Connect with us

Hi, what are you looking for?

SbunkerSbunker

Disinfo

Gazetarët – targeti i preferuar i sulmeve nga politikanët

Ilustrimi nga BigEye.

Kur Vjosa Osmani u detyrua ta lërë Zyrën e madhe Presidenciale në Prishtinë dhe të nisë rrugëtimin e saj politik duke u kthyer te shtëpia e vjetër, asaj papritmas iu kujtua një element shumë i rëndësishëm i pjesëmarrjes publike. Tha në mënyrë të përsëritur që ka qenë subjekt i sulmeve online dhe, për befasinë e askujt, tha se këto organizohen dhe aprovohen nga ish-aleati kryesor i saj, vetë Albin Kurti.

Për këtë kishin folur e bërtitur për gjysmë dekade shumë pjesëmarrës të tjerë të jetës publike, gra nga opozita, gazetarë e aktivistë. Por, zonja Osmani në asnjë rast nuk kishte folur, nuk e kishte ngritur shqetësimin e gjuhës toksike online, derisa nuk e përjetoi në lëkurën e saj. Për më tepër, ajo dhe ish-zotëria i Parë kanë sulmuar mediat dhe gazetarët në disa raste. Osmani nuk u tërhoq asnjëherë nga deklarata e Prindon Sadriut, i cili mediat në Kosovë i quante “ndërmarrje e përbashkët kriminale”. Heshtja erdhi si rezultat i komforit me të cilin e kishte veshur atë pushteti, prandaj qëndrimet e saj tani nuk mirëkuptohen pothuajse nga askush.

Gazetarët vazhdojnë të mbesin targeti i preferuar i politikanëve për t’u sulmuar, me Lëvizjen Vetëvendosje në pushtet, që për më shumë se 6 vjet e ka bërë betejën e saj në masë të madhe duke i identifikuar mediat si “armikun e popullit”.

Nga linçimet publike të mirëmbajtura nga aktivistët e saj në grupin “Me Kryeministrin” në Facebook e deri te shtyrjet fizike të Sami Kurteshit në KQZ, Vetëvendosje ka provuar të bindë elektoratin se gazetarët dhe mediat “po i helmojnë” dhe po “punojnë kundër interesave kombëtarë të Kosovës”. Strategjia e denigrimit të punës së gazetarëve nga Vetëvendosje është e ideuar dhe zbatuar qëllimshëm për ta minuar punën e tyre të rëndësishme në interes të publikut.

Vetë kryeministri Kurti, ministra e deputetë të Vetëvendosjes, angazhohen në një gjuhë mbase tipike për Ballkanin, duke i quajtur “tradhtarë” e “të shitur” gazetarët e aktivistët që ua kritikojnë qeverisjen. E liria për të shprehur pakënaqësi me vendimet e Qeverisë është baza e një demokracie si kjo e Kosovës, që Kurti e quan “më vibranten e më të avancuarën në rajon”. Postimet publike të politikanëve me lloj-lloj mbiemrash për gazetarët, duke përfshirë “langarecë”, u mundësojnë mijëra njerëzve t’i bashkohen linçimit publik me sharje, ofendime dhe, më së rëndi, kërcënime. Pak gazetarë, megjithatë, i kanë paraqitur rastet e tyre në Polici, e më pak kanë përfunduar me nisje të procedurave gjyqësore për kanosje.

Intimidimi i vazhdueshëm publik duket se është pranuar si diçka normale që vjen prej profesionit, qysh nga ata që ende e studiojnë gazetarinë në universitet. Kjo nuk duhet të lejohet të ndodhë. Nuk ka pasur dhe nuk ka asgjë normale brenda një kulture që shan, kërcënon e mallkon gazetarët dhe vazhdimisht gjen te ta fajtorin për dështimet e Qeverisë. Puna e gazetarëve ka qenë dhe vazhdon të mbetet mbajtja përgjegjëse e Qeverisë, e vendimeve që ndikojnë në jetën e secilit prej nesh.

Në betejën e përhershme kundër gazetarëve, VV-ja dhe Qeveria kanë aleatë dy institucione të rëndësishme, të pavarura në letër, por të kontrolluara politikisht. Duke riemëruar në postin e drejtorit të RTK1 një ish-militant të partisë, Vetëvendosja vazhdon ta keqpërdorë Transmetuesin Publik për të sulmuar mediat private dhe e ka vendosur RTK-në në shërbim të plotë të propagandës për Qeverinë.

Edhe më shqetësuese është përbërja e re e KPM-së, që doli nga një proces i komprometuar. Aty, treshja Besnik Berisha, Fitim Veliu e Luljeta Aliu, e kanë bërë të qartë qysh në mbledhjen e parë që kanë synim vetëm dënimet ndaj mediave. Diskursi publik i kryetarit Berisha ndaj Klan Kosovës dhe T7 është ndërhyrje flagrante në politikat editoriale të këtyre dy mediave dhe paralajmërimi më shqetësues deri tash për atë që i pret ato dhe mediat e tjera kritike ndaj Qeverisë dhe partisë.

Edhe pa ligjin e ri, Vetëvendosje ka arritur suksesshëm ta kapë këtë institucion kushtetues, që ende e ka për synim të fusë nën kontroll e monitorim portalet online, me qëllim që t’i dënojë ato sa herë që i jepet mundësia. E nëse ndodh kjo, Kosova do të vazhdojë rënien e lirë në indekset e lirisë së medias në Europë.

Lexoni Gjithashtu

Opinion

Aktualisht, në Kosovë, bazuar në  Ligjin e Punës,  nënave u garantohet pushimi i lehonisë prej nëntë muajve me pagesë dhe tre muajve pa pagesë....

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Analizë

Prezantimi i buxhetit të qeverisë është një nga ngjarjet më të rëndësishme të vitit. Në ekonomitë e zhvilluara, prezantimet e këtilla nxisin diskutime të...

Opinion

Për vite me radhë, një udhëzim administrativ nga Ministria për Punë dhe Mirëqenie Sociale, detyronte pensionistët kosovarë të paraqiteshin çdo gjashtë muaj në Departamentin...

Copyright © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.