Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Imigrantët mund të ndihmojnë në zbutjen e krizës demografike të Kosovës

Gjatë dy dekadave të fundit, vendet në Ballkanin Perëndimor kanë humbur një përqindje të konsiderueshme të popullsisë së tyre dhe rajoni tani po përjeton një krizë demografike. Kur bie fjala te ky fenomen, përjashtim nuk bën as Kosova, e cila po përjeton një shpopullim të konsiderueshëm. Ndërmjet viteve 2012 dhe 2022, kanë emigruar 338,000 kosovarë.

Situata pritet të përkeqësohet edhe më tej, duke pasur parasysh hyrjen ne fuqi të liberalizimit të vizave në janar 2024. Një studim i fundit nënvizon se më shumë se 28% të kosovarëve dëshirojnë të emigrojnë nga vendi. Efektet e këtij emigracioni tashmë janë të dukshme: në shumë dyqane e biznese të vogla sheh tabela që kërkojnë punëtorë.

Kosova përballet me një dilemë shtesë demografike, të shënjuar nga një popullsi në rënie dhe plakje. Sipas një raporti të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) në vitin 2019, vlerësohet se deri në vitin 2061 popullsia do të bjerë në 1.49 milion. Kjo nënkupton që popullsia mund të bjerë shumë më shpejt sesa pritej.

Këtu hyjnë në lojë shumë faktorë, ndër të cilët më i dukshmi është ekonomia e vendit. Kosova ka një nga GDP-të më të ulëta në Europë dhe inflacioni pas pandemisë ka çuar drejt një rritjeje të theksuar të çmimeve.

Kosovës së shpejti do t’i duhet të bëjë një zgjedhje: të rrudhet ngadalë nga mungesa e talenteve vendore, ose të përpiqet të tërheqë imigrantë.

Për ta adresuar këtë çështje ekzistojnë masa alternative, përfshirë ngritjen e pagave dhe krijimin e kushteve më të barabarta të punës për t’i mbajtur njerëzit në Kosovë dhe për ta tërhequr diasporën të kthehet.

Megjithëkëtë, zgjidhja më e shpejtë dhe më me ndikim është rritja e imigracionit, një trend që tashmë po zë vend në të gjithë rajonin. Vende si ShqipëriaSerbia dhe Kroacia kanë filluar të kërkojnë fuqi punëtore, në disa raste edhe nga vende të largëta si Bangladeshi.

Aktualisht, Kosova ka imigracion të huaj jashtëzakonisht të ulët: më pak se 3,000 njerëz që kanë imigruar në kërkim të punës vitin e kaluar.

Përveç frenimit të pasojave demografike, tërheqja e më shumë imigrantëve në Kosovë do të sillte përparësi financiare, sociale e politike. Kjo do të kërkonte që shoqëria kosovare të përshtatet, por edhe të frymëzohej nga ardhja e imigrantëve.

Shumë imigrantë kanë potencialin për të gjeneruar dhe investuar para në ekonominë lokale, si dhe për të krijuar biznese. Shumica e imigrantëve kanë të paktën shkollimin e mesëm, pavarësisht stereotipave se shumica janë të varfër, të paarsimuar dhe kryesisht meshkuj.

Këta individë shpesh ofrojnë burime të vlershme, si financiare, ashtu edhe njerëzore, pasi kërkojnë mundësi për një jetë të re. Imigrantët ukrainas, ta zëmë, janë zakonisht gra të arsimuara mirë, që kërkojnë mbështetje financiare afatshkurtër, punë, shkollë dhe të tjera shërbime për fëmijët. Por, ukrainasit nuk e gjetën këtë në Kosovë dhe shumica prej tyre tashmë janë larguar nga Kosova, sepse Kosova nuk ofron programe gjithëpërfshirëse integruese.

Vendet që kanë nevojë për imigrantë duhet të fokusohen në zhvillimin e programeve të integrimit, përfshirë këtu kurset e gjuhës, vlerësimin e aftësive, lehtësimin e investimeve ekonomike, rritjen e shërbimeve shëndetësore dhe arsimore, adresimin e diskriminimit dhe krijimin e skemave më fleksibile të së drejtës për punë.

Shqipëria, ta zëmë, tashmë po punon në këtë drejtim, me fluksin e madh të afganëve që mbetën të mbërthyer atje gjatë eksodit pas pushtimit të Afganistanit nga talebanët. Shqipëria nuk kishte planifikuar t’i integronte afganët, por u ndërmend që kishte nevojë për skema që përfshinin integrimin kulturor.

Për të tërhequr imigrantë dhe për të përfituar ekonomikisht, Kosova mund të mësojë nga shembujt që paraqesin vendet e tjera të rajonit dhe të zhvillojë programet e veta integruese.

Përveç përfitimeve ekonomike, fluksi i imigrantëve kontribuon në një diversitet më të madh në Kosovë, pasi individët sjellin me vete zakonet, traditat, gjuhët dhe besimet e tyre unike. Nga perspektiva shoqërore, kjo gjithashtu ndryshon me rrënjë identitetin kombëtar, duke ripërcaktuar sërishmi konceptin se çfarë realisht do të thotë të jesh kosovar.

Kjo ndihmon në zhvillimin e një shoqërie më gjithëpërfshirëse dhe ndihmon pakicat lokale dhe gratë, duke hequr supozimet e nacionalizmit dhe përkatësisë etnike, që natyrshëm anojnë drejt diskriminimit.

Imigrantët sjellin me vete mundësi të reja, secili në mënyra të ndryshme. U takon shoqërive t’i modernizojnë dhe pranojnë ata bashkë me kulturat e tyre. Herët apo vonë, Kosovës do t’i duhet ta bëjë këtë zgjedhje.

Lexoni Gjithashtu

Debunking Articles

Pretendimi i ngritur nga Vudi Xhymshiti se Zëvendës Ndihmës Sekretari, Gabriel Escobari, ka nënvlerësuar qeverinë e Kosovës, duke e lidhur këtë me pretendimet se...

Analizë

Katër ditë para Vitit të Ri, më 27 dhjetor 2023, Qeveria e Kosovës miratoi në heshtje Projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media, i...

Analizë

Viti i parë i Qeverisë Kurti shënoi një start të vështirë në politikën e jashtme, shoqëruar me shumë gabime diplomatike dhe dështime të protokollit....

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.