Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Është zgjuar gjiganti, mësohu të merresh me të!

Ilustrimi: BigEye

Shekulli i Kinës

Deri në vitin 2030 Kina pritet t’i tejkalojë SHBA-të në ekonomi. Kjo pasuri do të konvertohet në përparësi ushtarake dhe rrjedhimisht roli i Kinës në botë, Evropë dhe Ballkan pritet të jetë gjithnjë më i madh.

Në vitin 2015 kishte dalë plani dhjetëvjeçar i Kinës që njihet si “Prodhuar në Kinë 2025.” Ky është një plan industrial për mobilizimin e resurseve për të tejkaluar Perëndimin në prodhimin e teknologjisë së avancuar si veturat me bateri, inteligjencën artificiale, telekomunikim, robotikë etj. “Prodhuar në Kinë 2025” është edhe ilustrim i ambicieve kineze, dhe njëkohësisht kontribuon direkt në realizimin e strategjisë kombëtare për t’u bërë shteti më i fuqishëm në botë.

Rritja e prezencës kineze bie ndesh me sistemin e krijuar pas Luftës së Dytë Botërore nën udhëheqjen e SHBA-ve. Konflikti më serioz është në Azinë e Largët. Pekini ka pretendime mbi Tajvanin, dhe po shtyn për kontroll më të madh mbi Hong Kongun. Ajo gjithashtu pretendon sovranitet mbi ujërat e Detit Juglindor të Kinës shpesh duke u ndeshur me flotën amerikane, e cila insiston në lirinë e qarkullimit. Amerika gjithashtu furnizon Tajvanin me armatim duke ia vështirësuar okupimin nga Pekini, dhe kohëve të fundit shohim një fushatë më të gjerë nga të dy për të rekrutuar miq rajonalë – si periudhë e ndarjes graduale në dy kampe.

Një ilustrim tjetër i rëndësishëm është edhe plani kinez, i njohur si Rruga e Mëndafshit në Shekullin XXI. Kjo iniciativë zgjeron investimet kineze gjithandej globit kryesisht përmes infrastrukturës si kanal për ndërlidhje dhe tregti (që i ndihmon eksporteve kineze), por edhe financimit të projekteve tjera zhvillimore. Si projekt është mjaft i gjatë dhe i gjerë me shtrirje, thuajse pa formë të saktë e vështirë për t’u kuantifikuar (me estimacione prej një deri në tetë trilion dollarë.)

Gjiganti në Ballkan

Sa më e madhe dhe me projektim më të gjerë të fuqisë së Kinës, aq më e pritshme edhe rritja e influencës në Ballkan. Sipas një studimi nga Lowy Institute në Australi, Kina tanimë ka tejkaluar SHBA-të me numrin e posteve diplomatike globalisht.

16 + 1 është emri i forumit të iniciuar nga Kina me shtetet e Evropës Lindore dhe Juglindore, i cili përfshin të gjitha vendet e Ballkanit përveç Kosovës. Si pjesë e këtij forumi, Kina ka investuar më shumë se $15.4 miliardë dollarë prej vitit 2012 në sferën e infrastrukturës, teknologjisë, patundshmërisë etj.

Në Ballkan disa nga investimet që ja vlejnë të cekën janë autostrada Mali i Zi – Serbi, linja hekurudhore Beograd – Budapest, blerja e portës së Pireus në Greqi e cila është shndërruar në portën e dytë më të madhe në Mesdhe, dhe bashkëpunime të shteteve me kompaninë kineze Hauwei për telekomunikacion. Lista e projekteve dhe e investimeve është e gjatë dhe të gjitha bashkërisht e çimentojnë rolin e Kinës në rajon.

Kosova përballë gjigantit

Përderisa të gjitha iniciativat e lartpërmendura janë kryesisht ekonomike, ato janë të pandara nga politika. Vetë Bashkimi Evropian ka shfaqur brengosje rreth investimeve kineze dhe ka kërkuar që në çfarëdo marrëveshje me Kinën nga anëtarët e unionit të jenë në harmoni me interesat e përgjithshme të BE-së.

