Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Gabimi gjeo-strategjik i Perëndimit në Ukrainë

Ilustrimi nga: BigEye

Kriza në Ukrainë vazhdon të mbetet një ndër lajmet kryesore në Europë dhe botë. Më 18 mars bëhen tetë vite që nga aneksimi i Krimesë nga Rusia. Që atëherë, Ukraina është nën frikën konstante të agresionit rus dhe rrezikut të përshkallëzimit në luftë totale.

Situata në Ukrainë u tensionua si rezultat i disa vendimeve nga Perëndimi të udhëhequra nga lidershipi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Për të kuptuar thelbin e problemit dhe si erdhi situata deri këtu, dekonstruktimi i ngjarjeve dhe dallimet mes interesave gjeo-strategjike Perëndimore dhe ruse janë të domosdoshme.

Ky shkrim argumenton mbi arsyet se pse Perëndimi tentoi ta largojë Ukrainën nga influenca ruse. Gjithashtu, analizon arsyet se pse Rusia, si kundërpërgjigje, vendosi të pushtojë pjesë të territorit ukrainas. Përfundimisht, ky shkrim ka për qëllim të identifikojë se kush është përgjegjësi kryesor i krizës në Ukrainë.

Gjithçka filloi me Samitin e NATO-s në Bukuresht në 2008

Gjeneza e problemit në Ukrainë lindi në vitin 2008 kur NATO mbajti samitin e saj në Bukuresht të Rumanisë. Një ndër pikat kyçe të samitit ishte pika 23 e cila thotë në mënyrë ekskluzive se Ukraina dhe Gjeorgjia do të bëhen anëtare të NATO-s.

“NATO mirëpret aspiratat euro-atlantike të Ukrainës dhe Gjeorgjisë për anëtarësim në NATO. Ne ramë dakord sot që këto vende të bëhen anëtarë të NATO-s,” shkruan në deklaratën përfundimtare të samitit.

Presidenti rus Vladimir Putin i vlerësoi këto plane si kërcënim direkt ndaj Rusisë dhe u deklarua publikisht se nuk do ta toleronte një gjë të tillë. Megjithatë, Perëndimi vazhdoi me planin e saj. Për pasojë, në gusht 2008, Rusia pushtoi pjesë të territorit të Gjeorgjisë, Abkhazinë dhe Osetinë Jugore.

Gjashtë vite më vonë, protestat masive gjithpopullore (të cilat gëzuan mbështetjen e Perëndimit) për muaj me rradhë në Ukrainë kulminuan me rrëzimin e Presidentit Viktor Yanukovych dhe qeverisë së tij. Lëvizja gjithpopullore e cila njihet edhe si “Revolucioni i Dinjitetit” u pa si një fillim im i ri për vendin drejt reformave demokratike dhe integrimit euro-atlantik.

Kremlini zyrtar e vlerësoi këtë moment si kritik ndaj sigurisë së Rusisë dhe po në këtë moment, forcat ruse filluan zbarkimin në pikat kyçe të Krimesë për të filluar zbatimin e planit të aneksimit. Një muaj më vonë, konflikti përhapet edhe në rajonin e Donbas. Si rezultat, pjesë të Ukrainës lindore bien nën okupimin rus, duke krijuar një krizë serioze në vend dhe bllokuar çdo mundësi reale të integrimit euro-atlantik.

Perëndimi u befasua nga këto zhvillime. Perëndimi anashkaloi një ndër mësimet bazë të marrëdhënie ndërkombëtare, kur shtetet ndihen të rrezikuara ato reagojnë me forcë.

Interesat ruse kundrejt Perëndimit në Ukrainë

Putin nuk do ta lejojë asnjëherë NATO-n para dyerve të Rusisë. Në rrethanat aktuale, Krimea nuk do të bëhet bazë ushtarake e NATO-s. Në të njëjtin drejtim, vlerat demokratike dhe integrimi europian përbëjnë rrezik serioz ndaj regjimit të Putin. Prandaj, integrimi i Ukrainës drejt strukturave euro-atlantike duket mision i pamundur.

Përtej interesave politike dhe ushtarake, Ukraina ka një rëndësi të veçantë për historinë dhe trashëgiminë kulturore ruse. Gjeneza e themelimit të shtetit modern rus daton nga shekulli i nëntë, në kohën kur u themeluan shtetet e para sllave të Lindjes në eopkën e “Rusit Kievian”. Shteti më i fuqishëm qe u ngrit pas rënies së Rusit Kievian ishte “Duka i Madh i Moskës” që përfshinte territorin veri-perëndimor të Rusisë së sotme.

Rusia nuk e ka për qëllim pushtimin total të Ukrainës apo krijimin e “Rusisë së Madhe” siç argumentohet nga disa opinionistë. Me vendimet e tij, Putin po tregon se Perëndimi i ka vetëm dy mundësi: Garanci për largimin e aspiratave euro-atlantike për Ukrainën dhe kthimin në status-quo siç ishte para vitit 2008, apo vazhdimin e politikës së njëjtë dhe konfliktit në Ukrainë.

Për dallim nga Rusia, Ukraina nuk konsiderohet interes vital i Perëndimit. Shtetet anëtare të NATO-s nuk janë të gatshme të futen në konflikt me Rusinë për shkak të Ukrainës.

Konfrontimi me Rusinë nuk i shërben aspak Perëndimit. Bashkimi Europian është i varur nga gasi natyror rus dhe kriza në Ukrainë ka ngritur çmimet në mënyrë enorme duke ndikuar direkt në ekonominë e BE-së. Gjithashtu, në kohën kur interesi kyç i politikës së jashtme amerikane është Kina, ShBA-të do ta kalibronin një qasje më efektive në raport me Kinën me Rusinë në ekuacion.

Si përfundim, edhe pse në shikim të parë Rusia shihet si përgjegjësi kryesor në Ukrainë, mungesa e gjykimit të duhur dhe keqkalkulimi në Ukrainë krijuan një klimë të tensionuar për superfuqinë ushtarake të dytë në botë, e cila nuk do ta duronte në asnjë rrethanë praninë e NATO-s para shtëpisë së saj. Prandaj, përgjegjësi kryesor i rrëmujës së krijuar në Ukrainë është vetë Perëndimi.

Lexoni Gjithashtu

Debunking Articles

Pretendimi i ngritur nga Vudi Xhymshiti se Zëvendës Ndihmës Sekretari, Gabriel Escobari, ka nënvlerësuar qeverinë e Kosovës, duke e lidhur këtë me pretendimet se...

Analizë

Katër ditë para Vitit të Ri, më 27 dhjetor 2023, Qeveria e Kosovës miratoi në heshtje Projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media, i...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Analizë

Viti i parë i Qeverisë Kurti shënoi një start të vështirë në politikën e jashtme, shoqëruar me shumë gabime diplomatike dhe dështime të protokollit....

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.