njerëz pa kurrfarë përvoje paraprake në shërbimin e jashtëm të Kosovës.

Edhe Ambasada e Kosovës në Romë ka mbajtur nivel të mirë përfaqësimi në diplomacinë digjitale dhe këtë e ka bërë duke evituar ndonjë skandal të mundshëm. Në këtë mision, po ashtu, vërehen postime profesionale dhe pa ngjyrime politike.

Përpos shpërndarjes së postimeve të krerëve më të lartë të shtetit – që është normale – kjo ambasadë nuk lëshohet në lëvdata apo komentime për subjektet politike apo liderët politikë, për dallim nga misionet diplomatike në Kroaci dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Ngjashëm me rastin e Ambasadës në Lisbonë, edhe në Romë, organizimet – si ai me rastin e 16-vjetorit të Pavarësisë – janë profesionale, të cilat nuk ngjasojnë me mitingje partiake.

Ambasada e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës

Ambasada tjetër që ka një përfaqësim korrekt në diplomacinë digjitale është ajo në Uashington, e udhëhequr nga një tjetër diplomat karriere, Ilir Dugolli, i cili më herët ka shërbyer si ambasador i Kosovës në Ankara dhe në Bruksel.

Ani pse kjo ambasadë ka arritur të jetë profesionale në diplomacinë digjitale, ajo nuk ka arritur t’i shmanget ftohjes së raporteve diplomatike mes Kosovës dhe SHBA-së. Megjithatë, duhet të theksohet se kjo gjë nuk ka ndodhur për fajin e tyre, por si rezultat i çakordimit të politikës së jashtme kosovare.

Si pasojë e vendimeve të pakonsultuara e të pakoordinuara, diplomatëve kosovarë në Uashington u janë zvogëluar mundësitë e punës, si dhe qasja në Administratën amerikane. Këtë shqetësim e pati ngritur vetë ambasadori Dugolli në komunikimin me MPJD-në.

Mirëpo, pavarësisht se raportet mes Kosovës dhe SHBA-së janë në nivelin më të ulët ndonjëherë, do të ishte e padrejtë që ambasadorit Dugolli dhe stafit diplomatik në Uashington t’u atribuohej një gjë e tillë.

Edhe në gjithë vorbullën në të cilën është gjendur, Ambasada e Kosovës në Uashington ka arritur që të ruajë profesionalizmin në diplomaci digjitale dhe të mos kthehet në një vegël të njërës apo tjetrës parti politike.

Çka i veçon të tria këto misione të Kosovës është fakti se ato udhëhiqen nga diplomatë karriere të cilët kanë një përvojë të konsiderueshme në diplomaci. Puna dhe dedikimi i këtyre diplomatëve dhe misioneve është tregues i qartë që Kosova ka kuadro të cilat dinë të punojnë me etikë të lartë pune dhe të cilët do të duhej të konsultoheshin më shumë për vendimmarrjen në politikën e jashtme.

Lexoni Gjithashtu

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Analizë

Viti i parë i Qeverisë Kurti shënoi një start të vështirë në politikën e jashtme, shoqëruar me shumë gabime diplomatike dhe dështime të protokollit....

Analizë

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Kosovo Dispatch

In the second episode of Kosovo Dispatch, we talk to Agon Maliqi, an independent analyst and the co-founder of Sbunker, about the legal and...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.