Askund nuk shfaqet aspekti politik në Ballkan më shumë se në Serbi. Aty prej vitit 2011 Kina ka investuar më shumë se $4 miliardë dollarë me premtime për huazime rreth $5 miliardë dollarë tjera. Qendra më e madhe kulturore e Kinës në Evropë gjendet në Beograd, në po të njëjtin vend ku amerikanët kishin bombarduar ambasadën kineze në vitin 1999.

Lidhja e Serbisë me Kinën është e nivelit strategjik dhe përfshin edhe spektrin diplomatik dhe të sigurisë. Shpeshtimi i takimeve, investimet e kompanisë Hauwei të sanksionuar nga SHBA-të, importi i dronëve, dhe marrëveshjet policore së bashku me investimet proporcionalisht më të mëdha se në vendet e tjera fqinje të gjitha së bashku përshkruajnë vazhdimësinë e thellimit të marrëdhënieve.

Nën këtë kontekst ku globalisht shohim ndeshje mes fuqive, kryesisht SHBA-ve dhe Kinës, por edhe Rusisë e shteteve të Evropës Perëndimore, mund të thuhet se Serbia po luan “sigurt” duke balancuar me një këmbë në secilën qendër.

Dhe përderisa këto qendra garojnë mes vetes sesi ta tërheqin Serbinë rreth orbitës së vet, për Kosovën ia vlen gjithashtu të mendojë të ardhmen e Ballkanit edhe nga kjo perspektivë me Kinën si lojtar kyç.

Mësime për Kosovën

Për sa i përket marrëdhënieve Kosovë-Kinë, ajo duhet të shfrytëzojë kanalet diplomatike përmes Shqipërisë, e cila ka qenë historikisht e lidhur në periudhën komuniste. Jo për riorientim nga Kina, por si mënyrë për të mbajtur marrëdhënie pragmatike dhe të paktën me qëllim që të arrihet te pika në të cilën Kina të mos ketë kundërshtime aktive dhe idealisht të mos paraqitet kundër Pavarësisë së Kosovës. Pjesëmarrësve tjerë të 16 + 1, sikur Kroacia duhet gjithashtu, t’u kërkohet të lobojnë për një gjë të tillë; mbase është edhe në interesin e tyre që të mos ushqehen apetitet serbe për të dominuar rajonin.

Tjetri mësim nga ky zhvillim është që kalkulimet serbe për të ardhmen janë shumëdimensionale dhe jo vetëm të bazuara në neutralitet ushtarak e integrim në BE siç ceket zyrtarisht. Dhe me rritjen e Kinës e potencialisht zhbërjen e NATO-s (jo realitet tani, por skenar i mundshëm) i gjithë Ballkani rrezikon të rikthehet në fushëbetejë të fuqive të mëdha. Kjo dinamikë e kristalizon edhe më shumë nevojën urgjente të Kosovës që të zhvillojë ushtrinë dhe aleancat ushtarake si garantues ultimatum i vendit, e jo të varet në marrëveshje e premtime që mund të mos vlejnë asgjë, posa të ndryshojë konteksti.

 

Lexoni Gjithashtu

Debunking Articles

Pretendimi i ngritur nga Vudi Xhymshiti se Zëvendës Ndihmës Sekretari, Gabriel Escobari, ka nënvlerësuar qeverinë e Kosovës, duke e lidhur këtë me pretendimet se...

Analizë

Katër ditë para Vitit të Ri, më 27 dhjetor 2023, Qeveria e Kosovës miratoi në heshtje Projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media, i...

Analizë

Viti i parë i Qeverisë Kurti shënoi një start të vështirë në politikën e jashtme, shoqëruar me shumë gabime diplomatike dhe dështime të protokollit....

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.